VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË PËRKRAHJE TË SHKRIMTARES DHE PUBLICISTES SË SHQUAR VILHELME VRANARI HAXHIRAJ
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Hënë, 04.27.2015, 06:42am (GMT1)


E nderuar dhe e respektuar Zonja Vilhelme,
Analizën tuaj të kushteve të lindjes dhe të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri, të botuar më 19 prill 2015 në faqen internetike “Fjala e Lirë”, e lexova me shumë vëmendje. Ajo është një analizë e argumentuar me gjuhën e fakteve tronditëse. Për mendimin tim, në Shqipëri nuk është vendosur demokracia, si në të gjitha vendet e Evropës Lindore, sidomos në Poloni dhe në Çeki, përjashtuar Rusinë, ku fjala demokraci nuk dihet se ku bie me adresë. Në vendin tonë, moj e Nderuar Zonjë, është vendosur demoanarshia dhe ajo, sipas të gjitha gjasave, është shtruar rehat për të ndenjur gjatë. Sepse klasa politike e Tiranës i ka siguruar me kohë “shtrojat dhe mbulojat” për të mos u shkulur kurrë nga pushteti. Sepse ajo është e bindur që populli shqiptar, jo vetëm brenda Shqipërisë Londineze, por edhe në mbarë trojet tona etnike, nuk e ka aftësinë e vetorganizimit. A nuk mjaftojnë telenovelat që ka organizuar klasa politike e Tiranës vetëm gjatë një viti, duke filluar nga rrëzimi i avionit në Divjakë, vrasja e Santos, rrahja e deputetit në parlament, komedia me Artur Bitrajn për vjedhjen e Bankës (se për kthimin e parave në Bankë as që e çajnë kokën fare organet e drejtësisë), komedia me ish-guvernatorin Fullani, tragjikomeditë me Doshin dhe me Frrokun, që populli shqiptar të ngrihej peshë më këmbë dhe t'i drejtohej selisë së parlamentit me thirrjen:
“Shporruni nga ajo sallë se duam që deputët t’i zgjedhë vetë populli, jo t’ia diktojë popullit kryetari i partisë, si në kohën e Enverit!”.
Pastaj, populli i vetorganizuar, mu para parlamentit, të digjte në mënyrë demonstrative Kodin Zgjedhor dhe të kërkonte hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, sipas dëshirës së popullit. Por populli shqiptar nuk ka aftësi vetorganizuese, prandaj edhe klasa politike e Tiranës do të thinjet në pushtet deri në pleqërinë e thellë, duke ua lënë pushtetin si trashëgimi pinjollëve të vet. Prandaj demoanarshia në Shqipëri është kopje e demoanarshisë në Rusi. Klasa politike e Tiranës është plotësisht e bindur për paaftësinë e popullit shqiptar për t’u vetorganizuar, prandaj edhe vazhdon ta mbajë në Tiranë Janullatosin, njeriun e shovinizmit grekokaragjoz, të armikut të regjur të kombit shqiptar. Se po ta kishte aftësinë e vetorganizimit populli shqiptar, do të ishte ngritur me kohë më këmbë dhe të kërkonte largimin e Janullatosit nga Shqipëria dhe rivendosjen e autoritetit të Fan Nolit dhe të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, pavarësinë e të cilës ai, si përfaqësues i mbarë kombit shqiptar, jo vetëm i ortodoksve shqiptarë, e pati themeluar në bashkëpunim të ngushtë me Mbretin Ahmet Zogu dhe me korifenj të tjerë të ortodoksisë shqiptare.

Me shumë respekt ndaj jush, Zonjë e Nderuar.
Eshref Ymeri

Charlotte, Karolina e Veriut
20 prill 2015

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.