E Premte, 03.29.2024, 03:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
75 vjet nga lindja e politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori
E Mërkurë, 01.20.2010, 07:32am (GMT+1)

 

 

Prej vitit 1991 deri më 2001 Pjetër Arbnori ishte pjesë e pandashme e Parlamentit shqiptar

 

 

Dje, u mbushën 75 vjet nga lindja e politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori. I njohur dhe si Mandela shqiptar, Arbnori u lind në qytetin e Durrësit 75 vjet më parë, në 18 janar të 1935. Ai pati një jetë të vështirë, ndonëse arriti ta alternonte atë mes letërsisë dhe politikës. Që në moshën 8-vjeçare mbetet jetim, pasi i ati u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht vështirësive ekonomike të familjes, Pjetër Arbnori ishte shumë i dhënë pas studimeve dhe shkollën e mesme e përfundoi me medalje të artë. Por, për shkak të regjimit të atëhershëm, kjo medalje nuk ishte e mjaftueshme për t`i dhënë atij të drejtën e studimeve të larta. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai filloi të punonte si mësues, por dhe kjo eksperiencë nuk zgjati shumë për të, pasi u pushua nga kjo detyrë për arsye politike. Në këto kushte, ai u detyrua të kryente shërbimin ushtarak, e pas përfundimit të tij filloi të punonte si fermer në fshatra të ndryshëm për të mbajtur familjen, nënën dhe dy motrat e tij. Gjatë kësaj kohe, Pjetrit 22-vjeçar iu dha një mundësi për të kryer studimet e larta me korrespondencë në Fakultetin Gjuhë-Letërsi. Ndonëse e gjithë periudha e studimeve zgjaste 5 vjet, ai arriti ta mbaronte fakultetin për një kohë rekord prej dy vitesh e gjysmë. Në vitin 1960, pas përfundimit të studimeve, filloi punë si mësues letërsie në një shkollë të Kavajës. Në këtë kohë, sëbashku me intelektualë të tjerë, morën iniciativën për të formuar partinë e parë opozitare "Partinë Social Demokrate", duke sjellë kështu tentativat e para të pluralizmit në Shqipëri. Por kjo lëvizje e tyre u vu re nga Sigurimi i Shtetit dhe shtatë prej aktivistëve u burgosën. Pas një periudhe dy vjeçare mes torturave dhe hetimeve të gjata, Pjetër Arbnori mori dënim me vdekje. Më tej, ky dënim u ndryshua, duke u kthyer në 25 vjet dënim me burg në burgun e Burrelit. Ndonëse në burg dhe në kushte tej mase të vështira, Pjetër Arbnori shfrytëzonte çdo mundësi që i jepej për të shkruar. Mendimet e tij në formën e historive të shkurtra ai i shënonte në bordurat e bardha të gazetave që qarkullonin mes të burgosurve. Në këtë mënyrë, Pjetër Arbnori arriti të krijonte një novelë të plotë, të cilën e botoi vite më vonë.

 

Kur kishte përmbushur një pjesë të madhe të dënimit, Pjetër Arbnorit i shtohen dhe 10 vjet të tjera dënim. E tek sa hyri në burg në moshën 26-vjeçare, ai doli prej tij i thinjur në vitin 1989, në moshën 54-vjeçare. Menjëherë pas lirimit, në janar të 1990, mori pjesë në demostrata kundër regjimit komunist të zhvilluara në Shkodër. Po në të njëjtin vit, ai u rreshtua mes themeluesve të Partisë Demokratike. Prej vitit 1991 deri më 2001, Pjetër Arbnori ishte pjesë e pandashme e Parlamentit shqiptar, ku në fillim ishte deputet e më tej kryeparlamentar në vitet 1992 deri më vitin 1997. Pjetër Arbnori, krahas kontributit të tij të shquar në politikë, dallohet dhe për kontributin e tij artistik e letrar. Gjatë 28 viteve të dënimit, ai shkroi pjesën më të madhe të librave të tij, të cilat i botoi menjëherë pas lirimit. Ai ka lënë pas një bibliotekë të pasur me tituj të shumtë si "Kur dynden vikingët" (novelë, 1992), "Mugujt e mesjetës" (roman, 1993), "Bukuroshja me hijen" (novelë, 1994), "E bardha dhe e zeza" (roman, 1995), "E panjohura", Vdekja e "Gëbelsit" (novela, 1996), "Shtëpia e mbetur përgjysmë" (roman, 1997), "Vorbulla" (roman, 1997), "Letër nga burgu", "Nga jeta në burgjet komuniste", "Brajtoni, një vetëtimë e largët" (roman, 2000) dhe "Lufta për të mbetur njeri", (cikël me intervista, 1990-2000)

 

Pjetër Arbnori u nda nga jeta më 2006 në Napoli të Italisë, ku kishte shkuar për kurim pas shqetësimeve që pati në zemër.

