VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DOM NIKOLLË KAÇORRI, PRIFTI KATOLIK QË FESTONTE PASHKË E BAJRAMNga GJIN KAÇORRI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 02:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

DOM NIKOLLË KAÇORRI, PRIFTI KATOLIK QË FESTONTE PASHKË E BAJRAM

Nga GJIN KAÇORRI


E Djelë, 11.28.2010, 11:17am (GMT+1)

Një vështrim mbi jetën dhe veprën e Dom Nikoll Kaçorrit, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës më 1912. Dom Nikoll Kaçorri klerik e atdhetar i madh, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, i lënë pothuaj në harresë.

Që në fëmijëri kam dëgjuar të moshuarit në kuvende odash në biseda të thjeshta... në rapsodë duke kënduar për Dom Nikoll Kaçorrin. Kureshtja kalonte në krenari të ligjshme, sepse isha i të njëjtës gjenezë e fisi. Kureshtja ka bërë që të lexoj literaturë në këtë sens, kam pyetur të moshuar të cilët i kanë edhe sot të freskëta kujtimet e 1912 (shpalljen e Pavarësisë), pa llogaritur theniet e brezave transmetues dhe kjo më ka shtyrë të shkruaj këto pak rreshta. Të parët tanë kanë patur lidhje të rregullta dhe porosia e tyre vazhdimisht ka qenë e prerë: "me Kaçorrajt e Lurës katolikë dhe myslimanë jemi fis."

Krenarinë për imzot Dom Nikoll Kaçorrin do të ma shtonte edhe profesori i letërsisë në shkollë të mesme (S.G.) më vonë profesor në universitetin "A.Xhuvani" në Elbasan, i cili me shaka më thoshte "Kaçorri, ti je fisi i flamurit" . Në fillim impresionohesha, sepse e konsideronim pedagogun si hyjnor (e tillë ishte kultivuar) e në fund ndjehesha krenar. Vazhdimisht kam menduar se si ka mundësi të lihet në heshtje, të shkruhet shumë pak, dhe pse nuk i jepet vendi që meriton Dom Nikoll Kaçorrit nënkryetarit të qeverisë së Vlorës më 1912! Kam ndier një brengë, dhe këtë e kam parë edhe tek të tjerë.Rrallë burra kanë kontribuar më shumë për Shqipërinë, i pajisur me kulturë perëndimore, me erudicion të lartë. Atdhetari Nikoll Kaçorri lindi në vitin 1865 në Lurën e mrekullive të natyrës shqiptare, e 12 liqenjve malorë, e rrethuar me kunorën e ahut, pishës e arrnenit dhe me burimet e krojet që e bëjnë këtë trevë shumë të admirueshme për turistët. Lura një krahinë me tradita të mira, me një bashkëjetesë ndërfetare që rrallë në botë ekziston, dhe prifti patriot ishte burim paqeje. Nëna me fe myslimane, i ati katolik, po në këtë familje axha i Nikoll Kaçorrit mysliman... në një shtëpi ku festoheshin Pashkët dhe Bajrami, ku harmonia në familje ishte një model për mirë. Askund në Shqipëri nuk gjejnë zbatim në jetë ligjërata e drejtë, shprehja e përjetshme e Vaso Pashës "Feja e shqiptarit asht shqiptaria" .

Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera, kjo gjithçka me ndihmën e kishës dhe priftërinjve. Me emërimin në Dioqezën e Durrësit (Delbnisht, Kurbin) si prift ai i vihet me mish e me shpirt çështjes kombëtare, kjo në plan të parë, po kështu edhe në anën fetare ai shndriste mes kolegëve të tij. Shpejt avancon, ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike "Vllaznia", "Bashkimi" Durrës (1907 -1909). Atje takoheshin intelektualët më me zë, duke patur si problem primar dhe imediat rilindjen e Shqipërisë, arsimimin dhe gjuha shqipe. Me aktivitetin dhe veprimtarinë e tij luan rolin kryesor, duke u bërë pikë "nevralgjike", këtë e vërtetojnë letërkëmbimet, duke filluar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Aqif Pashë Elbasani, Shtjefën Gjeçovi, Haxhi Vebi Dibra etj.. Në mend po më vijnë fjalët e Plakut, kur i thoshte në anë të oxhakut: "Të gjithë ju gjaqet t'i falni, luftën turkut mos ia ndalni"... Këto vargje e sa sa e të tjera me autor "popullin" e frymëzojnë Dom Nikoll Kaçorrin për të punuar për shqiptarizëm.

Ai me një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht dhe turqisht, të dytët greqisht, porosiste: "Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!" Sundimi i turkut për 500 vjet e lëndon shumë priftin atdhetar, duke patur njohje të shumta si analist i shumë fushave arrin në përfundimin: "Sundimi turk është burim i gjithë të këqijave" . Dom Nikoll Kaçorri në aktivitetin e tij paraqitet jo vetëm si njeri i penës e ideolog, por edhe një organizator luftarak. Pajis popullin me 500 armë, armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, si askush tjetër, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Po të ishte zbatuar strategjia Kaçorri ndoshta rrjedha historike mund të kishin marrë kahje pozitive. Në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit përsëri ndër më të nderuarit ishte me at Preng Doçin, Luigj Gurakuqin, at Gjergj Fishtën, sinteza: Gjithçka për gjuhën shqipe . Momentet që po kalonte Shqipëria ishin shumë të vështira, shtetet fqinje po pregatiteshin për ta copëtuar, e sëmura e Bosforit ishte në shtratin e vdekjes duke dhënë shpirt, Shqipëria ishte në rrezik. Ajo ishte në udhëkryqin e historisë.

Më 20 nëntor 1912 pas një pune me kancelaritë e Europës, plaku i Vlorës Ismail Bej Vlora mbërrin në Durrës me vapor austriak, me armë e fishekë të blerë në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë. Ishte prifti atdhetar Nikoll Kaçorri që realizoi ardhjen në Durrës me masa sigurie gjatë udhëtimit dhe më vonë në Durrës dhe Vlorë kontributi i rinisë dhe intelektualëve durrsakë është i padiskutueshëm, pa mohuar ndihmën dhe nga krahinat e tjera dhe nga Mirdita (Kthella) kanë qenë të shumta por mund të veçojmë Gjok Ded Kaçorrin, Frrok Gjok Dushin, Adem Dik Cara (të dokumentuara). Nuk ishte rastësi që sapo Ismail Qemali mbërriti në Durrës nderi i takoi Nikoll Kaçorrit ta priste siç pret burri burrin me bukë e besë, ai i dha një tabllo të qartë se ngritja e flamurit në Durrës ishte shumë e vështirë, deri në pamundësi. Këtë e vërtetojnë më së miri dhe mbledhja e 22 nëntorit 1912 që organizoi Ismail Qemali në Durrës, ku pati shumë kundërshtime pasi spiunët turq, serbë dhe grekë kishin bërë punën e tyre.

Gjendja ishte mjaft kritike si e tillë u la për në Vlorë më 27 nëntor 1912 nga 87 delegatë kishin mbërritur 41, pjesëmarrja nuk ishte e plotë, ushtria turke ndodhej në Lushnje, Berat, Leskovik e Këlcyrë. Grekët kishin marrë Himarën duke dalë në Llogara, serbët priteshin nga ora në orë drejt Tiranës e Durrësit, malazezët kishin rrethuar Shkodrën. Kjo nuk do spjegim, gjithçka është e qartë, Shqipëria e kombi ishte në rrezik. Në mbledhjen e 41 delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikoll Kaçorri ngrihet e thotë: "Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!" Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë moment mund të themi se del si figurë më lart se bashkëpunëtorët e tij dhe ka plotësisht të drejtë historiani dhe studiuesi i mirëfilltë, lurasi Sali Ajazi që e ka përcaktuar si "politikan të nxehtë", por rezultativ në momente sfide dhe kritike. Sot, përgjigjet me lot në sy plaku i nderuar Ismail Bej Vlora, në mes të një gëzimi të papërshkruar shpallet pavarësia e Shqipërisë.... "pas vjen historia."

Dom Nikoll Kaçorri me vota 100% u zgjodh Nënkryetar i qeverisë së Vlorës 1912. Filmi "Nëntori i fundit" i kohes se komunizmit paraqet Imzot Kaçorrin kur i drejtohet për firmosjen e aktit historik dhe Kaçorri firmos aktin e shpalljes së lirisë. Ky është realitet që të gjithë e kemi njohur, por është tjetra e keqe e kohes se komunizmit, kur dalin në ballkon në momentin e ngritjes së flamurit vihen në pamjen e parë në ballkon dy persona të tjerë. Ky është një mashtrim, ky është një gabim trashanik, që duhet riparuar. Pupulli nga veriu në jug e ka thënë fjalën e vet, në vargjet e këngës:

"Dom Nikolla (Kaçorri) shqipe mali

Krahu i djathtë i Ismail Qemalit".

Në vitin 1962 me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë Nikoll Kaçorrit i jepet dekorata me urdhër "Për veprimtari patriotike e klasit të dytë".

Megjithatë pothuajse nuk përmendet apo përmendet fare pak. Vetëm shkolla 8-vjeçare Lurë dhe rruga para kishës së Durrësit ku ka dhënë meshë prifti atdhetar, mbajnë emrin e tij, dhe kjo sa për fasadë. Shteti monist i centruar brenda një "rrjeti kuadratik" nuk e vlerësoi. Po me këtë "ecje" e përcjellje të njëtrajtshme vazhdohet në këto vite demokraci. Të çudit fakti që edhe presidentët, kryeministrat, kryetarët e partive të mazhorancës dhe opozitës, nuk kanë pyetur për këtë figure të madhe të kombit tonë.

Duhet të pranojmë që historianët, letrarët mirditorë e kanë thënë fjalën e tyre për Nikoll Kaçorrin. Po kështu edhe krahinat e tjera, por këto thënie të vërteta kanë rënë në vesh të shurdhër. Është nder për shkrimtarët, historianët ta kenë në qendër të krijimtarisë së tyre që në këtë mënyrë të plotësohet një boshllëk i madh në historiografinë shqiptare, pasi vendoset në vendin që i takon dhe e meriton në "kullën e përtjetshme" të Shqipërisë një nga figurat e mëdha të kombit tonë, Dom Nikoll Kaçorri, Nënkryetari i qeverisë së parë shqiptare të Vlorës më 1912.

GJIN KAÇORRI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BASHKËPUNIMI KOSOVË-SHQIPËRI NË FUSHËN E TELEKOMUNIKACIONIT (11.27.2010)
SHQIPËRIA DHE FUQITË E MËDHA - ROLI I GJERMANISË NË KRIJIMIN E SHTETIT SHQIPTAR (11.27.2010)
SHKODËR, AUTORITETET PARALAJMËROJNË PËR MUNDËSINË E EVAKUIMIT NGA PËRMBYTJET (11.26.2010)
SHQIPËRIA U SHKËPUT PËRFUNDIMISHT NGA METASTAZAT E REGJIMIT KOMUNISTNga JAAK GABRIELS, Ministër i Shtetit i Mbretësisë së Belgjikës (11.25.2010)
IMZOT NIKOLLË KAÇORRI - FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTARNga NUE OROSHI (11.24.2010)
NJË LUTJE PËR PRISHTINËN (Paranteza e hapjes dhe Paranteza e mbylljes)Nga XHEMAIL MUSTAFA (11.23.2010)
DHJETË VJET NGA VRASJA E XHEMAJL MUSTAFËSNga SABEDIN HALITI (11.23.2010)
102 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT (11.22.2010)
SA ËSHTË I SIGURTË AEROPORTI NDËRKOMBËTAR "NËNË TEREZA" NË TIRANË? (11.22.2010)
NË 20 VITET E FUNDIT JANË VRARË NË KUFI MBI 600 SHQIPTARË (11.21.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]