VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SONDAZH PËR UDHËTIMIN PA VIZA TË SHQIPTARËVE
E Martë, 11.16.2010, 11:27am (GMT1)

Instituti EUNACAL publikoi në Tiranë një sondazh mbi prirjet e qytetarëve shqiptarë për udhëtimet pas viza në zonën Shengen. Studimi përfshiu rreth 2 mijë 500 persona të moshave, profesioneve dhe gjeografive të ndryshme, nga doli se numri i udhëtarëve shqiptarë do të dyfishohet me heqjen e vizave afatshkurtra, dhe se gjysma e tyre do të udhëtojnë për herë të parë në zonën Shengen.

Përfaqësuesi i Institutit EUNACAL, Alban Nelaj, thotë se rreth 90 për qind e personave të intervistuar mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është diçka pozitive, dhe se afro gjysma e tyre janë të pakënaqur nga ritmi i deritanishëm i procesit të anëtarësimit.

"Të rinjtë e grupmoshës 18 29 vjeç rezultojnë të jenë më të painformuarit mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit afatshkurtër pa viza. Banorët e zonave rurale janë më të painformuar mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit afatshkurtër pa viza" - tha zoti Nelaj.
Por cilat janë arësyet kryesore të udhëtimit të shqiptarëve tani që u hoqën viazat afatshkurtra. Të paktën në fazën e parë - sipas zotit Nelaj, - ata mendojnë për udhëtime familjare e turistike. "44 % e tyre do udhëtojnë për të takuar të afërmit, 34 % për turizëm, 9 % për biznes, 8 % per studime dhe 4 % për të kërkuar punë.

Ekziston një prirje e lehtë e të rinjve shqiptarë për të udhëtuar drejt vendeve të BE për të kërkuar punë dhe një prirje e fortë për t'u larguar nga Shqipëria në rast të sigurimit të punës në një nga vendet e BE. Kjo është më e theksuar për të rinjtë e zonave rurale" - tha zoti Nelaj.

Studimi zbuloi se shumica e shqiptarëve e shohin anëtarësimin në BE si një mënyrë që do të përmirësojë jetesën në Shqipëri dhe jo si një mundësi për shqiptarët që të largohen nga Shqipëria për të jetuar e punuar në një vend tjetër të BE. Qytetarët shqiptarë presin që qysh nga 15 dhjetori të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, por europianët paralajmëruan se regjimi i vizave mund të rikthehet, nëse këta udhëtarë do të abuzojnë sistematikisht duke kërkuar punë dhe azil politik. (http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.