E Shtunë, 12.14.2019, 11:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
AVDYL SULAJ - DUHET TA MBAROJMË PASTËRTINË E SHQIPES NGA DYNDJET E FJALËVE TË HUAJA
Bisedoi: ALBERT Z.ZHOLI

E Enjte, 11.06.2014, 08:15am (GMT+1)



Flet shkrimtari dhe studiuesi tropojan Avdyl Sulaj - Ende nuk kemi një ligj që të mbrojë gjuhen letrare të përbashkët si monumentin më të madh kulturor


Megjithëse veprimtarinë botuese e ka nisur në vitin 1979, me librin e parë ka dalë para lexuesve 20 vjet më vonë, në vitin 1999. Kjo kohëzgjatje është kushtëzuar nga puna si leksikograf, e cila i ka ngrënë shumë kohë. Ky libër titullohet “Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar”. Vetë titulli i tij shpreh me një antitezë tragjedinë tonë kombëtare, copëtimin dhe ndarjen e Shqipërisë etnike nga Fuqitë e Mëdha në 5 shtete. Ai i kushtohej çështjes sonë kombëtare, veçanërisht pavarësimit të Kosovës. Ndërkohë, ka botuar 5 libra gjuhësorë

1) Cilat janë problemet më të mprehta të gjuhës shqipe sot?

Problematika me të cilën përballet gjuha jonë sot mendoj se dikton domosdoshmërinë e një pune më të përkushtuar të lëvruesve të shqipes në dy drejtime: Së pari, për mbrojtjen dhe pastërtinë e shqipes nga dyndjet e fjalëve të huaja dhe shtrembërimet e ndryshme gramatikore. Është shqetësuese që po ngrenë krye disa dukuri të tejkaluara, si përdorimi kot së koti i një vargu fjalësh të huaja, të cilat thuajse kanë pas dalë prej përdorimi, duke u zëvendësuar me sinonime burimore të shqipes. Të tilla mund të përmendim: eksperiencë, abonim, dekorim, divorc, dilemë e shumë të tjera, ndërkohë që kanë qenë zëvendësuar moti me fjalët burimore: përvojë, pajtim, zbukurim, ndarje, shkurorëzim dhe mëdyshje.

Nga ana tjetër po futen panevojshëm në gjuhën tonë, sidomos nga gazetarët e politikanët, fjalë të huaja të panjohura më parë, si korum (numër), bipartizan (dypalësh) shou (shfaqje) etj., të cilat po mbijnë si barna të dëmshme në shtatin e shqipes. Dhe fatkeqësisht jo vetëm në fushën leksikore, por dhe në sistemet e tjera të shqipes, në morfologji e në sintaksë po fitojnë arbitrarisht të drejtën e qytetarisë shtrembërime e përdorime të gabuara fjalësh, si ngatërrime të trajtave të shkurtra përemërore i dhe u. Kështu thuhet apo shkruhet: Deputeti i foli zgjedhësve, në vend të: Deputeti u foli zgjedhësve. Po kështu ngatërrohet përdorimi i përemrave pyetës kush dhe cili, thuhet: Kush janë veprat tuaja, për: Cilat janë veprat tuaja. Apo rasat e përemrit vetor unë, si: Këtë e ke nga mua, për: Këtë e ke nga unë. Po mënjanohet kategoria e shquarsisë, sidomos e emrave të huaj vetjakë e thuhet: Ai iu drejtua Merkel, në vend që të thuhej: Ai iu drejtua Merkelit. Po sajohen vend e pa vend fjalë me parashtesën e huaj super-, si supershpenzime për mbishpenzime, i superngarkuar për i mbingarkuar etj. Edhe në shkrimin e fjalëve të huaja jo gjithnjë zbatohet rregulli i drejtshkrimit që ato të shkruhen siç shqiptohen në gjuhët përkatëse. Kështu shkruhen club, credo, Columbi dhe jo klub, kredo, Kolumbi sipas rregullit që përmendëm.

Së dyti, kërkohet një vëmendje më e madhe institucionale për hulumtimin e mbledhjen e pasurive leksikore dhe frazeologjike të gjuhës sonë. Edhe në këtë drejtim është mjaft shqetësuese zbehja e traditës, mosinteresimi i institucioneve shkencore për një punë të organizuar, por vetëm çka bëhet individualisht nga pak leksikografë amatorë. Shqipja ndryn ende në gjirin dhe në shpirtin e saj visare të shumta fjalësore, frazeologjike, proverbiale, tabu dhe eufemizma e lëndë të tjera të çmuara, të cilat po vdesin dita-ditës bashkë me personat që i ruajnë në arkivin e kujtesës së tyre.

2) Flitet shumë për ristandardizimin e gjuhës shqipe, a është kjo një klimë e favorshme dhe cili është mendimi juaj: duhet apo jo një ristandardizim?Ristandardizimi parakupton prishjen e standardit ekzistues dhe ndërtimin nga e para të një standardi të ri?!!!

Argumentet që sillen prej mëse dy dhjetëvjeçarësh për këtë çështje nuk më duken bindëse. Një ndër to, që përsëritet shpesh, është se “gjuha letrare e njësuar është krijuar në sistemin e shkuar diktatorial”. Por ky argument është jashtëgjuhësor, ka të bëjë me kontekstin historik, që ka pushuar së vepruari qysh me rënien e socializmit, pra i tejkaluar. Ndërkaq veprat materiale, shkencore etj. kudo çmohen sipas kriterit të vlerave, nëse janë apo s’janë të dobishme sot për shoqërinë, pavarësisht në ç’sistem janë ndërtuar. Pallati presidencial në Tiranë, bie fjala, duhet prishur pse u ndërtua në kohën e pushtimit të egër fashist? Një tjetër argument që sillet është se “gegërishtes i është ngrënë haku, pasi e flasin rreth dy të tretat e shqiptarëve; ajo ka vlera që s’i ka toskërishtja, siç është paskajorja” etj. Mirëpo edhe gegërishtja po të ishte vënë në themel të gjuhës së njësuar, kundërshti do të kishte. Kështu që, mendoj se nuk është në dobi të shkencës e të kulturës sonë të ndërmerret një hap i tillë.

Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ta ribëjmë tabu gjuhën letrare të njësuar, ta konsiderojmë atë proces të mbyllur. Përkundrazi ka nevoja dhe hapësira për plotësime e pasurime, pse jo dhe për liberalizime të disa aspekteve e kategorive të saj. Por për këto duhen bërë studime serioze, duke u këshilluar dhe me albanologë arbëreshë e të huaj. Para do kohësh këshilli ndërakademik Tiranë-Prishtinë vendosi heqjen e ë-së nga shkrimi në disa fjalë, me arsyetimin se nuk përdoren në shqiptim (!), ndërkohë që gjuhë të zhvilluara të botës, si anglishtja, frëngjishtja etj. i përmbahen me rreptësi parimit etimologjiko-historik, i shkruajnë fjalët ashtu siç janë shënuar qindra vjet më parë. Ndërsa heqja e ë-së tek ne me një të rënë të lapsit, cenon rëndshëm parimin morfologjik të drejtshkrimit të shqipes, vështirëson analizat shkencore të fjalëve nga nxënësit e studentët. Nga ana tjetër s’ka pse të ngulmohet së tepërmi në zbatimin e normës standarde në letërsi, në folklor dhe në disa zhanre publicistike. Gegërishtja ka të veçantat e saj, që u japin ngjyresa të këndshme krijimeve letrare, folklorike e publicistike. Atë e kanë përdorur me sukses dhe autorë toskë në veprat e tyre. Në romanin “Ulku dhe Uilli” të shkrimtarit Vath Koreshi dhe në novelën “Rrëfimi i çuditshëm i Fran Martinit” të shkrimtarit Teodor Laço gegërishtja rrjedh natyrshëm, me freskinë e ëmbëlsinë e bjeshkëve, me ritmikën e ujëvarave, me figurshmërinë dhe bukurinë e fjalës shqipe sipas veçantive të këtij dialekti. Standardizimi nuk duhet të çojë as në humbjen e ngjyresave të frazeologjizmave të gegërishtes. Shprehja: Sa me u gjetë Kola në punë, fjala vjen, s’ka pse të bëhet në fjalorët akademikë: Sa për t’u gjendur Kola në punë etj. Hapësirë u duhet lënë më shumë dhe dysorëve të fjalëve të ndryshme, por dhe paskajores gege, sidomos në fjalorët dygjuhësh.

