E Premte, 12.13.2019, 04:10am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
NACIONALIZMI SHQIPTAR GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Nga akademik BEQIR META

E Shtunë, 11.22.2014, 04:10pm (GMT+1)


Pushtimi italian i Shqipërisë pak kohë para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore përbënte një sfidë të rëndë kundër nacionalizmit shqiptar. Në këto momente dramatike, nacionalizmi shqiptar nuk përbënte aspak një entitet politik unik, dhe aq më pak organizativ. Si rezultat i ngjarjeve që kishin ndodhur në periudhën e riformimit të shtetit shqiptar në vitet 1920-1924, e cila ishte shoqëruar me konflikte të ashpra politike, kryengritje e grushte shteti, ishte krijuar një çarje e thellë në radhët e nacionalistëve që mund të klasifikohen në dy linja kryesore: zogistët dhe antizogistët. Regjimi autoritarist i A. Zogut, i cili qeverisi Shqipërinë për rreth 15 vjet, ndonëse tërhoqi në krahun e tij dhe inkuadroi në përbërje të administratës shtetërore një pjesë më aktuale të kundërshtarëve të tij, përgjithësisht nuk arriti ta ndryshonte këtë ndarje të thellë. Kështu, pushtimi e gjeti nacionalizmin shqiptar të përçarë dhe të paaftë për të reaguar në bllok kundër pushtimit dhe ndaj situatës së re që u krijua.

Nga kundërshtarët e A. Zogut, një pjesë e dënuan agresionin fashist, por pati edhe një grup që e përshëndetën pushtimin, dhe madje qysh në fillim morën pjesë në institucionet dhe administratën e krijuar prej italianëve. Madje italianët, duke e njohur dhe kultivuar këtë dasi midis shqiptarëve, kishin planifikuar, nëse Zogu rezistonte, të përdornin disa krerë të emigracionit, kundërshtarë të tij, për të nxitur një konflikt të brendshëm në Shqipëri. Në këtë mënyrë do të justifikohej më lehtë edhe zbarkimi i tyre ushtarak. Ky skenar nuk u realizua për shkak se A. Zogu nuk zgjodhi këtë alternativë, pasi të gjitha kalkulimet nuk e justifikonin dhe këshillonin atë.

Grupet e nacionalistëve që kishin qenë pjesë e administratës shtetërore në vitet 1925-1939, në shumicën dërmuese mbajtën qëndrim kundër pushtimit, por pas tij, madje qysh në ditët e para, disa prej tyre ndërruan flamur dhe u bashkuan në "Asamblenë Kushtetuese" që i dorëzoi kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit III.

Nga ana tjetër duhet nënvizuar se ishin grupet dhe individët nacionalistë ata që nisën të parët qëndresën kundër fashizmit italian me demonstrata, protesta, trakte politike etj. Nga viti 1939 deri në mesin e vitit 1941 këto ishin forca e vetme që rezistonte, ndonëse duhet theksuar se kjo rezistencë ishte ende në fillesat e saj. Pas sulmit gjerman mbi BS rezistencës iu shtua një grup tjetër i rëndësishëm, ai i komunistëve të orientuar e nxitur nga Kominterni, sipas një strategjie panevropiane të përpunuar nga partia komuniste e Bashkimit Sovjetik.

Pas pushtimit, krerët më të rëndësishëm dhe me prestigj të nacionalizmit shqiptar të orientuar drejt rezistencës kundër pushtuesit italian dhe të aftë ta organizonin atë, gjendeshin në ekzil politik. Epiqendrën e këtyre grupeve e përbënin nacionalistët shqiptarë nën drejtimin e A. Zogut, të cilët ishin pjesë e qeverisë së mëparshme. Zogu, për më tepër, arriti të mblidhte rreth projektit të tij të rezistencës kundër italianëve edhe grupe të tjera nacionalistësh, duke përfshirë këtu edhe kundërshtarë të tij, si Fan Noli etj. Kështu, ata së bashku arritën të krijonin një Front të bashkuar Kombëtar, i cili, nëse do të përkrahej nga aleatët, do të ndikonte efektivisht dhe pozitivisht në fuqizimin e rezistencës në Shqipëri dhe, çka është më e rëndësishme, do të ndihmonin shumë në unifikimin e skenës politike shqiptare, duke bërë të mundur fuqizimin e faktorit shqiptar gjatë dhe në përfundim të luftës. Gjithashtu Zogu ofroi edhe krijimin e një detashmenti të konsiderueshëm luftëtarësh shqiptarë, prej rreth 14.000 vetësh, që do të mobilizoheshin në emigracion, të cilët kërkoi t'i vendoste në frontin italo-grek dhe prej këtej të depërtonin në Shqipëri. Ai projektoi që më tej këto forca të rezistencës do të rriteshin në Shqipëri, duke arritur në rreth 30.000 luftëtarë.

Qeveria britanike, duke u nisur nga interesat e saj politike e gjeostrategjike në rajon, veçanërisht, duke dashur të mos dilte kundër qëndrimit të vendosur të nacionalizmit grek, i cili ishte kundër çdo organizimi gjithëpërfshirës dhe kombëtar të rezistencës në Shqipëri, refuzoi ta mbështeste këtë projekt, madje ndërhyri me forcë për ta bllokuar atë. Londra shkoi edhe më tej, duke vijuar edhe pas prillit të vitit 1941 (kur Greqia e Jugosllavia u pushtuan nga Gjermania) të injoronin njohjen e qeverisë mbretërore shqiptare në ekzil, duke bllokuar me forcë të gjitha aktivitetet e saj politike e propagandistike në dobi të rezistencës dhe interesave shqiptare. Londra veproi në këtë drejtim krejt ndryshe nga sa kishte vepruar me nacionalizmat greke e serbe, qeveritë në mërgim të të cilëve ishin njohur zyrtarisht dhe trajtoheshin si aleatë kundër Boshtit.
Britanikët ishin tepër të qartë në përcaktimin e politikave të tyre ndaj nacionalizmave greke, serbe dhe shqiptare. Eden deklaronte: "Grekët dhe serbët janë aleatët tanë dhe ne do t'i marrim parasysh interesat dhe ndjeshmëritë e tyre. Shqiptarët nuk janë aleatë dhe nuk kanë pse të kërkojnë që të trajtohen si të tillë".

Kështu, nëse nacionalizmit grek dhe serb iu dha mbështetje në shumë drejtime: iu njohën si legjitime dhe me statusin e aleatit qeveritë kombëtare në ekzil; ata u bënë pjesë e Kartës së Atlantikut, iu premtuan restaurimi i pavarësisë dhe kufijve të mëparshme, pa asnjë cënim dhe rezervë. Madje nacionalizmit grek iu premtua edhe përkrahja e aspiratave ekspansioniste drejt veriut dhe gjetkë. Për më tepër, si shpërblim për angazhimin në luftën kundër gjermanëve, forcave kryesore nacionaliste greke në terren (forcave të EDES-it) iu bë një lëshim tjetër sa antihuman aq edhe në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare, parimet e krijimit të aleancës antifashiste dhe ato të Kartës së Atlantikut për një Evropë të re dhe botë te re. Shefi i misionit britanik në Greqi, Woodhouse, i dha 'OK'-in kërkesave të Napolon Zervës për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët, si kusht që ai të zhvillonte ofensivën kundër gjermanëve. Zerva e kreu këtë akt me metoda të dhunshme dhe me gjakderdhje, dhe britanikët e ndoqën me gjakftohtësi e indiferencë këtë skenë të llahtarshme antinjerëzore.
Po ndaj nacionalizmit shqiptar çfarë qëndrimi u mbajt? Atij nuk iu njoh asgjë nga të drejtat dhe kërkesat legjitime që buronin nga legjitimiteti i paraluftës. Nuk iu njoh asnjë aspiratë irredentiste për bashkimin kombëtar. Për më tepër iu vu në pikëpyetje ekzistenca e shtetit dhe e kufijve pas luftës. Britanikët duke u bazuar vetëm në interesat e ngushta ushtarake dhe politike të tyre, thjesht u kërkonin nacionalistëve shqiptarë të luftonin kundër gjermanëve, pa u dhënë thuajse asgjë në këmbim. Ky diferencim dhe ky qëndrim ka pasur pasoja tepër të thella politike në Shqipëri, shumë e shumë herë më të mëdha sesa ato që ne kemi perceptuar deri më sot.

