VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët
E Mërkurë, 05.27.2009, 01:59pm (GMT1)

 

 

Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, u ka përçuar porosinë shqiptarëve gjithandej, se koha është duke punuar për ta.

 

Për të ardhur deri te këto momente, Kadare ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë e lehtë, meqë, siç thotë ai, jo gjithmonë është lehtë të mbrohet e drejta. Ai i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu.

 

“Është kënaqësi që të shikoj se si këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, për interesat e saj, i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë që gjithnjë të mbrohen interesat e një populli. Ka një paragjykim, se të mbrosh të drejtën, është e lehtë. Të mbrosh të drejtën është disa herë tepër e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh, ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit”, tha Kadare.

 

Por, e rëndësishme, sipas Kadaresë, është që koha është duke punuar për shqiptarët dhe Kosovën.

 

“Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta – ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi. Kam kënaqësinë ta përsëris që koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”, u shpreh Kadare.

 

 

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë.

“E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi që është personalitet unikat, dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha presidenti Sejdiu.

Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga librat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin evropian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës.

 

Kadare e quan Kosovën gjënë themelore të kombit shqiptar. Ai është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë.

 

“S’është hera e parë që jemi takuar bashkë, nuk është hera e parë që jemi mirëkuptuar, nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat e Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar”, ka thënë Kadare.

 

I pyetur të komentojë për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari i madh shqiptar ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë.

 

“Afrimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë, mendoj unë, në trajta të ndryshme gjithmonë, pavarësisht sa është dukur dhe sa nuk është dukur, pavarësisht se sa është deklaruar e sa jo. Mendoj se e kapërcen dukshëm atë që ju thatë - çështja e një rruge, që është e rëndësishme dhe një lajm i gëzuar që do ta kemi së shpejti. Por, ajo e kapërcen këtë gjë, është diçka shumë e thellë, shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe”, tha Kadare.

 

Ismail Kadare jeton dhe vepron në Paris. Ai është shkrimtari shqiptar, librat e të cilit janë përkthyer më së shumti në dhjetëra gjuhë të botës.

Kadare është laureat i çmimit Man Booker International dhe disa herë kandidat i çmimit Nobel për letërsi.

e.l/a.i/NOA/RFE
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.