VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 65 vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe (janar 1945 - 2010)Nga Fritz Radovani

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 08:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

65 vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe (janar 1945 - 2010)

Nga Fritz Radovani


E Djelë, 01.17.2010, 11:27am (GMT+1)

 

 

Kush e di sa herë kam mendue me vedi: "Pse qeveria jugosllave nuk i ka ngritë mu në qendër të Beogradit një monument shërbëtorit "˜besnik' të tyne, Enver Hoxhës..?".

Të gjithë tradhtarët e atdheut, që kanë ardhë në krye të shtetit shqiptar që nga viti 1925, gjoja si "çlirimtarë", kanë ardhë me ndihmën "vllaznore" të qeverisë së Beogradit.

I vetmi kryeministër që nuk asht kenë agjent i tyne, asht kenë Mustafa Kruja dhe, si i tillë, vazhdon me kenë i veshun me epitete dhe cilësi, të cilat nuk i përkasin fare, mbasi asht kenë dhe vazhdon me kenë i vetmi kryeministër atdhetar që ka pasë Shqipnia, qysh se asht formue nga themeluesi i shtetit parë shqiptar në vitin 1912, nga atdhetari Ismail Qemali.

 

Okupacioni italian dhe ai gjerman (ndonëse të ndryshëm në mes tyne), kanë sjellë në fletët e historisë së Shqipnisë shumë pasoja, edhe pse veprimet e tyne asnjëherë nuk janë marrë me pëlqimin e qeveritarve shqiptar, përsa i përket aneksimit të trojeve tona me tokën nanë, të cilat, ishin nën zaptimin sllav që nga 1912-1913. Një e vërtetë nuk mund të mohohet, se ajo hartë e Shqipnisë e vitit 1943-"˜44, kur Shqipnia u pushtue nga Gjermania, asht harta e vetme e trojeve shqiptare, që ka kenë dhe asht Shqipnia e vërtetë.

 

Kjo u ba nga ata shtete për antisllavizmin e shqiptarve, apo të gjermanve, duhet pranue se u ba... ashtu si duhet me pranue se u zhba nga aleatët e Luftës së Dytë Botnore, sepse interesat e tyne për Jugosllavi dhe Greqi ishin ma të mëdha se për ne, kur u vendos fati i shteteve ballkanike në Jaltë. Pra, në tavolinën e tyne ku, luhej "poker" me fatin e shteteve të vogla, Shqipnia u përdor si monedhë shpërblimi!.. Aq asht e vërtetë kjo, sa vetëm sot që shumë nga ata dokumenta kanë dalë haptas, mund të thuhet se Ruzvelti asht dhuruesi i tokave shqiptare tek Tito dhe Stalini ...dhe, se Enver Hoxha asht tradhtari ma i madh i popujve e tokave tona, të shituna rreth e rrotull Shqipnisë, ndër sllav e armiq shekullor për kolltuk dhe me ato pare me u pasunue ai vetë, trashigimtarët e tij dhe pushtetmbajtësit mbasardhës, të cilët nuk i prekun me pupël as dekoratën që me datë 1 korrik 1946 tradhtarit Enver Hoxhës, i dha "druzhe" Tito në Beograd: "Hero i popujve të Jugosllavisë", menjëherë posa deklaroi në konferencën e Paqes në Paris se: "Shqipëria nuk ka asnjë pretendim nga qeveria jugosllave!"

 

Atdhetarët e vërtetë e dinin me kohë kush janë komunistët dhe kujt i shërbenin ata. Në përpjekje të tyne me mujtë me shpëtue atdheun nga rreziku sllavo komunist, me 24 shtator 1943 ata formuen "Beslidhjen e Veriut të Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës" e, në pikën e parë të programit të saj shënohej: "Mbrojtja e kufijve të sotëm të tokës shqiptare...".

 

Kjo "Beslidhje e Veriut" ishte organizue si gjithmonë mbi parimin e parzmores dhe mburojës së trojeve shqiptare, që ndër shekuj ishin malësorët e Veriut të Shqipnisë, ishin ata burra të Lekës, që ruenin në gjakun e tyne parimet e shenjta të Kanunit, ku atdheu, feja, familja dhe toka e të parve përjetësisht janë të paprekshme nga askush, por, kur bahej fjalë për cenimin e tyne nga armiqtë shekullorë sllav, atëherë, vdekja ishte si me lé së dyti!...

 

Besoj se për çdo shqiptar asht i kjartë ky vendim, prandej, menjëherë posa erdhën në pushtet komunistat në Shqipni, drejtuen armët drejt Veriut dhe kryesisht kundër qendrave ku ishte e organizueme kjo Beslidhje e Veriut, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Postribë, Dibër, Mirditë, Pukë etj. Kur forcat partizane të brigadave terroriste që drejtonte krimineli Mehmet Shehu u drejtuen nga Shkodra, për me shfarosë rezistencën antikomuniste që ishte organizue nga Abaz Ermenji e Jup Kazazi në Bërdicë dhe Anë të Malit, ku partizanët "trima" nuk kishin guxue ende me vue kambën, mbas kufinit shqiptar ishin vendosë disa formacione të mëdha të ushtrisë jugosllave, që, në marrveshje me tradhtarët e qeverisë komuniste shqiptare, ishin në gatishmeni me ndërhy në tokën shqiptare për me shtypë me armë rezistencën antikomuniste.

Në zonat e Koplikut e deri në Selcë, ishin të organizuem malësorët që drejtonte Llesh Marashi dhe Gjelosh Luli. Në Shllak vepronte grupi i Gjergj Vatës. Dukagjini, që kishte dalë e marrë shpellat, kishte mbi 400 burra të armatosun ndër male ku Pal e Mark Thani, Martin Sheldija, Nik Sokoli, Mark Mala, Gjon Destanishta, Ndue Pali etj, nuk lenin kambë partizani me shkelë aty. Mirakajt e Pukës bashkë me Markagjonët e Mirditës, të cilët i drejtonte princi legjendar Mark Gjon Markagjoni, me vëllaun e vet Lleshin, formonin kunorën e rezistencës deri në zonën qendrore të Shqipnisë, ku, ma vonë trimat Alush Lushanaku, Gjon Mark Ndoj, Mark Zef Pali, kishin formue "Frontin e Bashkuem të Rezistencës Shqiptare". Hamit Matjani e çeta e hekurt e Sulë Selimes, u bane tmerri i komunistave të Tiranës... Nga Dibra e deri në Vaun e Dejës, forcat e ndjekjes shfaroseshin nga burri i njohtun Muharrem Bajraktari...

 

Kjo asht arsyeja kryesore që Enver Hoxha me klikën e tij gjakatare, në bashkpunim me komunistët e qeverisë jugosllave, vendosën me shfarosë me të gjitha format e terrorit dhe të genocidit të njohtun komunist këte rezistencë mbarëkombëtare, tue fillue nga koka që ishte Malësia e Madhe e Prenkë Calit, atij burri që e kishte fillue luftën për mbrojtjen e çdo pëllambe tokë t'atdheut dhe flamurit të Skënderbeut, njëherësh me fillimin e shekullit XX.

 

