VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ligjvënësit opozitarë akuzojnë presidentin Sejdiu për shkelje të Kushtetutës
E Premte, 02.13.2009, 06:03pm (GMT1)

RTK: Përfaqësuesit e partive opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, akuzuan sot presidentin Fatmir Sejdiu se ka shkelur Kushtetutën e Republikës lidhur me qëndrimin e tij për zgjedhjet parlamentare, ndërsa Qeverinë Thaçi e cilësuan si qeveri të dështimit dhe korrupsionit. Përfaqësues të koalicionit qeverisës thanë se kërkesa për mbajtje të zgjedhjeve është e palogjikshme, sepse është e përcaktuar me Kushtetutë. Debati u zhvillua sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së. Përfaqësues të opozitës në Kuvend, kanë paraqitur sot para deputetëve arsyet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Shefi i grupit parlamentarë të AAK-së Ardian Gjini, me iniciativën e të cilit u zhvillua debati ka paraqitur aspektet ligjore dhe politike për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Ai ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, duke kritikuar edhe presidentin e vendit për një vendim të tillë dhe mos konsultim me partitë politike.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDD-së, Lulzim Zeneli tha se Kuvendi duhet të reflektojë nevojën e respektimit të legalitetit dhe ligjshmërisë së dokumenteve. Ai tha se qasja ndaj zgjedhjeve kërkon një qëndrim konsensual, i cili ka munguar në vendim për shtyrjen e mbajtjes së tyre.
Zeneli tha se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, siç tha ai për ta ndaluar këtë erozion i cili i ka kapluar institucionet e vendit.
Ibrahim Makolli nga AKR-ja, ka kritikuar formën se si merren vendimet për Kosovën, pa u konsultuar fare partitë politike.
Ndërsa shefi i grupit parlamentarë të PDK-së Ramë Buja tha se është e palogjikshme kërkesa për mbajtje të zgjedhjeve, sepse ajo është e përcaktuar edhe me Kushtetutë. Ai tha se marrëveshja e përfolur e Pokantikos, nuk merret parasysh pasi Kushtetuta është mbi të gjitha.
Sipas vendimit të presidentit Sejdiu, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në vitin 2011. Voal-online



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.