VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Krimet e komunizmit hetohen nga ish të përndjekurit politikë dhe shoqëria civile
E Shtunë, 01.31.2009, 05:35pm (GMT1)

(Voal-online) Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, projektligji për krijimin e të cilëve është tashmë në Kuvendin e Shqipërisë do të përbëhet nga 7 anëtarë: 3 zgjidhen nga Instituti i Integrimit të ish të burgosurve politikë, 2 nga Konferenca e Rektorëve, 1 nga shoqëria civile dhe 1 nga Akademia e Shkencave. Ky Institut do të studiojë dhe vlerësojë objektivisht periudhën e regjimit komunist dhe do të përcaktojë aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe josekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu ai analizonshkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij, në rrafshin historik.

Ligji i ri i vë detyrë Institutit t'i grumbullojë të dhënat, dokumentet dhe dëshmitë që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të Sigurimit të Shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist. Ai identifikon personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t'u informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, kartave të ushqimit, urisë së krijuar dhe pasojave të saj. Ai ka për detyrë të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave; të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit; të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist; të publikojë e të përhapë materiale të shkruara në letër e mënyrë elektronike, të organizojë ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij; të bashkëpunojë me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore etj. me qëllim bashkërendimi.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.