E Premte, 12.06.2019, 10:54pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KUR TITO MË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËN
Nga YLLI POLOVINA

E Hënë, 11.03.2014, 03:54pm (GMT+1)



Në Beograd e sidomos në mentalitetin e vjetër serb ka hedhur rrënjë dhe nuk dëshiron jo të ikë, por as të paktën të rishikojë veten e të reflektojë, teoria sipas së cilës një Shqipëri e dobët favorizon një Jugosllavi të fortë. Për pasojë, qeveritë e federatës fqinje derisa ajo u prish, harxhonin mjete të shumta financiare dhe angazhim të kapitalit të vet njerëzor e shtetëror për të na mbajtur në gjendje paqëndrueshmërie politike, ekonomike, ushtarake dhe sociale. Minonin ku të qe më e mundshme.

Ideatorët e kësaj doktrine justifikoheshin me domosdoshmërinë për ta mbajtur nën kontroll të plotë Kosovën dhe penguar shkëputjen e saj. Ajo duhej të ishte në jetë të jetëve brenda Serbisë dhe Jugosllavisë.
Mirëpo kjo platformë, edhe pse në periudha të caktuara arriti nëpërmjet njerëzve të saj të infiltruar në Tiranë, t'i sjellë dëme jo të vogla Shqipërisë, gjithsesi në fund të fundit nuk ia doli dot. Nuk iu imponua dot rregullave më të thjeshta të historisë. Dështoi.

Jo vetëm nuk e shkatërroi dot vendin fqinj, por para se të lëshonte Kosovën u prish vetë.

Në vitin 2000 mund të thuhet se në Beograd që prej 1913-ës, kur pabesisht e përdhunisht rrëmbyen pothuaj gjys-mën e trojeve shqiptare, me dogmën "Një Jugos-llavi e fortë vetëm me një Shqipëri të dobët" u duk qartë se patën shkaktuar një bumerang. I kishin dhënë vetes një autogoditje, një burim vetëshkatërrimi.

Kaq herë, analistë të huaj të çështjeve ballkanase i patën paralajmëruar jugo-serbët: Shkatërrimi juaj do të fillojë nga Kosova.
Duke qenë se pas ngjarjeve të tetorit 2014 në stadiumin "Partizani" të Beogradit dhe nxehtësisë së disa kokave ultranacionaliste në këtë qytet të madh proevropian, në vend të nxirrej nga inventari si vjetërsirë, kjo mendësi e dështuar është rigjallëruar. Kështu është kryer një kthim i madh prapa.

Për argumentim të pikëpamjes se një Serbie të fortë (demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht) i duhet vetëm një Shqipëri e fortë (demokratike, po ashtu dhe e përparuar ekonomikisht), nuk iu drejtuam historisë një çerekshekullore të pas rrëzimit të komunizmit, por Jugosllavisë së viteve 1974-1980, kur federatën e qeveriste më i suksesshmi udhëheqës i saj, marksisti Josip Broz Tito.

Projekti për pushtimin e Jugosllavisë
Në 1974 ishte Enver Hoxha që bashkë me Mehmet Shehun kombinuan rrufeshëm një gjest të fortë. Shpallën se në rast të ndonjë sulmi ushtarak të Bashkimit Sovjetik kundër Jugosllavisë, Shqipëria do të rreshtohej në mbrojtje të saj.
Deklarata nuk jehoi vetëm në Beograd, në Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Shkup dhe në Prishtinë, por në mes të Parisit e deri në Uashington. Qe një lajm "bombë".

Të mësuar me tensionin e vazhdueshëm dhe gërricës mes dy vendeve ballkanike, zyrat e specializuara për marrëdhëniet ndërkombëtare, deri ato çaste zakonisht më të interesuara për gjestet e Jugosllavisë, e cila nëpërmjet doktrinës së "Vendeve të Paangazhuara" pati fituar prestigj planetar, i kthyen sytë me habi tek Shqipëria. Ky shtet i vogël ishte vërtet i mbushur me mistere.

Në Tiranë që prej një viti kishte shpërthyer e ethshme një luftë e brendshme, shpjegimi i parë i së cilës qe spastrimi i shpejtë që, pas infarktit të tij në zemër, Enver Hoxha po u bënte jo vetëm mospajtuesve me pushtetin e tij, por edhe gjithkujt tjetër për besnikërinë e të cilit kishte edhe dyshimin më të vogël. Ndërkohë, në Tiranë qe duke përfunduar programi kundër njerëzve të kulturës, të cilët Hoxha i përshkroi para popullit të vet dhe opinionit publik ndërkombëtar si agjentë të Perëndimit dhe posaçërisht të anglo-amerikanëve.

Në nëntor, diku një ambasador i Tiranës dhe diku tjetër një zëvendësministër, në rrethe të ngushta me diplomatë të huaj patën bërë pyetjen e qëllimshme se, si do të vepronte NATO në rast se Jugosllavia kërcënohej nga Traktati i Varshavës dhe, po ashtu, nëse Moska sulmonte Shqipërinë.
Pas daljes "de facto" në 1962 nga Traktati i Varshavës dhe në 1968 edhe me largim "de jure", kur ndërkohë pati ndodhur edhe agresioni sovjetik ndaj Çekosllovakisë, udhëheqjen e Shqipërisë e kishte kapur ankthi i mbiekzistencës. Pesha e saj gjeostrategjike, përherë e posaçme dhe shumë e lakmueshme për ta zotëruar, këtë herë pati mbërritur kulmin e rëndësisë për të qenë faktor baraspeshimi, por edhe prishjeje ekuilibri midis tri fuqive të mëdha të botës: SHBA, BRSS dhe Kinës Popullore.

Midis armiqësisë së të treve kërcënimi sovjetik ishte parësori. Në 1975, kur në Shqipëri pati shpërthyer faza e tretë e spastrimeve të brendshme, këtë herë duke përfshirë edhe "armiqtë" në ekonomi, burime të ndryshme informacioni sollën në Tiranë të dhënën se amerikanët patën grumbulluar prova të mjaftueshme se projekti i një sulmi të Traktatit të Varshavës kundër Jugosllavisë qe shpluhurosur dhe bërë gati për veprim. Me këtë rast i tërë arsenali ushtarak i Moskës që do të përdorej për të marrë vendin e Titos, do të konsumohej edhe për pushtimin e Shqipërisë. Dalja e rusëve në detet Adriatik dhe Jon parashikohej të bëhej njëherësh.

Tito në vizitën e katërt në Kosovë
I pari që lëvizi energjikisht ishte Tito. Platforma e përhershme serbe, e Jugosllavisë monarkiste, por edhe e federatës së tij komuniste, sipas së cilës Shqipëria duhej mbajtur përherë në gjendje dobësimi, nuk ishte më funksionale. Krijonte ngërç në vetë gjymtyrët e shtetit titist. Vendi fqinj i shqiptarëve, ku federata e sllavëve të jugut pati mbështetur shpatullat, duhej të qe i aftë t'u rezistonte sovjetikëve dhe, mundësisht, në rast të një agresioni, të kishte mundësi të gozhdonte në luftime sa më shumë trupa ushtarake të Traktatit të Varshavës.

Vetëm kjo do të lehtësonte frontin e qëndresës në Jugosllavi, ku Beogradi nuk duhej të binte në duart as të trupave këmbësore tankiste të sovjetikëve dhe as të zbarkuesve masivë nga ajri.

Taktikën për ta përdorur Shqipërinë si një territor ku mund të shkarkohej një pjesë e peshës ushtarake të pushtuesve, Josif Broz Tito e pati konsumuar me mjaft sukses gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit e tij të dërguar pranë PKSH-së, që nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e deri tek Vukmanoviç Tempo dhe Velimir Stojniçi, e patën nxitur ashpërsimin sa më të madh të rezistencës antifashiste shqiptare për të mundësuar heqjen nga trojet e tyre dhe dërgimin në Shqipëri të sa më tepër divizioneve italiane dhe gjermane.
Ja pse marrëdhëniet me Tiranën zyrtare duheshin patjetër përmirësuar. Mjeti më i efektshëm për afrim dhe ngrohje raportesh qe Kosova. Kështu, gjatë javës së parë të prillit 1975, Mareshalli, siç thirrej më shpesh Tito, kreu këtu një vizitë dyditore. Ishte e katërta ose e dyta e tij në katër vitet e fundit.

Pak para se të shkonte në Prishtinë ai vizitoi Maqedoninë, prej ku u shpreh ashpër ndaj Bullgarisë, të cilën e kritikoi sepse kohët e fundit krerët e saj si edhe shtypi i Sofjes, për hatër të mbivlerësimit të kontributit të Ushtrisë së Kuqe, e kishin minimizuar rolin e rezistencës antifashiste të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa me Bullgarinë nga Shkupi qe i rreptë, nga Prishtina me Shqipërinë u shfaq miqësor. Gazetari analist i radios "Evropa e Lirë", Louis Zanga do të gjykonte: "Është bërë e qartë prej disa kohësh se Jugosllavia është e shqetësuar për të 'normalizuar' marrëdhëniet me Shqipërinë. Një rol kyç në këtë proces duket se ka zënë Kosova, një provincë autonome, që zyrtarisht është pjesë e Serbisë e që ka një shumicë të banuar nga shqiptarët.... Këto sfida, të kombinuara me afrimin që po ndihet në të dyja vendet, si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri, përballë lëvizjeve sovjetike në Ballkan, e kanë bërë provincën në fjalë një përzgjedhje të efektshme, duke e trajtuar si katalizator për shkrirjen e akujve të mosbesimit me bazë të kaluarën dhe inkurajimin e afrimit".

Fjalimin kryesor të vizitës dyditore Josip Broz Tito e mbajti gjatë një mbledhjeje të aktivistëve partiakë të Kosovës dhe u parapriu komenteve për gjallërim të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave me një paralajmërim rreth një mundësie të sulmimit të krahinës nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. "Ka që kanë zgjedhur pikërisht Kosovën si një pikë fokale për përpjekjet e tyre për të minuar gjithë vendin", theksoi posaçërisht ai.
Pasi Mareshalli u rikthye në Beograd, parlamenti diskutoi menjëherë dhe mori masa të zbatoheshin ndihma ekonomike për Kosovën, ku të ardhurat për frymë qenë 30 për qind e mesatares së federatës. Tito foli edhe vetë në parlament, duke e cilësuar krahinën e banuar me shumicë nga shqiptarët si urë lidhëse. Nuk harroi të vinte në dukje se "armiqtë e Jugosllavisë po bëjnë përpjekje të ethshme për të hartuar e zbatuar të gjitha llojet e skenarëve për të minuar suksesin në Kosovë dhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë".

Qe një ndër rastet e rralla ku vinte në dukje se një Kosovë në mirëqenie do të ishte shenjë miqësie me shtetin e tyre amë dhe jo e kundërta, kur e përdorte këtë krahinë për ta përbuzur, xhelozuar dhe armiqësuar Tiranën. Në parlament, ndërsa deputetë, ambasadorë të huaj dhe gazetarë po e dëgjonin me vëmendje, ai u bëri surprizë me deklaratën se: "Ajo çka i bashkon të dyja vendet është më e rëndësishme sesa ajo që i ndan". Josip Broz Tito tha po ashtu se përmirësimi i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave vinte si rezultat i një dëshire të përbashkët për të ruajtur pavarësinë kombëtare. Edhe ky mesazh qe risi, gjuhë e qëndrim i harruar prej tri dekadash, që kur Shqipëria dhe Jugosllavia e pas luftës, të dy vende komuniste të orientimit stalinist, po i afronin fatet deri në një bashkim territorial të plotë.

Duke e përfunduar fjalën e vet mbi rëndësinë e miqësisë Beograd-Tiranë si garanci për sovranitetin e të dyja shteteve, Mareshalli nguli këmbë edhe në një ide tjetër. Vuri në dukje se përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë duhej të konsiderohej një faktor kyç edhe për vetë paqen në rajonin e Ballkanit. "Nëse të dyja vendet do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, - nënvizoi dukshëm Tito, - shumëkush nga jashtë do të mundohej të përfshihej në konflikt". "Shumëkush nga jashtë!" Ky formulim është tepër kuptimplotë, për specialistët e marrëdhënieve ndërkombëtare shumë i qartë. Nga Radio "Evropa e Lirë", në shpjegim të asaj që po ndodhte, Louis Zanka do të spikaste këtë interpretim: "Përveç çdo lloj armiku jashtë vendit, Tito mund të ketë pasur në mend elementë të veçantë në Beograd e Serbi, të cilët mund t'i shihnin me skepticizëm dhe përçmim kontaktet mes Prishtinës dhe Tiranës". Për ta bërë edhe më të qartë çfarë duhej të kishte në kokë Josip Broz Tito, Zanka do të shtonte: "Të dyja vendet po tregojnë shenja afrimi e zbutjeje rreth kërcënimeve reale apo imagjinare, që mund t'i vinin nga eurolindja e kontinentit", pra nga Traktati i Varshavës.

Shigjeta e sulmit që do të kishte si bazë nisjeje bazat e shumta të saj, mund të nisej nga Hungaria dhe Bullgaria, duke shmangur Rumaninë, shtet komunist që pëlqente pavarësinë nga Moska dhe që priste e përcillte jo vetëm francezë dhe arabë të pasur me dollarë nafte, por mbi të gjitha edhe zyrtarë të lartë amerikanë.

Rrëmbimi në Bukuresht i një antitisti që kishte qenë në Shqipëri
Ndërsa ndiheshin të shumëkontrolluar në Hungari dhe fare të mosdashur në Bullgari, shërbimi i fshehtë jugosllav, UDB, kreu në Bukuresht, me lejen e autoriteteve vendase, një operacion special.

Rrëmbeu në 10 gusht 1975 Vladimir Dapçeviçin dhe e solli në mënyrë sekrete në Beograd, duke i bërë gati edhe një proces gjyqësor. Familja e tij në Beograd nuk dinte asgjë dhe mbi rrëmbimin e njeriut të vet e mori vesh lajmin nga avokati i familjes. Qe 26 dhjetor 1975. Dapçeciç pas rrëmbimit të stilit "kartë postale", për plot pesë muaj qe mbajtur në fshehtësi të plotë në një nga burgjet e sigurisë së lartë të kryeqytetit jugosllav.
Ai kishte rihyrë në qelitë e vendit të vet. Kjo po i ndodhte për të dytën herë. Në fund të motit 1948 ky partizan i njohur dhe oficer i lartë i rezistencës antifashiste jugosllave, ishte prangosur si njeri i Stalinit dhe pas tetë viteve burg (qe dënuar me njëzet), menjëherë sa doli u arratis në Shqipëri. Këtu erdhi bashkë me një grup shokësh të tij, që të gjithë stalinistë.

Kur e ndjeu se Enver Hoxha po prishej me sovjetikët edhe pse qe stalinist dhe tashmë Hrushovi i pati shpallur denigrim Josipit tjetër, jo atij të Beogradit, por të Moskës, Vladimir Dapçeviç shkoi në BRSS dhe u vendos në kryeqytet. Prej andej shpërtheu një fushatë agresive antitiste.
Pasi mes BRSS dhe Federatës Socialiste të Jugosllavisë herë pas here frynte edhe ndopak fllad afrimi, kundërshtari i përbetuar i Titos iku nga Moska dhe u vendos në Bruksel. Në shkurt 1975 tashmë qe bërë qytetar belg dhe "për turizëm" apo edhe për çdo qëllim tjetër, çfarë ato kohë mbeti mister, shkoi në Rumani për disa ditë. Kur në fund të dhjetorit familja Dapçeviç mori vesh lajmin e rrëmbimit të kryefamiljarit, e bëri menjëherë të ditur para shtypit ndërkombëtar. Më të interesuar për ta vendosur në krye të faqeve të para e cilësuar si një veprim të patolerueshëm dhe represiv, qenë disa nga gazetat më të mëdha franceze.
Gjithsesi, në janar 1976 lajmi, bashkë me të dhënën se antitisti stalinist Vladimir Dapçeviç për disa vite rresht qe strehuar në Shqipëri, ishte përhapur edhe përtej Atlantikut.

Një konferencë
ballkanike në Athinë
Në 24 janar 1976, në Athinë u mblodh "Konferenca e Ballkanit". Qenë pjesëmarrëse, në nivel nënministrash, gjashtë vende. Ajo do të hidhte bazat e një tipi të ri bashkëpunimi ekonomik, teknologjik dhe ekologjik. E mbledhur me nismën e Greqisë, e cila pëlqente të bënte prijësen e Ballkanit, përveç këtij vendi në takim ishin edhe Jugosllavia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia. Shqipëria përfaqësohej vetëm me vëzhgues. Me këtë rast disa nga të përditshmet e pjesës perëndimore të kontinentit, ndërsa nëpër komunikatat e agjencive të lajmeve ia dëgjuan emrin, e cilësuan Shqipërinë si "Kina e Evropës".

Para se Konferenca të niste punimet, kryeministri grek me anë të një letre drejtuar të gjitha delegacioneve u vuri në dukje dobinë e eliminimit në gadishull të klimës së armiqësisë dhe të mosmarrëveshjes midis vendeve me sisteme të ndryshme politike. Ai qe i opinionit se kjo do të vinte duke dhënë si shenjë të vullnetit të mirë bashkëpunimin e ngushtë. Si rrezik për këtë klimë të re mirëkuptimi, shefi i qeverisë helene vuri në dukje trazimin që vinte prej historisë së shkuar të Ballkanit si edhe të vesit për ta prishur herë pas here ekuilibrin e tij të brendshëm.
Kryeministri grek vuri në dukje se në Ballkan dy blloqet e mëdha ushtarakë, NATO dhe Traktati i Varshavës, ndodheshin shumë afër njëri-tjetrit. I ndanin pak qindra kilometra. Një përplasje e tyre nuk do të qe aspak ngjarje e pëlqyer.

Ai nxori në pah edhe pikëpamjen se ishte e pamundur të bashkëpajtoheshin, të përputheshin apo të bashkekzistonin kufijtë e shtetit me ato etnikë. U kuptua qartë se kryeministri grek, ndërsa qenë muaj të një acarimi të vendit të tij me Aleancën Atlantike, po përmbante të vetët me zellin për të provokuar e marrë "Vorio Epirin", Shqipërinë e Jugut, si edhe vënë kushtin që në vendin fqinj të mos flitej fare për krahinën e Çamërisë.

Konferenca e Ballkanit përfundoi pa sjellë ndonjë gjë të re.
Ndërkohë, në mes të muajit prill, fjalët e përhapura edhe më parë, për një prishje të marrëdhënieve të ngushta mes Tiranës dhe Pekinit, duke dalë nga thashethemnaja, zunë vende të dukshme në mjaft prej gazetave të Uashingtonit, të Parisit dhe të Londrës. U pati kushtuar një artikull të tërë edhe e përjavshmja hungareze "Magjarorsza".
Të gjitha ato ishin mjaft të sigurta se Kina i kishte përgjysmuar ndihmat ekonomike për Shqipërinë dhe kjo tashmë kishte riparë dhe shkurtuar shumë nga projektet dhe investimet e saj. Kishte rrezik që nga dita në ditë, e izoluar, të binte në agoni.

Lufta Perëndim-Lindje për të marrë Tiranën më 1978


E përditshmja italiane "La Stampa" e ditës së tetëmbëdhjetë të prillit 1976 shënonte se në Shqipëri, për rrjedhojë të prishjes me Kinën, brenda vendit po ndodhte një spastrim i madh politik. Ajo shkruante: "Në rast se Pekini dhe Tirana e kanë prishur aleancën Shqipëria jo vetëm bëhet më e izoluar se kurrë, por duke humbur miqësinë me Kinën nuk ka mundur dot të rifitojë atë me Bashkimin Sovjetik. Madje, as të Jugosllavisë dhe të Perëndimit".

Në të përditshmen gjermane "Ostpreussenblatt" më 8 maj 1976, Strobinger Rudolf botonte shkrimin e "Lufta për pushtet në vendin e shqiptarëve". Sipas tij, në Tiranë zhvillohej betejë e brendshme mes dy palëve, nacional-komunistëve, atyre që ishin për mbrojtjen me çdo kusht e çmim të tërësisë tokësore dhe të së drejtës për të mbajtur në marrëdhëniet ndërkombëtare qëndrim të pavarur, si edhe prosovjetikëve, njerëzit që ishin për mbështetje ekonomike dhe varësi mbrojtëse nga Bashkimi Sovjetik.

Rudolf mendonte se "Sidoqoftë, nacional-komunistët shqiptarë duket se po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga grupi rival prosovjetik, i cili vijon ta ushtrojë me ç'duket aktivitetin e tij akoma nën sipërfaqe. Se kush konkretisht po punon për një afrim me rusët në kryesinë e Partisë, ndoshta nuk është e qartë akoma as për vetë policinë sekrete, besnike ndaj Hoxhës".

Më pas Strobinger Rudolf vazhdonte: "Moska në Shqipëri gjithsesi, po vepron si një nëndetëse. Por "lufta punon për ne", thuhet në Moskë dhe në kryeqytetet e tjera eurolindore. Maksimumi, kur në Jugosllavi, Mareshalli Tito të çelë rrugën për pasuesit, atëherë "shokët e sovjetikëve" duan të bëhen aktivë në "vendin e skiptarëve". Që fitorja është e sigurt pastaj për ta, ata janë tashmë të bindur. Qysh sot madje!"

Në vijim, duke përfunduar, Rudolf spikat: "Mbështetja nga Pekini e Shqipërisë nuk duhej llogaritur, pasi Moska ka 43 divizione që ruajnë kufirin me Kinën. Atëherë ç'të bëjmë? Të lutemi ndoshta që Titoja të jetojë një mijë vjet".

Kështu mendonte që nga "Ostpreussenblatt" Strobinger Rudolf, por në Tiranë Enver Hoxhës nuk i dridheshin duart dhe frenat i mbante fort. Çdo gjë brenda vendit, të cilin e kontrollonte centimetër për centimetër, zhvillohej sipas një skeme të tij të sprovuar edhe dy herë të tjera: kur u prish me jugosllavët dhe sovjetikët.

Ishte një çast i favorshëm që me rastin e këputjes së pritshme totale me Republikën Popullore të Kinës të eliminonte rivalët ose të shfaroste komplotuesit e mundshëm, ata që mezi po prisnin të mos qe sërish mirë me shëndet dhe me këtë rast të lëngonte gjatë apo t'i ndodhte të vdiste papritur. Infarkti i rëndë i zemrës në fund të vitit 1973 e kishte bërë "me bombë në xhep".

Sipas direktivës së tij, ambasadat Shqiptare kudo ku ndodheshin, nëpërmjet punonjësve të shërbimit civil apo zbuluesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (këta të fundit të maskuar me statusin e të parëve, pra si diplomatë), mblidhnin ditë-natë të dhëna ushtarake dhe politike. Në Beograd, pikë shumë e ndjeshme për të kuptuar si po frynin korentet e Perëndimit dhe të Lindjes dhe ku fati i shqiptarëve deshifrohej më lehtësisht, që nga fundshtatori 1975 ishte vendosur me detyrën e ambasadorit njëri prej specialistëve më të mirë të diplomacisë së vendit: Sokrat Plaka.

Mes të tjerash, ky raportoi se në 8 qershor (1977) krahu i djathtë i Josip Broz Titos, Eduard Kardel, kishte mbajtur para aktivit ekonomik të Kosovës një fjalim, i cili shkonte këmbëngulshëm në zbatim të vijës zbutëse të shefit të vet. Pra, miqësi e domosdoshme me Shqipërinë.

Tito hyn në mes të Moskës, Pekinit dhe Tiranës

Ndërkohë që në mënyrë të tërthortë linte të kuptohej se i druhej një agresioni sovjetik dhe pikërisht për këtë arsye edhe po shtrëngonte radhët me Shqipërinë e Enver Hoxhës, në 15 gusht Tito mbërriti në Moskë. Vizita këtu qe faza e parë e një turi të tij që do të vazhdonte edhe në Korenë e Veriut. Më pas nga Pnompeni do të shkonte në Pekin. Në Kinë shefi i Jugosllavisë vinte për herë të parë, ca më tepër nëpërmjet linjës ajrore të Moskës, aspak të pëlqyer nga Mao Ce Duni. Prania e mysafirit nga Ballkani, shef edhe i lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, çfarë rivalizonte me grupin e vendeve të Botës së Tretë, që ishte tutelë e Pekinit, kryhej për të dëshmuar ulje të grindshmërisë së mëparshme. Pritja zyrtare Josip Broz Titos nga udhëheqësit kinezë i qe premtuar madhështore.

Ndërkaq në kryeqytetin sovjetik, në Kremlin, Leonid Brezhnjevi, që e priti më parë, përfitoi nga tetëdhjetë e pesëvjetori i Mareshallit dhe e dekoroi me Urdhrin e Revolucionit të Tetorit.

Shumë qarqe diplomatike dhe analistë të raporteve ndërkombëtare në këtë tur të Titos dalluan rrezikun se një sjellje e tillë nuk mund të shkonte paralel dhe në përputhje me kursin e ëmbëlsimit me Shqipërinë. Ata kujtonin njëri-tjetrin se vendi i vogël i Ballkanit ishte prishur me Bashkimin Sovjetik pas pajtimit të Nikita Hrushovit me Josip Brozin. Ndërsa po ndahej me Kinën vizita në Pekin e presidentit jugosllav mund t'i rëndonte raportet e Tiranës edhe me vetë Beogradin. Analistët patën vënë re se, duke e njohur këtë taktikë të Hoxhës dhe për ta provokuar atë, qenë kinezët që e patën përshpejtuar vizitën e Mareshallit. Loja se "humbëm Enverin, por fituam Titon" do ta nervozonte të shumëfuqishmin e vetmuar të Tiranës.

Vëzhguesit e marrëdhënieve ndërkombëtare i vijonin arsyetimet e tyre edhe me gjendjen shëndetësore të presidentit jugosllav. Duke ia çmuar gjallërinë e veprimit politik brenda dhe jashtë vendit, edhe pse qe tetëdhjetë e pesëvjeçar, nuk harronin të shtonin se muajt e fundit trupi i tij i mbajtur mirë kishte dhënë shenja se mund të rrënohej shumë rrufeshëm. Kjo situatë shtronte si çështje të dorës së parë "periudhën pas Tito". Ata nënvizonin se "Me gjithë afrimin e dëshiruar prej Hrushovit, raportet mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë kanë mbetur shumë të tensionuara: më shumë se në një rast hija e Moskës është shfaqur kërcënuese në horizontin e Beogradit".

Për vëzhguesit e huaj për ta bërë të paqëndrueshme vendin e sllavëve të jugut do të mjaftonte një trazim etnik i gjashtë republikave apo edhe i dy krahinave autonome që formojnë federatën. Për këtë arsye, vizita e Titos në Moskë u interpretua si "një pranim i heshtur i qeverisë sovjetike për platformën e presidentit jugosllav që periudha e zëvendësimit të tij pas vdekjes të bëhet pa trauma të brendshme dhe sidomos pa ndërhyrje të jashtme. Në të njëjtën kohë shefi i moshuar i shtetit kërkon t'u dëshmojë sovjetikëve se Jugosllavia në formën e saj politike aktuale është një element i stabilitetit në Evropë dhe kjo gjë BRSS-së i leverdis".

Analistët e Perëndimit, duke e cilësuar Josip Broz Titon si të parin politikan të vendeve komuniste të pavarur prej Bashkimit Sovjetik, vinin në dukje se në të tërë kampin socialist sundonte prirja filosovjetike, ku mes tetë partive evropiane, pesë qenë tërësisht besnike të Moskës. Në shifra anëtarësh ky raport ishte 6.907.353 përballë 3.792.446. Midis tri partive komuniste rebele, përveç Jugosllavisë dhe Rumanisë, numërohej edhe Shqipëria.

Rrëmbimi në Paris i një anti-titisti tjetër që ishte strehuar në Shqipëri

Në 13 prill 1978 në Beograd, nën drejtimin e gjyqtarit Ilija Simiç, u zhvillua procesi kundër Mileta Peroviç, liderit të të gjithë stalinistëve jugosllavë. Akuza qe për komplot kundër shtetit. U dënua me 20 vjet. Sipas vendimit, gjithçka pesëdhjetë e katër vjeçari e kishte organizuar "me ndihmën e të huajve". Cilët qenë këta, nuk u tha.
Peroviç kur Stalini u prish me Titon krijoi një parti ilegale komuniste në mbështetje të Moskës, por menjëherë u arrestua. I dënuar me 18 vite burg u lirua më përpara, në vitin 1956. I dalë në liri, ai u arratis në Shqipëri, ku ndenji deri në 1960. Këtë kohë shkoi në Moskë, ku qëndroi deri në vitin 1975. Në vazhdim pëlqeu të vendosej në Paris.
U arrestua në korrik të dy viteve më pas, 1977. U tha se prangosja qe kryer në Jugosllavi, por avokati i tij u deklaroi gazetarëve se kjo nuk qe aspak e vërtetë. Klienti ishte ndjekur dhe kapur në Zvicër, qe droguar me injeksion dhe fshehurazi autoriteteve vendase ishte rrëmbyer e sjellë në burgun special të Beogradit.

Viti 1978 qe i mbushur plot me vrojtime të shtypit evropian rreth një presioni këmbëngulës sovjetik për ta futur Shqipërinë në orbitën e vet. E përditshmja italiane "La Stampa" shkruante "Për shkak të vetizolimit të gjatë dhe kokëfortë Shqipëria në kontinent konsiderohej si një vend evropian më pak. Madje, dukej sikur vetë Tirana ishte përpjekur ta harronin në kontinent... Tani gjithçka po ndryshon. Shkëputja e papritur me Kinën e detyron Shqipërinë t'i afrohet Evropës... Perëndimi përherë ka qenë i kënaqur për largimin e bazave sovjetike në bregdetin Adriatik. Jugosllavia po ashtu, nuk kishte më në shpatulla një trampolinë të Moskës. Por gropa që kanë lënë kinezët natyrshëm shtron pyetjen se cili shtet do ta mbushë atë... I pari që e hodhi hapin ishte shefi bullgar Zhivkov, i cili në një fjalë të mbajtur Bllagojevgrad, ku ka rihapur kontradiktat që ka me Jugosllavinë, bëri ftesë drejt Tiranës, duke ofruar normalizim të marrëdhënieve dhe një bashkëpunim aktiv. Çekosllovakët, të cilët kanë bërë tregti me Shqipërinë, sigurisht me porosi të sovjetikëve, kanë ofruar edhe ata marrëveshje të gjera. Organi zyrtar i Vietnamit të Veriut, "Nan Dan" ka publikuar një thirrje bërë vendeve socialiste për ta ndihmuar Shqipërinë.

Më në fund, agjencia kubaneze e lajmeve në një koment të saj ka lënë të nënkuptohet një afrim i mundshëm i Havanës me Tiranën. Moska, me çdo mënyrë, po përdor kanalet e saj... Disa burime që nuk dëshiruan të identifikoheshin folën për një ftesë sovjetike të drejtpërdrejtë Tiranës me qëllim që të rivendosen marrëdhëniet normale diplomatike. Është për t'u vënë në dukje se Moska mund të presë shumë kohë për të tërhequr në anën e saj Shqipërinë, por për të është një çast që nuk duhet humbur. Me këtë rast ajo do të rikthehet në bazat e saj në Adriatik.... Sot, me flotën e fuqishme ruse në Mesdhe ato baza fitojnë një rëndësi strategjike vendimtare. Këto presione kryer Tiranës mund të bëhen aq fort ndërhyrëse sa të nxitin luftën e brendshme mes fraksioneve. Loja që po kryhet është e përmasave të mëdha dhe jo pak ekspertë besojnë në një dorëzim të Enver Hoxhës. Rënia e tij do të jetë vepër e fraksioneve filosovjetike... Por edhe fuqitë e Perëndimit po lëvizin, ndryshe boshllëkun gjeostrategjik të lënë nga Kina do ta zënë sovjetikë. Sipas disa informacioneve në Konferencën e të Shtatëve në Bon, do të diskutohet edhe për Shqipërinë. Gjermania ka deklaruar që të ndihmojë ekonomikisht... Më me rezultat duken Franca dhe Italia... Për momentin Enver Hoxha synon afrimin me Greqinë (ministri Panajatopulos ishte në Tiranë me fluturimin e parë të "Olympic") dhe Turqinë (pas manifestimit të organizuar nga Stambolli të kthimit të eshtrave të "babait të Shqipërisë moderne" Frashëri)... Një diplomaci pingpongu po zhvillohet. Po të zënë bazat në Adriatikun shqiptar, sovjetikët do të realizojnë më në fund ëndrrën e Pjetrit të Madh për të dalë më n fund në detrat e ngrohtë... Kjo do ta vinte në rrezik Jugosllavinë, e cila me sovjetikët në passhpinë, që nga Shqipëria proruse, do të pësonte presione të mëdha...".

Vizita e fundit e Titos në Kosovë

Në 15-18 shtator 1979 Josip Broz Tito e vizitoi për të pestën herë Kosovën. Kishte marrë me vete tërë udhëheqjen e Serbisë, kryeministrin federativ, sekretarin e Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë po ashtu.

