E Enjte, 12.12.2019, 11:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
REPLIKË - E VËRTETA E LUFTËS, PLENUMIT TË BERATIT DHE PRANISË JUGOSLLAVE
Prof. Dr. DEMIR DURMISHI

E Martë, 11.04.2014, 08:10am (GMT+1)



Para pak kohësh doli në qarkullim dhe u promovua libri “SUNDIMI PA PUSHTIM. Shqipëria 1945-1948” të autorit Luan Dode, botim i Institutit tw Studimeve tw Europws Juglindore. Për t’ia arritur qëllimit që i ka vënë vetes, autori ka shfytëzuar shtypin periodik të Shqipërisë, shtypin e huaj, botime dokumentare të atyre viteve dhe më tutje, brenda e jashtë vendit. Ai u është referuar edhe arkivave të Shtetit shqiptar, të cituara nga monografitë e autorëve të ndryshëm, pa i parë vetë dokumentet e tyre. Sidoqoftë, ai ka bërë një punë të madhe hulumtuese, por ajo që të bie në sy që në fillim të librit është fakti që ka zënë një pozicion të caktuar politik dhe për ta çuar “ujin në mullirin e tij”, ka qëmtuar në mënyrë të njëanshme materialin arkivor, bibliografik ashtu dhe autorët që kanë shkruar për periudhën që merr në studim. Ai parapëlqen autorë me pak përvojë në fushën e historisë dhe të predispozuar për të hedhur baltë mbi të vërtetën historike, natyrisht për qëllime djallëzore e të pastra politike.
Duke i vënë vetes këtë detyrë, autorit i kanë shkuar për shtat botimet e z.Uran Butka, prandaj e merr atë si idhull në trajtimin e luftës që ka bërë udhëheqja e PKSH-së gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit, të cilën si z.Uran ashtu edhe autori i mësipërm e quajnë “luftë civile”. Për autorin nuk ka luftë antifashiste, nuk ka dëshmorë, nuk ka veprime luftarake, nuk ka forcë politiko-ushtarake antifashiste, nuk ka Koalicion anglo-sovjeto-amerikan, nuk ka çlirim kombëtar, nuk ka pjesëmarrje të grave e të vajzave shqiptare në luftë, nuk ka as rënkime të tyre nga plagët që u shkaktonin nazi-fashistët dhe kolaboracionistët e tyre ballisto-zogistë.
Për atë, bashkëpunëtorët e fashizmit janë “demokratë”, janë “antikomunistë”. Të tillë janë anëtarët e qeverive kuislinge që viheshin e hiqeshin nga fashistët, anëtarët e Partisë Fashiste apo të Rojes Kombëtare, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm, anëtarët e Regjencës kuislingle, anëtarët e Asamblesë Kombëtare apo të Kuvendit Kombëtar, drejtuesit e lartë të Kuesturës e të Xhandarmërisë, përgjegjësit e prefektureve e nënprefekturave dhe nëpunësit e administratës publike që ishin vënë në shërbim të nazifashistëve.
Konferenca e Mukjes

Për të arritur në përfundimin se bashkëpunëtorët e fashizmit janë “antikomunistë”, autori mesa duket, është mbështetur në tezën e Ballit Kombëtar se prishja e Marrëveshjes së Mukjes në fillim të gusht 1943, u bë shkak për ta çuar popullin në vëllavrasje. Problem i Mbledhjes së Mukjes dhe Marrëveshjes së saj, ka qenë objekt diskutimi në emisionet televizive që janë organizuar me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të shqipërisë, si dhe i disa artikujve në shtypin periodik, prandaj nuk po zgjatem. Më duhet të nënvizoj dy momente kryesore në lidhje me Marrëveshjen e Mukjes: Atë të Shqipërisë Etnike dhe të Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë. E para u kundërshtua nga udhëheqja e lartë e PKSH-së sepse binte ndesh me Kartën e Atlantikut, sipas të cilës çështja e kufinjve do të diskutohej mbas mbarimit të luftës në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, kurse e dyta sepse Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë që kishte atributet e një Qeverie të përkohshme, vihej nën drejtimin e Ballit Kombëtar, i cili për nga kontributi në Luftën Anftifashiste Nacionalçlirimtare të deriatëhershme, nuk kishte asnjë të krahasuar me atë të Frontit Nacionalçlirimtar të udhëhequr nga komunistët. Për të dyja këto çështje themelore të Marrëveshjes, Enver Hoxha nuk kishte nevojë për këshillat e të dërguarve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë,  në kushtet kur Marrëveshja e bënte inekzistent Frontin Nacionalçlirimtar. Prandaj kritika që i bëri Ymer Dishnicës në Konferencën II të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në Labinot, se “ke rënë në pozitat e Ballit” është aktuale edhe sot e kësaj dite. Balli Kombëtar jo vetëm e merrte pushtetin pa luftë, por nuk jepte as siguri se lufta do të vazhdonte, kur në krye të Komitetit vihej Anëtari i kryesisë së Ballit Kombëtar, Hasan Dosti, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë kuislinge. A mund t’i besohej këtij njeriu Kryesia e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë?!
“Sundimin pa pushtim” z.Dode orvatet ta gjejë që gjatë Luftës. Ajo sipas tij, i kishte rrënjët që në ditët e themelimit të PKSH-së , madje edhe në Plenumin e Beratit. Partia Komuniste Shqiptare sipas tij qenka formuar nga Partia Komuniste Jugosllave dhe të dërguarit e saj. Mirëpo, shumë studiues shqiptarë, mbështetur në dokumente arkivore kanë argumentuar me kohë se ishin komunistët shqiptarë ata që kërkuan ndihmën e Kominternit dhe në kushtet e represionit fashist, kjo ndihmë mund të sigurohej vetëm nga komunistët jugosllavë, të cilët ndodheshin afër kufirit tonë. PKSH-ja nuk mund të formohej dhe nuk u formua në terren të zbrazur, nuk u formua se erdhën dy komunistë jugosllavë, por sepse ishin pjekur kushtet objektive dhe subjektive, siç ishin: Pushtimi e zgjedha fashiste nga një anë dhe ekzistenca e grupeve komuniste prej kohësh, nga ana tjetër. Pra, janë këta faktorë që sollën themelimin e PKSH-së, e jo dy të deleguarit komunistë të Jugosllavisë. Duket qartë se autori i librit mbron variantin e studiuesve të Beogradit.

