VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

The New York Times - UASHINGTONI PO SHQYRTON NDIHMËN USHTARAKE PËR UKRAINËN

E Hënë, 02.02.2015, 03:29pm (GMT1)



Gazeta "The New York Times" shkruan se Uashingtoni është duke e rishqyrtuar qëndrimin lidhur me dërgimin e armatimeve dhe pajisjeve mbrojtëse Kievit. Në artikull thuhet se ndërsa Presidenti Obama ende nuk e ka marrë vendimin për t'i dërguar ndihma në armatime forcave ukrainase të sigurisë, administrata e tij po e rishqyrton edhe një herë çështjen e ndihmës ushtarake.

Po sipas New York Times-it, zyrtarë të paidentifikuar thonë se Sekretari i Shtetit John Kerry, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shtatmadhorisë, Martin Dempsey dhe Susan Rice, këshilltarja e Presidentit Obama për sigurinë kombëtare, janë të hapur për diskutime lidhur me dërgimin e ndihmave me armatime për forcat ukrainase.

Po sipas gazetës, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel e mbështet idenë për t'i dhënë ndihmë në armatime forcave qeveritare, të cilat presidenti  Petro Poroshenko i ka kërkuar që në muajin nëntor. Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar mbi 5,100 të vrarë që kur filloi prillin e kaluar, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Autoritetet e Ukrainës thanë sot se në 24 orët e fundit janë vrarë 5 ushtarë në Ukrainën lindore. Ndërsa në qytetin Donetsk, zyrtarët e bashkisë thanë se që nga e shtuna, kur dështuan bisedimet paqes me rebelët pro-rusë, janë vrarë 15 civilë.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.