E Hënë, 08.03.2020, 03:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
LUFTA DHE KOMUNIZMI
Nga FATOS TARIFA

E Djelë, 11.09.2014, 08:44am (GMT+1)



Është një përshtypje gati e përgjithshme në kohën tonë ajo se socializmit shtetëror i ka munguar tërësisht legjitimiteti politik. Në kundërshtim me këtë pikëpamje, që tashmë është bërë conventional wisdom, unë argumentoj se rendi i socializmit shtetëror, që u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ishte legjitim. Për t’u paraprirë kritikave të painformuara, ose sulmeve politike që mund të më bëhen për pikëpamjen që sapo shpreha, shpalos menjëherë tri teza, të argumentuara si të vërteta, në një studim të gjerë që kam botuar mbi këtë temë në Shtetet e Bashkuara.

Më parë, sidoqoftë, dëshiroj të vë në dukje se, në arsyetimet e mia, unë nisem nga mendimi i politologut të njohur amerikan, të ndjerit Juan Linz se, për të kuptuar stabilitetin e regjimeve autoritariste, ose mungesën e tij, përfshirë dhe regjimet komuniste, si dhe proceset apo krizat e legjitimimit të tyre, vëmendje e veçantë u duhet kushtuar (a) rrethanave historike në të cilat kanë lindur sisteme të tilla, (b) ndryshimeve sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur nën këto regjime, (c) ndryshimeve në klimën politike e ideologjike midis momentit të vendosjes së tyre dhe fazave të mëvonshme dhe, (d) ndryshimeve në përbërjen e udhëheqjes, me fjalë të tjera, duke i parë këto shoqëri dhe regjimet e tyre në proces, jo si shoqëri dhe regjime të pandryshueshme. Prej këtej, unë formuloj dhe argumentoj këto tri teza:

(1) Çdo regjim i socializmit shtetëror, që u instalua në vendet e Europës Lindore pas Luftës, pavarësisht nga mënyra se si erdhën në pushtet partitë komuniste, kishte në vetvete elemente si të legjitimitetit, ashtu dhe të ilegjitimitetit;
(2) Jo të gjitha qeveritë komuniste në Europën Lindore kishin të njëjtën shkallë legjitimiteti në fazën e krijimit të tyre; shkalla e legjitimitetit të tyre ka variuar nga vendi në vend, në varësi të rrethanave historike të secilit.
(3) Legjitimiteti i sistemit komunist nuk u dobësua dhe nuk humbi në të gjitha vendet njëkohësisht, por në faza të ndryshme.
Po kështu, qysh në fillim dëshiroj të theksoj se, analiza që i bëj çështjes së legjitimitetit të socializmit shtetëror nuk është ideologjike, as politike, por një analizë akademike, që duhet vlerësuar nga këndvështrimi i sociologjisë politike. Kjo analizë bazohet në një literaturë të gjerë mbi autoritetin e pushtetit dhe legjitimitetin politik, e shkruar nga autorë klasikë e bashkëkohorë ndër më të njohurit, si dhe në një varg studimesh në fushën e sociologjisë historike krahasuese, të shkencës politike e të filozofisë sociale. Kjo literaturë përbën bazën teorike nga nisem për të përcaktuar parimet e autoritetit legjitim.

Për shkak të rolit qendror që luan në marrëdhëniet shtet-shoqëri dhe të rëndësisë kritike që ka për organizimin dhe drejtimin politik të shoqërisë (si në regjimet demokratike, ashtu dhe në ato autoritariste), objekti i kësaj analize ka të bëjë me vetë legjitimitetin, specifikisht me legjitimitetin e rendit socialit që u vendos pas Luftës. Pyetjet kryesore që kërkojnë përgjigje janë: Cilët janë kuptimi dhe natyra e legjitimitetit politik? Kush kërkon të legjitimojë dhe çfarë të legjitimojë? Cilët grupe shoqërore kanë rëndësi kritike për legjitimimin politik të shtetit? Mbi ç’bazë pretendohet, pranohet ose sfidohet autoriteti? Përse disa projekte legjitimuese kanë sukses ndërsa të tjera jo? Kur, përse dhe nga kush kontestohet legjitimiteti? A ka modele të caktuara në këtë çështje?

Eksplorimin teorik të këtyre çështjeve, për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Europës Lindore, e kam bërë edhe më parë. Këtu dua të vë në dukje, shkurtimisht, diferencat që kanë ekzistuar, sidomos midis vendeve ish-komuniste të Europës Qendrore (vendet e Vishegradit), nga njëra anë, dhe vendeve të Europës Juglindore (Ballkani), nga ana tjetër. Në këto të fundit, vemendja përqendrohet te rasti i Shqipërisë dhe, deri diku, i ish-Jugosllavisë, si devijime nga modeli më i përgjithshëm i vendeve të bllokut sovjetik.

Legjitimiteti dhe autoriteti politik

Meqenëse objekti i kësaj analize ka të bëjë me legjitimitetin e regjimit të socializmit shtetëror, që u vendos në Shqipëri pas Luftës, e gjykoj të dobishme ta nis me përkufizimin e koncepteve “legjitimitet” dhe “autoritet legjitim”. Megjithëse përdoret rëndom në diskursin politik, koncepti i legjitimitetit është tepër kompleks dhe i shumanshëm. Në përdorimin e zakonshëm, legjitimiteti ngatërrohet me konformitetin, me parimet e njohura ose me rregullat dhe standardet e pranuara. Në diskursin më të sofistikuar akademik, legjitimiteti kuptohet ose si “aprovim moral, ose si pranim i thjeshtë i statukuosë së formës së shtetit dhe i sunduesve nga shumica e grupeve në shoqëri” (Theda Skocpol).

Koncepti i legjitimitetit përmban në vetvete një aspekt objektiv, por edhe një aspekt subjektiv, kur u referohet parimeve, mjeteve dhe rezultateve të përdorimit të pushtetit. Objektivisht, legjitimiteti politik nënkupton “të drejtën sistematike për të qeverisur”, bazuar ose në procese të caktuara politike (Max Weber), ose në terma proceduralo-substantivë të përcaktuar mirë (Jürgen Habermas). Këtu, zakonisht, shtrohen dy çështje thelbësore: Së pari, çfarë do të kërkohej objektivisht për të krijuar te qytetarët, në përgjithësi, predispozicionin që ata t’u binden qeverisësve dhe rregullave të qeverisjes. Me fjalë të tjera, çfarë e bën pushtetin të jetë legjitim, ose çfarë e shndërron atë nga një forcë e zhveshur, në autoritet? Së dyti, kush duhet ta pranojë autoritetin formal dhe sa thellë duhet të shkojë ky pranim? Subjektivisht, një sistem politik, ose një qeveri e dhënë, shihen si legjitim në atë shkallë që pranohen përgjithësisht, nga qytetarët e tyre, se “kanë të drejtën të qeverisin” (Anthony Giddens). Me fjalë të tjera, shkalla e legjitimitetit varet nga shkalla e sigurisë që kanë njerëzit se qeveria, së cilës ata i binden, ka të drejtën morale për të kërkuar dhe merituar bindjen e tyre, si dhe nga aprovimi ose mosaprovimi që qytetarët i bëjnë kësaj norme. Kur institucionet dhe procedurat politike gjykohet se pasqyrojnë vlerat dhe interesat bazë të qytetarëve dhe veprojnë për të plotësuar funksionin për të cilin janë krijuar — të mirën e përgjithshme — veprimet e qeverisë kanë forcën e autoritetit dhe të sanksionit moral, prandaj, zakonisht, niveli i aprovimit të tyre nga qytetarët është i lartë.

Përkufizime të tilla përputhen me analizën klasike të Max Weberit mbi legjitimitetin, sipas së cilës, legjitimiteti përcaktohet nga shkalla në të cilën institucionet vlerësohen dhe quhen të drejta. Weberi bënte dallim midis pushtetit dhe autoritetit. Pushteti është aftësia e një individi, grupi njerëzish apo institucioni për të kontrolluar dhe për t’i detyruar të tjerët të veprojnë sipas vullnetit të tyre, ndërsa legjitimiteti është ajo cilësi e marrëdhënieve të pushtetit, që i kthen ato në marrëdhënie autoriteti. Me fjalë të tjera, koncepti i legjitimitetit shpreh diferencën midis autoritetit dhe pushtetit, ku autoriteti nënkuptohet si pushtet i pranuar vullnetarisht, ose i ushtruar në mënyrë legjitime, pra, si pushtet i legjitimuar, ose i përligjur.

Duhet thënë, gjithashtu, se, meqenëse legjitimiteti ka të bëjë me matjen e disa realiteteve të caktuara, mbi bazën e një standardi hipotetik, ai është, kryesisht, një “koncept moral”. Prandaj, është e pamundur të përcaktosh legjitimitetin e pushtetit mbi bazën e ndonjë kriteri të pranuar në mënyrë universale. Shkalla e legjitimitetit të pushtetit, në analizë të fundit, përcaktohet duke aplikuar parimet e etikës në sistemet politike. Që këtej rrjedh se, çdo përpjekje për të matur legjitimitetin e një sistemi politik mbi baza thjesht morale, do të ishte tepër i diskutueshëm, siç mund të besojnë edhe shumë nga ju, lexues të nderuar.

Socializmi shtetëror
si sistem legjitim


Të kthehem te çështja që kam marrë përsipër të trajtoj në këtë analizë. Ajo ka të bëjë me rolin që ka luajtur pjesëmarrja e Partisë Komuniste në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar për legjitimimin e rendit politik që u vendos në Shqipëri pas Luftës. Unë nuk jam i pari, as i vetmi, që pohoj karakterin legjitim të një qeverie komuniste. Në veprën e tij tashmë klasike, Rendi politik në shoqëritë në ndryshim, Sammuel Huntington pohon se, “partitë komuniste në vendet e Europës Lindore arritën të hedhin rrënjë të thella në popullsitë e tyre” dhe se, “në fakt, ishte për shkak të aftësisë së elitave komuniste, që ato arritën shumë shpejt të vendosin regjime të reja funksionale dhe legjitime, mbi bazën e pjesëmarrjes së gjerë masive mbi gërmadhat e regjimeve të diskredituara”.

Me gjithë antagonizmin e tij të hapur ndaj regjimeve komuniste, Huntington i rendiste Bashkimin Sovjetik dhe vendet komuniste të Europës Lindore krahas vendeve liberale perëndimore, si shtete efektive dhe legjitime. Ai shkruante: “Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik kanë forma të ndryshme qeverisjeje, por në të tre këta sisteme qeveria qeveris. Çdonjëri prej këtyre vendeve është një bashkësi politike me një konsensus dominues në popull për sa i përket legjitimitetit të sistemit politik. Në secilin prej tyre, qytetarët dhe udhëheqësit kanë një vizion të përbashkët mbi interesin publik të shoqërisë, si dhe të traditave e parimeve mbi të cilat bazohet bashkësia politike”.

Duke mos u zgjatur në faktorët e tjerë që i dhanë legjitimitet, për një periudhë kohe, sistemit politik që u vendos në Shqipëri e në vende të tjera të Europës Lindore pas Luftës, dua të vë në dukje se, ndonëse të gjitha qeveritë komuniste të këtyre vendeve u shndërruan në qeveri autoritariste shumë shpejt pas marrjes së pushtetit, për një kohë të gjatë pas mbarimit të Luftës pretendimi i tyre për autoritet dhe legjitimitet mbeti i bazuar në rezistencën dhe në triumfin e tyre në luftën antifashiste. Në Shqipëri, këto pretendime ishin të legjitimuara për arsyet e mëposhtme:

E vetmja forcë politike
kundër pushtuesit


Së pari, roli dhe kontributi i Partisë Komuniste të Shqipërisë në krye të Lëvizjes së armatosur e të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është i pamohueshëm. Shqipëria, bashkë me Jugosllavinë, ishin të vetmet vende në Europën Lindore që u çliruan pa ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe. Sidoqoftë, ndërsa trupat sovjetike marshuan përmes Beogradit (edhe pse në mbarim të Luftës së Dytë Botërore Jugosllavia nuk mbeti nën pushtimin sovjetik, si vendet e tjera të rajonit), në Shqipëri nuk shkeli as edhe një ushtar rus. Në këto dy vende, komunistët përbënin forcën e vetme politike që e kundërshtoi pushtimin fashist nga fillimi i Luftës, deri në fund të saj. Ata organizuan dhe drejtuan lëvizje të fuqishme partizane në vendet përkatëse, ndërkohë që forca të tjera politike—çetnikët në Serbi, në Mal të Zi dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë, dhe ballistët e legalistët në Shqipëri—bashkëpunuan me pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë, duke u mundur bashkë me ta. Asnjë forcë tjetër politike në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe asnjë lëvizje e organizuar nuk mund të pretendojnë merita më të mëdha në përpjekjet për çlirimin e vendit nga ushtritë fashiste e naziste sesa Partia Komuniste dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare që u drejtua prej saj.

Burim prestigji dhe
autoriteti politik

Së dyti, pjesëmarrja dhe roli udhëheqës në luftën kundër fuqive të Boshtit shërbeu për partitë komuniste, pothuajse në të gjitha vendet e Europës Lindore, jo vetëm si një burim prestigji politik, dhe si një hap i rëndësishëm drejt marrjes së pushtetit (në Shqipëri e në Jugosllavi ky ka qenë, madje, faktori vendimtar), por edhe si një nxitës i fuqishëm për t’u paraqitur si shpëtimtarë të kombit dhe si e vetmja forcë legjitime për të ushtruar pushtetin politik pas vitit 1945. Kudo në Europën Lindore, ka shkruar sociologu i njohur amerikan, Alfred Meyer, “Partitë komuniste dolën me një lloj prestigji dhe fuqie që nuk e kishin pasur kurrë më parë, dhe me një imazh që e kishin fituar nga roli i tyre udhëheqës në luftërat guerrilase dhe nga martirizimi. Në fakt, kudo në Europë (dhe jo vetëm në Europë) partitë komuniste, pas Luftës, mund të pretendonin me sukses se ishin parti patriotike. Në këtë kuptim, komunizmi u bë i respektueshëm”.

Sidoqoftë, ndërsa në të gjitha revolucionet komuniste të Europës Qendrore e Lindore partitë komuniste erdhën në pushtet në saje të pranisë së Ushtrisë së Kuqe, vetëm Shqipëria dhe Jugosllavia u vunë nën kontrollin e lëvizjeve të rezistencës, të dominuara nga komunistët, pa ndihmën ruse. Gjatë Luftës, sa herë që partizanët në këto dy vende çlironin një zonë të caktuar, organizonin komitete për administrimin e çështjeve lokale dhe për ruajtjen e rendit. Kur lufta po i afrohej fundit, u bë e qartë se komunistët, në këto dy vende, kishin ngritur autoritetet qendrore përkatëse: KANÇ (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Shqipërisë) dhe AVNOJ (Këshilli Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë). Pavarësisht nga fakti se regjimi që u vendos në Shqipëri pas Luftës mori trajtat më ekstreme të radikalizmit jakobin, nuk mund të mohohet se Enver Hoxha, ashtu si edhe Tito në Jugosllavi, kishte dhuntitë dhe karizmën e një lideri politik të pazakontë. Në Shqipëri dhe në Jugosllavi, fryma partizane e kohës së Luftës dhe aspekti nacional i saj krijuan, parti komuniste të forta dhe të mbështetura gjerësisht në masat.

Vakumi politik dhe
udhëheqja karizmatike


Së treti, vakumi politik që u krijua në Shqipëri dhe në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore kontribuoi në mënyrë vendimtare në marrjen e menjëhershme të pushtetit nga komunistët. Këtu nuk mund të mohohet natyra karizmatike e Titos dhe e Hoxhës, gjë që, sidomos në periudhën post-revolucionare, pas mbarimit të Luftës, luajti një rol të rëndësishëm, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme për legjitimitetin dhe autoritetin e tyre politik sesa në vendet e tjera të Europës Lindore. Ky faktor pati një rëndësi të veçantë, si në krijimin e bazës së legjitimitetit për regjimet komuniste të Titos dhe të Hoxhës, ashtu edhe në përcaktimin e rrugëve të tyre të pavarura, ikonoklastike gjatë dekadave që pasuan. Siç vinte në dukje Milovan Gjilas në atë kohë, “atje ku një revolucion komunist ka arritur fitore në mënyrë të pavarur, është e pashmangshme një rrugë zhvillimi e veçantë”. Asnjëri nga regjimet komuniste në Europën Lindore (ndoshta me përjashtim vetëm të regjimit të Gomulkës në Poloni), nuk krijoi një autoritet karizmatik përmes “kultit të individit” të udhëheqësve të tyre, siç ndodhi me Titon në Jugosllavi dhe me Hoxhën në Shqipëri. Këta të fundit konsideroheshin, nga një masë e gjerë e popullsisë, si udhëheqës të vërtetë popullorë dhe shiheshin prej saj si mishërim i revolucionit, si heronjtë që i kishin udhëhequr popujt e tyre në luftën kundër mizorive të pushtuesve fashistë e nazistë dhe në përpjekjet për të dalë nga prapambetja e së kaluarës autoritariste.