Brigadat partizane që kishin ardhë në Veri me një grup terroristash të njohtun dhe të kryesuem nga Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Rrahman Parllaku, Dilaver Sadiku, Gjin Marku, Zoi Themeli, etj, "gjenerala" të graduem për krimet që kanë krye ndaj popullit shqiptar, dhe të njohtun si përçarës dhe fanatikë kundrejt popullsisë së gegnisë, fillojnë operacionet e tyne kundrejt malësorve të Kelmendit. Mbas thyemjeve të para dhe humbjeve që pësuen kur janë drejtue nga Selca, atëherë, si gjithmonë, komunistët menduen rrugën e tradhtisë, tue kërkue mënyrën e sulmit mbas shpine. Kjo dredhi që u ba nga Mehmet Shehu, shpjegohet nga At Zef Pllumbi se u arrijt nëpërmjet Kolë Maçit të Hotit ("Rrno vetëm për me tregue" fq.28, 1996), i cili u tregoi brigadave partizane disa shtigje shumë sekrete, nëpërmjet të cilave ata arrijtën me depërtue në Kelmend, tue u ra mbas shpine nga tokat shqiptare të marruna nga jugosllavët që në 1913. Sulmi i brigadave partizane nga ai drejtim ishte i papritun, kështu, kryengritësit e Malësisë u detyruen me u ngujue ndër shpella, bashkë me drejtuesin e tyne Prenkë Calin. Derisa ata mërrijtën me iu afrue vendit ku ishte ngujue Prenka, u bane disa përpjekje në mes të brigadave dhe malësorëve, dhe, kryesisht një nga betejat e rrepta që Brigada XXIII pësoi humbje të randa ishte beteja e Urës së Tamarës, në fillim të janarit 1945. Sigurisht, kjo mbahet mend edhe sot, por betejat ishin aq të shumta e të përgjakshme sa nuk ka penë që i përshkruen, ndonse shumica e tyne nuk janë shkrue asnjëherë, as nuk janë shpjegue ashtu si kanë ndodhë, mbasi partizanët kanë kërkue jo vetëm me mëshef e mos me tregue humbjet e tyne në njerëz e spijunë që kishin angazhue për me shtypë malet, por edhe donin me mëshef krimet e shemtueme që kanë krye ndaj popullsisë së pafajshme, tue vra e therë në bajoneta, tue djegë gjallë njerëzit ndër shtëpija të malësorve, gra, pleq, fëmijë e të rinj të plagosun, tue u dhunue edhe ma keq pikërisht nga ata partizanë, që kur u zenin rob nga malësorët, vetëm çarmatoseshin dhe leheshin të lirë, mbasi urdhni i Prenkë Calit, ishte: "Nuk do të çarsim asnjë nga vllaznit tonë shqiptar..!", mbasi ideali i tij për të cilin luftonte ishte: "Na kem me luftue kundra partizanve veç në paçin në flamur shejat e Rusisë, ndryshej, na nuk kem si gjuejmë në vllazën tonë, n'shqiptarë..." (M. Korça, "Histori të pashkruara" fq. 50. Tiranë, 2005.)

 

Z. Mërgim Korça, asht një nga dëshmitarët që e ka pa me sytë e tij "kreshnikun Prenkë Cali, i cili ecte kryenaltë me mjekerr të dendun, si me kenë fitues. Por shkjau, brateja i partizanve ngadhnjyes, ia kish n'vesh të vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës së Çelës, e ulne në gjuj e një partizane e egzaltueme ia rroi mjekrren pa lagë atij." (po aty, fq.51)

 

Kam lexue me sytë e mij 118 emna të malësorve të vramë dhe të humbun në humnera e proska, siç i quen krimineli Koçi Xoxe, i cili tregon se "kishim urdhër me i tretë trupat e tyre nga shoku komandant". Vërtet Prenkë Cali ishte në shpellë dhe mund të vazhdonte qëndresën, po shpjegimin e së vërtetës që u dorëzue, pothuej nuk e dokumenton asnjeri mbasi ai, këte e bani për me shpëtue një djalë që kishte me vete e mos me u shue një fis i maleve.

 

Kjo e vërtetë, që u keqpërdor nga komunistët, tue i marrë fjalën e besës Prenkë Calit, duhej të shkruhej nga vetë ai që ndërhyni tek Prenka, i shtymë nga Mehmet Shehu, të cilin e kemi pa deri vonë në rrugët e qytetit të Shkodrës, pa i hy një ferrë në kambë dhe, madje pa ba as një ditë burg tue kenë klerik, që i besoi "besës" komunistave dhe, tue i dorëzue gjallë grupin e Prenkës, që ishte i ngujuem në shpellë për me u çue me kambët e veta në Zallin e Kirit, me inaugurue vendin e pushkatimit të mijra atdhetarve, dhe me krye edhe akte të turpshme ndaj kufomave, ku rrugaçët e vagabondët komunistë arritën deri aty, sa mbasi e pushkatuen të ndjerin Prenkë, e mbështetën për murin e Rrëmajit, të veshun me xhamadan e çakçir dhe në gojë i vunë dhe një cigare..! Fatkeqësisht, ky ndërmjetës ishte nga rradhët e klerit, At David Pici, i cili, ma vonë jo vetëm nuk ka tregue shenja pendimi, po ka marrë pjesë në vepra tjera, mbasi emni i tij kujtohet edhe në nënshkrimin e të shumpërfolunit Statuti i Kishës Katolike Shqiptare, të vitit 1951. Po, të kishte tregue një shenjë pendimi, unë nuk do të shkruejshe këta rreshta për te, po as nuk kam ndigjue as lexue një gja të tillë prej tij.

 

Burrat e Malësisë janë ata që kanë falë gjaksorin kur ishte fjala për shuemje fisi. Kanë pranue edhe fjalën e randë edhe nga një gjaksor kur ai shuhej e, kjo, pikë aq delikate e nderës dhe e burrnisë së tyne, asht keqpërdorë edhe me Llesh Marashin, e shumë burra të tjerë malesh, për të cilët shpesh, asht drejtue pyetja: "Pse, u dorëzue ai burrë, tue i njohtë se kush ishin partizanët e komunistët serbo-sllav të Shqipnisë?"

 

Përgjigja asht ajo që Prenkë Cali i dha Mehmet Shehut, kur ky i tha: "E more Prenkë Cali, të pat ardhur dita ta mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t'ishe bërë me ne! Po, pse bërë kështu?" dhe, trimi legjendar i gjegjët burrnisht: "Zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!" (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998.)

 

Ja, pra, burri i maleve që braktisi "lavdinë" serbo-komuniste e, që për 65 vjet vazhdon me qendrue nën grumbujt e plehut ende sot, pa një shenjë tek koka..!

Ja, pra, burri i maleve, që nuk pranoi me u shkrue emni i tij me "shkronja të arta" ashtu, si u shkrue emni i tradhtarit t'Atdheut, që i ofroi "nderimin" komunist..!

Ky ishte dhe asht sot Prenkë Cali, burri i Malësisë së Madhe, që brezat e ardhshëm një ditë do të përulën me respekt para atij guri, ku do të daltohet me shkronja të arta emni i Prenkë Calit dhe i gjithë atyne atdhetarve të Malësisë së Madhe, që ngritën kryet e tyne kundër komunizmit, të parët në krejt Lindjen evropjane, të pushtueme nga Rusia bolshevike.

 

Ja, pra, kjo asht parzmorja dhe mburoja e Shqiptarisë, kjo dhe vetëm Kjo, asht: Malësia e Madhe, Kelmendi e Alpet tona..!
Fritz Radovani


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Deda: Kosovë-Serbi, modeli i dy Gjermanive (01.15.2010)
Pack sulmon Edi Ramën (01.14.2010)
Topalli: Debati bëhet në Parlament, jo në rrugë (01.14.2010)
Kosova e vendosur në rrugën kah institucionet euroatlantike (01.13.2010)
San Francisko: Presidenti Sejdiu sonte flet mbi zhvillimet në Kosovë (01.12.2010)
Kosova - kusht për Serbinë në BE (01.11.2010)
Deficiti tregtar kronik i KosovësNga Bekim Bislimi (01.11.2010)
KQZ: Shtyhet vendimi për Gjilanin (01.11.2010)
Korrupsioni mbërthen biznesetNga Nadie Ahmeti (01.10.2010)
Forcë policore për shuarjen e strukturave paraleleNga Albana Isufi (01.10.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]