VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Berisha: Raporti i OSBE/ODIHR dëshmon se vendi bëri zgjedhjet më dinjitoze dhe se numërimi ishte korrekt
E Martë, 09.15.2009, 07:50am (GMT1)

 

- Zoti Berisha, ju cituat dy herë paragrafin e raportit, ku thuhet se nuk ka pasur prova për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve, kurse opozita ka vendosur kushtin e saj kryesor për të ngritur një komision hetimor për zgjedhjet? Duke e vlerësuar jo pa të drejtë këtë raport si më të mirin, a jeni penduar që e keni paragjykuar zonjën Glover në krye të ODIHR-it, duke qenë se nuk keni zhvilluar asnjë takim me të?

 

Berisha: Pyetja e parë, sikur zoti Rama të kishte paraqitur qoftë edhe provën më të vogël për parregullsinë e numërimit, unë absolutisht do të qëndroja. Por kam theksuar një gjë, zoti Rama mori një video për procesin e numërimit të Beratit. Dhe ne e morëm videon, se dhe ne kishim dyshim se na janë plaçkitur votat, kuptohet thashathemnaja se ka dhe një mani që të qarkullojë dhe të thuhet u bë kjo. Çfarë dilte aty, me kthjethtësi të kristaltë dilte që çdo votë ishte numëruar me korrektësinë më të madhe. Edhe akuzat që Erioni i bën Erionit ishin tërësish të pabaza, kjo është për ne, kjo është dhe për zotin Rama. Atëherë, si po e ndërton zoti Rama të gjithë akt-akuzën e tij? E ndërton në padukshmërinë e shkeljeve nga komisionerët, nga KQZ-ja, nga të gjithë mediat. Atëherë, vërtetë kjo ekziston apo është haluçinacion i zotërisë së tij. Po t'i referohesh fjalës në Kongres, çfarë tha? Jo nuk ishte siç ka qenë me paçavuret e SHIK-ut, e Policisë e këto e këto, jo kësaj here ishte gjë e pakuptueshme dhe për vetë komisionerët, për mediat. Por çfarë ishte? Kësaj here ishte një shpifje e zotërisë të tij. Kësaj here ka qenë hera e vetme që janë firmosur të gjitha procesverbalet, përveç 14 kutive. Zotëri, unë lexova 2001 që të mos e harrojmë. Në 2001, në raportin paraprak zgjedhjet kanë qenë pozitive. Në raportin përfundimtar thuhej që: menjëherë pas përfundimit të procesit, opozita paraqiti prova të qarta të qenësishme për shkeljet OSBE-ODIHR-it. Mendoni ju se OSBE-ODIHR do të pranonte provat e Sali Berishës dhe nuk do të pranonte provat e Edi Ramës? Kurrën e kurrës. Ato pranojnë çdo provë që ka një objektivitet maksimal tek ky raport. Në raportin e vitit 2001 thuhej se, megjithëse vlerësimi fillestar ishte pozitiv, pas raundit të parë të zgjedhjeve procesi zgjedhor i tejzgjatur si dhe shkeljet e përsëritura dhe deformimet serioze në zgjedhje në zonën 60 i dhanë të drejtë OSBE-ODIHR për hartimin e një raporti të ri. Provat tona u pranuan të gjitha, kurse zoti Rama nuk ka prova. Partia Socialiste ka 1000 herë të drejtë të kundërshtojë me prova, por në rast se kundërshton pa prova i rikthehet traditës së saj, alergjisë ndaj votës së lirë. Kjo të rikujton kohët më të errëta, kur nuk njihnin votim tjetër, vetëm atë që manipulonte vetë. Pse zoti Rama nuk jua shfaq juve videot e Beratit si dëshmi, se pretendon se i ka ngelur një mandat aty? Për sa i përket ambasadores Glover, unë nuk kam pasur asnjë problem personal, ka qenë një çështje parimore. Duke vlerësuar raportin, sigurisht që po vlerësoj çdo anëtar të këtij ekipi, kryetaren dhe kryetarin që ishte zonja Glover dhe zoti Grossruk dhe të gjithë ata që morën pjesë. Unë jam i sigurtë që vlerësimi i tyre është shumë objektiv.

 

- Zoti kryeministër, në raport përmendet fakti se është ushtruar presion ndaj administratës për ta nxjerrë nëpër mitingje? Si e komentoni faktin që çështja ndaj zotit Mediu është pushuar, ndërsa ju keni thënë se nuk do të ketë imunitet për mazhorancën tuaj?

Berisha: Absolutisht nuk ka imunitet për mazhorancën time. Së pari, ju u referoheni disa akuzave paraelektorale. Më pyet ti mua, 4100 punonjësit e Bashkisë janë të detyruar të mbushin Pallatin e Kongreseve aq herë sa i kërkohet nga Edi Rama? Unë nuk përjashtoj ta them haptas që ka raste të caktuara sporadike, aktivistë apo drejtues të Partisë Demokratike t'u kenë bërë thirrje punonjësve, por në mënyrë absolute kjo nuk ka qenë politikë. Të vetmen gjë unë e kam mbrojtur dhe me të huajt, është çështja e mësuesve. Cila është mbrojtja ime, se ka pasur dhe një debat nëse janë të depolitizuar apo nuk janë të depolitizuar. E kam bërë të qartë; ka pasur me mijëra mësues komisionerë të të dyja anëve. Shumë mirë kanë bërë. Derisa nuk janë punonjës të shërbimit civil, derisa nuk bëjnë propagandë në shkollë, ata do të kenë të drejtën të kenë përkatësitë e tyre politike dhe anësimet e tyre politike, ky është qëndrimi im për mësuesit. Ky qëndrim i kundërt është me Policinë dhe siç e sheh, zoti Edi Rama e ka falënderuar Policinë të nesërmen e zgjedhjeve, ka falënderuar Shërbimin Informativ Shtetëror, nuk ka paraqitur asnjë rast të implikimeve të tatimeve dhe doganave në fushatë. Ndonëse ka raste që kanë qenë komisionerë të Partisë Socialiste dhe nuk kanë bërë mirë që kanë qenë, sepse tatimet dhe doganat kanë pasur porosi të prerë, që nuk duhet të përfshihen në fushata. Unë nuk them se nuk ka defekte dhe të meta, absolutisht që raporti është në tërësinë e tij tërësisht objektiv. Në tërësinë e tij, raporti është objektiv dhe i vërtetë. Për vërejtjet që bëhen për inaugurimet që bëhen, këto do të merren me seriozitetin më të madh dhe do të përmirësohen në zgjedhjet e ardhshme të 2011 dhe 2013.

Lidhur me zotin Mediu. Unë edhe sot me një deklaratë, por edhe para dy ditësh në mënyrë të përsëritur, kam bërë të qartë dhe bëj të qartë se nuk do të ekzistojë imuniteti për mazhorancën time. Por ne e kemi faktuar këtë, ne i jemi përgjigjur Prokurorisë së Përgjithshme për çdo lloj kërkese, edhe atëherë kur gjithçka ka qenë e bazuar mbi trillimin. Dhe atëherë jemi përgjigjur, sepse pretendohej se dëmi në rrugë është 300 milionë euro, në një kohë që nuk ishin shpenzuar as 170 milionë, po marr këtë si shembull. Kemi bërë mirë, ky është standardi im. Standardi im dhe i mazhorancës sime është që ne para ligjit jemi qytetarë të thjeshtë. Zoti Mediu ka bërë të njëjtën deklaratë sot.

- Zoti kryeministër, siç ndodh gjithmonë, edhe sot jeni ndarë në vlerësimet përsa i përket raportit të OSBE-ODIHR. Vetëm pak minuta më parë ishte zoti Braçe që tha se raporti faktoi pretendimet e opozitës. Zgjedhjet kanë qenë një test i rëndësishëm për proceset integruese të vendit. A mendoni që ky raport ka progres të mjaftueshëm për t'i bindur 27 vendet anëtare të BE-së për të shqyrtuar kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë?

Berisha: Unë mendoj se ky raport dëshmon qartë dhe përfundimisht se ky vend bëri zgjedhje dinjitoze, se qeveria e këtij vendi nuk bëri asnjë përpjekje për manipulimin e rezultatit dhe se numërimi ishte korrekt. Ky raport mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë. Ka raporte të ngjashme me këtë edhe në vende anëtare të Bashkimit Europian. Nuk them se nuk ka më të mirë se ky raport, pa diskutim që ka. Ka vende që kapin standarde më të larta, por ka vende të zhvilluara demokratike që nuk i kapin standardet më të larta dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Erioni duhet t'i çojë letër Erionit. Me ata nuk merrem, ata i çojnë letër njëri-tjetrit.

(http://www.rilindjademokratike.com)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.