VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"International Herald Tribune": Spanja, lider kontestues i BE-së
E Mërkurë, 01.06.2010, 08:46am (GMT1)

 

Muajin e kaluar, asnjë ushtar amerikan nuk është vrarë në Irak, papunësia kishte rënë pak, aksionet përfunduan me vlera më të larta dhe, megjithatë, në formim e sipër është konsensusi se Barak Obama është një dështim, shkruan "Washington Post".

Për më shumë, konsensusi u mbështet edhe nga shifrat, sepse anketimet e opinionit në dhjetor treguan rënie të mëtejme të popullaritetit të presidentit amerikan - 2 për qind.

Obama ka filluar vitin 2009 me shkallën e aprovimit të politikave të tij, që shkonte në 43 për qind, ndërsa përfundoi vitin me vetëm 26 për qind, pohon kjo e përditshme amerikane, për të shtuar se presidenti ka krijuar të pakënaqur në krahun e majtë dhe të djathtë të skenës politike.

Në krahun e majtë, Obama ka zhgënjyer adhuruesit e vet, për shkak të lejimit të shkallëzimit të luftës në Afganistan, ndërsa në krahun e djathtë për luftë të pamjaftueshme.

Autori i shkrimit, Riçard Kohen, në vazhdim, duke elaboruar punën e Obamës, pohon se ai është lider pa kauzë.

Megjithatë, "Washington Post" konkludon se Obama mund të jetë një president i madh, që tashmë ka arritur shumë, duke shpëtuar mbase, pos tjerash, Shtetet e Bashkuara nga katastrofa financiare.

Në artikullin me titullin "Gjithnjë në pritje të Evropës së re dhe të guximshme", gazeta "International Herald Tribun" shkruan për sfidat e Spanjës si kryesuese e Bashkimit Evropian, në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Duke apostrofuar papunësinë prej 13.9% dhe deficitin prej 11% të Spanjës, autori i shkrimit bën pyetjen se si do të mund një vend i tillë, për më shumë i margjinalizuar në politikën e jashtme, t'i prijë Bashkimit Evropian?!

Në planin e politikës së jashtme, pozicioni i hapur pro palestinez i Spanjës dhe mosbesimi afatgjatë ndaj Izraelit do ta hendikepojnë Bashkimin Evropian si negociator në bisedimet për paqen në Lindjen e Mesme, konkludon "International Herald Tribune".

E përditshmja "Irish Times", në një artikull me titullin "Bashkimi Evropian t'i largojë Shtetet e Bashkuara nga goditjet ajrore kundër Iranit", shkruan se regjimi në Teheran është afër kolapsit dhe se një sulm nga ana e Perëndimit do të ishte shpëtim për të.

Gazeta vë në pah se në Uashington po flitet për sulmet ushtarake dhe për më shumë sanksione ndaj Iranit dhe këtë e ilustron me një hulumtim të opinionit, sipas të cilit 61 për qind e të anketuarve mbështesin aksionin ushtarak kundër Iranit.

Por sulmet, shkruan "Irish Times", janë gjëja e fundit që i duhen popullit iranian dhe ato do të ishin oksigjen për qeverinë e dëshpëruar iraniane dhe Mahmud Ahmadinexhadin.

Rrjedhimisht, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të mos bëjnë gabim dhe të mos bombardojnë Iranin, por kjo të zëvendësohet me një aksion të fuqishëm diplomatik, konkludon "Irish Times". (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.