3) Sipas Kongresit të Drejtshkrimit në themel të gjuhës letrare u vendos toskërishtja, pse u vendos ky dialekt dhe a i ka rezistuar kohës ky vendim?

Arsyet janë pak a shumë të njohura. Pjesa dërrmuese deri atëherë e drejtuesve të partisë, të shtetit e të institucioneve shtetërore e shoqërore qendrore ishin toskë. Fjalimet e shkrimet e tyre zinin dhe hapësirat kryesore të mediave të asaj kohe. Kështu që toskërishtja realisht thuajse ishte zyrtarizuar si gjuhë standarde. Ndërkohë toskërishtja pati dhe një përparësi, sidomos në fonetikë, ishte më e njësuar se gegërishtja. Mandej dhe gjuhëtarët kosovarë e patën tumirur me Konsultën gjuhësore të mbajtur në Prishtinë në vitin 1968, vënien e toskërishtes në bazë të gjuhës letrare të njësuar. Ndërkohë gjuhëtarët e tjerë gegë, të mbetur në pakicë dhe nga ndikimi i censurës e i vetëcensurës së kohës, nuk arritën ta shtronin me këmbëngulje për diskutim vënien e gegërishtes në themel të gjuhës letrare. Pra, në këtë kontekst, gegërishtes vërtetë “i është ngrënë haku”. Megjithë këto, mendoj se ky vendim përgjithësisht është përligjur nga koha. Gjuha e sotme letrare nuk është tërësisht autentike me toskërishten. Ajo ka mjaft pasuri leksikore e gramatikore të gegërishtes dhe ka evoluar, është përsosur me zhvillimet librore dhe të brendshme të saj.

Rregullat e gjuhës letrare a zbatohen sot nga administrata publike? Nëse shkelen ato, pse ndodhin? Nga sa kam njohje unë, ka jo pak shkelje të tilla. Ato ndodhin për dy arsye kryesore: Ne, me gjithë diskutimet e herëpashershme në media, ende nuk kemi një ligj që të mbrojë gjuhën letrare të përbashkët si monumentin më të madh kulturor e shpirtëror të kombit tonë, ndërkohë që dhe për objekte të dorës së dytë hasim pllaka me mbishkrimin: Monument kulture, mbrohet nga shteti. Ndërkaq në institucionet e administratës publike mungojnë gjuhëtarët si specialistë kompetentë për zbatimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes.

4) Aktualisht në shkollat 9-vjeçare përdoren tekste të paunifikuara, a ndikon kjo në mësimin jokorrekt të gjuhës shqipe?

Kjo përbën një paradoks. Në rast se më lart shtrova çështjen për një farë liberalizimi të normës letrare në letërsi etj., në tekstet shkollore, në mediat elektronike, në institucionet dhe veprimtaritë zyrtare publike është e nevojshme të përdoret gjuha standarde me të gjitha rregullat e saj, si domosdoshmëri për saktësi shprehjeje dhe komunikimi. Para do vitesh, p. sh., një deputet italian në Parlamentin europian diskutoi në dialektin e tij dhe jo sipas gjuhës standarde. Kjo shkaktoi paqartësi në sallë dhe konfuzion tek përkthyesit.

5)Cili është mendimi juaj për librat e akademik Shaban Demirajt për historinë e gjuhës shqipe dhe a jeni takuar ndonjëherë me të?

Akademik Shaban Demiraj, për ndihmesat tejet të çmuara që ka dhënë në studimin e historisë së gjuhës sonë amtare dhe në aspekte të tjera të saj, mbetet gjuhëtar klasik i shkencës sonë gjuhësore. Unë e kam takuar vetëm një herë profesor Shabanin te Instituti i Gjuhësisë në Tiranë me të cilin më njohu një koleg. Ndërkaq ai më la përshtypje shumë të mira, u tregua mjaft dashamirës, më përgëzoi për gjurmimet në fushën e leksikografisë dhe më dha zemër për ta vijuar më tej punën në këtë lëmë.

6)Cilat janë të veçantat e gjuhës shqipe në rajon?

Nga pikëpamja historiko-etimologjike, shqipja përkon vetëm me greqishten si të vetmet degë të trungut gjuhësor indoeuropian, të cilat nuk janë degëzuar ndër mijëravjeçarë. Në planin e sotëm, ajo ka veçantitë e veta në të gjitha sistemet, funksionon e zhvillohet në mënyrë të pavarur. Natyrisht, edhe ajo, si gjuhët e tjera të botës, ka marrëdhënie jetësore me simotrat e saj në rajon dhe në botë, sidomos në aspektin e përkthimeve, por dhe të huazimeve.

7) Si ka qenë arsimi në regjimin komunist, a ka pasur kërkesë llogarie?

Sektori i arsimit tonë ka një traditë pozitive qysh nga themelimi i tij. Ai është karakterizuar nga përkushtimi dituror, atdhetar e edukativ. Kështu në kohën e mbretërisë, ndonëse mungonte arsimi i lartë dhe i mesmi ishte i kufizuar, kuadrot dhe institucionet arsimore bënë punë të çmuar në këtë lëmë. Shqipja shkruhej aq bukur sa për ta pasur lakmi edhe sot e mësoheshin dhe gjuhë të huaja. Edhe në kohën e socializmit, ndonëse pati njëanshmëri e politizime që dihen, u bë shumë në këtë sektor. U zhduk analfabetizmi, u zgjerua rrjeti arsimor në të gjitha viset, deri në fshatrat më të thellë, u ngrit e u masivizua arsimi i lartë, në shkollat e të gjitha kategorive mbizotëronin rregulli, disiplina dhe kërkesa e llogarisë.

8) A ka pasur respekt për mësuesit në atë sistem?

Mësuesi edhe më parë, por dhe në atë sistem vlerësohej e nderohej deri në adhurim nga nxënësit, prindërit dhe opinioni shoqëror.

9) Mund të na thoni ndonjë takim me Kadarenë apo Agollin?

Me Kadarenë kam marrë pjesë në dy takime. Takimi i parë ka qenë, mesa mbaj mend, në vitin 1976 në Shkodër, kur isha student në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ai erdhi dhe zhvilloi një bisedë mjaft tërheqëse me ne studentët e pedagogët. Qysh atë kohë gëzonte respekt e autoritet të jashtëzakonshëm. Më vonë kam marrë pjesë në një diskutim letrar, që u zhvillua te Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë për një vëllim poetik të poetit Agim Isaku, në të cilin mori pjesë edhe Kadareja. Me Agollin nuk më ka rastisur të marr pjesë në ndonjë takim.

10) Në cilin organ keni botuar për herë të parë dhe si jeni ndjerë? Si titullohet botimi juaj i parë?

Për herë të parë kam botuar në publicistikë, në gazetën “Zëri i popullit”, një shkrim si bashkautor në vitin 1979, me titull “Vazhdimisht dhe në të gjitha aspektet”. Ndërsa në fushën e letërsisë për herë të parë kam botuar një poezi në gazetën lokale “Shkëlzeni” të Tropojës me titull “Kur u vra Bajram Curri”, në vitin 1989. Natyrisht, megjithëse kisha përshtypjen se shkrimi dhe ajo vjershë ishin modestë, ndjeva kënaqësi.

11) Librat tuaj më të suksesshëm kanë të bëjnë me fjalorët e fjalëve të rralla dhe të shprehjeve popullore, pse keni ngulmuar në këtë drejtim?

Fillimisht e kam nisur veprimtarinë në këto drejtime si rastësisht, me synimin për të botuar një libër me lëndë të tilla me rreth 300 faqe. Ndërkohë duke gjurmuar në këto fusha, puna si leksikograf m’u kthye në pasion, në përkushtim. Për këtë, përveç motivit intelektual e shkencor, më nxiste edhe motivi atdhetar, pasi vëreja se shumë pasuri të tilla të çmuara po harroheshin, apo siç theksova më sipër, po vdisnin bashkë me subjektet që i bartnin ato. Ndërkaq çlirimi i Kosovës më krijoi mundësi, hapësira e shanse më shumë për zgjerim e thellim të hulumtimeve leksikore e frazeologjike, sepse Tropoja historikisht është quajtur Malësia e Gjakovës dhe ka pasur lidhje të shumta e të drejtpërdrejta me Kosovën. Kështu i thellova kërkimet, përgatita e botova 4 libra nga këto fusha.

12) Sot a mund të jetojë një shkrimtar vetëm duke shkruar libra?

Sot botimi i librave ka kosto të lartë për autorët. Edhe qarkullimi i tyre është i ngadalshëm. Ndaj të jetosh vetëm me të ardhurat prej tyre, është përgjithësisht e pamundur për çdo autor.

Një përmbledhje të krijimtarisë suaj…

, të titulluar:

Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”, vëllimi i parë (2000) dhe vëllimi i dytë (2003), me lëndë të ndryshme, pra si libra në vete.

Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore (2009).

Shkrime dhe hulumtime gjuhësore (2012).

Larushia e fjalës në gojën e popullit (2013).

Katër prej këtyre librave përmbajnë mbi 20 mijë fjalë të rralla dhe kuptime të reja fjalësh, shprehje frazeologjike, proverba, urime, mallkime, betime etj. Ndërsa njëri prej tyre paraqet shkrime të ndryshme për gjuhën letrare, studime dialektore etj. Këto vite kam botuar dhe 2 libra poetikë:

Kristale alpine, poezi, 2006 dhe Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula dhe anektoda, 2013.
Bisedoi: ALBER ZHOLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JEAN-PIERRE GARITTE - ARRESTIMI I ISH INSPEKTORES GOLEMI, RAST UNIK DHE I PAPRECEDENT (Intervistë) (11.05.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT (II)Nga Dr. Rovena VATA& Sokol  DEMAKU (11.05.2014)
KSENOFON KRISAFI - ABSURDI I LIGJIT GREK TË LUFTËS ME SHQIPËRINË (Intervistë) (11.04.2014)
REPLIKË - E VËRTETA E LUFTËS, PLENUMIT TË BERATIT DHE PRANISË JUGOSLLAVEProf. Dr. DEMIR DURMISHI (11.04.2014)
KUR TITO MË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËNNga YLLI POLOVINA (11.03.2014)
MESILA DODA - NUK MUND TË VAZHDOJMË ME PARTI-GARNIZON DHE DESPOTË POLITIKË (Intervistë)Doda - Opozitën sot po na e bën Ruçi. Mbështetësit e Olldashit janë mënjanuar (11.02.2014)
JA PSE DEMOKRATËT NUK DO TA ZGJEDHIN JAMARBRIN!Nga FATOS HOXHA (11.02.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT(Marrë nga libri me te njejtin  titull dalë nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që do botohet këtu me vazhdime)Dr. Rovena VATA& Sokol DEMAKU (11.01.2014)
AFRIM ZHITIA E FAHRI FAZLIU, DY HERONJ TË KOSOVËS TË LUFTËS TË 2 NËNTORIT 1989 NË KODËR TË DIELLIT NË PRISHTINËNga TAHIR GJONBALAJ (11.01.2014)
NË SUEDI NIS FUSHATA PËR TË MOS E DËBUAR 3 VJEÇARIN MAL OSMANI (10.31.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]