VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GDN ia rikonfirmon Kosovës perspektivën evropiane

Nga Zijadin Gashi


E Hënë, 02.08.2010, 04:13pm (GMT1)

 

 

Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka konfirmuar mbështetjen e tij për Kosovën për perspektivën e saj evropiane, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, pas takimit të përfaqësuesve të këtij Grupi Mbikëqyrës, që u mbajt sot në Vjenë. Ndërkohë, analistët në Prishtinë kanë thënë se momenti më i rëndësishëm i këtij takimi është mbështetja për strategjinë për integrimin e veriut.


Kosova ka marrë mbështetjen Grupit Drejtues Ndërkombëtar për realizimin e objektivave të procesit integrues të saj në BE, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Pas takimit të mbajtur në Vjenë, të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili ka rolin e mbikëqyrësit të shtetit më të ri, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një bisede telefonike nga Vjena, se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, në mesin e shumë çështjeve, Krasniqi ka thënë të jetë diskutuar edhe për strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës.

"Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare"
, ka deklaruar Krasniqi.

Raportin për arritjet dhe sfidat në Kosovë e ka prezantuar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati holandez, Piter Feith, i cili njëherësh është edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar.

Ndërkaq, nga pala kosovare, ka folur kryeministri, Hashim Thaçi. Zëdhënësi Krasniqi ka thënë se theksi i deklaratës së Thaçi ka qenë i përqendruar në rezultatet, proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet Kosova.

"Ka qenë një diskutim i drejtpërdrejtë, i hapur në mesin e mbështetësve të Republikës së Kosovës, ku janë diskutuar të gjitha çështjet, mes të cilave do të ndanim edhe aspektet politike, ekonomike e sociale
", ka theksuar Krasniqi.

GDN përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Takimi i sotëm në Vjenë është mbajtur në nivelin e drejtorëve politik të këtyre vendeve për Ballkanin.

Analisti Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, ka thënë se momenti më i rëndësishëm i këtij takimi, ishte përkrahja për strategjinë e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës për integrimin e veriut.

"Ajo çka do të jetë më me rëndësi për Kosovën, është përkrahja, që këto vende i japin strategjisë për veriun e Kosovës. Kjo ka rëndësi, sepse është hera e parë që bashkësia ndërkombëtare e dërgon një mesazh shumë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare është serioze rreth integrimit të veriut në pjesën tjetër të Kosovës"
, ka thënë Deda.

Analisti Ilir Deda ka theksuar se, bazuar në zbatimin e Pakos së Ahtisarit, GND, edhe nëse nuk i bën publike, në këtë fazë pritet të diskutojë dhe të vendosë edhe në lidhje me mandatin e Piter Feithit në Kosovë, i cili do t'i nënshtrohet një rishikimi të dytë më 11 shkurt, si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë.

"Kjo është paraparë edhe në planin e Ahtisarit, se dy vite pas shpalljes së pavarësisë, jo vetëm mandati i z.Feith, por i gjithë mandati i zyrës, të cilën ai drejton, do të rishikohet".

"Se çka do të ndodhë, me siguri se do të jepet një plan, i cili do të çojë në zvogëlimin gradual të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe në një shuarje graduale të saj"
, ka vlerësuar Deda.

Konkluzionet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar apo Mbikëqyrës, janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh se aty bëjnë pjesë shtetet me më shumë ndikim në politikat e sotme botërore dhe vendet që e kanë njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.