VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Debate për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri E Djelë, 01.31.2010, 08:17am (GMT1)
Autoritetet shqiptare po përgatiten të kryejnë një regjistrim të ri të popullsisë. Dy elementë të pyetësorit për këtë qëllim kanë ngjallur debate në opinion publik: vetëdeklarim i besimit fetar dhe i kombësisë. Kritikët e idesë për përfshirjen e vetëdeklarimit të besimit fetar dhe të kombësisë druhen se pas regjistrimit mund të dalë një rezultat që do të shtrëmbërojë realitetin. Këtë ata e lidhin dhe me kushtet ekonomike, mungesën e lëvizjes së lirë dhe nivelin e zhvillimit shoqëror. Por të tjerë mendojnë se stadi aktual i Shqipërisë e bën të domosdoshëm edhe njohjen e treguesve të tillë, siç janë besimi dhe kombësia. Prof. Pëllumb Xhufi, historian, e shikon me dyshim përfshirjen në pyetësorin e regjistrimit të ri të popullsisë të elementit të vetëdeklarimit të kombësisë. Kjo sipas tij do të shkonte në favor të qarqeve e shpallura antishqiptare, veçanërisht tek fqinjët grekë. Duke u kthyer prapa në histori prof. Xhufi thotë për DW se qysh nga viti 1921 Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve duke bërë një deklaratë për mbrojtjen e lirive e të drejtave të minoriteteve, kryesisht të minoritetit grek. Vit pas viti autoritetet zyrtare shqiptare e kanë bërë deklarimin e listës së vendndodhjeve të këtij minoriteti, si dhe kushtet e jetesës dhe të të drejtave të tij. "Kjo listë me 70 ose 80 fshatra është njohur që atëhere jo vetëm nga Lidhja e Kombeve, por dhe nga vetë Greqia. Më duket se sot kur Shqipëria ka një Kushtetutë që bazohet tek qytetari, ku trajtohen të gjithë pa dallim kombësie, feje, ngjyre, apo ideje kjo është një kthim prapa në standardet do të thosha të karakterit bizantino-otoman dhe jo që të përputhet me standardet europiane. Pra, ne e kemi të regjistruar etnicitetin e qytetarëve tanë që në atë kohë. Minoriteti është i njohur dhe asnjëherë nuk i është hequr e drejta për të qënë i tillë. Dhe në fund të fundit ligji ndërkombëtar e thotë që të qënit minoritar nuk është një e drejtë për t'u deklaruar i tillë, por është çështje e faktit të të qënit si i tillë." Xhufi: Rezultati i regjistrimit një hartë etnike e shpërfytyruar Sipas prof. Xhufit nga ky lloj regjistrimi do të dalë më siguri një hartë etnike e shpërfytyruar. Ai quan si antikushtetues edhe vetedeklarimin e besimit fetar. "Në bazë të Kushtetutës shteti është laik dhe nuk mund të përzihet me çështjet e fesë dhe t'i detyrojë qytetarët të shprehin besimin e tyre. Një regjistrim të tillë mund ta bëjnë OJF-të ose vetë komunitetet fetare të interesuara, por jo shteti", thotë prof. Pëllumb Xhufi për DW. Drejtori i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, Albert Rakipi, e vlerëson pozitivisht përfshirjen në pyetësor të vetëdeklarimit të fesë. Ai thotë për DW-në, se kjo është e domosdoshme për ta "lexuar" drejt realitetin në Shqipëri. "Mendoj që shifrat e deritanishme, ato që ndeshim në literaturën e brendshme ose të huaj, nuk përkojnë me realitetin. Dhe do të donim që këto shifra të ishin sa më afër realitetit. Besoj se në këtë aspekt regjistrimi i ri me anë të deklarimit të besimit fetar do të jetë i dobishëm. Ndërkaq duhet të pranojmë se vetëdeklarimi i kombësisë në rrethanat aktuale mund të jetë problematik, në pikëpamjen se ekzistojnë presione dhe kontekste të tilla që mund të na japin një rezultat të deformuar të përqindjeve që minoritet kanë aktualisht në Shqipëri." Rakipi: Në Ballkan ka ende qarqe që mund t'i keqpërdorin treguesit e pasaktë të minoriteteve Sipas Rakipit kjo lidhjet me nivelin e zhvillimin ekonomik, të modernizimit të shoqërisë, me prezencën e varfërisë, me pamundësinë për të lëvizur lirshëm në hapësirat e BE-së dhe jo vetëm. Gjithashtu ai gjykon se në rajonin e Ballkanit ende ka synime nga qarqe të ndryshme për t'i keqpërdorur treguesit e minoriteteve që nuk përkojnë me realitetin. "Ky element duhet të kihet në konsideratë pasi dhe nuk ka detyrime nga konventat ndërkombëtare për të përfshirë në regjistrimin e popullatës elementin e vetëdeklarimit të kombësisë," - thotë Albert Rakipi për DW. Nurellari: Detaje për gjëra që presin në kohë www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |