VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Berisha: Pse ishte e vështirë përzgjedhja e emrave në qeveri

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 12:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Berisha: Pse ishte e vështirë përzgjedhja e emrave në qeveri
E Premte, 09.11.2009, 03:29pm (GMT+1)

 

 

 

Kryeministri Berisha ka prezantuar dje në emisionin "Opinion" të TV Klan prioritetet e mandatit të dytë të qeverisë së sapokrijuar. Ai theksoi se përzgjedhja e anëtarëve të kabinetit të ri ka qenë një proces i vështirë, pasi vendi kishte në mandatin e shkuar një ekip që anëtarësoi vendin në NATO dhe realizoi me kompetencë të madhe reforma të thella. Kreu i qeverisë nënvizoi se ky kabinet ka një përfaqësim të gjithanshëm dhe koalicioni i ri sjell një risi pozitive politike dhe sociale. Duke u ndalur në kriteret e përzgjedhjes së ministrave të rinj, kreu i qeverisë theksoi se bazë e përzgjedhjes ka qenë merita, por edhe kriteri politik.

 

Përzgjedhja e kabinetit të ri

 

Përzgjedhja e këtij kabineti ka qenë një proces i vështirë për mua, sepse me një kabinet, me një ekip anëtarësuam Shqipërinë në NATO, një arritje madhore e historike për vendin. Me një ekip ne transformuam klimën për biznesin, bëmë një revolucion fiskal ndër më madhorët, dyfishuam të ardhurat, rrogat e pensionet. Jam i bindur se ai ekip, duke mos besuar kurrë në përsosmëri, ishte i suksesshëm. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë votuan për një epokë të re në marrëdhëniet politike mes forcave politike, midis të majtës dhe të djathtës. Diktuan një koalicion, nuk i dhanë të gjitha votat e mjaftueshme një koalicioni të qeverisë plotësisht, por i dhanë aq shumë vota sa që koalicionit tim i duhej të bënte një koalicion me një forcë tjetër të spektrit tjetër. Kjo përbën një risi në rrafshin politik, por dhe në rrafshin social përbën një risi pozitive. Unë isha në Varshavë dhe një nga tre-katër kryeministrat aty, midis tyre kancelarja Merkel, i thanë: "Çfarë mendoni për zgjedhjet që humbët në Gjermani, zgjedhjet lokale?". Ajo bëri shpjegimin, njëri prej tyre ishte landi i vogël. Po të ishte më i madh, rezultati do të ishte ndryshe. Qytetarët shqiptarë, në një farë mënyre, i dhanë një përgjigje kampeve politike, duke u thënë se nuk mund të qeverisni vetëm dhe është e domosdoshme të qeverisni në një koalicion. Për shkak të këtij koalicioni, disa nga ministrat e kabinetit duhet t'u lëshonin vendet anëtarëve të rinj të koalicionit. Përsëri disa anëtarë të koalicionit të mëparshëm nuk hynin dot në qeveri për shkak të proporcionalitetit për të qenë në qeveri dhe u krijua ky kabinet, në të cilin bazë është merita. Ky kabinet ka një përfaqësim të gjithanshëm. Në përzgjedhjen e këtij kabineti kam pasur një vështirësi tjetër. Më 28 qershor unë kam realizuar një qëllim të madh të jetës sime, kam patur një qëllim që Parlamenti të ketë njerëz sa më të shquar. Sot Parlamenti shqiptar, falë sistemit ka personalitete nga të dyja anët e politikës më shumë se asnjëherë. Për këtë, vendi ka patur nevojë të madhe dhe ka nevojë të madhe. Në këtë Parlament janë futur reformatorë të shkëlqyer, që kanë dhënë kontribut të madh në reformat e vendit. Edhe kjo ka qenë një vështirësi për të përzgjedhur ministrat. Atëherë, baza ka qenë merita. Së dyti, është bërë një përzgjedhje bazuar në kriterin politik. Nuk mund të them aspak që ata që janë larguar, janë larguar për shkak të kriterit politik, sepse Gjana, Alibeaj e të tjerët kanë pasur një kriter politik të pacenueshëm. Megjithëkëtë kompozim, unë bëra këtë përzgjedhje duke mos qenë e përsosur, por është ndër më të mirat.

 

Rikthimi i Mediut në qeveri

 

Me PR-në kemi një marrëveshje paraelektorale. Ne kemi një marrëveshje së bashku dhe do të qeverisim së bashku pas zgjedhjeve, kjo ka qenë marrëveshja. PR u votua, mori 32 mijë vota. Futi zotin Mediu në Parlament dhe votat e tjera janë kontribute për koalicionin parlamentar. Në rast se kostoja e një deputeti është 10 mijë vota, PR ka 32 mijë vota. Në këtë kontekst, është e detyruar që ne të bënim këtë marrëveshje. Duke vlerësuar votat, PR mori vendin që i takon në qeveri. Duke respektuar PR-në, unë do të pranoja çdo kandidat për postin e ministrit të Mjedisit që do të më sillte kjo parti. Unë nuk mundja t'i imponoja emrin e ministrit PR-së, por as edhe një partie tjetër, sepse kjo nuk është më koalicion, por është diktat. Dhe këtë unë e kam bërë publike, që do të pranoj kandidatin që do të më sjellë partia e Mediut. Zoti Mediu ka një dosje në gjykatë. Akuza e parë e bërë për korrupsion u rrëzua nga vetë ata që e ngritën. Dhe dosja është për shpërdorim detyre. Unë dua të theksoj se qeveria ime nuk do të nxjerrë as pengesën më të vogël dhe se për qeverinë time nuk ekziston imuniteti. Nëse dikush mendon se Mediu u vendos për t'i krijuar një imunitet, kategorikisht nuk ka imunitet asnjë deputet, asnjë ministër nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet ndaj problemeve të ngritura nga drejtësia. Ky është një standard i mazhorancës. Unë e kam shprehur dhe e shpreh se do të pranoj çdo emër që do më sjellë Partia Republikane. Po në qoftë se unë shprehja preferenca në një mënyrë apo një tjetër, faktikisht asaj partie unë i diktoja. Këtë gjë unë nuk e bëj, se ajo është parti sovrane. E quaj më të ndershme të gris marrëveshjen se sa të diktoj se kë do të më sjellësh ti mua në qeveri.

 

Mediu, kontribut të çmuar për integrimin në NATO

 

Unë jam i detyruar të mos i mohoj askujt meritat. Dua të theksoj këtu, se nëse ka një individ me merita shumë të veçanta në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është Fatmir Mediu, dhe këtë e them me vërtetësinë më të madhe. Mediu është ndër më të parët zyrtarë të këtij vendi, që i besoi kësaj mundësie dhe krijoi lidhjet më të shkëlqyera me ato personalitete që mbështetën fuqishëm Shqipërinë dhe forcat e armatosura për të hyrë në NATO. Në këtë kontekst, ajo çka ai ka kontribuar nuk mund t'i mohohet. Dua të them se, asnjë paragjykim për një kontribut të tij në fushën ku është emëruar nuk mund të mohohet. Nëse u kujtohet, është akuzuar se ka shmangur ushtarakët. Delijorgji dhe Pinari janë aty ku janë. U janë bërë oferta nga më të ndryshmet dhe nuk kanë bërë një dëshmi të vetme se kanë përfituar përmes kompromentimit të Fatmir Mediut. Dosja është dorëzuar. Ka një problem. Dosja ka shkuar në gjykatë ka 36 mijë faqe. Ky zotëri është në gjykim, nëse kërkohet imuniteti në mënyrë absolute nuk do të mbahet imuniteti. Është e natyrshme që, kryetari i partisë të marrë një vend në qeveri, por unë publikisht e deklarova që do të pranoj atë vendim të Partisë Republikane. Fatmir Mediu dha dorëheqjen. U kërkua imuniteti, iu hoq. U kërkua imuniteti për një akuzë, që në mënyrën më absolute ishte e pabazë. Akuza ishte se ka shmangur ushtarakët në një kohë kur ekzistonin pesë dokumenta me 32 firma që deklaronin të kundërtën. I kam thënë atë ditë Prokurores së Përgjithshme, se me një akuzë të tillë t'i vetëm shkatërron hetimin. Prokuroria mbylli dosjen ditën e fushatës elektorale, ajo e tregoi se cili është qëllimi i saj. Ajo një hetim e bëri çështje politike. Zoti Mediu po i nënshtrohet të gjithë procesit.

