E Premte, 03.29.2024, 01:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
'MARSHIMI DREJT PERËNDIMIT' I KINËS

E Hënë, 01.12.2015, 11:28am (GMT+1)



Një ndër librat klasikë kinezë titullohet "Udhëtimi për në Perëndim", ndërsa një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re kineze është Marshimi i Madh, tërheqja e forcave të Ushtrisë së Kuqe të rrethuara nga forcat e "Guomindanit". Tashmë, Kina ka nisur një "Marshim të Madh drejt Perëndimit", që kësaj here nuk është më një sprapsje, por një mësymje. Objektivi: Europa Qendrore dhe Lindore.

Mekanizmi 16+1

Në prill 2012 u zhvillua në kryeqytetin polak, Varshavë,takimi i parë i liderëve të Kinës dhe të Europës Qendrore e Lindore, që përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë­Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Në këtë takim, që shënoi nisjen e të ashtuquajturit "Mekanizëm 16+1", Kryeministri i atëhershëm kinez, Wen Jiabao, shpalli 12 masa për nxitjen e bashkëpunimit të Kinës me 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe paraqiti një propozim prej katër pikash për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke njoftuar dhënien e një kredie prej 10 miliardë dollarësh për projekte infrastrukturore, të teknologjisë mjedisore etj. Në shtator të po atij viti u krijua në Pekin sekretariati i bashkëpunimit midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore. Që prej fillimit të vënies në jetë të këtij mekanizmi, shkëmbimet dypalëshe janë zgjeruar në fushën politikokulturore, turistike, arsimore, bujqësore, të investimeve, të ndërtimit infrastrukturor etj.

Arsyet

Shtimi i bashkëpunimit me vendet në Europën Qendrore e Lindore pasqyron strategjinë e Kinës për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet europiane. Kina dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë mjaft fusha ku interesat e tyre përputhen dhe vlerësohet se kanë një potencial të madh bashkëpunimi. Kina ka epërsi në kapital dhe teknologji, ndërsa vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë nevojë urgjente për zhvillimin e sektorëve të tillë si energjia e pastër, infrastruktura dhe telekomunikacioni. Kina është një vend mbiprodhues dhe prej vitesh është në kërkim të tregjeve të reja të eksporteve për sektorët e saj strategjikë, dhe Europa Qendrore dhe Lindore me zhvillimin ekonomik në dy­tre dhjetëvjeçarët e fundit dhe rritjen e shtresës së mesme ofron mundësi të mira për thithjen e këtyre eksporteve. Po ashtu, nga ana tjetër, Kina po kërkon të depërtojë sa më shumë në tregjet e konsoliduara të Europës Perëndimore. Europa Qendrore dhe Lindore u ofron kompanive kineze një hapësirë me kosto të ulët për prodhim dhe shpërndarjeje dhe krah të lirë pune. 11 nga 16 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë anëtare të BE­së dhe për Kinën Europa Qendrore dhe Lindore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme nga ana diplomatike, duke i ofruar një mundësi qasjeje më pranë BE-­së. Nga ana tjetër, sa më shumë vende të mbështeten në ndihmën ekonomike të Kinës, aq më e fuqishme bëhet Kina në institucionet ndërkombëtare dhe aq më shumë forcohet zëri i saj në qeverisjen globale.Një tjetër arsye përse Kina u kushton rëndësi marrëdhënieve me Europën Qendrore dhe Lindore është e njëjtë me atë përse prej vitesh e ka kthyer vëmendjen drejt Afrikës: burimet natyrore. Veçanërisht pala kineze është e interesuar për sektorin e energjisë në Ballkan. Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë­Hercegovina janë tërheqëse për kompanitë kineze për burimet e tyre ujore, ndërsa Maqedonia, Serbia dhe Kroacia për energjinë e erës. Kina konsumon një të pestën e rezervës ushqimore botërore dhe ka vuajtur nga probleme të sigurisë ushqimore, prandaj është e interesuar për produktet bujqësore me cilësi të lartë të Europës Qendrore dhe Lindore, duke përkrahur importimin e mishit, qumështit, verës, të mjaltit etj. Në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, marrëdhëniet tradicionale mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe BE­së kanë ndryshuar. Tani, për arsye që vendet kryesore europiane nuk mund të ofrojnë më shumë investime dhe nxitje ekonomike, është e kuptueshme që vendet e Europës Qendrore e Lindore t'i kushtojnë më shumë vëmendje Kinës, që ka një rezervë gjigante valutore. Europa Qendrore dhe Lindore ka nevojë për infrastrukturë moderne dhe kapital. BE­ja nuk mund të sigurojë investimet për të cilat këto vende kanë nevojë, gjë që Kina mund ta bëjë. Vendet e Europës Qendrore e Lindore shpresojnë se bashkëpunimi me Kinën do të rigjallërojë ekonomitë e tyre.

