VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shihet krijimi i aleancave të reja politike
E Martë, 03.03.2009, 09:21am (GMT1)

BBC - Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri po shoqërohet me lëvizje të rëndësishme në grupimet politike të majta dhe të djathta.

 

Katër muaj para votimeve në skenë kanë dalë katër koalicione që përfshijnë partitë më të rëndësishme të spektrit politik shqiptar.

Partisë Demokratike, partisë më të madhe të së djathtës, i është bashkuar aleatja e vjetër PR, Partia Agrare, Partia Bashkimi Liberal Demokrat dhe së fundi partia e qendrës së djathtë Aleanca Demokratike, e cila u shkëput nga koalicioni i majtë ku qëndroi për më shumë se një dekadë.

Një tjetër koalicion i djathtë është ai i Polit të Lirisë i cili është shkëputur nga PD.

Ky koalicion përbëhet nga Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe partia më e re, ajo për Ligj dhe Drejtësi.

Një situatë e ngjashme duket edhe në kampin e majtë. PS më e madhja e këtij grupimi i është bashkuar PSD dhe PDS.

Ndërkaq LSI, një tjetër parti e majtë, ka pranë saj të gjelbërit dhe PS '91, një tjetër fraksion i dalë nga PS.

Arsyet e krijimit dhe konsolidimit të këtyre koalicioneve duket se gjenden në vetë kodin e ri zgjedhor i cili ka ndryshuar nga kodi i mëparshëm.

Sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, zëvendëson sistemin mazhoritar të korrektuar të përdorur në zgjedhjet e mëparshme.

Oert Bylykbashi, ekspert i PD pranë Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, tha për BBC se me sistemin e ri, partitë politike stimulohen të krijojnë koalicione.

"Në kodin zgjedhor, me formulën e re që është përzgjedhur, koalicionet marrin një rol goxha të qënësishëm, për shkak se formulat që aplikohen stimulojnë partitë politike që të koalicionohen rreth një boshti të caktuar, platforme të caktuar elektorale në mënyrë që të arrijnë suksesin më të madh të mundshëm".

Për Damian Gjiknurin, ekspert i PS pranë Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ky sistem do të mundi të zhdukë edhe fenomenin tashmë të njohur të politikës shqiptare, atë të Dushkut, i përkthyer ndryshe si marrja e votave të pamerituara për shkak të koalicioneve.

"Kjo është një e re e rëndësishme që sjell ky ligj", i tha BBC zoti Gjiknuri.

Sipas tij "zgjedhësit kanë të drejtë të votojnë vetëm një herë, të hedhin një votë".

Ndërkaq, specialistë të ndryshëm kanë vënë re se stimulimin e koalicioneve duket se e sjellin edhe formulat e ndryshme të përdorura në përllogaritjen e vendeve në parlament.

Sipas tyre, në ndarjen e vendeve midis koalicioneve dhe partive që konkurojnë jashtë tyre, përdoret një formulë e ndryshme nga ajo që përdoret për ndarjen e vendeve brenda partive të një koalicioni. Sipas tyre kjo sjell deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Por Oert Bylykbashi, ekspert i PD në Komisionin e Reformës Zgjedhore, thotë se të gjitha këto janë të pabazuara.

Ndonëse pranon nje avantazh të lehtë ndaj partive të vogla, zoti Bylykbashi thotë se "kjo bëhet për të sitimuluar një politikë në koalicione" çka sipas tij "i jep mundësi elektoratit të njohë se cili është grupimi politik që do të qeverisë vendin dhe nuk do t'i mbetet bisedimeve pas zgjedhjeve".

Edhe për ekspertin e PS Damian Gjiknuri, partitë janë në kushte të barabarta përballë ligjit.

"Kuptohet çdo sistem nuk është proporcionalisht i pastër. Ai ka një farë favorizimi," thotë ai, duke shtuar se "që t'ju nënshtrohen këtyre përllogaritjeve, partitë duhet të fitojnë në qarkun ku konkurojnë 5 për qind të votave brenda koalicionit dhe jashtë tij 3 për qind".

Specialistët mendojnë ndërkohë se do të jenë forcat politike, përgjegjshmëria e tyre politike që zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri të cilësohen të drejta, të ndershme dhe të pakundërshtueshme./Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.