 

Rikthimi i figurave me kontribut në qeveri

 

Së pari, po e thjeshtoj, për mua nuk ekziston një PD e vjetër, një e re. Një e vërtetë është: disa prej personaliteteve që janë sot ministra, kanë patur momente të vështira me mua. Mirëpo secili prej tyre ka meritat e padiskutueshme në punën e tij. Rikthimi i tyre në PD ka qenë shumë i mirëpritur nga ana ime. Në vendimet e mia nuk mund të jem zemërthyer, se ato nuk m'i imponon askush. Për shembull, zoti Ceka do të bashkëpunojë me mua në fushën e kulturës. Unë kam bërë koalicion dhe do të bëj koalicion, por ju nuk do të gjeni kurrë një njeri që të thotë që Berisha qe jo i sinqertë. Për këta nuk është koalicion, sepse PD është partia e tyre dhe ato kanë kontributin e tyre të pavarur nga unë dhe unë them se PD gjatë këtyre viteve është më e plotë se kurrë. Unë e kam pritur me shumë kënaqësi bashkimin me zotin Pollo. Politika nuk është arti i inateve, i mllefeve. Për emrat jam konsultuar me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, me zonjën Topalli dhe zotin Patozi. Janë mbajtur sekret se është bërë studim e ristudim për çdo emër. Një gjë tjetër i jam mirënjohës zotit Meta, që qeveria të bëhej publike sa më vonë. Se në rast se ne do të nxirrnim emra, do të kishte një impakt negativ tek qytetarët. Ministrat që nuk janë më në qeveri u larguan në mënyrë dinjitoze dhe nuk janë larguar për mossukses. Sigurisht nuk ka deputet që nuk duhet të mendojë se do të bëhet ministër. Çdo deputet duhet të mendojë të bëhet ministër.

 

Koalicioni

 

Po të ishte Edi Rama në vend të Metës dhe Meta të kryesonte PS, para se të bëja koalicion me PS do të bëja me Ramën, që t'i lija vendit opozitën, se nuk do ta lija vendin pa opozitë. Absolutisht po. Do të bëja koalicion. Dua të jem fare i sinqertë, unë lexova votën e qytetarëve shqiptarë. Për mua rëndësi ka verdikti. Në këtë rast, koalicioni me Metën i jepte vendit një qeveri konstante dhe e bënte vendin me opozitë. Ka një moral politik. Ilir Meta ka disa vite në opozitë. I ka rezistuar presioneve si asnjë forcë tjetër politike. Dua të jem i sinqertë, ky presion ka qenë i dyanshëm. Në këtë kontekst, dua të them se LSI është një forcë politike e konsoliduar. Marrëveshja politike është marrëveshje politike. Në rast se ti kërkon të bësh një marrëveshje, detyrimisht do të zbatosh detyrimet që të lindin. Çfarë do t'u thoja shqiptarëve unë, që për shkak të 2001 të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk dua të bëj koalicion me Ilir Metën. Unë po të them se po të refuzonte Meta koalicionin, unë do të bëja koalicion me zotin Rama.

 

Numri i ministrive

 

Lidhur me premtimin tim elektoral, në rast se do të kisha votat si PD do të zbrisja një kabinet. Ajo që nuk është e drejtë është shtimi i kabinetit, sepse posti i zëvendëskryeministrit u tubëzua. Meta do të monitorojë dhe drejtojë çështjet e jashtme dhe të integrimit. Ndërkohë, zëvendëskryeministri që kam pasur, Pollo, ka pasur disa detyra shumë të rëndësishme, të cilat nuk kanë qenë kaq vokale në publik, por kanë qenë shumë të rëndësishme. Pollo ka drejtuar reformën e gjendjes civile, titujt e tokës, reformën e shëndetësisë. Në këtë katërvjeçar po të më pyesni, cilat janë objektivat më madhore me të cilat ti mendon se do të ndryshosh Shqipërinë - janë një infrastrukturë moderne për vendin tim dhe mosha dixhitale. Nëse ne duam të paraqesim një Shqipëri tjetër, ne duhet të ndërtojmë Shqipërinë dixhitale. Le të ndërtojmë rrugë më moderne, le të bëjmë çdo investim, por në rast se ne nuk e sjellim vendin në moshën dixhitale, ne nuk kemi një Shqipëri që duhet ta kemi. Sjellja e Shqipërisë në moshën dixhitale është një ambicie e imja. Ajo ka bërë disa hapa pozitivë, siç janë: të gjitha shkollat me internet, prokurimet publike elektronike. Shqipëria është i vetmi vend në botë që prokurimet i bën 100% në mënyrë elektronike. Zoti Pollo, në këtë kontekst, do të ketë edhe të gjitha drejtimet e projekteve të moshës dixhitale. Ministria e Shtetit do të ketë detyrë lidhjen e qeverisë me Parlamentin. Të gjitha këto arsye e bënë të domosdoshme pasjen e një Ministrie të Shtetit.

 

Përfaqësimi i grave

 

Kjo është një dobësi që do të korrigjohet, por nuk është bërë për asnjë mënyrë tjetër, përveç asaj mënyre që u paraqit ky kabinet. Mos u çudisni ju që një ditë të më shihni të ulur këtu me gjysmën e qeverisë zonja. Unë nuk mund të kem paragjykim në rast se ftoj një njeri në qeveri dhe të rri të merrem me të shkuarën e tij, sepse atëherë pse e ftova unë nuk e gjej moralin. Në rast se unë kam mirëpritur këta zotërinj, do t'i respektoj. Secili është në parti për investimin e tij dhe investimi duhet respektuar.

 

Plotësimi i kushteve për liberalizimin e vizave

 

Pasaportat biometrike janë një kusht për lëvizjen e lirë dhe ne po e ndjekim me vëmendje shpërndarjen e tyre. Në momentin e caktuar, ne do të bëjmë një ndërhyrje. Unë kam propozim që administrata në rresht ta marrë, por nuk më konvenon. Në rast se interesi kombëtar pengohet, qeveria do të gjejë mënyrat, pasi ne nuk mund të frenohemi nga pasaportat biometrike. Kjo do të ishte absurde. Unë jam zotuar që vitin e parë të mandatit të dytë do të merret vendimi për vizat. Janë bërë komente të shumta, pse Serbisë dhe jo neve. Unë personalisht e shoh një proces normal. Qeveria e ka në dorë, por në rast se ne do të plotësonim kushtet, unë do të thoja se i plotësuam kushtet, por nuk na e dhanë. Mos harroni se ish-Jugosllavia ka lëvizur pa viza para viteve '90. Europa ka një memorie. Ndërkohë që këtu vihej teli me gjemba, ata lëviznin të lirë.

 

Përfaqësimi i komunitetit çam

 

Kam deklaruar se çdo aleat i imi në ndarjen e qeverisjes do të ketë koncesion më shumë nga Partia Demokratike. Por PDI ka marrë 14 mijë vota, në një kohë ku PR ka 32 mijë vota. Nuk ka asnjë gjë tjetër veçse në proporcionalitet merr votat e koalicionit, hiq postet që mori LSI. Pra çdo gjë do të përfaqësohet në raport me votat.