Me këtë qëndrim Britania e Madhe, që ishte fuqia kryesore antifashiste e angazhuar në Ballkan, shkaktoi disa pasoja të rënda politike, ushtarake e strategjike.

1. Ajo krijoi një disbalancë të thellë në qëndrimet ndaj nacionalizmit grek e jugosllav nga njëra anë dhe atij shqiptar nga ana tjetër;
2. Ky diferencim pati pasoja të thella: Ndërsa qeveritë mbretërore greke e jugosllave u bënë epiqendër përbashkuese e nacionalizmave të tyre në këtë periudhë kritike, qeveria mbretërore shqiptare nuk u lejua, ose më saktë u pengua ta luante këtë rol. Ky do të ishte njëri ndër faktorët e rëndësishëm që do ta pengonte kohezionin e grupeve të nacionalizmit shqiptar.
3. Bllokimi i qeverisë mbretërore dhe mbajtja e saj e izoluar, gati si e "burgosur" në Londër, krijoi dyshime të forta tek nacionalistët shqiptarë për qëllimet britanike gjatë dhe pas luftës. Në këtë mënyrë paralizoi konkretisht dhe politikisht vullnetin dhe motivet e tyre për rezistencë kundër pushtuesve italianë.
4. Gjithashtu ky qëndrim çeli shtegun e rrezikshëm të anarkisë në Shqipëri dhe të ndërhyrjes së huaj, që do të rezultonte më vonë me pasoja të rënda për efektivitetin e rezistencës dhe të ardhmen e vendit.

Siç thamë, rezistenca në këtë fazë të parë të pushtimit ishte ende në hapat e parë dhe e dobët. Shkaqet e dobësisë së rezistencës së nacionalistëve në këtë fazë të parë ishin disa:
- Së pari, ishte gjendja e brendshme e tij tepër e fragmentarizuar, të cilën e përshkruam më lart.
- Së dyti, ishte mungesa e mbështetjes ndërkombëtare dhe në një farë mënyre, izolimi ndërkombëtar i nacionalizmit shqiptar.
- Së treti, mungesa e perspektivës për realizimin e të drejtave dhe aspiratave kombëtare të shqiptarëve.

- Politika e kompromisit dhe tolerimit që kishte ndjekur Britania e Madhe ndaj pushtimit italian deri në çastin kur Italia sulmoi Greqinë në tetor 1940.
- Ndikimi i dobësive të vjetra të nacionalizmit shqiptar, i cili nuk e kishte forcën dhe kohezionin e nacionalizmave të tjerë ballkanikë, dhe ende kishte një karakter lokalist e të kufizuar në gjykimet dhe politikat e veta.
- Faktor themelor ishte braktisja ndërkombëtare e shqiptarëve qysh në momentet e para të pushtimit e në vijim, deri në gjysmën e parë të vitit 1942. Thirrjet e tyre për ndihmë e bashkëpunim u mohuan me motive të ndryshme nga britanikët, francezët, grekët, jugosllavët. Shqiptarët ishin të vetëm përballë italianëve, pa asnjë përkrahje, kështu shanset për sukses ishin fare minimale dhe situata ishte dekurajuese dhe e pashpresë.
- Nga ana tjetër ndikoi edhe propaganda fashiste, e cila trumbetonte se do të mbështeste ëndrrën e vjetër të parealizuar për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Grupet kryesore të irredentistëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë e vlerësuan këtë si një shans historik për tu çliruar nga robëria serbe e greke. Propaganda italiane ndikoi edhe tek një pjesë e nacionalistëve brenda kufijve politik të Shqipërisë, të cilët shihnin tek pushtimi, përveç të keqes së madhe të eliminimit të shtetit të pavarur shqiptar, edhe mundësinë e ndreqjes së kësaj padrejtësie historike. Dhe duhet theksuar se kjo propagandë e ethshme bëhej në një kohë kur fuqitë antifashiste kishin mbuluar me heshtje të plotë çështjen shqiptare. Pas prillit të vitit 1941 kjo propagandë u shndërrua në një realitet. Italianët dhe gjermanët krijuan një shtet shqiptar që përmblidhte shumicën e territoreve etnike shqiptare duke krijuar një administratë shqiptare, shkollat shqipe, madje krijuan mundësi dhe filluan procesin e dekolonializimit të trojeve shqiptare që ishte realizuar me dhunë në dekadat e mëparshme nga sllavët.
Periudha nëntor 1941 deri në fundin e vitit 1942 karakterizohet nga fillimi i rivalitetit midis grupeve komuniste e atyre nacionaliste. Komunistët dolën një hap përpara në organizimin politik, pasi themeluan partinë e tyre, sigurisht nën udhëheqjen e Kominternit, i cili vepronte përmes PKJ. Nacionalistët nuk e kuptuan qysh në fillim në thellësinë e gjerësinë e duhur, impaktin dhe implikacionet që do të kishte kjo ngjarje në skenën politike shqiptare. Ata vijuan në apatinë e tyre politike. Komunistët, gjithmonë sipas direktivave të jugosllavëve, bënë edhe një hap tjetër përpara, kur më 16 shtator 1942 organizuan një konferencë në Pezë, e cila bëri thirrje për bashkim në një front të përbashkët kundër pushtuesit, pa dallim bindje, ideje, krahine etj. Në këtë organizim morën pjesë menjëherë një sërë nacionalistësh shqiptarë, midis tyre edhe zogistë, me Abaz Kupin në krye. Ata niseshin nga dëshira e sinqertë për të bashkëpunuar pa paragjykime për çlirimin e atdheut.

Por edhe ndaj kësaj ngjarjeje nacionalizmi shqiptar reagoi i përçarë. Siç e thamë më lart, një pjesë e nacionalistëve bashkëpunuan me PKSh, ndoshta pa e kuptuar se ata do të përdoreshin, e madje keqpërdoreshin nga PKSh, e cila kishte një filozofi politike që projektonte ndërtimin e fronteve antifashiste, dhe më tej dominimin e tyre politik për të realizuar objektivin afatgjatë, marrjen e pushtetit dhe vendosjen e diktaturës së saj, të cilën e quante "demokraci popullore". Gjithashtu këta nacionalistë nuk e kuptuan se në ''Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Përkohshëm'' kishte një asimetri politike, pasi në të merrte pjesë një parti e organizuar dhe e centralizuar në rang kombëtar dhe individë të veçantë me ndikim dhe influenca lokale. Kjo asimetri mbarte shumë rreziqe për pozitën e tyre në të ardhmen. Nuk do të kalonin më tepër se 10-11 muaj që kjo të provohej.

Pjesa tjetër, duke qenë më e ndërgjegjësuar dhe më e ndjeshme ndaj këtyre rreziqeve, nuk u bashkuan me Këshillin Nacionalçlirimtar të Pezës, por dy muaj më vonë themeluan një organizatë tjetër paralele rezistence, e cila u quajt Balli Kombëtar. Balli Kombëtar përmblodhi nacionalistë republikanë, të cilët jo vetëm ishin jokomunistë, por ishin edhe antizogistë e antimonarkistë. Pra, midis zogistëve e republikanëve ekzistonte një ndarje ideologjike, e cila buronte nga e kaluara. Të dy palët nuk e kuptuan qysh në fillim rëndësinë jetike të bashkimit të tyre, duke lënë mënjanë diferencat ideologjike dhe armiqësitë e së shkuarës. Për këtë gjë ata do të kujtoheshin shumë kohë më vonë pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, kur raporti i forcave nuk do të ishte në dobi të tyre.
Ndërkohë disa nacionalistë të veçantë në Shqipërinë e Veriut ishin në luftë kundër pushtuesve, duke vepruar sipas mendësisë së vjetër lokaliste (Bajraktari, Kryeziu). Kishte dhe të tjerë si krerët e Dibrës që qëndruan mënjanë konfliktit.

Por një grup goxha i madh dhe i rëndësishëm nacionalistësh, pas pushtimit gjerman të Greqisë dhe Jugosllavisë, në prillin e vitit 1941 u joshën nga politika gjermane e italiane e krijimit të pjesshëm të Shqipërisë etnike. Ata mbushën me entuziazëm radhët e administratës shqiptare të unifikuar e të shtrirë edhe në territoret e reja të liruara nga sundimi grek e jugosllav. Ky grup ishte i madh si brenda Shqipërisë politike, por edhe më i madh, madje në shumicë dërmuese, në territoret e liruara. Ata përgjithësisht besonin në kauzën e bashkimit kombëtar nën boshtin, pa llogaritur shumë perspektivën, e cila në këto momente ishte e paqartë për të dy blloqet ndërluftuese, ndërsa më vonë, sidomos duke filluar nga vitit 1943, do të bëhej gradualisht e qartë se boshti do të humbiste luftën. Në zgjedhjen e tyre ndikonte momenti kur Britania e Madhe nuk ishte shprehur ende për të ardhmen e Shqipërisë dhe kishte hedhur poshtë ofertat për bashkëpunim të qeverisë mbretërore shqiptare dhe të nacionalistëve të tjerë në ekzil. Por ndikonte edhe trashëgimia historike, ku me gjithë dyshimet e forta, Italia kishte qenë mbështetëse e shtetit shqiptar më 1913 dhe kishte përkëdhelur aspiratat irredentiste në vitet 1919-1920. Po kështu shihej edhe Gjermania, si një mbështetëse logjike e nacionalizmit shqiptar, përderisa ishte armikja kryesore e sllavëve dhe kishte qenë aleate kryesore e Austro-Hungarisë, e cila nga ana e saj kishte qenë sponsorizuese kryesore e ''Lëvizjes Kombëtare Shqiptare'' dhe e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Deklaratat e aleatëve antifashistë në dhjetor 1942 dhanë mesazhe të kundërta. Ndërsa SHBA e BS mbështeste pa ekuivoke rezistencën dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar pas luftës, Britania e Madhe, e cila ishte fuqia më prezente e më me influencë në Ballkan vinte në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Kjo ishte një pengesë e madhe shtesë në unifikimin e nacionalizmit dhe në angazhimin pa rezerva në luftë kundër pushtuesit, pasi nacionalistët shihnin me mosbesim rolin e Britanisë së Madhe si aleat. Propaganda fashiste e trumbetoi me të madhe rrezikun që vinte nga Londra. Kjo pati efekt në Shqipëri, ku tashmë ishte i njohur edhe qëndrimi ndaj qeverisë legjitime shqiptare në ekzil. Gjithsesi, rezistenca në gjysmën e parë të vitit 1943 u rrit, dhe në prag të marrëveshjes së Mukjes të dyja grupimet politiko-ushtarake, Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe Balli Kombëtar, ishin në raporte të barabarta të forcave ushtarake, me një epërsi të lehtë të këtij të fundit.

Në këto rrethana lindi iniciativa për bashkim politik e ushtarak të dy grupeve. Brenda Lëvizjes NÇL më aktivë për bashkimin ishin elementët nacionalistë, si Kupi me shokë. Por edhe brenda PKSh pati një grup të rëndësishëm që kërkonin bashkimin, si Dishnica, Gjinishi etj. Ky grup majtist kishte një profil nacionalist të arsyeshëm. Nga ana e Ballit Kombëtar pothuajse të gjithë mbështesnin bashkimin, duke shpresuar fuqizimin e faktorit shqiptar gjatë dhe në fund të luftës, realizimin e aspiratës së Shqipërisë etnike dhe vendosjen e një regjimi demokratik pluralist në përfundim të luftës.

Por Marrëveshja e Mukjes, e cila hapte rrugën për realizimin e këtyre pritshmërive, u hodh poshtë nga udhëheqja komuniste, e cila tërhoqi në këtë qëndrim udhëheqjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Me këtë u vërtetua se udhëheqja komuniste e dominonte këtë Lëvizje dhe nacionalistët e veçuar me naivitet kishin shërbyer sa për koperturë. Kjo bëri që në radhët e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Përkohshëm të ndodhte një çarje dhe A. Kupi u largua prej tij. Tashmë këshilli mbeti thuajse i tëri nën kontrollin komunist. Iluzionet e nacionalistëve, por edhe të komunistëve nacionalistë për bashkim u shuan. Ky ishte një devijim i madh nga platforma e Pezës dhe nga objektivi i luftës kundër okupatorit. Mentorët apo më mirë të themi tutorët jugosllavë të PKSh u tmerruan nga Marrëveshja e Mukjes dhe nxituan jo vetëm ta denonconin atë, por të shkatërronin me shpejtësi çdo mundësi të realizimit të një marrëveshje politike përbashkuese mbarëshqiptare. Prandaj me një distancë kohore dy mujore nxitën udhëheqjen e PKSh të ecte përpara drejt konfliktit: të organizonte konferencën e Labinotit, ku mori vendimin për marrjen e gjithë pushtetit në duart e Këshillave Nacionalçlirimtare të dominuara nga komunistët, dhe më 1 tetor Enver Hoxha dha urdhrin direkt për goditjen e Ballit Kombëtar me armë. Ky ishte fillimi i luftës civile.
Nacionalistët u gjendën të befasuar përballë përshkallëzimit të shpejtë të konfliktit të projektuar e realizuar nga udhëheqja e PKSh. Ky konflikt nuk u shërbente aspak interesave të shqiptarëve dhe as luftës kundër pushtuesit. Nacionalistët e të gjitha rrymave nuk arritën të reagonin me shpejtësi. Edhe një herë doli në pah dobësia e nacionalizmit shqiptar për të vepruar me shpejtësi, kohezion dhe largpamësi në këtë moment kritik. Balli mbeti i vetëm përballë goditjeve komuniste. Ai do të ishte targeti i parë i komunistëve, por jo i fundit. Nacionalistët e tjerë u shqetësuan por nuk arritën të reagonin në mënyrë adekuate kundrejt rrezikut të ri. Abaz Kupi krijoi partinë e legalitetit dhe për pak kohë mbeti jashtë konfliktit. Ai harxhoi shumë kohë në negociata me britanikët, të cilëve u parashtroi dy kushte themelore për angazhimin në luftë kundër gjermanëve: 1. Armë dhe municione, 2. Deklaratën publike të qeverisë britanike për njohjen e kufijve dhe të pavarësisë së Shqipërisë pas luftës. Por duke qenë konsekuente në interesat e veta të ngushta politike, Londra nuk pranonte as njërën dhe as tjetrën.

Fillimi i luftës civile e gjeti tërësisht të papërgatitur Ballin Kombëtar. Në radhët e tij pati shthurje e dezertime. Edhe brenda radhëve të partizanëve, me gjithë disiplinën e fortë e përpunimin ideologjik, pati rrjedhje e largime. Balli dukej se ishte vënë me shpatulla pas muri dhe se nuk ishte i përgatitur për një luftë të tillë. Megjithëkëtë, nga një pjesë kryesore e Ballit u vendos t'i kundërpërgjigjej luftës së imponuar me shpresën se jo vetëm do të vetëmbrohej, por do të luftonte për të shpartalluar komunistët, të cilët tashmë kishin përcaktuar qartësisht ambicien e tyre për të ardhur në pushtet me dhunë. Krerë të rëndësishëm ballistë, duke u gjendur në pozita më inferiore, për të mbrojtur ekzistencën e tyre, vendosën të përdornin edhe gjermanët për të shpartalluar lëvizjen komuniste. Kjo sigurisht ishte një strategji e gabuar dhe e mbushur plot rreziqe prej së cilës dolën fitimtar komunistët, të cilët e përdorën bashkëpunimin e ballistëve me gjermanët për të fituar kapital politik tek shqiptarët, të cilët e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë po ndodhte realisht dhe se cilat ishin rreziqet e kësaj lufte vëllavrasëse të pakuptimtë. Kështu u ndez edhe më me forcë lufta civile.

Kjo strategji për të përdorur gjermanët rezultoi fatale për Ballin, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Pas goditjeve të rënda që mori ushtria partizane nga gjermanët në dimrin e viteve 1943-44, ajo u rigjallërua sërish në verën e vitit 1944, kur tashmë dukej qartë se makina ushtarake gjermane po shkonte drejt shthurjes e shkatërrimit. Me një propagandë të fuqishme komunistët arritën të diskreditonin ballistët si bashkëpunëtor të pushtuesit, si tradhtarë, duke fshehur me mjeshtëri provokimin dhe inicimin e luftës civile prej tyre.