Burime diplomatike perëndimore ato kohë gumëzhinin se problemi kryesor i 20 viteve të ardhshme do të qe Kosova dhe se Federata Socialiste mund të binte në gravitacionin e saj, duke u bërë copë e thërrime. Me një rritje demografike sa trefishi i vendit si edhe pakënaqësinë etnike në rritje, shtuar edhe gjendjen ekonomike mjaft të prapambetur krahasuar me republikat (531 dollarë në vit për frymë kur Sllovenia e kishte 4500 apo 3 për qind rritje nga 7 që e kishte federata), në Prishtinë po ndodhnin gjeste që paralajmëronin shkëputjen e saj: kolonët serbë po iknin, kosovarët po tentonin të ngrinin në Prishtinë deri edhe një Shkollë të Oficerëve, në kumtesat e mbajtura me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nga disa folës u la të kuptohej se çështja e çlirimit të tokave shqiptare ende nuk pati përfunduar. Sikur të mos mjaftonte kjo, mes krerëve të Serbisë për problemin e Kosovës shfaqej paqartësi dhe konfuzion të madh. Kishte mes tyre që pohonin se në shtetin jugosllav ajo qe trup i huaj.

Ndërkohë, krahina po kërkonte pozicion tjetër juridik: në Federatë donte statusin e republikës. Duke u miqësuar me Shqipërinë dhe duke i rritur investimet ekonomike në Kosovë, Josip Broz Tito qe i sigurt se vetëm kështu ajo mund të veçohej nga ndikimi i Shqipërisë. Sepse kjo influencë, për pasojë e politikës së kundërt, nervoze dhe armiqësore, plot tension nacionalist, kohët e fundit qe shtuar shumë.

Ambasadori Sokrat Plaka informonte nga Beogradi se "Kosovarët jetojnë me frymën e Shqipërisë, duke dëgjuar radiot, parë televizionin". Sipas atij, ata vazhdimisht pyesnin "Ne do të luftojmë për çlirimin e Kosovës, por Shqipëria vetë çfarë do të bëjë për ne?".
Tito e mbajti fjalimin e tij për miqësi të qëndrueshme me Shqipërinë në 16 shtator 1979, por sa qe gjallë, ai nuk u botua si broshurë me vete. Në një libërth të tillë e futi miku i tij, Eduard Kardel. Ishte qershor 1981, kur bota qe befasuar nga demonstratat e studentëve të Kosovës në muajin mars dhe në kundërveprim për ta fashitur protestën, por jo qetësuar, qenë përdorur jo çfarë pati këshilluar në dy vizitat e fundit Josip Broz Tito, por dhuna.

Eduard Kardel për të dëshmuar gabimin e bërë e kishte botuar posaçërisht fjalën e Titos, i cili tashmë nuk jetonte.

Viti kyç 1981 nuk hyn nën rreshtat e këtij shkrimi, sepse do të ketë në të ardhmen vëmendjen e vet, por me këtë rast shënojmë për lexuesin se në arkivin e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ka një radiogram sekret të ardhur nga Bukureshti.

Mban numrin 1243 dhe datën 16 tetor 1981

Sipas tij, një diplomat japonez me gradën e këshilltarit nga biseda me kolegë të tij jugosllavë pati mësuar se gjendjen në Kosovë përveç shqiptarëve e kishte trazuar edhe një faktor tjetër. Sipas diplomatëve të Beogradit, "Është rritur shumë veprimtaria e rusëve, të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë këtë situatë me anë të elementit prorus në Jugosllavi, ta afrojnë sa më shumë atë me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës. Del se ka diskutime në qarqet e europerëndimit mosfutja e Spanjës në NATO i shtyn rusët të hyjnë në Rumani dhe të bëjnë sa të mundin ta fusin Jugosllavinë në anën e tyre".
*Studiues

YLLI POLOVINA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MESILA DODA - NUK MUND TË VAZHDOJMË ME PARTI-GARNIZON DHE DESPOTË POLITIKË (Intervistë)Doda - Opozitën sot po na e bën Ruçi. Mbështetësit e Olldashit janë mënjanuar (11.02.2014)
JA PSE DEMOKRATËT NUK DO TA ZGJEDHIN JAMARBRIN!Nga FATOS HOXHA (11.02.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT(Marrë nga libri me te njejtin  titull dalë nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që do botohet këtu me vazhdime)Dr. Rovena VATA& Sokol DEMAKU (11.01.2014)
AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU, DY HERONJ TË KOSOVËS TË LUFTËS TË 2 NËNTORIT 1989 NË KODËR TË DIELLIT NË PRISHTINËNga TAHIR GJONBALAJ (11.01.2014)
NË SUEDI NIS FUSHATA PËR TË MOS E DËBUAR 3 VJEÇARIN MAL OSMANI (10.31.2014)
DEUTSCHE WELLE - NGËRÇI POLITIK RREZIKON TA ZHYSË KOSOVËN NË KRIZË FINANCIARE (10.31.2014)
APOLLONIA NË VËMENDJE TË ARKEOLOGJISË EUROPIANE (10.31.2014)
LUTJET E DËRVISHËVE NË GJAKOVË - O ZOT, FROCOJE KOSOVËN E SHQIPËRINË! (10.31.2014)
UEFA=MAFIA, SA U PAGUAR - PLATINI PRITET ME PROTESTA NGA SHQIPTARËT NË FINLANDË (10.31.2014)
ATLETËT KOSOVARË NISIN PËRGATITJET PËR OLIMPIADË (10.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]