VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI OBAMA - VETO NAFTËSJELLËSIT KEYSTONE

E Mërkurë, 02.25.2015, 07:26pm (GMT1)


Presidenti Barack Obama i vuri veton projekt-ligjit për ndërtimin e naftësjellësit Keystone. Republikanët e kishin bërë këtë projekt një përparësi, që nga janari, kur ata siguruan shumicën në Kongres.

Tubacioni 1 mijë e 900 kilometra i gjatë do të transportonte naftë të papërpunuar nga shteti Alberta i Kanadasë, përmes tre shteteve veriore amerikane, për t'u bashkuar me një tubacion ekzistues, drejt jugut, për në rafineritë e shtetit të Luizianës.

Përkrahësit e këtij projekti thonë se ai krijon mijëra vende pune dhe pakëson varësinë e Shteteve të Bashkuara tek nafta e importuar nga vende të huaja jo-miqësore. Por kundërshtarët thonë se numri i vendeve të përhershme të punës që krijon ky projekt është i vogël dhe se ai përbën rrezik të madh për mjedisin.

Presidenti Obama tha se ai po i vinte veton ligjit, ngaqë Departamenti i Shtetit ende po vazhdon shqyrtimin e projektit të tubacionit.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, tha se Senati do të votojë përsëri në përpjekje për të kapërcyer veton e presidentit. Por në votimin fillestar për miratimin e projekt-ligjit, si  Dhoma e Përfaqësuesve, edhe Senati, ishin shumë mangut sigurimit të dy të tretave të votave, që janë të nevojshme për të përmbysur veton e presidentit.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.