E Enjte, 12.13.2018, 02:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
PRINCI LEKA - JAM I BINDUR SE KOMBI SHQIPTAR DO TË BASHKOHET FUQIMISHT PËR TË KONTRIBUAR NË FAMILJEN EVROPIANE (Intervistë në 'Illyria')

E Martë, 03.26.2013, 05:17pm (GMT+1)




PYETJE: Kuadri tërësor i veprimtarive dhe festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

PRINCI LEKA: Festimet e 100 vjetorit ishin të pabesueshme, ndërsa të shihje popullin shqiptar të bashkuar në këto kremtime ishte tejet emocionuese. Në një aspekt më personal kthimi i eshtrave të Mbretit Zog ishte një ngjarje historike dhe gjithashtu një mundësi për të reflektuar mbi këto 100 vite të kaluara në tërësinë e tyre. Megjithëse historia shqiptare ka kaluar peripecitë e saj, unë mbetem shumë optimist duke ndjerë forcën e popullit shqiptar.


PYETJE: Analiza Juaj për gjendjen në Shqipëri.

PRINCI LEKA: Shqipëria është një vend dinamik, sistemi politik mbetet i polarizuar ndërmjet dy partive kryesore dhe zgjedhjet e ardhshme do të mbartin një rëndësi të veçantë dhe përcaktojnë zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Në mënyrë më specifike në ecjen përpara në marrjen e statusit te vendit kandidat ne Be dhe në projektin e integrimit europian.

Shpresoj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe demokratike dhe që deputetët që do të zgjidhen në parlamentin e ri do të përfaqësojnë votuesit gjatë mandatit të tyre. E theksoj këtë pasi në Shqipëri përfaqësimi mbetet ende problem.

Jam i lumtur që prej vitit 2005, Shqipëria ka ndryshuar pozitivisht për të mirën e popullit dhe se ndjenjat e patriotizmit po rilindin te Shqiptarët.


PYETJE: Pritshmëria e Princit Leka për përparimin e shqiptarëve.

PRINCI LEKA: Mbetem i besimit se shqiptarët në rajon do të njohin zhvillim të vazhdueshëm, por ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rolin tonë si faktor stabiliteti në Ballkan dhe të sigurohemi që përpjekjet tona të mos minohen e të shkojnë dëm. Bashkimi i Shqiptarëve në një kontekst europian është në proces dhe unë jam i bindur se me iniciativat e mëtejshme administrative, ekonomike dhe kulturore, kombi shqiptar do të bashkohet fuqimisht për të kontribuuar në familjen europiane.


PYETJE: Përpjekjet Tuaja të sotme, të Mbretit Leka I dhe Mbretit të Shqiptarëve Zog I për forcimin e shtetit shqiptar.

PRINCI LEKA: Në vitet e kaluara unë jam fokusuar kryesisht në sferën ndërkombëtare. U përkujdesa që ta kryej vizitën time të parë pas vdekjes të Mbretit Leka I, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kryesija e Partisë Levizja e Legalitetit në New York u kujdes për pritjen dhe programin e vizites. Më atë rast, mora pjesë në festimet e Federatës “Vatra” dhe pata takime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Unë mendoj se Familja Mbretërore mund të luajë një rol të rëndësishëm në aspektin social në vend. Në këtë kontekst, Elia dhe unë kemi menduar themelimin e një fondacioni të fokusuar në përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhë në një fushatë marrëdhënieje publike për të promovuar Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar.

Sa për Mbretin Zog, dihet tashmë se ai ishte themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar. Kontributi i tij në ndërtimin e institucioneve dhe të një ndërgjegjeje kombëtare po del çdo ditë e më shumë në dritë. Ndërsa Mbreti Leka ia kushtoi jetën e vet çlirimit të vendit, lirisë dhe demokracisë si dhe bashkimit kombëtar. Dhe kjo nuk është pak, kur merren parasysh kushtet dhe rrethanat e asaj kohe.


