VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Diplomacia me Shkupin dhe Podgoricën
E Martë, 10.06.2009, 06:20pm (GMT1)

 

 

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se Prishtina duhet të marrë hapin e parë për themelimin e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Këto dy vende kishin njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit të kaluar, por deri më tani nuk është arritur bashkëpunimi në nivelin diplomatik i Prishtinës me Shkupin e Podgoricën zyrtare.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Maqedonia dhe Mali i Zi, me njohjen e shtetësisë së Kosovës, kanë treguar një gatishmëri për bashkëpunim me vendin, porse, sipas tij, ekzekutivi kosovar duhet të jetë më aktiv.

"Prishtina zyrtare duhet të jetë më e aftë që të avancojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Këto dy shtete e kanë bërë një hap të rëndësishëm - na kanë njohur, dhe ne duhet të jemi të aftë që të gjejmë rrugën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, meqë do të ishte vazhdim i veprimit të njohjes nga Shkupi e Podgorica".

"Ne jemi të interesuar për kontribute të rëndësishme që afrojnë në Ballkan, e jo që largojnë",
tha Haradinaj, pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Ky i fundit tha se ngritja e raporteve diplomatike e ndërshtetërore me Kosovën do të ishte në favor edhe për shtetin maqedonas, i cili, sipas tij, aktualisht po përballet me disa probleme politike.

"Vendosja e marrëdhënieve normale ndërshtetërore, ku hyjnë edhe marrëdhëniet diplomatike, është pozitive për vetë Maqedoninë, e cila ka problem me identitetin, me njohjen e kështu me radhë", u shpreh Thaçi.

Përveç mungesës së raporteve diplomatike me Malin e Zi e Maqedoninë, shtetësia e Kosovës vazhdon të mos njihet nga Bosnja dhe Serbia.

Beogradi zyrtar ka ripërsëritur disa herë kërkesën drejtuar shteteve të ndryshme që të mos hedhin hapin për njohje apo çfarëdolloj bashkëpunimi me Kosovën, pa u përfunduar procesi i vlerësimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ky proces, sipas këshilltarit politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Qerim Qerimi, nuk ka ndikuar në faktin pse deri më tani nuk është zyrtarizuar bashkëpunimi ndërshtetëror me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

"Në këtë kontekst, nuk mund të thuhet që ky proces ka ndonjë ndikim në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike", theksoi Qerimi, duke bërë të ditur aktivitetet aktuale të Ministrisë së Punëve të Jashtme për themelimin, sa më parë, të raporteve diplomatike Prishtinë-Shkup dhe Prishtinë-Podgoricë.

"Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Hyseni, është në kontakt të vazhdueshëm me homologët e tij nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Ai ka takuar ministrin e Jashtëm malazez gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork".

"Ndërkohë, në Budapest, ku po merr pjesë në samitin e vendeve të Viçingradit, ka takuar ministrin e Jashtëm të Maqedonisë. Në të dyja rastet është arritur mirëkuptimi që shumë shpejt do të vendosen marrëdhëniet diplomatike",
tha Qerimi. (http://www.evropaelire.org)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.