VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Ndërhyrja e NATOs ndryshoi historinë jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit E Mërkurë, 03.25.2009, 08:48am (GMT1) DW - Udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Kosovës, thonë se ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe, ishte vendimtare për t'i dhënë fund luftës së armatosur dhe për të ndalur vrasjet e civileve shqiptarë nga forcat serbe. Në ditën e sotme, dhjetë vjet më parë Aleanca Veriatlantike filloi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe. Bombardimet 78 ditëshe i dhanë fund luftës në Kosovë, pas dështimit të Konferencës së paqes së Rambujesë. Protagonistët e asaj konference dhjetë vjet pas, thonë se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare, jo vetëm për t'i dhënë fund luftës së armatosur në Kosovë, por edhe për të hapur mundësinë e Kosovës, që të vendosë për fatin e saj, hap të cilin Kosova e bëri pothuajse një dekadë më pas, më 17 shkurt të vitit 2008. Bujar Bukoshi, ish kryeministër i Kosovës në ekzil, ishte njëri ndër pjesëmarrësit në konferencën e Rambujesë. "Roli i NATO-s ka qenë roli primar, që tregoi se kryente punë. Roli i NATO-s do të jetë prapë vendimtar edhe për zhvillimet e ardhshme. Kjo është alfa dhe omega. Mungesa e unitetit në BE-së në lidhje me Kosovën mund të harrohet, nëse natyrisht nuk harrohet se këtij vendi dhe këtij rajoni akoma i duhet stabiliteti. Gjithçka do të rrënohet, nëse vërtet pretendohet të thuhet, se intervenimi i NATO-s nuk ka qenë i nevojshëm," thotë Bukoshi. Protagonistët shqiptarë të Konferencës së Rambujesë, mendojnë se edhe nëse Serbia do të vendoste nënshkrimin e saj në konferencë, prapë ndërhyrja e NATO-s do të ishte e nevojshme. Kjo sepse, sipas tyre, veprimet e Serbisë kundër popullatës civile në Kosovë disa ditës vetëm sa shtoheshin. Ramë Buja, ishte nga krahu ushtarak pjesë e UÇK-së në konferencën e Rambujes: "Në konferencën e Rambujesë u ezauruan të gjitha format e zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës, por nuk u arrit marrëveshje. Atëherë u kalua në fazën tjetër të zgjidhjes së problemit, që filloi me 24 mars, me bombardimin e caqeve serbe nga NATO-ja. Kjo e ndryshoi historinë, jo vetëm të Kosovës por mbase edhe të rajonit. Për më shumë kjo ndryshoi edhe mentalitetin brenda strukturës së NATO-s, sepse brenda NATO-s kishte zëra që thoshin se NATO-ja nuk duhet të ekzistojë më. Ishin zërat që e kishin përjetuar lirinë shumë herët dhe nuk e dinin më ç`do të thoshte të ishe i shtypur. Mirëpo, kur u intervenua në Kosovë, atëherë u kuptua se NATO-ja vërtet paska nevojë që të vazhdojë të ekzitojë," thotë Ramë Buja. Në konferencën e Rambujesë 10 vjet më pare, pala kosovare përfaqësohej nga dy krahë, krahu politik dhe krahu i luftës. Mes tyre kishte ndasi të thella para konferencës së Rambujesë, por gjatë konferencës jo. Rrjedhat e historisë ndryshuan me intervenimin e NATO-s mbi caqet serbe, por ndasitë ndërmjet krahut politik dhe atij ushtarak të Kosovës, vazhduan edhe pas përfundimit të luftës. Derisa në Kosovë u krijuan shumë subjekte politike, u organizuan zgjedhjet e para demokratike, subjektet e të gjithë krahëve garuan në këto zgjedhje, të cilat nga faktori ndërkombëtar i vlerësoi si zgjedhje demokratike. U konstatua se në Kosovë po vendoset demokracia, konsolidohen institucionet e vendit dhe gradualisht do të shkohej drejt reduktimit të trupave të NATO. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |