VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit


E Shtunë, 02.21.2009, 08:13am (GMT1)

Presidenti Topi dekoroi disa personaliteteve dhe institucione, të cilët kanë qenë aktivë për rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri. Presidenti i dorëzoi Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë "Medaljen e Artë të Shqiponjës" me motivacionin "Për kontribut të çmuar në Lëvizjen Demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 Shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend. Me "Medaljen e Mirënjohjes", kryetari i shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Reabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: "Për kontribut të vyer, në reabilitimin e ish-të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesëmarrësve në protestën e 20 Shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatë kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës".

Ndërkohë që me motivacionin "Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar, si pjestar aktiv i protestës së popullit të Tiranës, të 20 Shkurtit 1991, për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në Lëvizjen Demokratike", Presidenti Topi i akordoi Saimir Reshit Maloku "Medaljen e Artë të Shqiponjës". Në këtë ceremoni dekorimi, kreu i shtetit nderoi me Medaljen "Pishtar i Demokracisë" Hyget Murat Borova, Lida Dhori Bezhani, Liliana Lame Llapaj, Lindita Muharrem Hamiti, Astrit Gjolek Hatellari, Sanije Ibrahim Vojka, Albert Dino Risilia, si dhe Vera Hasan Rada me motivacionin: "Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 Shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri". Gjithashtu, me "Medaljen e Mirënjohjes" u dekoruan nga Presidenti Topi dhe Ardian Besnik Heta, Xhovalin Nazmi Çokani dhe Hajredin Rauf Fratari me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 Shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri".

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë, zëvendësambasadori amerikan Stiven Kristina, ambasadorja franceze Mariz Davje, ambasadori gjerman Bernd Borhard, ambasadori danez Karsten Ankjer Jensen, Shefi i Departamentit ligjor të Prezencës së OSBE, Frank Dalton, Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi, përfaqësues nga Këshilli i Evropës, drejtues të komuniteteve fetare, të shoqatave të persekutuarve dhe të dënuarve politikë, familjarë të personaliteteve të dekoruara, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. RD/Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.