VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ENDE JO NJË LIGJ PËR FËMIJËT EMIGRANTË

E Premte, 07.18.2014, 06:07am (GMT1)



Udhëheqësit e Kongresit thonë se nuk ka ende një vendim për një ligj mbi influksin e fëmijëve imigrantë nga Amerika Qendrore që kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara nga Meksikën. Presidenti Barack Obama i ka kërkuar Kongresit një fond emergjence prej $3.7 miliardë dollarësh, për të strehuar fëmijët, për të siguruar një numër më të madh juristësh për imigracionin dhe për forcimin e sigurisë në kufi, por republikanët kanë thënë se nuk do t'i japin presidentit një "çek të bardhë".

Në kushtet kur qindra fëmijë nga Amerika Qendrore vijnë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Obama po i kërkon Kongresit të marrë vendim të menjëhershëm. Por çdo ligj do të duhej të miratohej në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët. Kryetari i Dhomës, John Boehner i tha dje gazetarëve se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kanë vendosur ende për formën që do të ketë ligji në fjalë:
 

"Ende nuk e kemi një ligj. Jemi duke zhvilluar shumë diskutime dhe do t'i vazhdojmë ato."- tha ai.

Zoti Boehner thotë se ai po dëgjon rekomandimet e force të posaçme të kryesuar nga ligjvënësi republikan Kay Granger dhe Kryetari i Komisionit Buxhetor Hal Rogers.  Rogers, Boehner dhe republikanë të tjerë kanë lënë të kuptohet se Dhoma e Përfaqësuesve zor se mund të miratojë një ligj edhe me një vlerë shumë më të vogël nga ajo që ka kërkuar nga Presidenti, në se nuk i bëhen më parë ndryshime një ligji kundër trafikut njerëzor të vitit 2008, që u jep fëmijëve imigrantë të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, deri sa të kenë mundësi të paraqiten para një gjykate.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Boehner:

"Nuk e di se si Kongresi mund të çojë para në kufi për këtë problem, pa bërë më parë diçka për ligjin e vitit 2008, i cili shkelet vazhdimisht."

Shumica e demokratëve në Kongres po bëjnë thirrje për miratimin e menjëhershëm të fondit të propozuar nga Presidenti, por shumë prej tyre kundërshtojnë me forcë ndryshimet ndaj ligjit të vitit 2008.

Udhëheqësja e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi:

"Më çudit me të vërtetë fakti se si republikanët përpiqen ta politizojnë këtë çështje-por jo të gjithë ata."

Zonja Pelosi i bëri thirrje Kongresit të përqëndrohet tek zgjidhja që është në interesin e fëmijëve dhe shtoi se shumë prej tyre ndeshen me kërcënime për jetën në vendin e tyre.

Kongresmeni Democrat Henry Cuellar dhe senatori republikan John Cornyn po e sponsorizojnë bashkarisht ligjin që do t'i trajtonte fëmijët imigrantë nga Amerika Qendrore njësoi si ata nga Meksika, të cilët tani mund të deportohen menjëherë. Por nuk është e qartë në se ligji i ri do gjejë mbështetje nga ligjvënësit. Në një seancë të zhvilluar të enjten në Senat, senatorja demokrate Barbara Boxer  tha se problemi qëndron përtej mundësisë së Kongresit për ta zgjidhur:

"Ky nuk është vetëm një problem amerikan, ai është problem rajonal. Dhe mendoj se ne nuk mund ta zgjidhim atë vetëm. Dhe as duhet ta bëjmë një gjë të tillë. E kam fjalën për një takim rajonal të nivelit më të lartë për këtë çështje."

Bruce Swartz i Departamentit të Drejtësisë ishte dakord me këtë mendim:

"Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës sugjeroi që të kemi një takim të të gjithë prokurorëve të përgjithshëm të rajonit për trajtimin e kësaj çështjeje. Këtë propozim e mirëpriti edhe Prokuri i Përgjithshëm Eric Holder."

Vendet e përfshira në këtë çështje janë SHBA, Meksika, Salvadori, Hondurasi dhe Guatemala.

Si republikanët, edhe demokratët kanë thënë se do të donin ta trajtonin çështjen e krizës në kufi para se largohen për pushimet një mujore në gusht dhe kanë mbetur vetëm pas ditë pune për Kongresin që të vendosë për këtë çështje.

 
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.