PYETJE: Puna e Familjes Mbretërore për bashkimin kombëtar dhe si e shihni këtë proces në vazhdimësi, raportet me serbët, grekët dhe fqinjët

PRINCI LEKA: Familja Mbretërore Shqiptare do të jëtë përherë mbështetëse e Kombit Shqiptar si një simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe do të bëjë më të mirën që ata të mbrohen e të gëzojnë të gjitha liritë që janë të natyrshme në një demokraci. Kemi shumë për të bërë për forcimin e kombit shqiptar brenda një Europe ku kufijtë do të kenë rëndësi gjithnjë e më pak. Sigurisht që jam i bindjes së Monarkia do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, tok më aleatët tanë europianë dhe amerikanë. Sesi do të materializohet kjo, do të vendoset, por me kohë edhe durim.


PYETJE: Mundësia e një referendumi të ri për sistemin shtetëror, republikan apo Mbretëri. Kjo, sepse meqë referendumi i vitit 1997 nuk u kontrollua dot për shkak të gjendjes që kalonte Shqipëria dhe mungesës së komisionerëve të legalistëve në numërimin e votive.

PRINCI LEKA: Fitorja e referendumit në vitin 1997 ishte një shembull i mbështetjes së popullit për shpresën e ndryshimit dhe stabilitetit që Monarkia mund të kishte siguruar. Megjithëse jam i ndërgjegjshëm për vështirësitë që mbartte ajo kohë e tmerrshme për shqiptarët, jam i mendimit që Monarkia duhet të jetë më aktive në zhvillimin e vendit. Me kohën do të jemi në një pozicion më të fortë për të propozuar mundësinë e një referendumi të ri që do të përcaktojë llojin e sistemit që do ti përgjigjet më së miri nevojave të kombit në të ardhmen.


PYETJE: Marrëdhëniet Tuaja me shqiptarët, klasën politike dhe institucionet e tyre në Kosovë, shtetin maqedonas, Çamëri, Serbi dhe në Malin e Zi.

PRINCI LEKA: Ruaj marrëdhënie kordiale me shumicën e partive politike shqiptare. Sigurisht çdo rast bazohet mbi specifika dhe situata të veçanta.


PYETJE: Integrimi në Bashkimin Europian, çfarë duhet të bëjë politika.

PRINCI LEKA: Meqë shumica e shqiptarëve janë pro integrimit europian unë besoj se të gjitha partitë politike duhet të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkojnë qëndrimet në një front të përbashkët për të punuar për procesin e integrimit, në mënyrë të veçantë në lidhje me skeptikët e procesit të zgjerimit. Duhet të fokusohemi më pak në politikën lokale të Tiranës, dhe të trajtojme çështjet jetike për perspektivën e Brukselit. Viti 2013 do të jetë një vit vendimtar, si rrjedhojë e zgjedhjeve dhe para se të parashikohet statusi i vendit kandidat në 2014.


PYETJE: Gjykimi Juaj mbi qëndrimet për Mbretërinë nga klasa politike brenda dhe jashtë Shqipërisë

PRINCI LEKA: Çëshjta e Monarkive është rajonale dhe duhet analizuar si e tillë. Qeveria malazeze sapo ka vënë në zbatim një status mbretëror për Princin Nikolai, i ka ndërtuar atij një pallat të ri dhe e ka financuar me fonde shtetërore fondacionin e tij. Ndërsa në Rumani aktualisht janë duke u diskutuar ndryshime kushtetuese, ku Monarkia do të njihet madje mund të ndryshohet sistemi qeverisës. Vlen të përmendet këtu edhe ndryshimet pozitive që kanë arritur vitet e fundit familjet mbretërore Serbe dhe Greke. Familja Mbretërore Shqiptare ka shumë për të punuar që të ndryshojë propogandën e vjetër komuniste që ka influencuar negativisht shoqërinë në 60 vitet e fundit.


PYETJE: Përgjigja Juaj për kundërshtarët e Mbretërisë.

PRINCI LEKA: Të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen dhe të punojnë për idealet tona kombëtare pavarësisht ndasive politike.


PYETJE: Marrëdhëniet personale me krerët e partive

PRINCI LEKA: Në përgjithësi shumë të mira.