Gjatë periudhës nëntor 1943 - verë 1944, shumë nacionalistë të tjerë me influencë në krahinat e veçanta vijonin të shihnin si spektator të trembur dhe të hutuar këtë që po ndodhte. Disa të tjerë vijonin në administratën e qeverive që vepronin nën kontrollin gjerman, duke u bërë shërbime të çmuara shqiptarëve, por edhe duke marrë pjesë në goditjet kundër forcave komuniste. Kishte një grup nacionalistësh, si Bajraktari, Kryezinjtë etj. që vijonin aksionet kundër gjermanëve, pa kuptuar se çfarë i priste. Zogistët brenda në Shqipëri gjithashtu ishin në pritje e në pozita apatie. Ahmet Zogu në ato pak raste kur mundi të komunikonte me pasuesit e tij brenda vendit, bëri thirrje që të shmangej me çdo kusht lufta civile dhe të arrihej bashkimi, duke nënvizuar rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Por situata kishte agravuar dhe pajtimi ishte i pamundur, ndërsa komunistët ishin të vendosur t'i shkonin luftës civile deri në fund dhe të merrnin pushtetin me dhunë.

Nacionalistët irredentistë në territoret e liruara vijonin aleancën me gjermanët për t'i bërë ballë si komunistëve sllavë, ashtu dhe çetnikëve nacionalistë. Më vonë, në fundin e vitit 1944, ata do të goditeshin edhe nga vëllezërit e tyre që vinin nga Shqipëria dhe me këto akte që presin ndriçim e dokumentim të mëtejshëm, episodet e luftës civile po shtriheshin edhe në Kosovë.

Pas fillimit të konfliktit civil, pjesa e komunistëve nacionalistë brenda PKSh dhe ushtrisë partizane ose e "çlirimistëve", siç i cilësonin me ironi emisarët jugosllavë, u fashit dhe u shtyp.

Kështu projekti jugosllav për të nxitur konfliktin civil në Shqipëri kishte triumfuar. Kjo ishte një arritje madhore për ta dhe një disfatë e rëndë për interesat shqiptare.
Kur grupet nacionaliste arritën më në fund të bashkoheshin në verë-vjeshtën e vitit 1944, ishte tepër vonë. Forcat partizane, që kishin përfituar kapital politik dhe mbështetje ushtarake të rëndësishme britanike, ishin bërë të papërballueshme. Fundi i hidhur i nacionalistëve ishte pranë dhe drama e popullit shqiptar që po i nënshtrohej një diktature të egër komuniste sapo kishte filluar.
BEQIR META


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REPRESIONI BULLGAR - LETËRKËMBIMI PËR LIRIMIN E 16 SHQIPTARËVENga VELI HAKLAJ (11.19.2014)
ÇLIRIMI I TIRANËS ÇLIROI SHQIPËRINËNga RRAHMAN PARLLAKU (11.18.2014)
BLEDION GASHI KËRKON NDIHMË (11.16.2014)
PIKA KU NDAHET JETA IME SI PIKTOR DHE JETA IME SI POLITIKANNga EDI RAMA (11.16.2014)
EUROPIANIZIMI I BALLKANIT PËRMES TIRANË-BEOGRADITNga ILIR KALEMAJ (11.14.2014)
Nga blloku i shënimeve:PRESHEVË: ATDHETARIZËM, ETJE PËR ARSIM E KULTURË SHQIPTARE…Nga MURAT GECAJ (11.14.2014)
PËR HAJR DASMAT NGA ATDHEUFotoreportazh nga ZEQIR LUSHAJ (11.10.2014)
BASHKIM ZENELI - MARRËDHËNIET ME FQINJËT, MË MIRË HAPA TË VEGJËL SE FJALË TË MËDHA (Intervistë)Zeneli: Ka shumë eufori në Ministrinë e Jashtme (11.10.2014)
'BESOJ SE RAMA ËSHTË I ÇLIRUAR FEVZI!'Nga YLLI DYLGJERI (11.09.2014)
LUFTA DHE KOMUNIZMINga FATOS TARIFA (11.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]