VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ndërkombëtarët reagojnë për mësimin e gjuhës
E Enjte, 01.28.2010, 06:48pm (GMT1)

 

 

Përfaqësues ndërkombëtarë në Shkup u kanë bërë thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa paraprake para se të fillojnë të zbatojnë vendimin për mësimin më të hershëm të gjuhës maqedonase nga nxënësit jo maqedonas.

 

Por njëkohësisht deklarata thotë se autoritetet "duhet të shfrytëzojnë këtë moment oportun për të nxitur mësimin opsional edhe të gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera, të komuniteteve jo shumicë".

 

Letra gjithashtu thotë se është e një rëndësie thelbësore që qeveria implementimin ta bëjnë me kujdes dhe duke punuar me të gjitha komunitetet, në nivel lokal dhe kombëtar, sidomos me mësuesit dhe prindërit.

 

Ambasadorët gjithashtu thonë se vendimet duhet të merren në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, ku standardet e mësimit duhet të jenë të njëjta për të gjithë nxënësit.

Gjithashtu në letër thuhet se para se kjo politikë të zbatohet duhet të akordohen edhe fonde shtesë.

 

Letra e përbashkët e ambasadorëvë të misioneve më të rëndësishme vjen pas reagimeve që shkaktoi vendimi për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënës jomaqedonas nga klasa e parë, edhe pse ligji parashikon që mësimi të fillojë në klasë të katërt.

 

Vendimi shkaktoi tensione brenda koalicionit qeverisës mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, por siç vlerësohet ka tensionuar edhe marrëdhëniet ndëretnike.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.