VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HISTORIANI BEQIR META ZBARDH NJË TJETËR NGJARJE QË E IMPLIKON DREJTPËRDREJT UDHËHEQJEN KOMUNISTE

Shteti komunist nuk veproi për pengimin e Masakrës së Tivarit


E Djelë, 10.17.2010, 04:44pm (GMT1)

"Shteti shqiptar i kohës ishte në dijeni të ngjarjes që më pas do të etiketohej si Masakra e Tivarit, dhe nuk bëri asnjë gjë për të penguar këtë masakër të tmerrshme që u krye ndaj njerëzve të pafajshëm", tha sot në një intervistë drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta. 65 vjet pas Masakrës së Tivarit, kur mijëra rekrutë shqiptarë nga Kosova u vranë në Tivar të Malit të Zi, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në 31 mars 1945, autoritetet shqiptare kanë nisur një hetim parlamentar për të zbardhur përgjegjësinë e regjimit komunist të kohës si bashkëpunëtor në këtë masakër. Për historianin Beqir Meta "kjo është një masakër që u krye dhe u projektua nga forcat jugosllave dhe përgjegjësia e krimit sigurisht mbetet tek komunistët jugosllavë, ushtria dhe organet e sigurimit të Jugosllavisë". Por sipas tij, "fatkeqësia është se qeveria shqiptare e asaj kohe ishte në dijeni të ngjarjes, pasi ata kaluan në territorin shqiptar dhe nuk bëri asnjë gjë për të penguar këtë masakër të tmerrshme".

I pyetur nëse autoritetet shqiptare të kohës kanë bashkëpunuar në këtë ngjarje, Meta thotë se, informacionet historike dokumentojnë se regjimi komunist ka qenë në dijeni, dhe sipas tij, "dijenia përbën bashkëpunim, kur kalon brenda territorit tënd politik". "Ata kaluan në territorin politik të Shqipërisë, sigurisht me lejen dhe miratimin e qeverisë shqiptare dhe shkuan deri te ekzekutimi, për të cilën sërish qeveria e kohës ishte në dijeni të plotë. Ky është akti i bashkëpunimit si rezultat i nënshtrimit politik ndaj udhëheqjes komuniste jugosllave", tha Meta. Shteti shqiptar i kohës, sipas Metës, "jo vetëm që nuk është interesuar për zbardhjen e ngjarjes, por e ka mbuluar me këmbëngulje, sepse i binte një përgjegjësi e madhe". Ndërkohë, Meta informoi se ka edhe shumë fakte dhe dokumenta të tjera, ku provohet se forcat shqiptare në Jugosllavi janë angazhuar në një lloj lufte civile me shqiptarët përtej kufijve. Sipas tij, "forcat partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, në etiketën e luftës kundër reaksionit, janë angazhuar, duke 'pastruar' terrenin që forcat serbe të bënin riokupimin dhe ripushtimin e Kosovës, në 1945".

"Ka dokumenta në arkivat shqiptare dhe do të ketë në të ardhmen studime shumë serioze edhe botime për këtë çështje. Ne tani mund të themi se ka ekzistuar ky fenomen, por se çfarë konkretisht, në çfarë datash dhe vende kanë ndodhur ngjarjet, këto do të dalin dhe do të vërtetohen me dokumenta", tha Meta. Ai informoi se, në kuadrin e botimit "Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të" do të zbardhet edhe kjo çështje, duke gjetur një zgjidhje shkencore. "Ne nuk duam që këtë çështje, që është tashmë çështje shkencore, ta kthejmë në një debat politik. Kjo është e rëndësishme, sepse institucionet tona janë institucione kërkimore", tha historiani Meta. I pyetur nëse këto dokumente do të vendosen në dispozicion të komisionit hetimor për zbardhjen e Masakrës së Tivarit, Meta tha se deri tani nuk ka asnjë lloj kërkese nga komisioni hetimor parlamentar. "Nëse do të ketë një kërkesë të tillë, ne do të japim informacionin e duhur dhe të kualifikuar shkencor, sigurisht në bazë të rregullave shtetërore dhe duke ruajtur natyrën dhe fizionominë kërkimore të Institutit, pa prekur lirinë akademike dhe parimet themelore në organizimin e këtyre institucioneve", tha Meta. Drejtori i Institutit të Historisë zbardh për ATSH-në një tjetër ngjarje makabre, ku sipas tij, "qeveria shqiptare ka qenë krejtësisht bashkëpunëtore dhe autore e krimit".

"Unë kam zbuluar një dokument tjetër në arkivin e Ministrisë së Jashtme, që nuk ka të bëjë me Masakrën e Tivarit. Në prill të vitit 1945, autoritetet shqiptare kanë mbledhur rreth 1 mijë kosovarë në Shqipërinë e Mesme, kryesisht në Tiranë, Durrës, Lushnje, Kavajë dhe i kanë dorëzuar ata te organet e UDB-së në Tiranë, në prill të 1945", tha Beqir Meta. Ai kujton se, ministër i Brendshëm në atë kohë ka qenë Haxhi Lleshi. Sipas Metës, "UDB-ja i ka marrë këta persona me pretendimin se do t'i çonte në Jugosllavi për t'u paraqitur para gjykatave jugosllave dhe i ka ekzekutuar në grupe brenda territorit shqiptar". Meta thekson se, "kjo ngjarje nuk ka të bëjë me Masakrën e Tivarit, por është një krim i rëndë që implikon drejtpërdrejtë udhëheqjen komuniste shqiptare të asaj kohe për ekzekutimin e 1 mijë viktimave". Hulumtimi dhe studimi i arkivave historike në të dy vendet, Shqipëri dhe Kosovë, dhe mbledhja e dëshmive nga të mbijetuarit e masakrës së Tivarit, pritet të hedhë dritë mbi të vërtetën e pazbuluar të kësaj ngjarje tronditëse, ku mendohet se, janë vrarë rreth 5000 persona, që u rekrutuan për t'u dërguar në luftime në frontet e Sremit (Vojvodinë) dhe në atë të Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë, në çastin kur nazistët ishin në tërheqje nga territori i ish-Jugosllavisë, në fund të Luftës së Dytë Botërore./Maela Marini

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.