VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Ndërkombëtarizimi i një pjese të Kosovës, destabilizues Nga Edona Peci E Shtunë, 01.23.2010, 09:55pm (GMT1)
Përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore të Kosovës e vlerësojnë si kërcënuese për jetën e tyre strategjinë për shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri të Mitrovicës. Ndërsa, analistët thonë se strategjia synon të përmirësojë jetën e qytetarëve në veri të vendit. Zyra Ndërkombëtare Civile, përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, thekson se qëllimi thelbësor i kësaj strategjie është përmirësimi i gjendjes në veri të Kosovës. Ndonëse nuk saktësohet se a do të kërkohet drita e gjelbër e institucioneve më të larta ndërkombëtare për implementimin e strategjisë, në deklaratë ritheksohet se strategjia nuk është nismë e Bashkimit Evropian. "Ky dokument nuk është dokument i BE-së. Rrjedhimisht, nuk është e rëndësishme se kush harton dokumente. Ajo që është e rëndësishme është që ne të shohim progres në veri". "Ne, vazhdimisht po hasim në njerëz që janë të interesuar për mundësitë e së ardhmes. Nuk ka asnjë qëllim për të imponuar diçka. Ne mendojmë se njerëzit duhet të kenë mundësi të shprehin mendimet e tyre dhe të vendosin për veten", thuhet në deklaratën e ICO-së. Mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe kundërshtimi i Pakos së Ahtisarit kanë shërbyer si bazë për deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë, përmes të cilave ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar si institucione ilegale karshi shtetit të Serbisë. Rrjedhimisht, edhe Strategjia për veriun u vlerësua të jetë joligjore dhe në shpërputhje me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit. Zyrtarët vendorë e ndërkombëtare në Prishtinë, ndërkaq deklarojnë se qëllimi kryesor i Strategjisë për veriun, do të jetë shtrirja e institucioneve të shtetit të Kosovës edhe në veri. Kryetari i Këshillit Nacional serb në veri, Millan Ivanoviq, thotë se jetësimi i kësaj strategjie përbën një kërcënim për serbët e veriut të Mitrovicës. "Strategjia për veriun do të nënkuptonte shuarjen e institucioneve serbe, gjegjësisht institucioneve të popullit serb në Kosovë. Ne nuk kemi institucione paralele dhe përmes këtyre institucioneve ne realizojmë të drejtat tona themelore". "Ndërkaq, shpallja e këtyre institucioneve si institucione paralele, është shuarje e mundësisë për mbetjen tonë në Kosovë. Kjo është jokompaktibile me mbijetesën tonë në Kosovë dhe, fundja, ky nuk është qëllimi i rezolutës 12 44", thotë Ivanoviq. Ai thekson se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të vendosë për ndryshimet në Kosovë. Mirëpo, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se strategjia për shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës është çështje e brendshme e shtetit të Kosovës. Tahiri shpreh drojën se shndërrimi i çështjes së veriut në çështje ndërkombëtare, do të mund të shkaktonte destabilizim të situatës në këtë pjesë të vendit. "Do të ishte destabilizuese nëse ndërkombëtarizohet një pjesë e territorit të Kosovës vetëm për faktin se aty jeton në shumicë dërrmuese komuniteti serb", vlerëson Tahiri. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |