E Martë, 11.12.2019, 07:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
FËMIJËT JANË VAZHDIMI YNË, E ARDHMJA E VENDIT
Nga FRAN GJOKA

E Shtunë, 03.14.2015, 03:54pm (GMT+1)


Jeta në shkollë rrjedh dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e dijeve,  herë-herë ndodh diçka që qortohet nga mësuesit. Disa nga nxënësit vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë kanë ardhur pa bërë detyrat ose kanë  harruar fletoret në shtëpi, dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë orës së mësimit hedh vështrimin ëndrrimtar nga dritarja, dikush godet me një shuk letre shokun në krah të tij, dikush tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e sportistit apo këngëtarit të famshëm që ka për zemër etj.

Pas mësimit, këta nxënës adoleshentë, gjithnjë të zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë pakëz, të argëtohen, të bëjnë edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por, diku ndodh edhe ndonjë grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë, që nis si me shaka dhe shndërrohet padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm. Madje, ndonjëri, nga jashtë oborrit të shkollës, kërkon të bëj të fortin dhe, ai dëshiron të dallohet nga të tjerët, të jetë ndryshe dhe origjinal në mendimet, fjalët dhe veprimet e tij. Ai  kërkon të zbulojë  rrugët që i duken të drejta për të qenë sa më interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve drejt tij.

Pa këto zhurma të hareshme nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve. Nëse do t`i kthehemi realiteteve të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo note, është një adoleshent me botën e tij shpirtërore në formim, i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për veten e tij thotë se “i di të gjitha dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndjen indiferentizëm ndaj tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk di se ç`të bëjë, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh, për adoleshentët, një ditë nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj tjetër:  “Ah, gjithnjë të njëjtat gjëra! Sa e mërzitshme është kjo jetë!”

Nxënësit adoleshentë fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen në vetvete, bien në pesimizëm e, gjer në dëshpërim të thellë. Dhe ky është çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje, duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq si “gjarpër i keq”.

Lexo po deshe hartimet e çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta  të  jetës. Nuk them se këta adoleshentë duhet të mbahen për dore. Jo. Këtë ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante dhe të rënduar psikologjike. Ata duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen hedhur në veprim.

Në shkollë është vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të nxiten ëndrra të bukura, është vendi ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit, ku ai orientohet drejt së bukurës dhe së mirës, së drejtës dhe progresives.

Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe parësor në ndryshimin e gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë. Është forca e arsimit dhe  e kulturës që shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i kundërvihet së keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga dhuna dhe arbitrariteti…

Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur nivelin e punës  së saj, shkolla të përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë  të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare … E përbashkët është se, të gjithë kemi qenë dikur nxënës dhe si të tillë nëpër vite bëjmë vlerësime dhe shfaqim opinione për mësuesit tanë. Ata qëndrojnë në mendimet dhe përfytyrimet tona si njerëz të afërt, kujtimet për ta na bëjnë që të ndjehemi mirë, na bëjnë që të na vërshojnë emocione dhe mbresa të shumta, teksa malli dhe buzagazi na rrëshqet ëmbël në fytyrat dhe në sytë tanë.

Nuk e di pse ndodh kjo me mësuesit? Mbase, sepse të gjithë kemi marrë diçka prej tyre në formimin tonë, në shprehitë dhe zakonet tona, diçka që fillon që nga mënyra se si përshëndetemi, sesi respektojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe jetën, nga mënyra se si nisim dhe zhvillojmë një bisedë, si zgjidhim një problem, si  futemi në botën e mrekullueshme dhe të mistershme të dijes…

Janë mësuesit të parët  që kapin prirjet e nxënësve dhe kujdesen vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej. Se talenti nuk zhvillohet vetvetiu, por  kërkon një mjedis përkrahës ashtu si fara, e cila, që të shndërrohet në bimë, kërkon kushte të caktuara klimateriko-tokësore, kërkon shërbim, ngrohtësi e përkujdesje. Dhe jo vetëm muaji i letërsisë, por edhe çdo orë tjetër e mësimit duhet të bëhen nxitje për ata nxënës, të cilët shfaqin prirje dhe ide krijuese. Të vihen në lëvizje energjitë krijuese të adoleshentëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të strukura brenda tyre, ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në to: -Hej, djalosh, zgjohu! Mos fli gjumë! Jeta është e bukur, shiko, hap sytë, hidhu edhe ti në vrullet dhe dallgët e jetës, lëviz, përpiqu, mundohu, përleshu me të keqen, kapërce majën dhe ec përpara, vazhdo ngjitjen , ke maja të tjera përpara për të kaluar. Tek përballimi i këtyre vështirësive, te kapërcimi i tyre qëndron  bukuria e jetës.

Kështu,  aftësitë, talentet e  adoleshentëve nuk kalojnë si hije, pa u ndjerë dhe pa u vënë re, pa mundur  të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre…Këtu , mësuesi është kultivuesi, është regjisori më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet, ku mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të marrë vlerë dhe kuptim.

Natyrisht jo paternalizëm, jo diktim i ideve, por nxitje, krijim i një atmosfere dhe kushteve të përshtatshme që adoleshentët të zgjedhin vetë më të mirën, më interesanten dhe më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre nuk mund t`u mohohet zhvillimi i natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë” fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim, nuk  duhet t`u diktohet se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve…

Ata duhen nxitur, duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të mendimit  të mençur. Në kujtesën e nxënësve mbahet mend mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi horizonte të reja për një drejtim të caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që ata mbanin të fshehur në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i dedikojnë mësuesit të tyre  deri edhe të ardhmen…

Ja sesi si shprehet një nxënëse për mësuesin e saj të letërsisë: ”Të zhvillosh orën e mësimit të letërsisë, do të thotë të udhëtosh në botën e rikrijuar nga ne me petkun e fantazisë .Të fluturosh në lartësitë më të mëdha marramëndëse, të jeshë i lumtur, të ndjesh freskinë e ujrave të lumenjve, të luleve të bukura e të kapesh realen.

Nuk është vetëm një ëndërr,është   thjeshtë një orë e nxitur  nga mësuesi, që shfrytëzon thellësitë e moshës sonë për të na strukur në gjirin e letërsisë e në tërë suktat e fshehta të mrekullueshme të saj. Dhe, të gjitha këto, do të doja t’i mblidhja, t’i lidhja në fjongo dhe t’ia dhuroja mësuesit tim.

Dhe në qëndër ka qenë dhe mbetet figura e nderuar e mësuesit, e këtij udhërrëfyesi të shkëlqyer të dijes dhe përparimit. Prandaj dhe mësuesi mbetet gjatë gjithë jetës i fiksuar në mëndjen dhe kujtesën e nxënësve.

Me aftësi, takt e durim, mësuesit dinë t’i marrin fëmijët e nxënësit e tyre ashtu si janë dhe punojnë pa rreshtur e pa u lodhur  për skalitjen e mendjes së tyre, për pajisjen me dije të thella mbi botën dhe shoqërinë njerëzore.

Mësuesit ndihen të nderuar dhe të obliguar kur drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre për problemet që i preokupojnë.

Ndaj shkollës jemi të ndjeshëm dhe i detyrohemi të gjithë, prandaj t’i afrohemi shkollës, jo vetëm kur na therret drejtori apo mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës, rrezikohet të përjashtohet për shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje sa herë që shkolla ka probleme dhe gjëra për të zgjidhur.

Sikurse, drejtoria e shkollës, mësuesit i kanë të gjitha hapsirat e nevojshme që t’u drejtohen hapur dhe pa droje  prindërve të nxënësve, specialistëve, njerëzve të artit e të kulturës, biznesmenëve.

Ata ndihen të nderuar dhe të obliguar kur drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre. Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët, të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shumë mësues kanë qenë të suksesshëm që me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë, kanë arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe dëshira tek nxënësit.

Ata mësues human e zemërgjërë, që u qëndrojnë pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve të tyre,  që zbulojnë prirjet dhe ndihmojnë të motivojnë jetën e nxënësve, që “mjekojnë” gjendjen e tyre stresante dhe zgjojnë shpresa dhe besime të reja.

Shkurt, duke ndihmuar shkollën dhe mësuesit, ndihmohen fëmijët dhe të rinjtë, që janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit. Prandaj kjo e ardhme duhet parë me seriozitet nga të gjithë aktorët dhe faktorët socialë, institucionalë dhe familja. Nuk mund të ketë arritje pa bashkëpunime të këtij trinomi, nga ku “farkëtohet” i riu dhe krijohet vizioni për nesër.
Dikush ka thënë se jeta është një nga mësuesit më të këqinj, por njëkohësisht më të mëdhenj! Jeta të mëson si të mos digjesh, pasi je djegur. Prandaj është detyrë e secilit prej nesh që të mos i lëmë fëmijët tanë “të digjen”, kur pasojat nuk do të jenë vetëm të atyre dhe vetëm për ata, por për të gjithë ne, për shoqërinë e së nesërmes.

FRAN GJOKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRAGMATIZMI DHE VIZIONI I RI I HASHIM THAÇIT NË DIPLOMACINË OSE POLITIKËN E JASHTME KOSOVARENga AGRON SHABANI (03.13.2015)
ELHAIDA DANI - ME STIL ROK NË EUROSONG (03.13.2015)
FRAN GJOKA, 40 VJET MËSUES DHE GAZETARNga KADRI TARELLI (03.12.2015)
DOKTOR RIFAT FRASHËRI - ATDHETARI I MADH DHE SHKENCËTARI I MADH I MJEKËSISË (03.09.2015)
HARTA E PËRHAPJES SË SHQIPTARËVE NË TURQI (03.09.2015)
Dr NASER RUGOVA - JAM INSTITUCIONALIST DHE RESPEKTOJ VOTËN E LIRË, PRES QË DREJTËSIA TË VIHET NË VEND (03.08.2015)
FESTA E MËSUESIT, ME LULE DHE LIBRA…(Veprimtari e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë)Nga prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm i SHASH (03.07.2015)
ETIKA DHE NDËRGJEGJIA SHTETËRORE DHE NACIONALE NË UDHËKRYQE TË NDRYSHME OSE BARAZPESHË-Apo, çfarë (çka ) po ndodh në Kosovë?!Nga AGRON SHABANI (03.06.2015)
HULLIJA E KAMERËS  DHE DASHURIA NDAJ PROFESIONITRemzije Ferati – Isufi – Autore dhe skenariste Fotoreportazh nga TAHIR BEZHANI (03.05.2015)
LETËR SHTËPISË SË LIRISË SHQIPTARO-AMERIKANEPRANONI NJË FALËNDERIM TË TRISHTË TIMINNga VISAR ZHITI (03.03.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]