 

Plenumi i Beratit
Në këtë terren qëndron autori edhe kur analizon Pleniumin II-të Beratit, mbajtur në nëntor 1944, i mbështetur në dokumentet e botuara të atij pleniumi. Janë të gjitha të vërteta ato që citon autori lidhur me thëniet e të pranishmëve atje, që nga kreu i partisë Enver Hoxha dhe gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qëndror, ashtu siç janë të vërteta edhe ato që ka thënë i dërguari i Titos, Velimir Stoiniçi. Por, i nderuar Dode, Pleniumi i Beratit dhe konkluzionet e tij nuk mund të analizohen  duke u mbështetur vetëm në dokumentet arkivore të atij pleniumi, sepse që atëhere dhe deri në vitin 1948 rrodhën shumë ujëra, u bënë shumë mbledhje e analiza partie në forumet e saj më të larta dhe u nxorrën  konkluzione që e hodhën në koshin e plehrave atë plenium, sic janë: Tezat e Enver Hoxhës drejtuar Byrosë Politike në qershor 1946, Pleniumi XI apo edhe Kongresi i i saj, mbajtur në nëntor 1948.
Ju i keni bërë objekt studimi edhe këto tubime partie, por gjithmonë brenda “ujit të mullirit tuaj”, pra brenda “Sundimit pa pushtim”. Shkurt, ju nuk thoni asgjë për fatin e këtij pleniumi në vitet që pasuan, për situatën politike në të cilën u mblodh pleniumi, për shkaqet që çuan në përgatitjen e mbajtjen e atij pleniumi dhe pse ai u hodh në koshin e plehrave si një plenium që nuk ishte në përputhje me interesat tona kombëtare, sepse atje ishte vendi që të analizoheshin sukseset e popullit shqiptar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, deri atëhere dhe të caktoheshin detyrat për të ardhmen e vendit në kushtet kur Shqipëria ishte në prag të çlirimit dhe pastaj të evidentoheshin edhe gabimet e bëra, në qoftë se kishte të tilla, që të mos ndodhnin  në të ardhmen.
Mirëpo nuk u veprua kështu.

Pse? Sepse Partia Komuniste Jugosllave ishte parti e vjetër e me eksperiencë e si e tillë ajo përpiqej të realizonte synimet shoviniste të klanit serb kundrejt Shqipërisë, prandaj, udhëheqja e Beogradit ndryshoi taktikë. Ajo për të zbatuar “Platformën e re” politike në Shqipëri, i duhej të hidhte poshtë vijën politike të PKSH-së të ndjekur deri atëhere nga udhëheqja e saj, e miratuar edhe nga të dërguarit e saj. Për këtë qëllim, për të mos mbajtur përgjegjësi vetë, për të mos qenë të pranishëm në pleniumin që pritej të mbahej, udhëheqja e Beogradit tërhoqi të deleguarit e mëparshëm dhe i zëvendësoi me dy delegatë të rinj, të cilët prunë edhe “direktivat e reja”, sipas të cilave vija e PKSH-së kishte qenë sektare e gabuar, prandaj këtej e tutje udhëheqja shqiptare të ndiqte me vëmendje këshillat e tyre. Në fillim atyre u duhej që “direktivat e reja” t’i përvetësonin anëtarët e Byrosë dhe pastaj edhe ata të Pleniumit.
Se çfarë ka ndodhur nga gushti 1944, kur erdhën delegatët e rinj, e derisa u mbajt Pleniumi i Beratit, nuk dihet me siguri sepse nuk ka dokumente arkivore rreth takimeve që bënte V.Stoiniçi me Enver Hoxhën apo anëtarët e tjerë të Byrosë për përgatitjen e pleniumit. Të vetmet dëshmi janë memorialet e E.Hoxhës në librin e tij “Titistët”, Tiranë 1982, të cilat duhen besuar sepse u pranuan nga kolegët e tij pas Pleniumit të Beratit. Duhet të besohet se Hoxha nuk e pranoi akuzën e Beogradit jo vetëm se nuk qëndronte , se po të qëndronte kishin përgjegjësi edhe jugosllavët, por edhe pse goditej drejtpërsëdrejti ai, si udhëheqës kryesor I PKSH-së. Prandaj e refuzoi Stoiniçin deri në atë moment sa kishte me vete shumicën në Byro.

Kur Liri Gega, për qëllimet e veta politike, ndryshoi mendim dhe e konsideroi vijën e partisë të gabuar, por jo sektare, por oportuniste, E.Hoxha i ndodhur në minorancë vetëm me Ramadan Çitakun, u tërhoq dhe e pranoi “direktivën e re” të Stoiniçit. Rrjedhimisht përgatiti e mbajti në plenium raportin e redaktuar nga ndërhyrjet e njëpasnjëshme të Nako Spiros e të Sejfulla Malëshovës dhe e quajti vijën e PKSH-së të gabuar e sektare.
Në këtë mënyrë ai hapi rrugën që anëtarët e pleniumit të shpërthenin në kritika të ashpra në mbështetje të raportit që mbajti E.Hoxha për vijën e gabuar që kishte ndjekur udhëheqja e tyre deri atëherë. Dihet tashmë, se kritizerët më të ashpër në atë plenium ishin Nako Spiru e Koçi Xoxe. Pleniumi ra në pozitat e V.Stoiniçit dhe miratoi tezat e tij për vijën e gabuar sektare të udhëheqjes së PKSH-së dhe për orientimin e tij që në të ardhmen marrëdhëniet midis Shqipërisë e Jugosllavisë të ishin “një Konfederatë e më tutje” dhe se emri i Titos duhej konsideruar si simbol i çlirimit të popujve të shtypur të Ballkanit nga reaksioni e fashizmi. Nuk do shumë mend të kuptohet se pranimi i tezave të Stoiniçit në Pleinumin e Beratit krijonte premisat që në të ardhmen, Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë dhe të krijohej terreni për “Sundimi pa pushtim” siç thotë L.Dode. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë dhe nuk ka “sundim pa pushtim” të jugosllavëve në Shqipëri.
Kjo nuk ndodhi sepse E.Hoxha nuk u bind asnjëherë se tezat e Stoiniçit, raporti që mbajti ai vetë në atë plenium si dhe vendimet e atij pleniumi ishin të drejta. Prandaj pas vendosjes së Qeverisë së tij në Tiranë, ai punoi dora-dorës që të mënjanonte ndërhyrjen e udhëheqjes komuniste të Beogradit në punët e brendëshme të Partisë dhe Shtetit shqiptar. Ai denoncoi V.Stoiniçin disa herë dhe ja arriti që ai të largohej nga Shqipëria si person non-grata. Tjetër punë se edhe ai që u vu në krye të Legatës Jugosllave ndoqi të njëjtën taktikë, prandaj edhe u denoncua në kohën e duhur. Autori i librit në fjalë pranon që V.Stoiniçi u largua nga Shqipëria, por nuk thotë pse u detyrua të largohej; sepse ajo nuk do t’i shkonte për shtat titullit të librit të tij.

 

Kolaboracionistë apo “demokratë”?
Për të vënë në shtratin e vet ngjarjet historike të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitet 1945-1948 e në mënyrë të veçantë tezën e “luftës civile”që servirnin jugosllavët, autori ka sajuar tituj bombastikë si “Ardhja në pushtet me luftë civile”, kryefjala e të cilit është “terrori komunist” për të marrë pushtetin. Nuk e di vallë studiuesi Dode se të gjitha forcat politike që u krijuan gjatë Luftës në Shqipëri dhe kudo në Europë e në botë, krahas luftës kundër pushtuesve mendonin edhe për marrjen e pushtetit? Do të ishte naivitet të mendohej ndryshe, veçse pushtetin pas mbarimit të Luftës do ta merrte ajo forcë apo ato forca politike që do të luftonin kundër okupatorit. Bashkëpunëtorët e fashizmit mund të vinin në pushtet vetëm si çlirimtar e jo si mbështetës të okupatorit. Si kolaboracionistë ata kishin punë vetëm me drejtësinë.
Autori i librit, ka analizuar pjesën III-të me titull: “Në fillimet e pushtetit popullor”. Duke e paraqitur çlirimin e Shqipërisë si nënshtrim të vendit nga ana e komunistëve, është ndalur gjatë në sythin “Shuarja e qëndresës së armatosur kundërkomuniste në Shqipërinë e Veriut” ku, si edhe më parë, bashkëpunëtorët e fashizmit i quan antikomunistë, për rrjedhojë edhe luftën për asgjësimin e tyre e quan “vazhdim të luftës civile”, e cila sipas tij bëhej me orientim të jugosllavëve?! I nderuar studiues! Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rreshtuar në Koalicionin Antifashist anglo-sovjeto-amerikan dhe si pjesëmarrëse në të ishte e detyruar të zbatonte të gjitha vendimet që merrnin krerët e atij koalicioni.

Vërtet Shqipëria ishte çliruar, por rezistenca e bashkëpunëtorëve të fashizmit vazhdonte sepse ata e kishin humbur pushtetin politik dhe do te humbisnin edhe atë ekonomi.  Prandaj rezistonin me shpresë se aleatën perëndimorë nuk do ta lejonin situatën politike në Shqipëri dhe do të ndërhynin ushtarakisht. Mirëpo kjo nuk mund të bëhej dhe nuk u bë, sepse e kishin njohur pavarësinë e Shqipërisë që gjatë Luftës. Për më tepër ata kërkonin që mbeturinat e fashizmit të luftoheshin deri në strofkën e fundit, derisa pushtuesit nazistë të kapitullonin e të ndëshkoheshin, ashtu siç edhe u ndëshkuan. Prandaj s’ka të bëjë fare me ndërhyrjen jugosllave në punët tona të brendshme. Vetë Jugosllavia ishte e angazhuar në luftën kundër okupatorëve të përbashkët dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo është e vërteta historike në atë periudhë.
Prandaj, nuk ka vend të trajtohen si antikomunistë bashkëpunëtorët e fashizmit të tipit Mark Gjon Markaj, Prenk Previzi, Patër Andon Harapi, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Llesh Marashi, Hasan Isufi, Maliq Bushati, Lef Nosi,  Bilal Kola, Abaz Ermenji, Alush Lleshanaku, Prenk Cali, Jup Kazazi, Pashuk e Pal Bib Miraka, Halil Alia, Aziz Biçaku, Maliq Dushari dhe shumë të tjerë që ishin mbështetës të tyre. Të gjithë këta, para se të ishin antikomunistë, ishin bashkëpunëtorë të fashizmit dhe si të tillë kishin luajtur rolin e tyre për shuarjen e rezistencës antifashiste dhe asgjësimin e forcave partizane. Si të tillë ata nuk mund të liheshin të qetë në rezistencën e tyre kundër forcave qeveritare të pushtetit të ri që po vendosej mbas çlirimit të vendit.
Veprimet e forcave ushtarake të qeverisë së Tiranës për thyerjen e rezistencës të bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk ishte një fenomen që ndodhte vetëm në Shqipëri , por në të gjitha vendet antifashiste, qofshin ato komuniste apo demokratike. Bashkëpunëtorët e fashizmit kudo u ndoqën me armë. Disa u asgjësuan, disa u dorëzuan e të tjerë dhanë llogari në organet e drejtësisë. Me mijëra janë dënuar në Francë, Itali, Austri, Belgjikë, në vendet  Nordike e kudo ku pati reprezalje nazifashiste. Po Shqipëria a mund të bënte përjashtim nga ky fenomen mbarëbotëror?!
Nuk ka dyshim se në Shqipëri kishte antikomunistë dhe të tillë qenë ata persona antifashistë që u futën në Frontin Nacionalçlirimtar, dhanë ndihmesën e tyre në Luftë, por pas çlirimit nuk ishin për një regjim njëpartiak që mbartëte me vete diktaturën e tij. Ata po, janë antikomunistë dhe duhet të trajtohen si të tillë.

E vërteta e Postribës
Studiuesi Dode, duke trajtuar pikën e 6-të të studimit të tij “Konsolidimi i pushtetit komunist”, ndalet në mënyrë të veçantë te “Lëvizja e Postribës” e shtatorit të vitit 1946, sigurisht duke përdorur si burim kryesor z.Uran Butka. Trajtimi i këtij problemi me hollësi nga autorët e mëparshëm ka sjellë si përfundim që autori të mos servirë e sjellë ndonjë gjë të re, madje të krijojë edhe ndonjë vakum në trajtesën e këtij problemi.
Kështu, përveç veprimtarisë antikomuniste të Jup Kazazit, në atë lëvizje nuk mund të lihet në harresë fakti që ai mashtroi popullsinë e asaj krahine me propagandën boshe se gjoja ushtria qeveritare ishte me ta dhe nuk do të rezistonte, se do të armatoseshin me armët e repartit ushtarak, do të merrnin Shkodrën e do të marshonin drejt Tiranës. Një propagandë e tillë, jashtë realitetit të kohës, bëri që mjaft fshatarë të mashtruar të marshonin pa armë e zbathur drejt garnizonit ushtarak në hyrje të qytetit të Shkodrës, në postbllokun e të cilit u gjetën nën breshërinë e armëve, duke gjetur vdekjen disa prej tyre, të zhgënjyer nga prijësi i kryengritjes Jup Kazazi e vëllai i tij Seit Kazazi. Kryengritja z.Dode bëhet e organizuar, e mirëmenduar e me mend në kokë e jo të shkosh si cjapi te kasapi, siç veproi Jup Kazazi. Prandaj, dështoi para se të fillonte dhe u bë shkak për reprezalje të tjera në atë krahinë e më gjerë.
Tezat e Beratit dhe Nako Spiru

Në libër autori përmend shkarazi, edhe materialin që Enver Hoxha i paraqiti Byrosë Politike, në qershor 1946 i cili është quajtur: Tezat për rishikimin e Pleniumit të Beratit, që nuk u pranuan nga Byroja. Por vetëm kaq, asgjë më tepër. Nuk thuhet se në qendër të materialit të E.Hoxhës ishte ndërhyrja e PKJ-së në punët e brendshme të PKSH-së, një farë autokritike e tij, si dhe kritikat e ashpra që ai  u adresonte anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët kishin mbështetur “Platformën e re” të V.Stoiniçit për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Ato, siç kemi thënë synonin nënshtrimin e Partisë dhe të Qeverisë shqiptare. Rishikimi I Pleniumit të Beratit ishte me shumë rëndësi, po të kemi parasysh se kërkesa e Enver Hoxhës bëhej më 9 qershor 1946 kur ende nuk ishte nënshkruar Traktati i Miqësisë i Ndihmës Reciproke dhe as Konventa Ekonomike.

Denoncimi i diktatit jugosllav mbi Shqipërinë ndoshta do të kishte ndërruar kursin në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave që atëhere, por atë nuk e pranuan anëtarët e Byrosë Politike, sepse prekeshin interest e tyre politike. Një qëndrim i tillë i dha mundësi Beogradit që të shpejtonte axhendën e tij për realizimin e qëllimeve ekspancioniste ndaj vendit tonë.
Këtu e kanë burimin, sipas mendimit tim, si akuza e qershorit 1947 ashtu edhe ajo e nëntorit të atij viti. E para se gjoja po kristalizohej në praktikë një vijë e dytë antijugosllave, një vijë që nuk ishte në përputhje me vendimet e Pleniumit të nëntorit 1946. E dyta se në qëndrimin antijugosllav një rol shkatërrimtar luante Nako Spiru, prandaj duhej parë “mos ka gisht armiku”. Akuza e qershorit nuk u pranua nga të  gjithë anëtarët e Byrosë, kurse e dyta, meqenëse akuzohej një person i vetëm, hapi telashe në udhëheqjen e partisë.
Në këto rrethana u mblodh Byroja Politike për të analizuar këtë akuzë të Beogradit, proçesverbalin e të cilës z.Luan Dode e ka censuruar sepse nuk ka thënë që Enver Hoxha në fund të mbledhjes i tha “Po” kërkesës së Nakos për t’i vënë në dispozicion 5 ditë që ai kërkonte me këmbëngulje për t’u përgatitur në lidhje me akuzën e Beogradit.

Por, ishte Koçi Xoxe ai që i vuri kapakun mbledhjes kur tha: “Nakua nuk ka ndërmend të flasë jo për 5 ditë por as për 10-15 ditë” (AQSH.Fondi 14/Arkivi I Partisë. viti 1947,Dos.33) Autori nuk ka parasysh as memorialin e Enver Hoxhës “Titistët” për këtë çështje delikate, kur ai për takimin me Nakon deklaron se i ka thënë atij se çështja është delikate dhe si e tillë i takonte Byrosë Politike të vendoste, dhe jo atij. E vetmja ndihmë që mund t’i jepte Nakos ishte: “Fol hapur e me sinqeritet. Ka ardhur dita… të nxirret mbi tavolinë gjithcka ka mbetur e fshehur, e mbuluar prej vitesh… aty te dalë je ti, unë, Koçi apo kushdo tjetër që e ka mirë apo gabim…” (E.Hoxha “Titistët” (Shënime historike), Tiranë 1982, fl.353-354). Me fjalë të tjera E.Hoxha i kërkoi Nakos të fliste për gjithçka që ishte kurdisur nga të dërguarit e Beogradit në përgatitjen e Pleniumit II të Beratit, të denonconte pra ndërhyrjen e PKJ-së në punët e brendshme të PKSH-së dhe në këtë kuadër të hidhte poshtë edhe akuzën e re të tyre.

Hoxha kishte bindje se Nakoja nuk do ta pranonte akuzën; dhe “armikun” që kërkonte S.Zllatiçi, ai do ta gjente në udhëheqjen e Beogradit. Po të vepronte kështu ai do të kishte mbështetjen e E.Hoxhës. Por këtë Nakoja nuk e bëri, sepse u ndodh midis dy zjarreve. Në njërën anë ishte akuza e Beogradit, në anën tjetër letra që u kishte dërguar delegatëve jugosllavë për biografinë e Enver Hoxhës, për të cilën në atë kohë E.Hoxha nuk kishte dijeni. Nuk ka pikë dyshimi se përgjegjësia është e të dyve, pa folur për Koçi Xoxen e mbështetësit e tij që kishin interesa politike për ta likuiduar politikisht sa më shpejt. Pas kësaj Koçi Xoxe e kishte më të lehtë të likujdonte edhe E.Hoxhën, mbështetësin kryesor të Nakos. Fakti që kjo nuk ndodhi duhet shpjeguar si me manovrat e Hoxhës për të shpëtuar nga situata e rëndë psikologjike ku ndodhej, ashtu edhe me ndryshimin e kursit politik në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave.

Ndryshimi i gjendjes
Vetëvrasja e Nakos në nëntor 1947 u dha armë të fortë jo vetëm jugosllavëve, por edhe udhëheqësve të PKSH-së që ta etiketonin atë si armik, si fraksionist në udhëheqjes e PKSH-së dhe si antijugosllav. Një gjë e tillë i hapi rrugën bashkimit ekonomik, politik e ushtarak të Shqipërisë me Jugosllavinë, por për arsye që dihen ky bashkim nuk u realizua. Për rrjedhojë nuk pati as sundim të Shqipërisë nga Jugosllavia. Ajo që ndodhi në shkurt-mars 1948, pra në Pleniumin VIII, u korrigjua shpejt. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të deriatëhershme u denoncuan dhe Shqipëria u orientua nga Moska, duke shpëtuar kështu nga tutela jugosllave. Qeveria shqiptare edhe pas ardhjes në fuqi të Nikita Rushovit nuk pranoi trysninë e tij për të normalizuar marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave pa kushte. Ajo këmbënguli që udhëheqja jugosllave të pranonte gabimet e rënda që kishte bërë ndaj Shqipërisë në vitet 1944-1948, të pranonte orvatjet e saj për ta bërë Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë.
Nga se shtjelluam më sipër lidhur me monografinë e z.Luan Dode me titull “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948” konkludojmë se në vitet që merr në studim autori nuk ka patur kurrfarë “Sundimi pa pushtim” të Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë titiste. Ka patur vetëm përpjekje të dëshpëruara për t’ia arritur këtij qëllimi. Me trajtimin e historisë së Shqipërisë në këtë mënyrë-sipas orekseve politike të tij-z.Dode u bën një shërbim të madh serbomëdhenjve. Ai u thotë atyre: Juve që keni pushtuar e sunduar trojet iliro-shqiptare në shek.V-VI, që keni mundur të shkëpusni trojet shqiptare në vitin 1913-1919, që keni dhunuar kufinjtë e saj disa herë, që Luftën Nacionaliste Nacionalçlirimtare e quajtët “luftë civile”, ju që keni sunduar Shqipërinë në vitet 1945-1948 që përçmuat Himnin e Flamurit të kombit shqiptar dhe ushtruat dhunë shtazarake ndaj shqiptarëve në fushën tuaj të futbollit, mos lini gurë pa lëvizur për të realizuar ëndërrat tuaja shovene ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri  dhe në trojet e tyre natyrale, jashtë kufijve të sotëm politikë të saj!


Lufta Perëndim-Lindje për të marrë Tiranën më 1978


E përditshmja italiane "La Stampa" e ditës së tetëmbëdhjetë të prillit 1976 shënonte se në Shqipëri, për rrjedhojë të prishjes me Kinën, brenda vendit po ndodhte një spastrim i madh politik. Ajo shkruante: "Në rast se Pekini dhe Tirana e kanë prishur aleancën Shqipëria jo vetëm bëhet më e izoluar se kurrë, por duke humbur miqësinë me Kinën nuk ka mundur dot të rifitojë atë me Bashkimin Sovjetik. Madje, as të Jugosllavisë dhe të Perëndimit".

Në të përditshmen gjermane "Ostpreussenblatt" më 8 maj 1976, Strobinger Rudolf botonte shkrimin e "Lufta për pushtet në vendin e shqiptarëve". Sipas tij, në Tiranë zhvillohej betejë e brendshme mes dy palëve, nacional-komunistëve, atyre që ishin për mbrojtjen me çdo kusht e çmim të tërësisë tokësore dhe të së drejtës për të mbajtur në marrëdhëniet ndërkombëtare qëndrim të pavarur, si edhe prosovjetikëve, njerëzit që ishin për mbështetje ekonomike dhe varësi mbrojtëse nga Bashkimi Sovjetik.

Rudolf mendonte se "Sidoqoftë, nacional-komunistët shqiptarë duket se po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga grupi rival prosovjetik, i cili vijon ta ushtrojë me ç'duket aktivitetin e tij akoma nën sipërfaqe. Se kush konkretisht po punon për një afrim me rusët në kryesinë e Partisë, ndoshta nuk është e qartë akoma as për vetë policinë sekrete, besnike ndaj Hoxhës".

Më pas Strobinger Rudolf vazhdonte: "Moska në Shqipëri gjithsesi, po vepron si një nëndetëse. Por "lufta punon për ne", thuhet në Moskë dhe në kryeqytetet e tjera eurolindore. Maksimumi, kur në Jugosllavi, Mareshalli Tito të çelë rrugën për pasuesit, atëherë "shokët e sovjetikëve" duan të bëhen aktivë në "vendin e skiptarëve". Që fitorja është e sigurt pastaj për ta, ata janë tashmë të bindur. Qysh sot madje!"

Në vijim, duke përfunduar, Rudolf spikat: "Mbështetja nga Pekini e Shqipërisë nuk duhej llogaritur, pasi Moska ka 43 divizione që ruajnë kufirin me Kinën. Atëherë ç'të bëjmë? Të lutemi ndoshta që Titoja të jetojë një mijë vjet".

Kështu mendonte që nga "Ostpreussenblatt" Strobinger Rudolf, por në Tiranë Enver Hoxhës nuk i dridheshin duart dhe frenat i mbante fort. Çdo gjë brenda vendit, të cilin e kontrollonte centimetër për centimetër, zhvillohej sipas një skeme të tij të sprovuar edhe dy herë të tjera: kur u prish me jugosllavët dhe sovjetikët.

Ishte një çast i favorshëm që me rastin e këputjes së pritshme totale me Republikën Popullore të Kinës të eliminonte rivalët ose të shfaroste komplotuesit e mundshëm, ata që mezi po prisnin të mos qe sërish mirë me shëndet dhe me këtë rast të lëngonte gjatë apo t'i ndodhte të vdiste papritur. Infarkti i rëndë i zemrës në fund të vitit 1973 e kishte bërë "me bombë në xhep".

Sipas direktivës së tij, ambasadat Shqiptare kudo ku ndodheshin, nëpërmjet punonjësve të shërbimit civil apo zbuluesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (këta të fundit të maskuar me statusin e të parëve, pra si diplomatë), mblidhnin ditë-natë të dhëna ushtarake dhe politike. Në Beograd, pikë shumë e ndjeshme për të kuptuar si po frynin korentet e Perëndimit dhe të Lindjes dhe ku fati i shqiptarëve deshifrohej më lehtësisht, që nga fundshtatori 1975 ishte vendosur me detyrën e ambasadorit njëri prej specialistëve më të mirë të diplomacisë së vendit: Sokrat Plaka.

Mes të tjerash, ky raportoi se në 8 qershor (1977) krahu i djathtë i Josip Broz Titos, Eduard Kardel, kishte mbajtur para aktivit ekonomik të Kosovës një fjalim, i cili shkonte këmbëngulshëm në zbatim të vijës zbutëse të shefit të vet. Pra, miqësi e domosdoshme me Shqipërinë.

Tito hyn në mes të Moskës, Pekinit dhe Tiranës

Ndërkohë që në mënyrë të tërthortë linte të kuptohej se i druhej një agresioni sovjetik dhe pikërisht për këtë arsye edhe po shtrëngonte radhët me Shqipërinë e Enver Hoxhës, në 15 gusht Tito mbërriti në Moskë. Vizita këtu qe faza e parë e një turi të tij që do të vazhdonte edhe në Korenë e Veriut. Më pas nga Pnompeni do të shkonte në Pekin. Në Kinë shefi i Jugosllavisë vinte për herë të parë, ca më tepër nëpërmjet linjës ajrore të Moskës, aspak të pëlqyer nga Mao Ce Duni. Prania e mysafirit nga Ballkani, shef edhe i lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, çfarë rivalizonte me grupin e vendeve të Botës së Tretë, që ishte tutelë e Pekinit, kryhej për të dëshmuar ulje të grindshmërisë së mëparshme. Pritja zyrtare Josip Broz Titos nga udhëheqësit kinezë i qe premtuar madhështore.

Ndërkaq në kryeqytetin sovjetik, në Kremlin, Leonid Brezhnjevi, që e priti më parë, përfitoi nga tetëdhjetë e pesëvjetori i Mareshallit dhe e dekoroi me Urdhrin e Revolucionit të Tetorit.

Shumë qarqe diplomatike dhe analistë të raporteve ndërkombëtare në këtë tur të Titos dalluan rrezikun se një sjellje e tillë nuk mund të shkonte paralel dhe në përputhje me kursin e ëmbëlsimit me Shqipërinë. Ata kujtonin njëri-tjetrin se vendi i vogël i Ballkanit ishte prishur me Bashkimin Sovjetik pas pajtimit të Nikita Hrushovit me Josip Brozin. Ndërsa po ndahej me Kinën vizita në Pekin e presidentit jugosllav mund t'i rëndonte raportet e Tiranës edhe me vetë Beogradin. Analistët patën vënë re se, duke e njohur këtë taktikë të Hoxhës dhe për ta provokuar atë, qenë kinezët që e patën përshpejtuar vizitën e Mareshallit. Loja se "humbëm Enverin, por fituam Titon" do ta nervozonte të shumëfuqishmin e vetmuar të Tiranës.

Vëzhguesit e marrëdhënieve ndërkombëtare i vijonin arsyetimet e tyre edhe me gjendjen shëndetësore të presidentit jugosllav. Duke ia çmuar gjallërinë e veprimit politik brenda dhe jashtë vendit, edhe pse qe tetëdhjetë e pesëvjeçar, nuk harronin të shtonin se muajt e fundit trupi i tij i mbajtur mirë kishte dhënë shenja se mund të rrënohej shumë rrufeshëm. Kjo situatë shtronte si çështje të dorës së parë "periudhën pas Tito". Ata nënvizonin se "Me gjithë afrimin e dëshiruar prej Hrushovit, raportet mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë kanë mbetur shumë të tensionuara: më shumë se në një rast hija e Moskës është shfaqur kërcënuese në horizontin e Beogradit".

Për vëzhguesit e huaj për ta bërë të paqëndrueshme vendin e sllavëve të jugut do të mjaftonte një trazim etnik i gjashtë republikave apo edhe i dy krahinave autonome që formojnë federatën. Për këtë arsye, vizita e Titos në Moskë u interpretua si "një pranim i heshtur i qeverisë sovjetike për platformën e presidentit jugosllav që periudha e zëvendësimit të tij pas vdekjes të bëhet pa trauma të brendshme dhe sidomos pa ndërhyrje të jashtme. Në të njëjtën kohë shefi i moshuar i shtetit kërkon t'u dëshmojë sovjetikëve se Jugosllavia në formën e saj politike aktuale është një element i stabilitetit në Evropë dhe kjo gjë BRSS-së i leverdis".

Analistët e Perëndimit, duke e cilësuar Josip Broz Titon si të parin politikan të vendeve komuniste të pavarur prej Bashkimit Sovjetik, vinin në dukje se në të tërë kampin socialist sundonte prirja filosovjetike, ku mes tetë partive evropiane, pesë qenë tërësisht besnike të Moskës. Në shifra anëtarësh ky raport ishte 6.907.353 përballë 3.792.446. Midis tri partive komuniste rebele, përveç Jugosllavisë dhe Rumanisë, numërohej edhe Shqipëria.

Rrëmbimi në Paris i një anti-titisti tjetër që ishte strehuar në Shqipëri

Në 13 prill 1978 në Beograd, nën drejtimin e gjyqtarit Ilija Simiç, u zhvillua procesi kundër Mileta Peroviç, liderit të të gjithë stalinistëve jugosllavë. Akuza qe për komplot kundër shtetit. U dënua me 20 vjet. Sipas vendimit, gjithçka pesëdhjetë e katër vjeçari e kishte organizuar "me ndihmën e të huajve". Cilët qenë këta, nuk u tha.
Peroviç kur Stalini u prish me Titon krijoi një parti ilegale komuniste në mbështetje të Moskës, por menjëherë u arrestua. I dënuar me 18 vite burg u lirua më përpara, në vitin 1956. I dalë në liri, ai u arratis në Shqipëri, ku ndenji deri në 1960. Këtë kohë shkoi në Moskë, ku qëndroi deri në vitin 1975. Në vazhdim pëlqeu të vendosej në Paris.
U arrestua në korrik të dy viteve më pas, 1977. U tha se prangosja qe kryer në Jugosllavi, por avokati i tij u deklaroi gazetarëve se kjo nuk qe aspak e vërtetë. Klienti ishte ndjekur dhe kapur në Zvicër, qe droguar me injeksion dhe fshehurazi autoriteteve vendase ishte rrëmbyer e sjellë në burgun special të Beogradit.

Viti 1978 qe i mbushur plot me vrojtime të shtypit evropian rreth një presioni këmbëngulës sovjetik për ta futur Shqipërinë në orbitën e vet. E përditshmja italiane "La Stampa" shkruante "Për shkak të vetizolimit të gjatë dhe kokëfortë Shqipëria në kontinent konsiderohej si një vend evropian më pak. Madje, dukej sikur vetë Tirana ishte përpjekur ta harronin në kontinent... Tani gjithçka po ndryshon. Shkëputja e papritur me Kinën e detyron Shqipërinë t'i afrohet Evropës... Perëndimi përherë ka qenë i kënaqur për largimin e bazave sovjetike në bregdetin Adriatik. Jugosllavia po ashtu, nuk kishte më në shpatulla një trampolinë të Moskës. Por gropa që kanë lënë kinezët natyrshëm shtron pyetjen se cili shtet do ta mbushë atë... I pari që e hodhi hapin ishte shefi bullgar Zhivkov, i cili në një fjalë të mbajtur Bllagojevgrad, ku ka rihapur kontradiktat që ka me Jugosllavinë, bëri ftesë drejt Tiranës, duke ofruar normalizim të marrëdhënieve dhe një bashkëpunim aktiv. Çekosllovakët, të cilët kanë bërë tregti me Shqipërinë, sigurisht me porosi të sovjetikëve, kanë ofruar edhe ata marrëveshje të gjera. Organi zyrtar i Vietnamit të Veriut, "Nan Dan" ka publikuar një thirrje bërë vendeve socialiste për ta ndihmuar Shqipërinë.

Më në fund, agjencia kubaneze e lajmeve në një koment të saj ka lënë të nënkuptohet një afrim i mundshëm i Havanës me Tiranën. Moska, me çdo mënyrë, po përdor kanalet e saj... Disa burime që nuk dëshiruan të identifikoheshin folën për një ftesë sovjetike të drejtpërdrejtë Tiranës me qëllim që të rivendosen marrëdhëniet normale diplomatike. Është për t'u vënë në dukje se Moska mund të presë shumë kohë për të tërhequr në anën e saj Shqipërinë, por për të është një çast që nuk duhet humbur. Me këtë rast ajo do të rikthehet në bazat e saj në Adriatik.... Sot, me flotën e fuqishme ruse në Mesdhe ato baza fitojnë një rëndësi strategjike vendimtare. Këto presione kryer Tiranës mund të bëhen aq fort ndërhyrëse sa të nxitin luftën e brendshme mes fraksioneve. Loja që po kryhet është e përmasave të mëdha dhe jo pak ekspertë besojnë në një dorëzim të Enver Hoxhës. Rënia e tij do të jetë vepër e fraksioneve filosovjetike... Por edhe fuqitë e Perëndimit po lëvizin, ndryshe boshllëkun gjeostrategjik të lënë nga Kina do ta zënë sovjetikë. Sipas disa informacioneve në Konferencën e të Shtatëve në Bon, do të diskutohet edhe për Shqipërinë. Gjermania ka deklaruar që të ndihmojë ekonomikisht... Më me rezultat duken Franca dhe Italia... Për momentin Enver Hoxha synon afrimin me Greqinë (ministri Panajatopulos ishte në Tiranë me fluturimin e parë të "Olympic") dhe Turqinë (pas manifestimit të organizuar nga Stambolli të kthimit të eshtrave të "babait të Shqipërisë moderne" Frashëri)... Një diplomaci pingpongu po zhvillohet. Po të zënë bazat në Adriatikun shqiptar, sovjetikët do të realizojnë më në fund ëndrrën e Pjetrit të Madh për të dalë më n fund në detrat e ngrohtë... Kjo do ta vinte në rrezik Jugosllavinë, e cila me sovjetikët në passhpinë, që nga Shqipëria proruse, do të pësonte presione të mëdha...".

Vizita e fundit e Titos në Kosovë

Në 15-18 shtator 1979 Josip Broz Tito e vizitoi për të pestën herë Kosovën. Kishte marrë me vete tërë udhëheqjen e Serbisë, kryeministrin federativ, sekretarin e Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë po ashtu.

Burime diplomatike perëndimore ato kohë gumëzhinin se problemi kryesor i 20 viteve të ardhshme do të qe Kosova dhe se Federata Socialiste mund të binte në gravitacionin e saj, duke u bërë copë e thërrime. Me një rritje demografike sa trefishi i vendit si edhe pakënaqësinë etnike në rritje, shtuar edhe gjendjen ekonomike mjaft të prapambetur krahasuar me republikat (531 dollarë në vit për frymë kur Sllovenia e kishte 4500 apo 3 për qind rritje nga 7 që e kishte federata), në Prishtinë po ndodhnin gjeste që paralajmëronin shkëputjen e saj: kolonët serbë po iknin, kosovarët po tentonin të ngrinin në Prishtinë deri edhe një Shkollë të Oficerëve, në kumtesat e mbajtura me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nga disa folës u la të kuptohej se çështja e çlirimit të tokave shqiptare ende nuk pati përfunduar. Sikur të mos mjaftonte kjo, mes krerëve të Serbisë për problemin e Kosovës shfaqej paqartësi dhe konfuzion të madh. Kishte mes tyre që pohonin se në shtetin jugosllav ajo qe trup i huaj.

Ndërkohë, krahina po kërkonte pozicion tjetër juridik: në Federatë donte statusin e republikës. Duke u miqësuar me Shqipërinë dhe duke i rritur investimet ekonomike në Kosovë, Josip Broz Tito qe i sigurt se vetëm kështu ajo mund të veçohej nga ndikimi i Shqipërisë. Sepse kjo influencë, për pasojë e politikës së kundërt, nervoze dhe armiqësore, plot tension nacionalist, kohët e fundit qe shtuar shumë.

Ambasadori Sokrat Plaka informonte nga Beogradi se "Kosovarët jetojnë me frymën e Shqipërisë, duke dëgjuar radiot, parë televizionin". Sipas atij, ata vazhdimisht pyesnin "Ne do të luftojmë për çlirimin e Kosovës, por Shqipëria vetë çfarë do të bëjë për ne?".
Tito e mbajti fjalimin e tij për miqësi të qëndrueshme me Shqipërinë në 16 shtator 1979, por sa qe gjallë, ai nuk u botua si broshurë me vete. Në një libërth të tillë e futi miku i tij, Eduard Kardel. Ishte qershor 1981, kur bota qe befasuar nga demonstratat e studentëve të Kosovës në muajin mars dhe në kundërveprim për ta fashitur protestën, por jo qetësuar, qenë përdorur jo çfarë pati këshilluar në dy vizitat e fundit Josip Broz Tito, por dhuna.

Eduard Kardel për të dëshmuar gabimin e bërë e kishte botuar posaçërisht fjalën e Titos, i cili tashmë nuk jetonte.

Viti kyç 1981 nuk hyn nën rreshtat e këtij shkrimi, sepse do të ketë në të ardhmen vëmendjen e vet, por me këtë rast shënojmë për lexuesin se në arkivin e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ka një radiogram sekret të ardhur nga Bukureshti.

Mban numrin 1243 dhe datën 16 tetor 1981

Sipas tij, një diplomat japonez me gradën e këshilltarit nga biseda me kolegë të tij jugosllavë pati mësuar se gjendjen në Kosovë përveç shqiptarëve e kishte trazuar edhe një faktor tjetër. Sipas diplomatëve të Beogradit, "Është rritur shumë veprimtaria e rusëve, të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë këtë situatë me anë të elementit prorus në Jugosllavi, ta afrojnë sa më shumë atë me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës. Del se ka diskutime në qarqet e europerëndimit mosfutja e Spanjës në NATO i shtyn rusët të hyjnë në Rumani dhe të bëjnë sa të mundin ta fusin Jugosllavinë në anën e tyre".
*Studiues

Prof. Dr. DEMIR DURMISHI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUR TITO MË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËNNga YLLI POLOVINA (11.03.2014)
MESILA DODA - NUK MUND TË VAZHDOJMË ME PARTI-GARNIZON DHE DESPOTË POLITIKË (Intervistë)Doda - Opozitën sot po na e bën Ruçi. Mbështetësit e Olldashit janë mënjanuar (11.02.2014)
JA PSE DEMOKRATËT NUK DO TA ZGJEDHIN JAMARBRIN!Nga FATOS HOXHA (11.02.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT(Marrë nga libri me te njejtin  titull dalë nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që do botohet këtu me vazhdime)Dr. Rovena VATA& Sokol DEMAKU (11.01.2014)
AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU, DY HERONJ TË KOSOVËS TË LUFTËS TË 2 NËNTORIT 1989 NË KODËR TË DIELLIT NË PRISHTINËNga TAHIR GJONBALAJ (11.01.2014)
NË SUEDI NIS FUSHATA PËR TË MOS E DËBUAR 3 VJEÇARIN MAL OSMANI (10.31.2014)
DEUTSCHE WELLE - NGËRÇI POLITIK RREZIKON TA ZHYSË KOSOVËN NË KRIZË FINANCIARE (10.31.2014)
APOLLONIA NË VËMENDJE TË ARKEOLOGJISË EUROPIANE (10.31.2014)
LUTJET E DËRVISHËVE NË GJAKOVË - O ZOT, FROCOJE KOSOVËN E SHQIPËRINË! (10.31.2014)
UEFA=MAFIA, SA U PAGUAR - PLATINI PRITET ME PROTESTA NGA SHQIPTARËT NË FINLANDË (10.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]