Bashkëpunimi

Kina dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë mjaft fusha ku interesat e tyre përputhen dhe vlerësohet se kanë një potencial të madh bashkëpunimi. Kina ka epërsi në kapital dhe teknologji, ndërsa vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë nevojë urgjente për zhvillimin e sektorëve të tillë si energjia e pastër, infrastruktura dhe telekomunikacioni.

Energjia

Veçanërisht pala kineze është e interesuar për sektorin e energjisë në Ballkan. Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë­ Hercegovina janë tërheqëse për kompanitë kineze për burimet e tyre ujore, ndërsa Maqedonia, Serbia dhe Kroacia për energjinë e erës.

Produktet bujqësore

Kina konsumon një të pestën e rezervës ushqimore botërore dhe ka vuajtur nga probleme të sigurisë ushqimore, prandaj është e interesuar për produktet bujqësore me cilësi të lartë të Europës Qendrore dhe Lindore, duke përkrahur importimin e mishit, qumështit, verës, të mjaltit etj.

Potenciali

Vëllimi i tregtisë mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore ka njohur një rritje të ndjeshme në dhjetëvjeçarin e fundit, duke arritur nga 8.7 miliardë dollarë në vitin 2003 në 55.1 miliardë dollarë në vitin 2013. Megjithatë, ndonëse sipërfaqja e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore zë një të tretën e kontinentit europian, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së vendeve të këtij rajoni me Kinën është më pak se një e dhjeta e atij të Bashkimit Europian me Kinën. Në nëntor 2013, gjatë takimeve në Bukuresht me homologët e tij nga Europa Qendrore dhe Lindore, Kryeministri kinez, Li Keqiang, bëri thirrje që Kina dhe vendet e këtij rajoni t'i kushtojnë vëmendje promovimit të tregtisë dhe investimeve, me synim për të arritur dyfishimin e vëllimit të tregtisë dhe investimeve të ndërsjella në pesë vjet. Pala kineze ka shprehur më se një herë bindjen dhe vullnetin që rritja e tregtisë mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore ta kalojë atë mes Kinës dhe Bashkimit Europian.

Projektet

Ndërtimi i infrastrukturës është bërë një shtyllë kryesore e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në vitin 2013, qeveria kineze nënshkroi me qeverinë hungareze dhe qeverinë serbe marrëveshjen për financimin e ndërtimit të hekurudhës së shpejtësisë së lartë Beograd­Budapest. Po ashtu, Rumania ka nënshkruar me Kinën një varg dokumentesh në fushën e shfrytëzimit të energjisë bërthamore, si ato për dy reaktorë në centralin bërthamor të Cernavodës në Detin e Zi. Ndërkohë, gjiganti kinez "Cosco", ka filluar bisedimet për të investuar 1 miliard dollarë për ndërtimin e një porti në qytetin kroat të Rijekës, teksa ka arritur me aksionerët e Portit të Pireut një marrëveshje investimi me vlerë 230 milionë euro. Ndërkohë, në dhjetor 2014, Kryeministri kinez, Li Keqiang, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, përuruan urën 1.5 kilometra të gjatë mbi lumin Danub në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me një investim të përgjithshëm 1.7 milionë euro. Po me fondet e kredisë nga Kina ka nisur edhe ndërtimi i termocentralit të Stanerit në Bosnjë­Hercegovinë dhe rinovimi i termocentralit të Kostolacit. Në vitin 2013, Presidenti kinez, Xi Jinping, paraqiti dy koncepte strategjike, Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit, duke krijuar korridorin më të madh ekonomik në botë, përgjatë të cilit llogaritet se do të jetojnë 4.4 miliardë veta dhe me një vëllim PBB­je 21 trilionë dollarë amerikanë. Pala kineze po shqyrton mundësinë e lidhjes së Europës Qendrore e Lindore veçanërisht me Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, duke ofruar kështu raste të reja për thellimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të këtij rajoni. Përveç projekteve të mëdha infrastrukturore, kompanitë kineze janë përqendruar edhe në teknologjitë e reja, shërbimet, bujqësi, sektorin e automobilave dhe të aviacionit.

