VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Austria kërkoi shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë dhe Kroacisë
E Premte, 07.31.2009, 08:45am (GMT1)

Në foto Dr. Michael Spindelegger

 

Evropa e ndjeshme ndaj Tiranës, pas Italisë, Suedisë dhe Britanisë vjen deklarata e fortë e Vienës. Austria kushtëzon negociatat mbi kërkesën e pranimit të Islandës në Bashkimin Europian me diskutimin mbi të njëjtën çështje për Shqipërinë dhe Kroacinë. Deklarata e fortë është e ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Austrisë, Dr. Michael Spindelegger, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Vjenë. Kreu i diplomacisë austriake u shpreh se, "Çelja e negociatave mbi kërkesën e Islandës për t'u anëtarësuar në BE duhet të përfshijë detyrimisht edhe kërkesën e Kroacisë dhe Shqipërisë". Sipas tij, çelja e negociatave të Islandës me BE-në do të kushtëzohet vetëm nëse në këto negociata do të përfshihet bashkërisht edhe Kroacia dhe Shqipëria. Deklaratat e forta pro integrimit të dy vendeve tashmë anëtare të NATO-s, kanë patur jo pak jehonë në shtypin austriak. Kështu, Televizioni Publik Austriak ORF, Agjensia Austriake e Lajmeve APA, gazetat e njohura "Die Presse", apo "Heute" në dy ditë i janë referuar gjatë kushtit që duket përbën politikën e jashtme të Austrisë mbi çështje të integrimit. Ministri i Jashtëm austriak, Dr. Spindelegger, ka thënë prerë se këto tre vende, Islanda, Shqipëria e Kroacia, duhet të përfshihen sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me unionin. Ja çfarë thotë gazeta austriake "Heute", e datës 28 korrik 2009 lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian: "Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Austrisë, Dr.Michael Spindelegger, është shprehur gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Vjenë, se negociatat e Bashkimit Europian me Islandën në lidhje me kërkesën e kësaj të fundit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të zhvillohen vetëm me kushtin, që në këto negociata mbi kërkesën e pranimit në Bashkimin Europian së bashku me Islandën të përfshihet dhe Kroacia me Shqipërinë". Shqipëria dorëzoi në Pragë në 28 prill aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE. Shqyrtimin e kërkesës zyrtarët e lartë europianë e kanë lidhur me përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, do të kryesojnë axhendën e diplomacisë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Përfundimi i procesit zgjedhor, i vlerësuar nga personalitetet më të larta europiane dhe amerikane në deklarata publike si më i miri i zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ka sjellë dhe intensifikimin e dinamikës diplomatike në lidhje me integrimin europian të vendit. Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, i ka hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës për anëtarësim që kryeministri i Suedisë, Reinfeld, në një deklarim të tij e ka lidhur pikërisht me përfundimin e procesit zgjedhor.ZA

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.