VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Sa ka kontroll mbi investimet që bëhen nga Serbia në Kosovë?

Nga Arton Konushevci


E Djelë, 01.24.2010, 06:11pm (GMT1)

 

Përfaqësues të institucioneve kosovare thonë se nuk do të lejojnë që Serbia t'i forcojë strukturat e saj paralele në Kosovë, ndërkohë që Beogradi zyrtar ka ndarë mbi 40 milionë euro për këto struktura. Por, sa kanë institucionet vendore kontroll mbi investimet që bëhen nga Serbia në Kosovë?


Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës deklarojnë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që Serbia t'i forcojë strukturat e saj paralele në Kosovë, edhe pse, së fundi, përfaqësuesit e Beogradit zyrtar janë zotuar se do të bëjnë çdo gjë për të mundësuar zhvillimin e mëtejmë dhe fuqizimin e strukturave të veta në Kosovë.

Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se janë duke punuar vendosmërisht, në mënyrë që komuniteti serb në Kosovë të rrisë besimin ndaj institucioneve të Kosovës, e me këtë të zbehin ndikimin e strukturave paralele.

"Ne jemi duke punuar që ta vendosim rendin dhe ligjin. Ajo (Serbia) po e bën ende financimin e strukturave paralele - disa struktura, të cilat mendojnë që ta përfaqësojnë sovranitetin e Serbisë".

"Unë mendoj që këtu duhet të kemi veprime të ligjshme, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare".

"Kjo nuk do të ndodhë si diçka e përnjëditshme, po duhet të jemi të kujdesshëm që të jemi atraktivë ta bindim minoritetin serb dhe njëkohësisht të veprojmë në përputhje me ligjin"
, thotë Kuçi.

Edhe strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare së bashku me Qeverinë, sipas Kuçit, do të bëjë që në veri të Kosovës të respektohet edhe rendi, edhe ligji.

Zyrtarët e partive opozitare thonë se institucionet kosovare tashmë kanë mekanizmat ligjorë, që duhet t'i përdorin dhe të mos lejojnë investime ilegale të Serbisë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë menjëherë në ndaljen e punëve, ose konfiskimin e secilit investim që ndodh nga Serbia në Kosovë.

"Institucionet e Kosovës e kanë mekanizmin e ligjit; janë ato që duhet ta përdorin atë, për të ndaluar investimet ilegale dhe të karakterit agresor që bën shteti i Serbisë në Kosovë".

"Sipas ligjeve në Kosovë, çdo investim nga Serbia duhet të shkojë përmes, ose me pajtimin e Qeverisë së Kosovës. Dhe, secili investim që bëhet pa këtë procedurë, duhet të konsiderohet si ilegal dhe që cenon integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës"
, thekson Ramadani.

Një nga mënyrat e tjera të mundshme për mos të lejuar investime nga Serbia në Kosovë, siç konsideron Ramadani, është edhe mundësia që institucionet e vendit të nisin investimet në ato pjesë të Kosovës ku janë të nevojshme.

"Serbia është duke vazhduar politikën e saj agresore ndaj Kosovës dhe, normalisht që nuk presim që në këtë fazë Serbia të komunikojë me Qeverinë e Kosovës".

"Por, institucionet e vendit duhet të jenë më aktive për t'i ndaluar këto investime dhe në të njëjtën kohë, për të hyrë me investimet e veta më të mëdha në të gjitha zonat e Kosovës dhe posaçërisht ato me komunitetin serb"
, shpjegon Ramadani.

Ndërkaq, sipas ekspertëve për çështje financiare, për investimet e Serbisë në Kosovë është diskutuar edhe në bisedimet e Vjenës, gjatë negociatave për statusin e Kosovës.

Eksperti Muhamet Mustafa thotë se Qeveria e Serbisë mund të investojë në Kosovë, por vetëm duke i respektuar rregullat dhe ligjet.

"Nëse hyn me rregulla, siç munden shtetet e tjera që investojnë në Kosovë, ne nuk mund ta ndalojmë Serbinë të investojnë në Kosovë. Mirëpo, duhet të zbatohen ligjet e Kosovës dhe duhet të bëhet brenda sistemit financiar të Kosovës, brenda thesarit Kosovës dhe ligjeve".

"Nëse nuk e bën një gjë të tillë dhe keqpërdoren ato mjete për politikë, atëherë duhet të veprojë ligji. Por, sa është bashkësia ndërkombëtare dhe Kosova e interesuar që të insistojë në forcimin e ligjit dhe veprimin e ligjit, kjo është një çështje tjetër
", vlerëson Mustafa.

Mustafa sqaron se asnjë shtet në botë nuk lejon parasistem financiar, sepse, siç thotë ai, ky veprim shkatërron ekonominë, konkurrencën e barabartë, si dhe e shkatërron sistemin ligjor.

Mustafa shprehet se Serbia nuk është e interesuar të ndihmojë zhvillimin e komunitetit serb të Kosovës.

"Serbia mund të ndihmojë zhvillimin e komuniteti serb këtu, por duke i zbatuar ligjet e Kosovës dhe duke vepruar në sistemin e pagesës, në sistemin bankar, si dhe në të gjithë rregullativën financiare të Kosovës".

"Serbia, natyrisht që nuk është e interesuar për një punë të tillë, se ajo tenton që këto ndihma financiare t'i politizojë. Nuk shumë e brengosur për pozitën e kombit serb, sa për politizimin e këtyre situatave
", shprehet Mustafa.

Për vitin 2010, Qeveria e Serbisë ka ndarë mbi 40 milionë euro për strukturat paralele në Kosovë, të cilat janë ngritur që nga vitit 1999.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.