VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ADEM DEMAÇI: VEPRAT E MIRA DUHET TË NDRIÇOHEN
E Mërkurë, 11.17.2010, 08:57am (GMT1)

Me rastin e tre vjetorit të vdekjes së shkrimtarit e publicistin Iljaz Prokshi, në Institutin Albanologjik në Prishtinë është mbajtur një akademi përkujtimore, me ç'rast shkrimtarë e studiues vlerësuan se me veprat e tij Prokshi ka zënë vend meritor në fushën e letërsisë.

Akademia përkujtimore është mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës nën kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi ka thënë se edhe pse në kushte të vështira duhet të vazhdohen përpjekjet për të ndriçuar veprat e krijuesve të mëdhenj, siç është Prokshi.

"Dëshira jonë është që të tregojmë edhe para të gjallëve se ata që lënë vepra të mira e të mbara pas vetës nuk do të harrohen, do të përkujtohen do të përkrahen edhe do të bëjmë përpjekje që vepra e tyre të ndriçohet gjithnjë e më tepër dhe të njihet gjithnjë më tepër", është shprehur Demaçi.

Ndërkaq kritiku letrar,prof.dr. Shyqeri Galica, e ka vlerësuar lartë veprën eprof.Iljaz Prokshit, duke thënë se Prokshi si poet, prozator e publicist, do të mbetet emër i veçantë në letërsinë e sotme shqipe.

"Edhe pse herët u nda nga jeta, vepra e tij jetësore dhe krijuese do të zërë vend meritor në fondin e letërsisë shqipe, duke u veçuar me prirjen, artikulimin dhe trajtimin e shumanshëm të temave, ku vend qendror pa dyshim zë tema e atdhedashurisë, të cilën e ka shkruar me përkushtimin më të madh krijues", ka thënë prof.dr.Shyqri Galica.

Ndërsa shkrimtari Prof.dr.Emin Kabashi, ka thënë se vdekja i gjen të gjithë njerëzit, por vdekja e krijuesit edhe hap një varg dilemash interesante, jo vetëm në jetën shpirtërore, por në jetën kulturore të të gjithë popujve historikë.

"Për çudi, edhe tri vjet pas ikjes së tij nga jeta e të gjallëve, ai është me poezinë e tij", është shprehur Kabashi.

Ndërkaq, aktorët, Blerta Deliaj dhe Veton Osmani kanë lexuar disa nga poezitë e Iljaz Prokshit.

Iljaz Prokshi, ka lindur në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949, ndërsa vdiq më 28 prill 2007. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta. Më vonë punësohet në gazetën Kosova të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, në fillim si gazetar, e më vonë si redaktor përgjegjës i kësaj gazete. Një kohë të gjatë bashkëpunoi si gazetar edhe me disa gazeta shqipe që dilnin jashtë Kosovës, si Top Kultura, Spektri në Zvicër, Trojet tona në Nju Jork, etj.

Prokshi ka botuar vëllimet poetike, "Pikë e bardhë ëndrre", "Satana në ferr", "Fytyrë në pergamenë", "Psalm arbëror", si dhe shumë vëllime të tjera. Ka botuar, po ashtu edhe përmbledhjet e tregimeve, si "Libri i kujtimeve", "Daullet e natës", "Vdekja në ëndërr", "Magjia e mjegullës", "Vajza e trëndafilave" e të tjera. Gjithashtu ka të botuar edhe romanët, "Fundi i zemërimit", (Për këtë roman, autorit iu dha çmimi letrar si romani më i mirë i vitit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më 1997), "Dashuri në labirint", 2001 . Ka të përgatitur për shtyp edhe dy romane, një libër me kritika dhe ese letrare, si dhe shumë shkrime publicistike./Flori Bruqi

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.