VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LAVROV - DONALD TUSK PO NXIT TENSIONET BE-RUSI

E Martë, 03.10.2015, 06:29pm (GMT1)


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi sot presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk për "nxitjen e tensioneve" midis Moskës dhe Bashkimit Evropian, pavarësisht dëshirës, që sipas tij kanë disa vende anëtare për marrëdhënie më të mira me Kremlinin. Zoti Tusk u takua dje me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi vëzhgimin e armëpushimit në Ukrainë dhe çështje të tjera.

Zoti Lavrov, duke folur në një konferencë shtypi në Moskë pas bisedimeve me ministrin e jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Garcia-Margallo, iu referua bisedimeve të djeshme të zotit Tusk me presidentin amerikan Barak Obama.

"Në procesin e ndërtimit të konsensusit, është e nevojshme që vetë anëtarët e BE-së të përcaktojnë kufijtë e sjelljes së zyrtarëve që rrinë në Bruksel dhe bëjnë deklarata për të 28 shtetet anëtare," tha zoti Lavrov.

Ai fajësoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel që, sipas tij, po përpiqen të krijojnë përshtypjen se në marrëveshjet e Minskut, të cilat synojnë ndaljen e dhunës në Ukrainën lindore, nuk është bërë përparim.

"Tani për tani burokracia e Bashkimit Evropian në Bruksel po nxit qëllimisht një konfrontim mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian, shpesh duke u përpjekur të krijojë përshtypjen se në përmbushjen e pjesës ushtarake të marrëveshjes së Minskut, nuk është bërë asnjë përparim. Me këtë ata po përpiqen të vonojnë realizimin e pjesës politike të saj, duke   ndërlikuar normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të BE-së dhe Rusisë, gjë që e kërkojnë shumë vende, përfshirë Spanjën," tha zoti Lavrov.

Nga ana e tij, ministri spanjoll tha se ai nuk beson se do të ketë forcim të sanksioneve kundër Rusisë për çështjen e Ukrainës, ndërkohë që armëpushimi i brishtë i atjeshëm në përgjithësi po respektohet.

Dje, gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë një vëzhgim të efektshëm ndërkombëtar të armëpushimit në Ukrainën Lindore:


"Ne e vlerësojmë shumë punën e bërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande për arritjen e procesit të Minskut, por ne dimë gjithashtu nga përvoja e një viti të shkuar se pa një monitorim dhe zbatim të fuqishëm, "marrëveshje të tilla janë pa kuptim."

Nga ana e tij, zoti Tusk foli për ata që ai i quajti "armiq," të cilët, tha ai, po vënë në pikëpyetje dhe po sulmojnë vlerat themelore të demokracisë liberale.


"Sot ne shikojmë fare qartë se ata po përpiqen të na përçajnë brenda Evropës si dhe mes Evropës dhe Amerikës. Por nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje gjithashtu të ndalim politikat agresive të Rusisë kundër fqinjëve," tha Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.