Shqetësimi

Pala kineze është munduar t'i fashisë shqetësimet e BE­së për afrimin me vendet Europës Qendrore e Lindore, duke thënë se bashkëpunimi me këto vende bëhet brenda kornizës së BE­së ose si një pjesë e qenësishme e marrëdhënieve me BE­në, dhe është në të mirë e jo në dëm të marrëdhënieve të përgjithshme Kinë­BE. Pekini thekson faktin se më shumë se dy të tretat e këtyre vendeve janë tashmë anëtare të Bashkimit Europian dhe se mekanizmi 16+1 do të ndihmojë edhe anëtarësimin e pesë vendeve të tjera nëpërmjet forcimit të rritjes ekonomike të tyre. Pavarësisht shqetësimeve të BE­së, drejtuesit rajonalë të Europës Qendrore e Lindore tregohen optimistë për rritjen e pranisë së Kinës në vendet e tyre. Përpara Samitit të Bukureshtit, Kryeministri rumun, Viktor Ponta, e quajti vizitën e Kryeministrit kinez, Li Keqiang, në vendin e tij, e para në 19 vjet dhe po ashtu e para vizitë e Li Keqiang­ut në Europën Qendrore e Lindore, një "vizitë historike". Ndërkohë, ish­kryeministri hungarez Viktor Orbán është shprehur në mënyrë metaforike: "Meqë kemi dy këmbë, pse të rrimë vetëm në një?". Me këtë shprehje Orbán donte të shprehte atë që duket se është dëshira e shumë krerëve të Europës Qendrore e Lindore, që vendet e këtij rajoni të rrinë "me një këmbë" në BE, kurse "këmbën tjetër" ta kenë në ekonomitë e reja, siç është Kina.

Shqipëria

Investimet kineze në Shqipëri janë të pranishme kryesisht në fushën e telekomunikacionit, me gjigantë të tillë si "Huawei" dhe ZTE. Ndërkohë, sa i përket fushës së minierave, në vitin 2014 grupi kinez "Jiangxi Copper" bleu 50% të aksioneve të "Nesco Metal", kompania që zotëronte 100% të aksioneve të shoqërisë "Beralb", e cila ka marrë me koncesion nga qeveria shqiptare vendburimet më të rëndësishme të bakrit në Shqipëri. Më 15 dhjetor 2014, pala kineze dhe pala shqiptare nënshkruan "Memorandumin e mirëkuptimit për mekanizmin e bashkëpunimit në Financim" dhe "Memorandumin për bashkëpunimin e financimit të Rrugës së Arbrit". Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e quajti projektin e Rrugës së Arbrit, i pari projekt bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve pas më shumë se tre dhjetëvjeçarësh, si "fryti i parë i një epoke të re".
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PSE EMIGRON SHTRESA E MESME NGA RUSIANga MARGARITA KRASNOSELSKAYA, Dewtsche Welle (01.12.2015)
Deutsche Welle - FRANCA, FEJA ISLAME E POLEMIKA MIDIS REPUBLIKËS DHE FESË (01.11.2015)
PROBLEMI NUK QËNDRON TEK BESIMINga FELIX STEINER, Dewtsche Welle (01.11.2015)
STROBE TALBOT SHKRUAN SE VITI 2015 MUND TË SJELLË NDRYSHIMIN E KUFIJVE TË FEDERATËS RUSE - SHKAK MUND TË JETË NISJA E LUFTËS SË TRETË ÇEÇENE (01.10.2015)
2014 - VITI KUR MEDIAT E PËRKRAHURA NGA KREMLINI U GLOBALIZUANNga GLENN KATES (01.04.2015)
PALESTINEZËT I BASHKOHEN GJYKATËS NDËRKOMBËTARE PENALE (01.01.2015)
ANGELA MERKEL I DËNON PROTESTAT ANTI-ISLAMIKE (01.01.2015)
2014 - VITI I PASHPRESË (12.31.2014)
POLITIKA E JASHTME KINEZE NË VITIN 2014 (12.30.2014)
OBAMA - MARRËVESHJA ME IRANIN, E MUNDSHME (12.30.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lart�]