 

Shqipëria, i vetmi vend që nuk u prek nga kriza

 

Shqipëria pati fatin e madh që në dallim me të gjitha vendet e rajonit, nuk pati rënie në të ardhurat krahasuar me vitin e kaluar, por pati një rritje 8%, pati një rënie të eksporteve, por një rënie të pranueshme krahasuar me vitin e kaluar. Nuk u prek në mënyrë surprizë sistemi fason. Ndërtimi ka rritje. Banka e Shqipërisë informoi se gjashtë mujori që kaloi ka pasur 59% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2008. Shqipëria nuk është një vend që pati krizë, pati pasoja krize, por jo krizë. Çfarë i ndodhi Shqipërisë në këtë periudhë? Shqipëria meqenëse po përfundon rruga Durrës-Kukës, pati një rritje të investimeve. Por, nuk ka asgjë më pozitive sesa rritja e investimeve të huaja për një vend. Unë mendoj se ka patur dy faktorë që shpjegojnë arsyen se përse ne nuk na kapi kriza. Faktori i parë është se, investimin e kemi dy herë më të madh se të gjitha vendet e rajonit, ne jemi në 10% të GDP, dhe së dyti, jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në botë. Ka patur rritje të madhe të investimeve, të cilat kanë imponuar një rialokim të fondeve në drejtim të investimeve. Euro është një monedhë e BE dhe është më kryesorja e botës, në këtë kohë edhe skeptikët britanikë shohin drejt euros. Nuk mund të them, por forcimi i euros nuk funksionon mirë për ekonominë evropiane, sigurisht nuk funksionon mirë për ne. Banka i ka të gjitha mundësitë, dhe rritja e vlerës së Euros nuk përbën një problem shqetësues. Banka jonë është e përgatitur për të gjithë ndërhyrjen. Banka e Shqipërisë është një bankë me shëndet të plotë, ka një rezervë të madhe, ka një potencial të madh dhe ndjek me shumë vëmendje çdo lëvizje. Nga ana tjetër, ky kurs ka favorizuar disa gjëra në Shqipëri. Defiçiti buxhetor do të jetë 4.2% dhe nuk do të lëvizë. Për vitin që vjen do ta planifikojmë 4 apo 3.8%.

Ndërtimi i Unazës së madhe

Unaza e madhe e Tiranës është e domosdoshme. Do të bëjmë çdo gjë që të jetë e nevojshme për ta ndërtuar. Do të jetë një nga projektet më të mëdha. Unaza e madhe në tërësi shtrihet jashtë qytetit të Tiranës. Shtrihet në Farkë, Dajt, Paskuqan edhe në një pjesë të Kasharit. Kamza do të përjashtohet nga trafiku. Unaza do të zbresë nga bregu i lumit, në trajektoren e vet e ka projektin, në mënyrë që trafiku që vjen nga Veriu të mos hyjë në Kamëz. Të futet të autostradë, përndryshe Kamza po shkatërrohet. Është projekt që kap shifrën e të paktën 400 milion minimumi. Do të bëjmë çdo përpjekje që ta japim me koncesion. Kanë treguar interes kompani serioze, por në rast se kjo nuk ecën, jemi të detyruar të mobilizojmë buxhetin për këtë projekt. Sepse ndërtimi i rrugës së Arbrit e bën jetik segmentin nga Ura e Brarit tek Ura e Limuthit. Nëse arrijmë ta japim me koncesion, do të jetë shumë mirë, në të kundërt do të ndërhyjmë me buxhet.

 

Mbajtja e premtimeve

 

Ne do të mbajmë të gjitha pretimet që kemi dhënë gjatë fushatës elektorale. Do të hiqet TVSH për arsimin privat, fillimisht dhe më pas për shëndetësinë. Së dyti, ka nisur projekti për rrugën Tiranë-Elbasan. Ka shanse që brenda vitit 2010 të përfundojë një segment që pothuajse është gjysma e Boshtit të Jugut. Boshti i Jugut është një tjetër projekt ambicioz për të cilin ka diskutime. Ky vit më ka bindur në mënyrën më të vendosur për këtë projekt. Cili është ndryshimi më substancial i këtyre viteve? Është turizmi. As unë nuk kam patur kurrë guximin të them, se në vitin 2009 do të kemi 3 milion turistë në një kohë kur në 2004 kishim vetëm treqind mijë. Turizmi është bërë një degë shumë e fuqishme e ekonomisë së vendit, shumë më e fuqishme nga ç`perceptohet nga ne. Kemi investuar në zonën turistike të vendit rreth 760 milion euro dhe realisht brenda 2010 do të asfaltohen të gjitha rrugët nga Velipoja në Ksamil të fshatrave që zbresin drejt detit. Saranda, turistët kosovarë më shpejt vijnë nga Kosova në Tiranë se sa nga Tirana në Sarandë. Saranda dhe bregu janë pasuria më e madhe turistike e vendit. Një shkurtim i distancës së Sarandës me 100 km do të ishte shërbimi më i madh që ne i bëjmë turizmit. Kam bindjen se, brenda mandatit do të përfundojë boshti i Jugut.

 

Rritja e kapaciteteve hoteliere

 

Asnjë ndërtim pa leje nuk do të tolerohet. Për të zgjeruar banesat do të japë leje komuna. Nuk është oportunizëm, por kjo është një zgjidhje e mirë. Ka pasur shumë turistë që e kalonin natën në makina se nuk gjenin dhoma. Qeveria do të japë kredi të buta për banorët e zonave të bregut. Po bëhen planet urbanistike, do të fillojë ndërtimi i resorteve turistike, do të fillojë ndërtimi i fshatrave turistike. Por edhe turizmi familjar nuk duhet injoruar.

 

Mungesa e ujit dhe plehrat

 

Problemi i ujit është problem i madh dhe ky problem në Tiranë nuk është vetëm çështje menaxhimi, por është çështje e rrjetit, i cili nuk ka ndjekur me ritmin e duhur shtimin e ndërtimeve. Po mendohet të fillohet një unazë e dytë ujësjellësi në mënyrë që të mund të kapen zonat më mirë. Liqeni është i bollshëm nëse është e nevojshme për ndërhyrje ato do të bëhen. Problemi i ujit është një problem i madh nga Divjaka deri në Gjirin e Lalzit. Për vitin që vjen, ne do të fillojmë një nga projektet e mëdha të ujësjellësit në këtë zonë. E domosdoshme është që ne të fillojmë ndërtimin e një vepre të madhe ujësjellësi. Pa projekt se bën dot, nuk është çështje fondesh, por është absolutisht çështje projekti. Për plehrat, ne po bëjmë përpjekje për të ndërtuar landfield-e në çdo qytet, për fat të keq dy qytetet e mëdha turistike, Vlora dhe Durrësi nuk kanë bërë tenderin për prokurimet. Në Sarandë është përcaktuar zona. Kushti i parë është ndërtimi i landfield-eve. Do të vendosim një sistem ligjor për plastikat dhe për shishet, po përpunohet një sistem që është i suksesshëm në Suedi e në disa vende, me shpresë që ne do ta zbatojmë, mund të shkojmë drejt ndalimit të plastikës dhe të përdorim letrën. Pra e domosdoshme është një ndërhyrje për rehabilitimin e plehrave.

 

Bojkoti dhe hapja e kutive

 

Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, ku rezultati i 4700 qendrave të votimit është i certifikuar me firmën e të gjithë komisionerëve pa asnjë vërejtje. Kanë qenë 14 qendra votimi, të cilat u sollën dhe u numëruan në KQZ, në prani të të gjithë botës dhe ky është procesi më i mirë. Opozita kërkon numërimin e Beratit. Filloi të thoshte se në atë kuti kishte mandatin, u hap ajo kuti dhe mandati s'doli. Çfarë ka ndodhur më datën 8 korrik, zoti Genc Gjonçaj, ka marrë videon e plotë të numërimit të Beratit, në datën 10. Zoti Edi Rama as në KQZ, as në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte i zoti të përdorte segmentin më të vogël të kësaj video për parregullsi në numërim. Akuzoi komisionerët e tij, akuzoi edhe Erion Braçen se i ka marrë votat Erion Velisë, kjo është e vërtetë. E çoi çështjen në gjykatë, u mor një vendim. Të jeni të sigurtë se njeriu më i interesuar për atë numërim është Sali Berisha, sepse kam bindjen absolute që në Fier na morën një mandat. Por ka vendime gjykata, të gjitha i çuan në gjykatë. Ne s'mund të rrëzojmë vendimin e gjykatës. Çfarë thotë ligji i Komisioneve Hetimore? Komisionet Hetimore nuk mund të krijohen për çështje që janë në gjykim. Nëse ai ka faktet më minimale, s'mund të pranohet ky kusht, bie në kundërshtim mbi pushtetin gjyqësor. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Zoti Rama po të donte të mos e çonte në gjykatë, ta linte çështje midis grupeve parlamentare. Të japë një zgjidhje, të shkojë të marri filmimin, edhe t`ua japë mediave dhe të ftojë gazetarët. Se bën dot këtë. Këtu është problemi. Të marrë videon dhe të thotë ku janë shkeljet. Ai vë kushte, pasi e di që nuk zbatohen, ai e di që ekzekutivi s'ka lidhje me vendimet e gjykatave. Ai e paraqet atë vetëm dhe vetëm që të pengojë lëvizjen e lirë.