PYETJE: Si e shihni funksionimin e institucioneve

PRINCI LEKA: Termi institucion nuk është zhvilluar si duhet ende, pasi sistemi qeveritar në Shqipëri është i përcaktuar nga figura me influencë dhe jo qëndrueshmëria institucionale. Kjo është arsyeja që shpesh kur flas për aktivitetet e Oborrit Mbretëror përmend rëndësinë institucionale që mbart ai dhe jo forcën e individëve të veçantë.


PYETJE: Mesazhi Juaj për komunitetin e fortë shqiptaro-amerikan dhe mbështetësit e Mbretërisë në SHBA

PRINCI LEKA: Të vazhdojnë të mbeten ambasadorët tanë më të mirë dhe të sigurojnë që vlerat tona të përbashkëta të mbeten gjithmonë të gjalla. Ne duhet të jemi krenarë për trashëgiminë kombëtare.


PYETJE: Zgjidhja e çështjes së pronës, a mund të kemi ligj të ri, përderisa shumë pronarë ende nuk e kanë marrë atë që u takon.

PRINCI LEKA: Nuk do të preferoja të komentoja për këtë çështje pasi kjo është një plagë në zhvillimin ekonomik të vendit.


PYETJE: Qëndrimi për ish-të përndjekurit politikë

PRINCI LEKA: Ka shumë çështje që presin zgjidhje, ndërsa media ka reflektuar një pakicë ekstremistësh që nuk po ndihmojnë aspak në zgjidhjen e problemeve të vërteta të ish-të përndjekurve politikë. Në anën simbolike të çështjes, është absurd fakti që Enver Hoxha mban ende titullin e Heroit të Popullit, ndërsa është domosdoshmëri krijimi i një muzeu qëndror për krimet e komunizmit sikundër kanë bërë vende të tjera. Ne nuk duhet të harrojmë vuajtjen e aq shumë patriotëve të vërtetë. Po ashtu, skema e pensionit të funksionarëve të ish-komunizmit është absurde në krahasim me të persekutuarit politikë. Megjithatë unë besoj se qeveria është e përkushtuar totalisht në plotësimin e detyrave të saj ndaj kësaj shtrese.


www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
O BAJRAM CURRI, A KÉ LANË KÊND TÉK SHPÊLLA?Nga FRITZ RADOVANI (03.26.2013)
ZOTËRI AGIM VATOVCI SOT NË ZYRËN ADMINISTRATIVE TË MITROVICËS VERIORE (03.24.2013)
Bugajski HourSHPËTIM IDRIZI - REZOLUTA ÇAME ËSHTË KUSHT I PDIU PËR KOALICIONE ZGJEDHORE (03.24.2013)
AZEM HAJDARI - 'POLITIKA NUK ASHT BISHT SHATI, PO BISHT GJARPNI'Nga Prof. Asoc. Dr. Shefqet HOXHA, Historian, kulturolog, politikan (03.22.2013)
EPOSI I DERËS DHE I VEPRËSShënime për veprën e Azgan Haklajt “Edhe Zoti po flet Shqip”Nga RAMIZ LUSHAJ (03.21.2013)
SHUHET PISHTARJA E LIRISË DHE DEMOKRACISË ANTIKOMUNISTJA BARDHA GJONMARKUNga TOMË MRIJAJ (03.21.2013)
I PAHARRUESHMI DON LUIGJ KÇIRANga FRITZ RADOVANI (03.21.2013)
KUJTIM DHE NDERIM, PËR PROF. ZIJA XHOLIN-AKADEMIKNga Prof. MURAT GECAJ, publicist e studiues (03.19.2013)
NATYRISHT SHIHJA MARTIRIN...Kushtuar z.Viktor Martini, i cili është burgosur qysh në moshën 16 vjeç dhe me gjithë familje kanë bërë 104 vjet burg...Poezi nga KEZE KOZETA ZYLO (03.18.2013)
Portret emigrantiDJALI I PERAJVE, PETRIT SOKOLINga ZEQIR LUSHAJ (03.17.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2018  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]