VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vdiq Fadil Ferati, nënkryetar i LDK-së
E Shtunë, 01.30.2010, 02:50pm (GMT1)

 

 

 

 

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, sot në mëngjes vdiq nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Ferati. Ai ishte kryetar i rizgjedhur i Komunës së Istogut në zgjedhjet lokale të vitit 2009.

I ndjeri Ferati vdiq në një spital në Gjermani, në moshën 50 vjeç.

LDK-ja njoftoi se kryesia e kësaj partie i ka dërguar ngushëllime familjes së të ndjerit dhe qytetarëve të Istogut.

 

Të gjitha detajet rreth organizimit të ceremonisë së varrimit të nënkryetarit të LDK-së, Fadil Ferati, do të bëhen publike shumë shpejt, thuhet në një njoftim të Zyrës së informacionit të LDK-së.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ferati, e cila humbi më të dashurin e saj, Fadil Ferati, kryetar i Komunës së Burimit dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Fadil Ferati ka dhënë kontribut të veçantë për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai ka qenë kryetar i Komunës së Istogut në mandatin e kaluar. Qytetarët e kësaj komune, në zgjedhjet e fundit të nivelit lokal, të parat pas pavarësisë së vendit tonë, me votën e lirë i dhanë sërish Fadilit besimin që t'iu prijë edhe në katër vjetët e ardhshme. Fitorja e tij në këto zgjedhje ridëshmoi se ai kishte arritur paktin e mirëbesimit me qytetarët e kësaj komune", thuhet në telegram.

Duke shprehur bindjen se virtytet e tij do të kujtohen përherë nga qytetarët e Kosovës, presidenti Sejdiu ka thënë se Fadil Ferati ka qenë një njeri i dashur për të gjithë dhe e ka pasur vite me radhë përkrah në punë, ndaj lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e përjeton me pikëllim të thellë.

(http://www.rtklive.com) (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.