Akuzat për lirimin e të burgosurve

Zoti Fatmir Xhafa ka liruar 200 të burgosur në zgjedhjet e 2005, siç ka pasur Rama listën e kam pasur edhe unë. Ka patur vetëm një rast, për të cilin ne e akuzuam Fatmir Xhafën. A e dini ju që ne nga ata të burgosur humbëm Pogradecin dhe nuk kemi thënë që humbëm nga të burgosurit. Ne nuk mund të paragjykojmë. Ne kemi patur një rast dhe ua kemi thënë. Ai le të thotë. Të japë fakte, por të akuzosh apriori se ata janë të burgosur është jashtëzakonisht e pafalshme. Ata për atë që kanë bërë janë aty. Kanë familje të nderuar. Nuk mund të mbahet ky qëndrim, është i tejkaluar për vendin. Ka 30 ditë që e përmend, por të japë një rast. Të pyesë Fatmir Xhafën sa ka liruar. Po kjo s'përbën krim. Ky është paragjykim, të them se është krim elektoral se u liruan të burgosurit për të votuar, edhe për Krishtlindje lejohen, edhe për raste familjare. Opozita është e mirëseardhur. Ai të mos mendojë se, përmes këtij procesi do të bllokojë vizat. Ai këtë synim ka. Në gjykimin tim, ai po ndjek absolutisht rrugën më shkatërruese për forcën politike. Nëse ka probleme le të vijë në Parlament dhe unë e garantoj.

 

Hetimi për deputetin Xhindi

 

Unë mund të kem 100 vërejtje për hetimin e rastit të zotit Xhindi. Por, unë nuk e zëvendësoj dot Prokurorinë. Le të ulemi, sepse unë s'dua ta bëj publike, por unë mund të kem shumë më tepër vërejtje për këtë proces. Këto z. Rama i përdor thjesht për qëllime personale për të mos u futur në Parlament. Po ja them këtu, duke e konsideruar Partinë Socialiste vlerë të rëndësishme për vendin. Mënyra se si po sillet është një mënyrë shkatërrimtare dhe e them me keqardhjen më të madhe. Ti përdor pushtetin tënd si kryetar, vetëm për të shkatërruar partinë. Për mua është shumë më komode të kem atë si kundërshtar për këto katër vjet. Bojkoti i parlamentit është në dëm të PS, është dhe dëmi i vendit. Nuk çohet partia në një luftë kaq të egër. (http://www.rilindjademokratike.com)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Muhedini: Nuk na dhanë një ministri, por do marrim patjetër ambasadën në SHBA (09.11.2009)
Blushi dhe Malaj takim nesër me socialistët për reformimin e PS (09.10.2009)
Blushi insiston: Jam kundër bojkotit, po bëhet për interesa personale (09.09.2009)
Kryesocialisti nis sot turin për zgjedhjet e shtatorit (09.09.2009)
PS paralajmëron protesta popullore (09.09.2009)
Braçe: Do marrim pjesë në Kuvend (09.08.2009)
Topi përshëndet Kuvendin e Ri (09.06.2009)
Blushi rishprehet kundër bojkotit të kuvendit (09.05.2009)
Vëzhguesit vendës: Zgjedhjet i përmbushën standardet (09.04.2009)
Mandati që ndryshoi ShqipërinëNga Sali Berisha (09.03.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]