Në anën e të fituarve: “kalorës të lirisë dhe kampionë të liberalizmit”


Së katërti, ndër të gjitha vendet e Europës Lindore, Shqipëria kishte qenë vendi më i prapambetur nga pikëpamja ekonomike e sociale. Kjo, nga njëra anë, ndikoi që lëvizja partizane, e drejtuar nga komunistët, të gjente një mbështetje të fortë popullore, sidomos në radhët e fshatarësisë, të shtresave të varfra të qyteteve e të rinisë, gjendja e të cilave ishte, pa dyshim, më e vështira. Askush nuk e ka përshkruar më mirë dhe më vërtetësisht sesa Ismail Kadare atmosferën në të cilën komunistët shqiptarë morën pushtetin në vendin e tyre, prandaj më lejoni të citoj më poshtë një pasazh të gjatë prej tij:

“Kur Shqipëria...në nëntor të vitit 1944 hyri nën diktaturë me këmbët e veta, kjo hyrje ishte vërtet si në festë...Një atmosferë festive mbretëronte kudo....Ana tjetër e tablosë: drama e të përmbysurve, shpronësimet, gjyqet, burgjet, pushkatimet, dhuna që sa vente zinte rrënjë, mbulohej nga zallahia e festës. Dhe kjo ishte e kuptueshme, përderisa festa e komunistëve shqiptarë ishte e lidhur me një festë botërore: fashizmi po rrokullisej në humnerë. Komunistët shqiptarë ishin në anën e fitimtarëve. Ata...ishin në një front me BRSS, SHBA, Anglinë...Dukej se askush nuk mund t’i gjykonte fitimtarët. Ata ishin me të vërtetë me fat...Por shansi i tyre shtohej nga simpatia që zgjonin qysh në pamjen e parë: shumica e partizanëve ishin të rinj, elegantë, një pjesë e madhe ishin studentë të gjimnazeve. Kishte midis tyre profesorë e studentë që, pasi kishin ndërprerë studimet në Romë, Vjenë apo Paris, kishin ardhur për të luftuar, djem idealistë pasanikësh, që të magjepsur nga idetë komuniste kishin mohuar prindër e pasuri; së fundmi, me ta qenë bashkuar priftërinj e klerikë të feve të tjera. Një faktor me peshë të veçantë në krijimin e simpatisë ishin vajzat. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë merrnin pjesë në luftë mijëra vajza të reja, shumica nën njëzet vjeç....Ishte vërtet diçka e re, që i bënte të besueshme premtimet e komunistëve, se ata luftonin jo vetëm për çlirimin e vendit, por edhe për ndërtimin e një bote të re. Kështu, fatmëdhenj si përherë, komunistët...dolën më të fortë dhe më simpatikë. Kalorës të lirisë, ata u bënë njëkohësisht kampionë të liberalizmit, të një jete të bukur....Nuk mund të bëhet asnjë shpjegim i asaj çka ndodhi më pas në Shqipëri...pa këtë fillim. Shumica e personazheve të kësaj feste ishin në atë kohë njëzet vjeçarë....Gjithë jeta e tyre, dashuria, lumturia, fëmijët i kanë rrënjët aty. Qofshin ata që u ngritën në poste të larta, qofshin të tjerët, që mbetën të thjeshtë, madje edhe ata që u dënuan më pas, u lidhën me atë stinë nga një nostalgji e pashërueshme. Për shumë prej tyre ora mbeti në vend”.

Mbështetja popullore dhe konsolidimi i pushtetit

Së pesti, rrethanat e përmendura më sipër bënë që arritjet ekonomike e shoqërore, gjatë fazës fillestare të ndërtimit socialist, të dukeshin edhe më të mëdha, duke i dhënë mjaft legjitimitet udhëheqjes së Partisë Komuniste. Këtu është me interes të vë në dukje pikëpamjen që ka argumentuar Alfred Meyer se, “për të vlerësuar shkallën e legjitimitetit të pushtetit në vendet komuniste të Europës Lindore, është e rëndësishme që të veçohet ai grup shoqëror, ose ato grupe shoqërore, qëndrimet e të cilave janë më thelbësoret për mbajtjen në këmbë të sistemit”.

Në Shqipëri, një grup i tillë ishte fshatarësia, e cila ishte jo vetëm numerikisht më e madhja, por edhe grupi më i rëndësishëm shoqëror në përcaktimin e suksesit të rendit të ri politik që u vendos pas Luftës. Ishin pikërisht masat e fshatarëve të varfër dhe, ndoshta, klasa punëtore industriale e krijuar rishtazi, pas Çlirimit të vendit, ato që përfituan më shumë se çdo grup tjetër në fazën e hershme të ndërtimit socialist. Nuk ka dyshim se, ashtu si partitë komuniste në vende të tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri, Partia Komuniste kishte rrënjë më të thella dhe mbështetje më të fortë në radhët e fshatarësisë, se sa të çdo grupi tjetër shoqëror. Dhe, në gjykimin tim, sa më agrar e i pazhvilluar të ishte një vend, aq më shumë besim në vetvete dhe aq më shumë forcë do të kishte partia komuniste dhe pushteti i saj. Mungesa në vendet e Ballkanit e një klase të mesme, ose e një borgjezie të vogël, në përmasa të konsiderueshme, kontribuoi për marrjen dhe mbajtjen më lehtë të pushtetit nga partitë komuniste, të cilat nuk hasën pothuajse në asnjë opozitë të organizuar, siç ndodhi me vendet më të zhvilluara socialiste: në Hungari, në Poloni dhe në Çekosllovaki.

Për shkak të prapambetjes shumë të thellë ekonomike e shoqërore të Shqipërisë para Luftës dhe fill pas saj, përmirësimet e bëra në kushtet e jetesës së popullsisë, gjatë dy dekadave të para pas Çlirimit, ishin të mëdha dhe realisht të ndjeshme. Rritja e shpejtë ekonomike gjatë viteve 1950-1960, e cila dukej e jashtëzakonshme në kontrast me nivelet skajshmërisht të ulëta të fillimit, si dhe arritjet e konsiderueshme në fushën e barazisë sociale, të strehimit, punësimit, shëndetësisë, luftës kundër analfabetizmit, arsimit e kulturës, ishin shokuese për masën e gjerë të popullit. Për të gjitha këto, dhe jo pa arsye, merita iu njoh udhëheqjes së Partisë së Punës.

Socializmi shtetëror dhe modernizimi i vendit

Së gjashti, nuk duhet harruar se modernizimi i shoqërisë shqiptare filloi, në të vërtetë, pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e socializmit shtetëror. Në teorinë sociale, modernizimi kuptohet si ai proces transformues, i cili e shndërron një shoqëri nga gjendja e saj agrare e rurale, në një shoqëri urbane, të industrializuar e të sekularizuar. Modernizimi i një shoqërie është i lidhur ngushtë me industrializimin e saj dhe industrializimi i Shqipërisë dhe shndërrimi i saj nga një vend agrar shumë i prapambetur, në një vend industrial-agrar, nisi dhe u krye në kushtet e socializmit shtetëror. Ky transformim çoi pashmangësisht në shndërrime të mëdha kulturore e sociale, në arsimimin masiv të popullsisë, në krijimin e universiteteve të para shqiptare, në shndërrime të thella në marrëdhëniet familjare, në një ndarje të re e më të specializuar të punës etj., të gjitha këto, tipare të një shoqërie moderne, ose në modernizim e sipër.

Dhuna, konsensusi, përkrahja

Së shtati, do të ishte miopi historike dhe një cinizëm intelektual i pabazë të mohoje arritjet e jashtëzakonshme që u kryen në Shqipëri, gjatë periudhës së parë të socializmit shtetëror. Këto arritje, duan apo s’duan ta besojnë një pjesë e historianëve dhe e studiuesve shqiptarë të sotëm, edhe ndër ata që e kanë jetuar atë kohë, u bënë të mundura jo thjesht përmes një ushtrimi totalitarist të pushtetit, por edhe, madje kryesisht, përmes punës dhe entuziazmit të një mase të gjerë të popullsisë. Siç vë në dukje sociologu i njohur amerikan, Daniel Chirot, “sot, kur komunizmi, si sistem shoqëror, nuk ekziston më në vendet e Europës Lindore, shpesh harrohet se pushteti komunist nuk do të ishte ushtruar dot kurrë, madje as që do të kishte qenë i mundur, në rast se nuk do të kishte ekzistuar një kontingjent i konsiderueshëm besuesish të devotshëm, si dhe pranimi i tij nga një numër i madh njerëzish, pra pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, ose të tërthortë të miliona fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve në të gjitha vendet e Europës Lindore”. Jo vetëm kaq, por, vijon më tej Chirot, “pa një besim të fortë dhe pa një mbështetje masive për Partitë Komuniste në këto vende, besim dhe mbështetje që erdhën duke u dobësuar gjithnjë e më shumë, është vështirë të mendosh se vetëm forca do t’i mbante komunistët në pushtet për një kohë kaq të gjatë”.

Edhe David Hume, në kohën e tij, megjithëse e pranonte rolin e forcës imponuese, argumentonte se “asgjë tjetër përveç pëlqimit dhe sensit të avantazhit që rezulton nga qetësia dhe rregulli nuk mund ta bëjë shumicën t’i nënshtrohet një sunduesi”. Tocqueville, gjithashtu, vinte në dukje se: “Një qeveri, e cila nuk ka mjete të tjera për të garantuar bindjen [e qytetarëve] përveç luftës së hapur, duhet të jetë shumë pranë falimentimit të vet”.

Për sa kohë që populli i thjeshtë dhe kuadrot e administratës besonin në angazhimin e drejtuesve të Partisë dhe të shtetit socialist për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe një shoqëri të begatë, ata i mbështetën politikat e tyre, madje, në disa vende, me entuziazëm të pazakontë dhe me patos revolucionar, sidomos në fillim, duke siguruar një bazë të fuqishme legjitimiteti për drejtuesit komunistë.

Humanizmi dhe forca e doktrinës

Së teti, historianët dhe studiuesit e sotëm të shkencave sociale në Shqipëri, për të cilët oportunizmi politik është bërë një sëmundje profesionale (dhe paradoksalisht një sëmundje e preferuar për shumë prej tyre), harrojnë, ose nuk duan të marrin në konsideratë një fakt shumë të rëndësishëm, që ndikoi në legjitimimin e sistemit socialist dhe të udhëheqjes komuniste, jo vetëm në Shqipëri, por, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë botën komuniste. Ky faktor ishte vetë doktrina komuniste, e cila u shndërrua në një besim të gjallë, madje u transformua në një forcë të jashtëzakonshme, që i shtyu miliona njerëz inteligjentë, kudo në Europën Lindore, të punonin me pasion, pasi ata besonin sinqerisht se e ardhmja i takon komunizmit, ndërsa kapitalizmi, sistemi i shtypjes dhe i shfrytëzimit, lëngonte në shtratin e vdekjes. Sipas historianit Walter Laqueur, një prej historianëve amerikanë më të shquar në kohën tonë, “Komunistët nuk ishin një parti politike si gjithë të tjerat; ata premtonin jo thjesht një qeverisje të mirë dhe një ekonomi të begatë, por një botë të re lirie, drejtësie dhe lumturie për të gjithë...Në këtë parajsë tokësore, të çliruar nga prangat e shtypjes e të shfrytëzimit, çdo individ (dhe shoqëria në tërësi) do të mund t’i zhvillonte plotësisht aftësitë e veta. Më në fund, qeniet njerëzore do të bëheshin plotësisht njerëzore”. Kjo edhe shpjegon përse, në periudhën midis dy luftërave botërore dhe për një kohë më pas, idetë komuniste u përqafuan edhe nga një numër i madh intelektualësh e shkrimtarësh të shquar në Perëndim, si: Henri Barbuse, George Bernard Shaw, Lion Feuchtwanger, Bertolt Brecht, Sidney dhe Beatrice Webb, Romain Rolland, Thomas Mann, Theodore Dreiser dhe vetë Albert Einstein.

