E Djelë, 12.08.2019, 06:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
DO TË NA MUNGOSH, PETRIT I BUSHATLLINJVE
Nga DRITAN HILA

E Hënë, 11.24.2014, 09:23am (GMT+1)




Petrit Bushati

Tashmë që je larguar nga kjo jetë, shumë fjalë që do të kishin vlerë në të gjallë, nuk e kanë më. Ka qenë dëshira ime të shkruaja diçka për ty si profesionist, por nuk ndodhi se për miqtë është e vështirë, ndërsa diplomacia është diçka që sot pakkujt i intereson.

Siç thoshe, “është koha e zogjve të internetit”. Qënia jote një herë diplomat, një herë përfaqësues yni në Stamboll dhe katër herë ambasador, tashmë është vetëm statistikë. Statistikë që prej teje trajtohej me shpërfillje princërish. Qënia negociator për futjen e Shqipërisë në KSBE-në e dikurshme, si hap i parë i hapjes së vendit që po linte pas izolimin e llahtarshëm, do të jetë fakt për të paktët rishtarë të fushës që aspirojnë zanatin tënd. Ashtu siç qënia ambasador në SHBA në kohën e luftës së Kosovës dhe mbrojtja e ethshme e krahinës nga kishe gjysmën e gjakut në zyrat dhe studiot televizive të idolëve të ekranit amerikan, do të jetë punë studiuesish që do të botohen në pak kopje librash, që akoma më pak shqiptarë do t’i lexojnë. Pasi tashmë një grusht njerëzish kanë mbetur me pasionin e leximit siç e kishe ti, pasion që të kishte lëmuar një narrativë ngërthyese. Narrativë që na shtynte bashkë me Zhupën të luteshim ta ktheje në gërma. Por ky rast humbi dhe bashkë me ikjen tënde pa kthim, vetëm ne pak miqtë e tu, e dimë se ka ikur një talent i madh në potencë i letrave. Pasi ajo që njerëzit nuk dinë, është ajo që unë dhe Iliriani dimë: talentin tënd të jashtëzakonshëm, shijen e hollë, fantazinë e ndezur, shqipen e përpunuar, koloritin e fjalës dhe frazës, për të rrëfyer ngjarje apo riprodhuar skena. Dhe me atë talent që kishe, nëse i hidhje në letër, me siguri do të rritej numri i dashnorëve të librit në këtë vend që e doje aq shumë. Këtë vend që kush punon në ministrinë tënde, kërkon ta përdorë si trampolinë për ta lënë një orë e më parë, ndërsa ti ishe që thoshe se “nuk e ndërroje me asnjë e nuk do të kishe ikur asnjëherë jashtë, nëse rrogën do ta kishe pak më të lartë në atdhe”.

Asnjë mik, sado i çmuar qoftë për shkruesin, nuk ka të drejtë të marrë kohën e lexuesit. Nuk është etike profesionalisht. Edhe pse të shtunën e fundit ky vend ka humbur një nga zyrtarët më të mirë të tij, nuk mjafton që të marrësh rreshtat e gazetës. Ikja e një prej njerëzve më të kulturuar të këtij vendi, kjo është arsyeja që më shtyn të kërkoj një çast vëmendje. Pasi deri më sot, ende nuk kam njohur përpirës librash më të madh, me shije të hollë dhe analizë elegante. Do më mungojnë rekomandimet e tua për autorë nga Afrika, Japonia, Kina, India. Pasi letërsinë kontinentale dhe amerikane e kishe ezauruar me kohë. Letërsi që të kishte bërë një nga njerëzit më të rafinuar të Tiranës. Do të na mungojnë bisedat treshe për kulturën dhe rrokopujën që po merr ajo në Shqipëri; femrën si subjekt bisedash, objekt dëshire, formë sublime e artit të natyrës, ngacmuese e gjallë e filozofisë së jetës; politikën dhe deformimin e saj kur e aplikojnë shqiptarët, sensin perëndimor të gjykimit, bezdinë intelektuale që kishe ndaj vulgaritetit dhe tolerancën tipike shkodrane ndaj ekstremizmit. Do të na mungojë hedonizmi yt i matur dhe individualizmi i këndshëm, që të bënin një bashkëbisedues aristokrat.

Siç shpesh e kishim thënë i dashur mik, kjo botë e ka lezetin te ndërrimi i brezave dhe mbyllja e cikleve. E padrejta ishte se e le herët. Aq më shumë që njerëz si ty lënë një boshllëk që nuk zëvendësohet. Do t’i mungosh profesionit, fëmijëve, shokëve. Tirana është më e varfër pa ty. Dhe ai dreq ateizmi që na është edukuar, nuk na lë të besojmë në botën e përtejme. E cila botë edhe në përfytyrimet më dashamirëse të besimtarëve, pa libra për t’u lexuar, tavolina miqsh, e femra për të fantazuar duhet të jetë e mërzitshme për tipat tanë. Megjithatë… megjithatë, meqenëse intelektuali e ka gjithmonë privilegjin e dyshimit, nëse bota e përtejme ekziston dhe nuk është ashtu siç e kemi menduar, hidh një sy ku janë tavernat ku mund të pimë një gotë dhe filozofojmë. Që kur të vijë radha ime dhe e Zhupës, pasi të çmallemi me të dashurit tanë, mos të humbasim kohë duke bredhur qiejve, por të fillojmë bisedat aty ku i lamë. E nëse parajsa është aq e thatë siç na ka rezultuar në momentet e analizave tona racionale, bëje një bisedë me Shën Pjetrin, që herë pas here të na japë leje të kthehemi në tokë, sa për të kujtuar kohët e para. Kam bindjen se do ia dalësh. Jo më kot ke qenë diplomati me më shumë yje që ka pasur Shqipëria. Deri atëherë, mirupafshim. Nëse pas vdekjes vjen hiçi, atëherë lamtumirë miku im. Do të na mungosh.
DRITAN HILA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'LEK I VJETËR, LEK I RI' - IMAZH A LOJË ME VETEN?Nga BIB LLUSKU (11.23.2014)
NACIONALIZMI SHQIPTAR GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORENga akademik BEQIR META (11.22.2014)
REPRESIONI BULLGAR - LETËRKËMBIMI PËR LIRIMIN E 16 SHQIPTARËVENga VELI HAKLAJ (11.19.2014)
ÇLIRIMI I TIRANËS ÇLIROI SHQIPËRINËNga RRAHMAN PARLLAKU (11.18.2014)
BLEDION GASHI KËRKON NDIHMË (11.16.2014)
PIKA KU NDAHET JETA IME SI PIKTOR DHE JETA IME SI POLITIKANNga EDI RAMA (11.16.2014)
EUROPIANIZIMI I BALLKANIT PËRMES TIRANË-BEOGRADITNga ILIR KALEMAJ (11.14.2014)
Nga blloku i shënimeve:PRESHEVË: ATDHETARIZËM, ETJE PËR ARSIM E KULTURË SHQIPTARE…Nga MURAT GECAJ (11.14.2014)
PËR HAJR DASMAT NGA ATDHEUFotoreportazh nga ZEQIR LUSHAJ (11.10.2014)
BASHKIM ZENELI - MARRËDHËNIET ME FQINJËT, MË MIRË HAPA TË VEGJËL SE FJALË TË MËDHA (Intervistë)Zeneli: Ka shumë eufori në Ministrinë e Jashtme (11.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]