VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BANKA BOTËRORE: JA SI DO TË VEPROHET PËR PRONAT NË VAZHDIM

Nga LORENC RABETA


E Hënë, 03.26.2012, 09:14am (GMT1)

Prej kohësh Banka Botërore është e përfshirë aktivisht në asistimin e qeverisë shqiptare në zgjidhjen e një çështjeje aq të ndërlikuar sa ajo e pronës. Në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare", Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, sqaron natyrën e deritanishme të asistencës që BB i ka ofruar qeverisë shqiptare mbi çështjet e pronave dhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm. Sipas përfaqësueses së BB, aktualisht Banka Botërore po mbështet një projekt për administrimin dhe menaxhimin e tokës, ndërkohë që në një raport të shtatorit të shkuar, aktualisht i sulmuar nga ish-pronarët, në qendër të vëmendjes së ekspertëve të saj kanë qenë probleme si regjistrimit sistematik të tapive, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, rikthimi dhe kompensimit të ish-pronarëve, planifikimi urban dhe procesi i paefektshëm i dhënies së lejeve të ndërtimit. Ndërsa vëren se, Banka Botërore po punon për publikimin së afërmi të raportit të radhës, lidhur me kritikat që ish-pronarët i bëjnë raportit të shtatorit, Lvovsky sqaron se raporti është një dokument analitik e jo një dokument ligjor, dhe si i tillë ai nuk mund të shkelë interesat e askujt; ai vetëm mund të informojë debatin publik.

Sa është e përfshirë aktualisht Banka Botërore në çështjen e pronave, legalizimeve dhe kompensimeve në Shqipëri?
Aktualisht, Banka Botërore po mbështet një projekt për administrimin dhe menaxhimin e tokës, i cili po ndihmon në përmirësimin e shpejtësisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Patundshme (ZRPP) dhe në përfundimin e proceseve të para të regjistrimit dhe dhënies së tapive në zonat urbane. Programi ynë nuk përfshin ndonjë projekt tjetër për të drejtat e pronës, çështjet e legalizimeve ose të kompensimeve.

Prej kohesh, nga mediat dhe aktorë të tjerë, citohet për motive të ndryshme raporti i fundit i BB mbi çështjet e pronave. Mund të na përmendi disa detaje nga ky raport?
Raporti "Qeveria në mbrojtje të së drejtave të pronësisë së paluajtshme në Shqipëri: Një sfidë e vazhdueshme" përqendrohet në çështjet kyçe që prekin sigurinë e të drejtave të pronës së patundshme të tilla si: Procesi i regjistrimit sistematik të tapive i cili vazhdon të jetë i papërfunduar. Pa pasur regjistrime të sigurta të pronës, pronarët nuk kanë mbrojtje të duhur ligjore për transferimin (shitjen apo faljen) e pronave të tyre dhe përdorimin e financimeve të huave për t'i përmirësuar këto prona. Investitorë të ardhshëm po ashtu pengohen të financojnë projekte për shkak të vështirësisë në gjetjen e pronave me tapi të sigurta.
Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, i cili është ende i papërfunduar. Legalizimi i këtyre pronave do t'u japë mundësi pronarëve të tyre të maksimizojnë vlerën dhe përdorimin e pronave të tyre dhe gjithashtu do të prodhonte të ardhura për qeverinë. Këto të ardhura mund të rrisnin burimet e disponueshme për pagimin e kompensimit të ish-pronarëve.
Numri i konsiderueshëm i kërkesave të pazgjidhura në procesin e rikthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, pronat e patundshme të të cilëve u shpronësuan gjatë komunizmit. Një zgjidhje e suksesshme do të siguronte që kostoja e kompensimit financiar të paguhej brenda një afati kohor të arsyeshëm, pa rrezikuar rritjen, stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe shpenzimet sociale që kanë përparësi.
Kuadri i papërfunduar rregullator i planifikimit urban dhe procesi i paefektshëm i dhënies së lejeve të ndërtimit. Miratimi kohët e fundit i Ligjit të ri për planifikimin urban dhe miratimi (që pritet) i planeve urbanistike do të ndihmojnë në trajtimin e shumë prej pasigurive që ndikojnë në dhënien e lejeve të ndërtimit.

Vetëm para pak ditësh ishte Shoqata Pronësi me Drejtësi ajo që akuzoi se BB në këtë raport ishte bazuar vetëm tek të dhënat e ofruara nga qeveria e politika, duke anashkaluar pronarët. Cili është opinioni juaj?
Ekipi i Bankës ka pasur disa takime me ish-pronarë, banka, noterë, agjentë të zyrave të pasurive të paluajtshme, përfaqësues të publikut e të tjerë dhe ka bërë përpjekje për t'u njohur me pikëpamjet e tyre. Versioni i dytë i këtij raporti është në përgatitje e sipër dhe do të përfshijë mendime dhe komente të tjera të dhëna pas seminarit të shtatorit të vitit 2011 në Tiranë kur ky raport u bë i njohur publikisht. Në të njëjtën kohë, statistikat dhe të dhënat e përdorura në përgjithësi janë marrë nga të dhënat e ofruara nga qeveria meqenëse ato konsiderohen si burim zyrtar.

Shoqata vëren se raporti madje cenon rëndë interesat e tyre? Është e vërtetë?
Do të doja të theksoja se raporti është një dokument analitik, jo një dokument ligjor, dhe si i tillë ai nuk mund të shkelë interesat e askujt, ai vetëm mund të informojë debatin publik. Raporti bën një përpjekje serioze për të mos qenë i anshëm dhe për t'i shërbyer interesit publik, pa u ndikuar pa të drejtë nga asnjë grupi interesi. Ai ka të bëjë me faktet atëherë kur këto fakte njihen, me opinionet e ekspertëve të njohur ndërkombëtarisht dhe me përvojën ndërkombëtare në trajtimin e çështjeve të ngjashme, në veçanti, në ish-vendet komuniste të Evropës. Përvoja ndërkombëtare me rikthimin dhe kompensimin e pronave tregon qartë se një zgjidhje e suksesshme dhe e qëndrueshme duhet të baraspeshojë interesat e grupeve të ndryshme të palëve të prekura, përgjegjësinë e shtetit ndaj të gjithë qytetarëve të vet dhe sidomos atyre që janë më të varfër, me detyrimet e tij ndaj çdo grupi specifik dhe interesat e gjeneratave aktuale dhe të ardhshme. Banka Botërore ka për detyrë të analizojë dhe të vërë në dispozicion të vendeve anëtare të saj përvojat përkatëse globale.

LORENC RABETA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.