 

Figura e Pjetër Arbnorit është vlerësuar dhe nderuar si gjatë kohës kur ishte në jetë dhe pas saj. Ai ka marrë nderime të shumta si "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës", Urdhri "Nënë Tereza" dhe Urdhri "Gjergj Kastriot Skënderbeu".

--

Salla e Byrosë parlamentare të Kuvendit merr emrin e Pjetër Arbnorit.

 

Kryetarit të Parlamentit të Parë Pluralist të Shqipërisë

 

Emri i simbolit të rezistencës antikomuniste shqiptare, shkrimtarit, politikanit dhe humanistit të madh Pjetër Arbnori u përjetësua sot në Parlamentin e Shqipërisë, me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve, salla "Pjetër Arbnori". Në përkujtim të 75-vjetorit të lindjes së zotit Arbnori, nën kujdesin e Kryetares të Kuvendit Jozefina Topalli u organizua një aktivitet i posaçëm në nderim të kësaj figure shumëdimensionale, që gjithë jetën dhe veprën e tij ia kushtoi mendimit dhe fjalës së lirë, përpjekjeve për rrëzimin e diktaturës dhe demokracinë e Shqipërisë, veprimtari që do t'i kushtonte 28 vjet privim të lirisë.

 

Bashkëshortja Suzana Arbnori, dy fëmijët Justinë e Filip, miq, bashkëvuajtës të burgjeve komuniste, deputetë, intelektualë, dhe studiues, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të emërtimit të sallës "Pjetër Arbnori" Kryetarja e Kuvendit duke iu uruar mirëseardhjen zonjës Arbnori tha se ndihet krenare dhe e nderuar bashkë me Kuvendin e Shqipërisë, që t'i vendosë emrin "Pjetër Arbnori", Sallës së mbledhjeve të Kryetarëve të grupeve

 

parlamentare.

 

Kryetarja e Kuvendit në hapje të aktivitetit tha: "Ju e dini që kjo sallë ka qenë Byroja e Komitetit Qendror. Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe anti-komunizmit ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që s'pranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si Kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira në kohën e opozitës.

 

Padyshim që me familjet kemi pasur një histori shumë më të gjatë, meqënëse unë për Pjetër Arbnorin kam dëgjuar qysh se kam qenë e vogël, fare e vogël. Kujtoj, kam qenë vetëm 6 vjeçe, kur erdhi një kartolinë nga Pjetër Arbnori dhe ai ishte në burg. Nuk kam për ta harruar kurrë çfarë ndjesie më ka krijuar ajo kartolinë që dilte nga burgu në ato kohë të vështira. Kam dëgjuar për Pjetrin si një njeri i cili kurrë ndonjëherë nuk u përkul, me një dinjitet të jashtëzakonshëm, me një qëndresë, legjendare, epike. Ndaj, u them fëmijëve, Filipit edhe Justinës, duhet të jeni shumë krenar për emrin që mbani.

 

Jam shumë e nderuar që si Kryetare e Kuvendit i ve emrin e Pjetër Arbnorit kësaj salle. Ishte një legjendë e rezistencës ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë, një shkrimtar i madh, një humanist i madh, një mbrojtës i të drejtave të njeriut si kurrkush tjetër, ishte Mandela i Shqipërisë. 28 vjet burg. 28 vjet të kaluara me një dinjitet të jashtëzakonshëm, për të cilin fëmijët do të jenë shumë krenarë. Por, edhe ne si shqiptarë jemi shumë krenarë. Diku, zoti Arbnori kishte shkruar se "dua të mbahem mend si shkrimtar", por unë jam e bindur se ai do të mbahet mend jo vetëm si shkrimtar por edhe si një politikan I epokës pluraliste. Ai ka bërë shumë libra dhe këtu kemi vetëm një pjesë të tyre, sepse politikanët edhe mund të harrohen në histori, por zoti Arbnori nuk do të harrohet kurrë Në fakt zoti Arbnori do të mbahet mend si politikan i madh, si një njeri me zemër të madhe, si një njeri me qëndresë të madhe, por edhe si shkrimtar.

 

Kryetarja e Kuvendit tha se ka shumë dorëshkrime të tjera që zoti Arbnori ka lënë pa botuar dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë ç'mund për t'i botuar ato. Më tej Kryetarja e Kuvendit u dhuroi familjarëve përmbledhjen e botimit të fjalimeve të mbajtura në Parlament nga Pjetër Arbnori që me vendosjen e pluralizmit, të botuar enkas për këtë ceremoni. Bashkëvuajtësit e tij, intelektualë të dënuar dhe të persekutuar në kohën e

 

komunizmit, Tanush Kaso, Uran Butka, Agim Musta, Skënder Qendro, Kolec Topalli e cilësuan Pjetër Arbnorin një ndër themeluesit dhe drejtuesit e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare, figurë e shquar jo vetëm politike, por një simbol kombëtar i pluralizmit dhe idhtar i fjalës së lirë. "Pjetër Arbnori ishte një mendimtar i madh, personalitet i shquar i demokracisë dhe e pluralizmit. Ai ishte shkrimtar dhe politikan i shquar, por mbi të gjitha ishte një humanist I jashtëzakonshëm, që kisht një shpirt të madh tolerance" - u shpreh ndër të tjera publicisti i njohur Uran Butka.

 

Duke analizuar kalvarin të pakrahësueshëm të vuajtjeve dhe të persekutimit afro 30- vjeçar nga diktatura komuniste e intelektualit Arbnori, profesori i historisë Emin Riza sugjeroi për të pranishmit se figura e njohur botërore ndaj rezistencës së dhunës raciste, Mandela duhet të cilësohet pikërisht si "Pjetër Arbnori i Afrikës së Jugut". Deputetët Fatos Beja, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Adriana Gjoni, Leonard Demi kujtuan momente të paharrueshme të karrierës së Pjetër Arbnorit si deputet, si politikan, si simboli i atësisë së legjislativit të parë pluralist të Shqipërisë, ku Arbnori u zgjodh dhe dhe kryetari i parë i këtij Parlamenti "Ne deputetëve të rinj, por dhe gjithë Parlamentit e shoqërisë shqiptare na mungon kultura, mirësia e mençuria e një njeriu të madh si ishte Pjetër Arbnori" - u shpreh deputetja Rajmonda Bulku. Deputeti Fatos Beja tha se të gjithë deputetët kanë mësuar shumë nga urtësia, kurajo dhe pjekuria e tij politike, intelektuale dhe humaniste.Pjetër Arbnori, i bën nder Parlamentit, politikës, demokracisë dhe shoqërisë shqiptare. Politikani i njohur Sabri Godo vlerësoi vecanërisht tolerancën, qetësinë dhe humanizmin e figurës Arbnori i cili diti të falte persekutorët dhe në momentet më kritike të jetës së tij dhe të historisë së Shqipërisë. Studiuesi dhe publicisti Mujo Buçpapaj tha se jeta dhe vepra e Arbnorit është e mbushur me sfida dhe koincidenca. "Figura e Pjetër Arbnorit sfidon me veprën e tij dhe kur s'është mes nesh. Ai drejtoi Parlamentin e Shqipërisë, dikur Kuvendi Popullor të Republikës Socialiste të Shqipërisë; emri i Arbnorit arriti të sfidonte emërtimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës dikur piramida e Enver Hoxhës, dhe sot emri i tij gdhendet në sallën e Byrosë së Komitetit Qendror, ku firmoseshin dënimet me vdekje" - tha ndër të tjera zoti Buçpapaj.

 

Zoti Pjetër Arbnori ka qenë edhe presidenti i parë i Institutit të Kërkimeve Politike "Alcide de Gasperi", të cilin e bashkëthemeluan me publicistin Fahri Balliu.

 

Të pranishmit, miqtë, familjarët i shprehën mirënjohjen dhe falenderime të thella Kryetares së Kuvendit për nderimin e figurës historike të Pjetër Arbnorit, që iu bë sot në Parlamentin e Shqipërisë.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dialog me strukturat paralele! (01.19.2010)
Prishtinë: Zjarr në Pallatin e Mediave, tani ndërtesë qeveritare (01.18.2010)
65 vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe (janar 1945 - 2010)Nga Fritz Radovani (01.17.2010)
Deda: Kosovë-Serbi, modeli i dy Gjermanive (01.15.2010)
Pack sulmon Edi Ramën (01.14.2010)
Topalli: Debati bëhet në Parlament, jo në rrugë (01.14.2010)
Kosova e vendosur në rrugën kah institucionet euroatlantike (01.13.2010)
San Francisko: Presidenti Sejdiu sonte flet mbi zhvillimet në Kosovë (01.12.2010)
Kosova - kusht për Serbinë në BE (01.11.2010)
Deficiti tregtar kronik i KosovësNga Bekim Bislimi (01.11.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lart�]