Barra e rëndë e
rishkrimit të historisë


Në përfundim, dëshiroj të them dy fjalë mbi çështjen e rivlerësimit të periudhës së socializmit shtetëror. Bindja ime është se, çdo periudhë dhe çdo figurë politike në historinë e një vendi mund e duhet të rivlerësohen me kalimin e kohës. Por kjo nuk është as aftësia dhe as detyra e politikanëve, që ngrihen dhe bien nga pushteti me ndryshimin e stinëve politike, as detyrë e medias dhe, madje, as detyrë e atyre që kryejnë sondazhe të opinionit publik. Kjo është një detyrë ekskluzive e historianëve, e sociologëve dhe e studiuesve të politikës. Le t’ua lëmë studiuesve shqiptarë të historisë e të politikës të vlerësojnë e rivlerësojnë periudhat e zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare dhe personalitetet kryesore të tyre. Si individë dhe si qytetarë, ne mund të kemi dhe kemi të gjithë mendimet dhe sentimentet tona. Por këto janë thjesht mendimet dhe sentimentet tona, të përftuara e të përjetuara subjektivisht, jo gjykime e vlerësime objektive, të mbështetura në prova e fakte të pranuara përtej perceptimeve dhe interesave tona.

Legjitimimi dhe
rilegjitimimi i pushtetit


Dhe, për ta mbyllur, dëshiroj të theksoj se, pretendimi i udhëheqjes komuniste për autoritet dhe legjitimitet, i mbështetur në rezistencën dhe në triumfin në luftën anti-fashiste, me kalimin e kohës, u bë më shumë abstrakt dhe më pak bindës për qytetarët e thjeshtë dhe, pa dyshim, është i tillë për brezin e ri të sotëm, njëlloj sikurse, retorika antikomuniste e viteve të periudhës postkomuniste nuk mund të shërbente pafundësisht për legjitimimin e qeverive të reja që u krijuan pas ndryshimit të sistemit politik. Steka ngrihet gjithnjë e më lart, çka do të thotë se, me kohë, probleme të reja shtrohen e kërkojnë zgjidhje racionale. Dhe pasi atyre u gjenden zgjidhje, të tjera probleme shtrohen për zgjidhje në një shoqëri postkomuniste, e cila është në evolucion të pandërprerë, ndaj edhe qeveritë e reja duhet të legjitimohen e të rilegjitimohen.
* New York University Tirana

FATOS TARIFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HISTORIA SHQIPTARE NË 'LUFTË CIVILE'Nga REZART PALLUQI (11.08.2014)
SHQIPËRIA E KUISLINGËVE - MENDJELEHTËSIA E BABALLARËVE DHE DISA PAKTE SKANDALOZENga PËLLUMB XHUFI (11.08.2014)
ZBULIMI PAS 70 VJETËSH - ENVER HOXHA ËSHTË TAKUAR ME GJERMANËT (11.08.2014)
PËR RASTIN E KOSTANDIN XHUVANITNga ROLAND GJOZA (11.07.2014)
SHQIPËRIA DHE FQINJËT E SAJNga BAHRI OMARI* (11.07.2014)
AVDYL SULAJ - DUHET TA MBAROJMË PASTËRTINË E SHQIPES NGA DYNDJET E FJALËVE TË HUAJABisedoi: ALBERT Z.ZHOLI (11.06.2014)
JEAN-PIERRE GARITTE - ARRESTIMI I ISH INSPEKTORES GOLEMI, RAST UNIK DHE I PAPRECEDENT (Intervistë) (11.05.2014)
NJË VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK DHE KULTUROR MAGJEPS NË VERIUN E LARGËT (II)Nga Dr. Rovena VATA& Sokol  DEMAKU (11.05.2014)
KSENOFON KRISAFI - ABSURDI I LIGJIT GREK TË LUFTËS ME SHQIPËRINË (Intervistë) (11.04.2014)
REPLIKË - E VËRTETA E LUFTËS, PLENUMIT TË BERATIT DHE PRANISË JUGOSLLAVEProf. Dr. DEMIR DURMISHI (11.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2020  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]