VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

POWER - JETA NË KORENË VERIORE 'NJË ANKTH I GJALLË'

E Martë, 12.23.2014, 03:58pm (GMT1)



Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e kanë kritikuar të hënën gjendjen e të drejtave të njeriut në Korenë Veriore dhe kanë votuar për t'i mbizotëruar vërejtjet e Kinës dhe që situata e të drejtave të njeriut në Korenë Veriore, të kthehet në agjendën e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, jetën në Korenë Veriore e ka përshkruar si "ankth i gjallë"dhe i ka hedhur poshtë si absurde kërkesat e Phenianit për hetime të përbashkëta lidhur me sulmin kibernetik kundër kompanisë Sony Pictures dhe kërcënimet për hakmarrje nëse Shtetet e Bashkuara e refuzojnë këtë bashkëpunim.

"Koreja Veriore nuk ka dëshiruar të takohet me ne sot dhe zëshëm e ka kundërshtuar shtimin e agjendës në Këshillin e Sigurimit të situatës së të drejtave të njeriut në këtë vend".

"Nëse Koreja Veriore dëshiron të hiqet nga agjenda e Këshillit të Sigurimit, ajo duhet të fillojë t'i njohë rekomandimet e Komisionit të Hetimeve për shkelje sistematike që vazhdon t'i kryej, menjëherë t'i mbyllë kampet politike në burgje dhe t'i liroj të gjithë të burgosurit politikë, të lejoj qasje të lirë dhe papengesë të observatorëve të pavarur të të drejtave të njeriut dhe t'i mbajë përgjegjës ata që më së shumti kanë përgjegjësi për shkeljet sistematike të saj", tha Samatha Power.

Koreja Veriore e ka hedhur poshtë lëvizjen e Këshillit të Sigurimit.

Gjatë votimit, 11 anëtarë ishin për kthimin në agjendë të Koresë Veriore, dy ishin kundër dhe dy abstenime. Rusia dhe Kina votuan kundër, por nuk ka veto në votimet procedurale në Këshillin e Sigurimit. Përpjekja e Kinës për ta bllokuar masën, dështoi.

Ambasadorja amerikane, Samantha Power, tha se tash Koreja Veriore po përpiqet të ushtroj ndikim edhe brenda Shteteve të Bashkuara.

"E pakënaqur me ndalimin e shprehjes së lirë ndaj popullit të vet, regjimi i Koresë Veriore tash duket se synon shtypjen e ushtrimit të kësaj lirie fundamentale në vendin tonë. Koreja Veriore, po ashtu, e ka kërcënuar Amerikën me pasoja serioze nëse vendi ynë nuk ndërmerr hetime të përbashkëta me Korenë Veriore për sulmin kibernetik, që ata e kanë kryer. Ky është absurd", tha Samantha Power në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndihmëssekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për të drejta të njeriut, Ivan Simonovic, ka theksuar se raporti i Komisionit të hetimeve tregon se regjimi totalitar në Phenian i shkel në mënyrë brutale të drejtat e njeriut.

"Rrallë herë një flet-akuzë e tillë e zgjeruar e krimeve ndërkombëtare është sjellë para këshillit. Ajo dokumenton një sistem totalitar që karakterizohet me imponim brutal të refuzimit të së drejtës për mendim të lirë, të religjionit dhe ndërgjegjes, dhe po ashtu, të drejtës për liri të opinionit, të shprehjes, të informacionit dhe të bashkimit", tha Ivan Simonovic.

Para votimit, ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Liu Jieyi, tha se Këshilli i Sigurimit nuk është forum që duhet të involvohet në çështjet e të drejtave të njeriut dhe "duhet të përmbahet nga bërja e çdo gjëje që mund të shkaktoj përshkallëzim". rel
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.