E Shtunë, 12.07.2019, 08:51am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
JEAN-PIERRE GARITTE - ARRESTIMI I ISH INSPEKTORES GOLEMI, RAST UNIK DHE I PAPRECEDENT (Intervistë)

E Mërkurë, 11.05.2014, 08:16am (GMT+1)


TIRANE - Jean-Pierre Garitte, një ndër personalitetet më të larta ndërkombëtare të fushës së Auditimit të Brendshëm, ka folur mbi arrestimin e ish-inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, duke e cilësuar si “rast unikal në botë të auditit të brendshëm për të cilin u ndërmor masa e arrestit”.

1. Zoti Garitte, fillimisht ju falenderojmë për pranimin e zhvillimit të kësaj interviste bashkërisht. Do t’ju lutesha që për lexuesit që nuk ju njohin ende, të mund të na përshkruanit shkurtimisht përvojën tuaj profesionale në fushën e auditimit të brendshëm, menaxhimit të riskut dhe vigjilencës ndaj mashtrimit.
Unë kam qenë kryetari i Bordit të Institutit Ndërkombëtar të Audituesve të Brendshëm me seli qendrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ëëë.theiia.org), si dhe jam ish-presidenti i Konfederatës Evropiane të Instituteve të Auditimit të Brendshëm me seli qendrore në Bruksel, Belgjikë (http://www.eciia.eu/). Aktualisht jam ekspert i auditimit të brendshëm për Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe OECD. Kam një eksperiencë prej 37 vitesh në fushën e auditimit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut.

2. Cila është përfshirja dhe angazhimi juaj aktual në fushën e auditimit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut ne Shqipëri? Prej sa vitesh bashkëpunoni me profesionistët e këtyre fushave në vendin tonë?
Prej më shumë se 5 vitesh kam punuar me sektorin publik dhe privat në Shqipëri, si konsulent dhe si trajnues në fushën e auditimit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut. Ndërkohë së bashku me një grup profesionistësh lokalë, kam krijuar Institutin Shqiptar të Audituesve të Brendshëm në vitin 2010 dhe që prej asaj kohe jam mentori dhe mbështetësi i këtij Instituti.

3. Auditimi i Brendshëm dhe Menaxhimi i Riskut janë dy profesione relativisht të reja në Shqipëri. Si e vlerësoni nivelin aktual të zhvillimit të këtyre dy profesioneve në vendin tonë?
Niveli i zhvillimit të auditimit të brendshëm dhe të menaxhimit të riskut në Shqipëri, sigurisht që nuk mund të krahasohet me atë të vendeve ku këto profesione e praktikat e tyre kanë mbi 50 vjet që funksionojnë, por unë mund të them me bindje të plotë se ka një trend shumë të mirë mësimi, aftësimi dhe zhvillimi në Shqipëri. Në vendin tuaj këto dy profesione praktikohen përgjithësisht nga profesionistë kryesisht të rinj, të cilët kanë një ambicje të admirueshme dhe një përkushtim të theksuar për të mësuar dhe për t’u zhvilluar vetë ë profesion, ashtu sikurse për t’i cuar para këto dy profesione të reja.

4. Për ata që nuk janë shumë në dijeni, a mund të na shpjegoni shkurtimisht se cili është roli kryesor i auditimit të brendshëm në një Organizatë dhe cila konsiderohet vlera e shtuar apo kontributi më i madh i tij në një Organizatë?

Roli kryesor i auditimit të brendshëm është të vlerësojë në mënyrë të pavarur aftësinë e reagimit të një organizate kundrejt rreziqeve ndaj të cilave ekspozohet dhe të vlerësojë cilësinë e masave të marra nga organizata për të identifikuar dhe për të menaxhuar këto rreziqe në mënyrë të vazhdueshme.

5. Besojmë do ishte me shumë vlerë nëse do mund të bënim një dallim të qartë midis auditimit të brendshëm dhe sistemit të kontrollit të brendshëm në një organizatë, dy terma shpesh të paqartë dhe jo lehtësisht të dallueshëm kur flitet për përgjegjësi të ndara. A vlerësoni se këto dy mekanizma janë qartësisht të përcaktuar dhe kanë përgjegjësi të dallueshme nga njëra- tjetra në organizatat shqiptare?

Sistemi i kontrollit të brendshëm përbën një sistem, i cili është pjesë përbërëse e thelbësore e organizatës dhe ku të gjitha nivelet e organizatës janë të përfshira në të. Sistemi i kontrollit të brendshëm, e ndihmon organizatën të arrijë objektivat e saj dhe të identifikojë dhe të menaxhojë të gjitha pengesat e mundshme që mund të pengojnë arritjen e këtyre objektivave. Objektivi i sistemit të kontrollit të brendshëm nuk është vetëm financiar, por gjithashtu i lidhur edhe me eficencën dhe efektivitetin e operacioneve, me besueshmërinë dhe integritetin e informacionit financiar dhe operacional, me ruajtjen e aseteve dhe me pajtueshmërinë me bazën ligjore dhe atë rregullative mbi të cilën bazohet organizata. Pronarë të sistemit të brendshëm të kontrollit janë Drejtimi i një Organizate dhe personeli i Departamenteve, profesionistët që ushtrojnë detyrat funksionale operacionale. Bazuar në përkufizimin zyrtar të Institutit Global të Audituesve të Brendshëm, zëri global i profesionit të auditimit të brendshëm, “Auditimi i brendshëm është një veprimtari e pavarur, që jep siguri të arsyeshme (objektive) dhe këshilluese, i ndërtuar për të shtuar vlerën dhe përmirësuar veprimtaritë e organizatës. Ai ndihmon organizatën të përmbushë objektivat e saj, duke zbatuar një metodë sistematike të disiplinuar për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e drejtimit të rrezikut, kontrollit dhe proceseve të qeverisjes.” Unë besoj se midis sistemit të kontrollit të brendshëm dhe auditimit të brendshëm dallimi është i qartë, edhe pse shpesh herë (dhe jo vetëm në Shqipëri), njerëzit i ngatërrojnë shpesh këto dy koncepte dhe kanë paqartësi në lidhje me dallimin midis tyre. Me sa jam në dijeni nga kolegët e mi në vendin tuaj, në shumë kompani apo institucione shqiptare termi kontroll i brendshëm përdoret rëndom për të përkufizuar auditimin e brendshëm. Kjo dukuri mund të shtojë më tepër konfuzion në këto fusha duke vështirësuar ndarjen e qartë të roleve, detyrave dhe përgjegjësive.

6. Cilat mendoni se janë sfidat kryesore që hasin aktualisht auditimi i brendshëm dhe menaxhimi i riskut në Shqipëri?
Profesionet e auditimit të brendshëm dhe të menaxhimit të riskut në Shqipëri po zhvillohen me hapa cilësorë dhe me ritme të shpejta, por më duhet të pranoj se fatkeqësisht kultura e Organizatave dhe e Drejtuesve të tyre më të lartë nuk po zhvillohet me të njëjtën shpejtësi.

7. Si janë të ndërlidhura Auditimi i Brendshëm dhe Zbulimi i Mashtrimit? Cili është roli i Auditimit të Brendshëm, Këshillit Drejtues dhe Drejtimit të një Organizate në parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit? A është zbulimi i mashtrimit një detyrë e Auditimit të Brendshëm?
Është përgjegjësi e Organizatës dhe e Drejtimit të Lartë të saj të marrë masat e duhura për të parandaluar ndodhjen e mashtrimeve. Auditimi i Brendshëm gjatë vlerësimit të tij të rrezikut do duhet t’i kushtojë vëmendje të mjaftueshme këtyre proceseve apo kontrolleve ku mashtrimi ka mundësi më të madhe për të ndodhur. Por, e theksoj dhe duhet të jetë e qartë se zbulimi i mashtrimit nuk është një përgjegjësi e Auditimit të Brendshëm.

8. Sikurse mund të jeni në dijeni, gjatë muajit Korrik 2014, në Bankën e Shqipërisë janë vjedhur shuma të konsiderueshme parash nga disa punonjës përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre duke e klasifikuar në një nga rastet më të bujshme të mashtrimit në historinë financiare të vendit. Aktualisht organet përkatëse janë në fazë hetimi, ndërkohë që Inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, i cili drejton Auditimin e Brendshëm në këtë Bankë akuzohet për shpërdorim detyre dhe paaftësi zbulimi të vjedhjes. Cili është gjykimi juaj në lidhje me akuzat ndaj Inspektorit të Përgjithshëm?
Bazuar në informacionin që unë disponoj, nuk jam i sigurt nëse ky rast mund të klasifikohet si një rast mashtrimi. Ashtu sikurse përmenda edhe më parë, nuk është përgjegjësi e Auditimit të Brendshëm dhe e Inspektorit të Përgjithshëm zbulimi i mashtrimit. Bazuar në vlerësimin e saj të rreziqeve dhe të kontrolleve të vendosura, Inspektori i Përgjithshëm do të vendosë prioritetin pak a shumë për rëndësinë e auditimit të një procesi të veçantë (inventari i kartëmonedhave dhe monedhave psh) në planin vjetor të auditimit. Ky plan i propozuar prej saj prezantohet dhe paraqitet për diskutim pranë Këshillit Drejtues të Bankës. Është përgjegjësi e Këshillit Drejtues të Bankës të sfidojë dhe/apo të vërë në dyshim këtë plan të paraqitur nga Inspektori i Përgjithshëm.

9. Aktualisht Inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht drejtuesi i Auditimit të Brendshëm në këtë bankë, është ndaluar dhe është në paraburgim deri në gjykimin e (pa) fajësisë. Bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe profesionale, a ekzistojnë raste të ngjashme në botë ku Auditimi i Brendshëm vuan pasoja të tilla?
Unë besoj se ky rast në Shqipëri, mund të konsiderohet si një rast unik në botë. Kurrë në karrierën time 37 vjecare nuk kam hasur një rast kur Drejtuesi i Auditimit të Brendshëm (në rastin në fjalë Inspektori i Përgjithshëm) të jetë burgosur për arsye se ai ose ajo nuk ka zbuluar mashtrimin apo vjedhjen. Drejtimi i Lartë mund të ndalohet e mund të vuajë dënime deri në burgosje nëse ata nuk kanë vendosur kontrollet e duhura për t’u mbrojtur nga këto raste. Sigurisht që, Auditimi i Brendshëm duhet të ushtrojë funksionin e tij me kujdesin e duhur profesional, i cili sipas standardeve nuk nënkupton pagabueshmëri. Kjo nënkupton që Audituesit e brendshëm duhet të respektojnë e zbatojnë gjerësisht standardet globale të auditimit të brendshëm.

10. Cili mendoni se do të jetë impakti i këtij rasti të akuzës së Inspektorit të Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë në të ardhmen e profesionit të Auditimit të Brendshëm në Shqipëri dhe në komunitetin ndërkombëtar të fushës së auditimit të brendshëm? Cilësuat më parë se audituesit e brendshëm në Shqipëri janë përgjithësisht profesionistë të rinj me ambicje të admirueshme për zhvillimin e profesionit. A gjykoni se pas këtij trajtimi dhe kërcënimi të profesionit auditimi i brendshëm do të vijojë ende të jetë një profesion tërheqës për profesionistët e rinj?

Unë besoj se ky rast është një shembull i mirë kur Auditimi i Brendshëm shndërrohet në varkën e shpëtimit kur gjërat shkojnë vërtet shumë keq për një Organizatë. Për analogji do të thoja se akuzimi i Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, është njësoj sikur të burgosej polici i trafikut për shkak të ndodhjes së një aksidenti në rrugë, pra mirëfilltazi…dy gjera aspak të lidhura me njëra tjetrën në binomin shkak-pasojë. Për mua ky rast dhe trajtimi i Inspektorit të Përgjithshëm përbën një sinjal të qartë se shumë njerëz në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe Organin e Prokurorisë apo të Gjykatave, nuk e kanë njohuri për rolin e vërtetë të Auditimit të Brendshëm. Besoj se Auditimi i Brendshëm do të vijojë të jetë një profesion tërheqës pavarësisht këtij trajtimi, por, profesionistët e auditimit të brendshëm në Shqipëri e kudo, do të kuptojnë se duke filluar nga sot kanë nevojë të mbrojnë veten e tyre akoma më shumë.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT (II)Nga Dr. Rovena VATA& Sokol  DEMAKU (11.05.2014)
KSENOFON KRISAFI - ABSURDI I LIGJIT GREK TË LUFTËS ME SHQIPËRINË (Intervistë) (11.04.2014)
REPLIKË - E VËRTETA E LUFTËS, PLENUMIT TË BERATIT DHE PRANISË JUGOSLLAVEProf. Dr. DEMIR DURMISHI (11.04.2014)
KUR TITO MË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËNNga YLLI POLOVINA (11.03.2014)
MESILA DODA - NUK MUND TË VAZHDOJMË ME PARTI-GARNIZON DHE DESPOTË POLITIKË (Intervistë)Doda - Opozitën sot po na e bën Ruçi. Mbështetësit e Olldashit janë mënjanuar (11.02.2014)
JA PSE DEMOKRATËT NUK DO TA ZGJEDHIN JAMARBRIN!Nga FATOS HOXHA (11.02.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT(Marrë nga libri me te njejtin  titull dalë nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që do botohet këtu me vazhdime)Dr. Rovena VATA& Sokol DEMAKU (11.01.2014)
AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU, DY HERONJ TË KOSOVËS TË LUFTËS TË 2 NËNTORIT 1989 NË KODËR TË DIELLIT NË PRISHTINËNga TAHIR GJONBALAJ (11.01.2014)
NË SUEDI NIS FUSHATA PËR TË MOS E DËBUAR 3 VJEÇARIN MAL OSMANI (10.31.2014)
DEUTSCHE WELLE - NGËRÇI POLITIK RREZIKON TA ZHYSË KOSOVËN NË KRIZË FINANCIARE (10.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]