E Shtunë, 04.20.2024, 07:23am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

DËSHMIA E SË VËRTETËS

Nga At ZEF PLLUMI


E Mërkurë, 11.17.2010, 09:33am (GMT+1)


E nderta Zojushe Ebi Spahiu,
Dje më ra në dorë letra e Juej. Sot provova të dy numrat e telefonit por nuk përgjegji asnjani, sigurisht që orari Shkodër-Pekin asht tepër ndryshe. Letra e Juej më dha shumë knaqësi sepse ktu në Shqipni nuk e dij se më permendë kush, por u gëzova kur mora vesht se më kujton dikush në Pekin të Kinës e jo në Peqin të Fierit.
Ndigjo vajzë, nipçe: sot jam tetdhetë vjeç e kët letër temen ruje si dishmi historike. Ti më pëvetë për çashtjen e mbylljes së kishave e xhamijave në Shqipni në vjetin 1967. E vërteta âsht kjo:
Enver Hoxha kryesonte një klikë ose grup terroristash gjakatarë e sadista, të cilët mueren pushtetin në Shqipni nën udhëzimet e Partisë Komuniste Jugosllave. Kët klikë e instruktojshin emisarët e asaj partie Miladin Popoviç si edhe Dushan Mugosha.


Aso kohe populli shqiptar ishte pothuej 90% analfabet. Shkollat as filloret nuk ishin të detyrueshme. Shkolla të mesme kishte Shkodra katër copë, Tirana dy e Korça nji (Lyceun Francez). Vendi ynë ishte blegtor kryesisht, me nji agrikolturë primitive. Intelektualët ishin të gjithë sa ishin të nivelit europjan sepse i kryejshin studimet ndër universitetet ma të mira të Europës. Industri pothuej nuk kishte fare, ndërsa tregtia merrej me eksportin e prodhimit blegtoral e importin e tekstileve dhe të mjeteve tjera për jetesë. Si rrjedhim i ksaj gjendje populli as nuk dijte se çka asht komunizmi, jo vetëm si ideologji por as si parti. Intelektualët e atëhershëm nuk e dojshin bolshevizmin e egër që po zhvillohej i izoluem në Rusi, megjithse të gjithë pa përjashtim ishin kundra gjendjes shoqnore primitive ose feudale të popullit shqiptar. Ndërkaq studentat e rij shqiptarë që po frekuentonin universitetet europjane, sidomos në Francë dhe Itali, atje u takuen jo vetëm me kto ide të reja, por edhe me grupe të ndryshme që legalisht ose ilegalisht funksiononin ndër ato vende. Franca ishte djepi i lirisë, ndërsa Italia drejtohej nga fashizmi diktatorial, i lindun si kundrapeshë shoqnore, ideologjike e politike karshi bolshevizmit sovjetik.
Me folë të drejtën, idealet e të gjithë njerzve të botës, gjatë shekujve, ishin ato utopiket të barazisë së drejtave dhe pasunive të gjithë njerzve. Dishira të mira, por praktikisht të parealizueshme. Revolucioni Francez me dhunë e terror mendoj me vû në jetë slloganin "Liberté, Égalité, Fratenité" por dështoi. Po n'atë rrugë e njoftuna "Komuna e Parisit", edhe ajo dështoi. Po të njajtat ide të reja të "Komunizmit internacjonal proletar", po me ato metoda veprimi, pra me dhunë e forcë pushtetit, filluen me qarkullue ndër të gjithë popujt europjanë.


Si shembull klasik i ksaj forme politike, që do ta çonte përpara njerzimin, paraqitej komunizmi sovjetik sikur të ishte ideologjia ma humanitare gjatë historisë.Në kët mënyrë kur inteligjencia e re shqiptare këthei nga Europa në Shqipninë e mbrapambetun, ajo ishte e infektueme në pjesën ma të madhe nga kto ideologji: nga dashunia për popullin e atdheun, mendonin se vetëm metoda e komunizmit sovjetik do të mund të lëvizte kët popull nga mbrapambetja. Në të vërtetë ata njihnin idealet e propagandën komuniste, por nuk dinin fare se cilat ishin metodat praktike të regjimit sovjetik komunist.
Kështu nga kjo inteligjencí e re shqiptare, u krijuan tri grupet kyesore komuniste në Shqipní: ai i Shkodrës me udhëheqës themeluesin Zef Malaj, ai i Korçës me themelues Koço Tashko dhe ai "i të rijve" me Sadik Premten. Kishte edhe nji tjetër "të zjarrit". Ma i madhi, ma i përhapuni në të gjithë vendin ishte "grupi i Shkodrës" që prej Shkodre e deri në Vlonë. Nuk kishte kurrnji lidhje ndërkombëtare. Zef Malaj ishte nji intelektual i formuem në Austri, i ndjekun nga qindra intelektualë tjerë, që kishin ndërgjegjësue grupe të mdha puntorësh artizanë e shegerta tregtarësh. Ky grup në letërsi u paraqit me Migjenin. Ndërsa grupi i Korçës, shum i vogël, u paraqit me revistën "Bota e Re" dhe me demonstratën e bukës. Thohej se "grupi i zjarrit" kishte lidhje me komunistat grekë, ndërsa ai i të rijve, tepër i vogël, kishte lidhje me atë të Shkodrës.
Organizimi i propagandës komuniste të grupit të Shkodrës ra ose u bâ i njoftun te shërbimi sekret i qeverisë e cila menjiherë shtini në burg pjesën kryesore drejtuese të këtij grupi, të cilve iu bâ gjyqi në Shkodër në vjetin 1938. U dënuen me burg.


Me ardhjen e okupacionit italian në 7 Prill 1939, të gjithë u liruen, por Zef Malaj kje dërgue n'internim në ishullin Ventottenne të Italisë. Shumë patriotë tjerë shqiptarë nacionalista kjenë nder kampe tjera të fashizmit.
Në vj. 1941 filloi lufta me Jugosllavinë. Qe ndër ditët e para hini në Shqipninë e Verit grupet nacionaliste shqiptare të kryesueme prej Abaz Kupit e Seit Kryeziut shoqnue nga Koloneli anglez Hill, ish instruktor i xhandarmërisë shqiptare. Nga Maqedonia këthyen në Shqipni vllazent Peza e tarafi i tyne.
Ushtritë gjermane përveç se shkatrruen Jugosllavinë, okupuen edhe Greqinë me të cilën ushtria italiane kishte pësue disfatën e madhe. Nga të gjithë patriotët u pa kjartë se okupacioni italian ishte tepër i ligshtë. Ndër operacionet që ushtria italiane zhvilloi në Mal të Zi, mbas shkatërrimit të Jugosllavisë, ia mbërriti me kapë nji antar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave shokun Miladin Popoviç të cilin e internoi në Gramsh të Elbasanit. Dushan Mugosha nëpërmjet Vasil Shantos ua kërkoi lirimin e tij komunistave shqiptarë, të cilët, qysh në Qershor-Korrik të vj. 1941, me rastin e mësymjes gjermane kundra Bashkimit Sovjetik, kishin fillue me u gjallnue. Në kët kohë Josif Broz Tito kishte organizue luftën partizane ndër malet e Bosnje-Hercegovinës e Malit të Zi.


Kështu komunistat shqiptarë Mustafa Gjinishi, Tuk Jakova, Vasil Shanto etj., ia dolën me e rrëmbye Miladin Popoviçin nga duerët e italianve dhe e mbajtën në ilegalitet, herë në Pezë të Tiranës e herë në Tiranë mbrendë. Peza u bâ baza kryesore e të gjithë luftarëve kundra okupacionit fashist. Mbas vrasjes të vllaut të vet, Babë Myslim Peza vazhdoi të drejtojë luftën kundra okupacionit, por tue përkrahë vetëm lëvizjen komuniste.
Miladin Popoviç e Dushan Mugosha ia duelën me i unifikue të gjitha grupet e ndryshme të Shqipnisë dhe formuen më datën 8 Nandor 1941 në Tiranë Partinë Komuniste të Shqipnisë e cila u vû në krye t'asaj që u thirr "Lëvizja Nacionalçlirimtare".
Lëvizja Nacionalçlirimtare përbahej nga elementa tjerë antifashistë e jokomunistë. Në të cilën muarën pjesë shumë intelektualë dhe tjerë që kundërshtonin okupacionin nën emnin e organizatës "Fronti Demokratik". Po në të njajtën kohë u themelue nga Mithat Frashëri partia Balli Kombëtar kundër okupacionit fashist italian. Dorzimi i ushtrive gjermane në Stalingrad (Vollgograd) dhe kapitullimi i Italisë në Shtator të vj. 1943, kjenë decizive në Luftën e Dytë Botnore, dhe u pa kjartë nga gjithkush se në cilin krah anonte fitorja. Tash e mbrapa të gjithë politikanët mendonin vetëm si të merrej pushteti e kush do ta përfaqsonte me fundin e luftës. Lëvizja Nacionalçlirimtare u shëndrrue në "Luftë Nacionalçlirimtare" dhe simbas instruksjoneve të Miladin Popoviçit, nuk pranoi asnji kompromis e bashkpunim me Partinë e Legalitetit të drejtueme nga Abaz Kupi, as me partinë Balli Kombëtar, megjithse në Mbledhjen e Mukjes dy delegatët e saj Mustafa Gjinishi e Ymer Dishnica kishin vû firmën për pranim. Lufta e quejtun Nacionalçlirimtare nuk ishte nji luftë aq e egër kundra nji okupatori i cili dihej tashma se do të ikte vetë, edhe pa e sulmue anash, sepse lufta po zhvillohej në kufijët e Gjermanisë. Lufta Nacionalçlirimtare u zhvillue kryesisht kundra Legalitetit dhe Ballit Kombëtar e të gjitha forcave tjera nacionaliste që u quejtën bashkëpuntorë me anmikun e trathtarë: pra kje nji luftë vllavrasëse për pushtet. Jo vetëm kjo luftë u zhvillue kundra partive tjera nacionaliste, por ajo ma tepër u tregue e pamëshirshme mbrenda vetë Luftës Nacionalçlirimtare e sidomos mbrenda vetë Partisë Komuniste.


Gjatë këtij vjeti, ose gjatë ksaj lufte iu pregatit kurthi për të "ra dëshmor" ose u eliminuen shumë nga krerët komunistë si Vasil Shanto, Vojo Kushi etj., etj., të cilët stolisin me bustet e veta sheshet e qyteteve tona. Të gjitha këto veprime u kryen nga grupi terrorist i Enver Hoxhës, që mos të ketë asnji rival tjetër në pushtetin që do të merrte. Ky grup hini triunfalisht në Tiranë më 28 Nandor 1944 i ardhun si Qeveri Provizore e Beratit. Ndërsa për me iu uniformue stemës së republikave federative jugosllave që kishin 29 Nandor 1944 u caktue hymja triunfale e ushtrive partizane në Shkodër, n'orën 10 paradite të 29 Nandorit 1944.
Kjo qeveri e Enver Hoxhës praktikisht drejtohej nga Beogradi, prandaj edhe u njoft shpejt nga të katër Aleatët e Mdhaj që dërguen përfaqsuesat e tyne në Tiranë.
Enver Hoxha sundoi Shqipninë deri në 11 prill 1985, pra plot 41 vjet. Ai nuk kje nji burrë shtetit që mendon për popullin e vet, por kje nji tiran mizor në popull e nji klloun i vërtetë në politikë: i vetmi qëllim i jetës së tij kje mbajtja e pushtetit me dhunë, se përndryshe ai nuk dinte fare. Nuk pat kurrnji vijë të caktueme politike, por kje nji shërbëtuer servil i atyne që e mprojshin në pushtetin e tij mizor.
Kështu që nga vj. 1944 deri në 1948 siç binte lodra në Beograd ashtu kërcente ai në Tiranë. Kur e pau se Tito donte të krijonte nji shtet normal dhe jo terrorist ai u lidh me Stalinin i cili kje dielli i jetës së tij. Vazhdoi kështu me atë avaz, që siç binte lodra në Moskë ashtu kërcente ai në Tiranë. Ai u bashkue me Kongresin e Njizetë që kritikonte kultin e individit të Stalinit edhe kur u çveshën nga pushteti nji nga nji të gjithë udhëheqsat e partive komuniste të Europës Lindore. Por kur Hrushovi mbërrijti në Tiranë në vj. 1958 dhe aty në aeroport të Rinasit, mbas prezantimit të autoriteteve shqiptare ai tha si me tallje: "Sikur të ishem në nji tjetër shtet e të paraqiteshin Hoxha, Shehu, Haxhia, Myftiu, me siguri do të hiqsha këpucët për me u falë në xhami, por tue e dijtë se jam në nji vend socialist, edhe se asht i vogël, do ta bëj nji kopshtë të lulzuem si shembull në botë." Kur i ndjeu kto fjalë, edhe pse të thanuna me tallje, Enveri e kuptoi se Hrushovi do të bante ç'ishte e mundun për ta rrxue nga pushteti. Prandej filluen divergjencat me Moskën tue vu marrdhanjet me Kinën e Madhe të Mao Ce Dunit.
Por Kina, jo vetëm q

ë ish tepër e madhe, por ishte shum ma e larmishme se Bashkimi Sovjetik. Nuk sundonte vetëm Mao Ce Duni, por ishin edhe Çu En Lai, Lin Shao Çi, e Ten Hsiao Pin. Paraqitej sikur secili prej tyne kish mbretninë e zonën e vet.
Me plakjen e Mao Ce Dunit duel në skenën kineze e bija e tij. Flitej se për nji flirt që ajo kish me nji emisar të Enver Hoxhës, Mao Ce Duni akordoi "kredinë e madhe kineze" me të cilën Shqipnia vuni bazat e saj të industrisë, panvarsisht se teknologjia ishte e vjetër. Ndërkaq, Kina pat nji bazë të sigurtë të Europë, si për propagandën ashtu edhe bazë ushtarake.
Në vj. 1965-66 në skenën politike kineze duel Lin Biao me Revolucionin Kultural. Natyrisht, që gjatë ksaj kohe siç binte lodra në Pekin ashtu kërcente edhe Enver Hoxha në Tiranë. Nji revolucion kultural duhej bâ edhe në Shqipni.
Çashtja e institucioneve fetare qëndronte kështu Në vj. 1946 filloi nji sulm i rrebtë kundra Kishës Katolike, u banë shumë akuza për bashkpunim me okupatorin si edhe për rrximin e pushtetit popullor me dhunë. U sajue e u ndërthur "gjetja e armëve të mshehura në kishë". Nën kto pretekste ndër vitet 1946-1947 e 1948 kleri katolik u zhduk me 2/3 e veta. U eliminue çdo institucion katolik dhe çdo veprimtari kulturore e sociale. Ajo 1/3 që mbeti u la për t'i thanë popullit se Pushteti Popullor ishte i drejtë, por në të vërtetë ata që mbetën ishin pleq, të sëmundë e të tremun e pa mjete jetese. Prandaj zhdukja e Kishës Katolike të Veriut ishte po thuej e kryeme.


Kur Enver Hoxha u takue me Stalinin, ai i tërhoq vrejtjen për kto veprime të paligjshme: "Kjo i shërben propagandës kapitaliste, prandaj duhet të bâjsh ligjin për lirinë e komuniteteve fetare; natyrisht nji ligj socialist shtërngues." Ligji u bâ dhe liria e besimit hini në Kushtetutë. Për çudi, në bazë të ktij ligji e të Kushtetutës, Kisha Katolike erdh e ringjall aq shumë sidomos me nji prestigj të pabesueshëm në popull aq sa ngjalli inadin e madh në mendjen e sëmundë të Enver Hoxhës. Prandej tue u pështetë te eksperjenca e Revolucionit Kultural të Lin Biaos, ai më dt. 6 shkurt 1967 bani nji fjalim doktrinal para Konferencës t'organizatave të Partisë së Tiranës ku çpalli: "Pse, a ligjet tona do të na pengojnë ne që të shkatrrojmë të gjitha zakonet mbrapanike e besimet e kota fetare?!"


Mbas ksaj çpallje pothuej në çdo rreth të vendit u krijuen "shtabet e Rinisë të Revolucionit Kultural", zakonisht të udhëhequna nga antarë të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipnisë. Nji valë e re tërbimi të papamë ndonjiherë përfshin të gjithë Shqipninë. Mbrenda nji muaji, jo vetëm Kisha Katolike, por edhe ajo Orthodokse e dy komunitete myslimane u shembën përfundimisht, minaret e xhamijave e kumbonaret e kishave tërhiqeshin nga traktorë të fuqishëm dhe rrxoheshin përdhé e vetëm ato që vendoste Shtabi u shëndrruen në tjetër përdorim. Për gjith vend thirreshin konferenca popullore ku njerzit e ndershëm u demaskojshin, u shajshin e kërcnoheshin, për gjith vend vendoseshin fletë-rrufetë të cilave u duhej dhanë përgjegja detyrimisht. Vetëm mbas nji muaji, kur ishte shkatrrue gjithçka, filluen të mblidhen kuvendet e popullit ku thohej se e gjith kjo punë nuk ishte e Partisë, por vullneti i rinisë e vullneti i popullit. Filluen n'ato kuvende me e skjarue popullin se nuk kishte Zot as fé se gjithshkafja ish kenë rrenë e mashtrim ose zakon mbrapanik i kotë e se tash e mbrapa të udhëhequn nga idealet e mësimet e Partisë do ta arrijshim jetën e lumtun që bjen socializmi Ajo jetë e lumtun nuk erdhi kurr, por erdh tue u bâ përditë e mâ e vështirë. Nipçe, as ktu nuk mbaron ajo perjudhë e zezë, që ma vonë përfshini sferat tjera të kulturës e jetës shqiptare. Nipçe, ti do ta dijsh se kam kalue njizetepesë vjet të jetës seme në burg e sidomos nga vj. 1974 e mbrapa, kur filloi e zhvillohej mbrenda grupit të bashkpuntorve të tij mâ të ngushtë, zhvillohej e ashpra luftë e trashigimit të pushtetit gjatë së cilës u elimunuen pa mëshirë nga njani tjetri Beqir Balluku e gjeneralat Koço Theodosi e Abdyl Këllezi, Hysni Kapo e Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu, të gjithë pa përjashtim antarë t'atij grupi terrorist që mbajti në pushtet Enver Hoxhën, derisa mbet i vetmi trashigimtar për vullnet të Nexhmijes, vetëm Ramiz Alia.


Gjatë kohës së burgut më ka ra me ndejë gjatë e me u rrfye në sekretin mâ të madh me bashkpuntorë tjerë të rangut të dytë, gjithmonë besnik e veprimtarë t'atij grupi terrorist, dhe ata vetë mi kanë tregue në imtësi psehin e të gjitha ngjarjeve që ndodhën, ashtu si ndodhën.
Për shembull, pse u prishën marrdhanjet aq të përzemërta me Kinën? Sa kje gjallë Mao Ce Duni këtu u shpërndanë "librat e kuq" e kokardot e tij. Mbas vdekjes së Maos hypi në fuqi Ten Hsiao Pin i cili me sa duket e si thohej në nji intervistë me nji gazetar përendimor që e pëveti për Enver Hoxhën çë mendonte, ai iu përgjegj se: për mendimin e tij ishte ma i madhi skllavopronar gjatë historisë së njerzimit. Prandej tirani shqiptar urdhënoi këputjen urgjente të gjitha marrdhanjeve me Kinën. Se si u paraqitën arsye tjera, ato të gjitha janë maskime.
Zojushe Ebi Spahiu, besoj se deri diku ta plotsova dishirin që mâ shfaqe në letrën tuej. Më fal se nuk asht shkrue bukur, mbasi jam keq me sy, sepse më ka mbetë vetëm 10% e pamjes normale.
Në rasë se ke me pasë tjera pëvetje, për sa dij mund t'i tregoj.
T'uroj suksese në studime e në jetë.

*Kuvendi Françeskan, Arra e Madhe, Shkodër-Shqipni

At ZEF PLLUMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ADEM DEMAÇI: VEPRAT E MIRA DUHET TË NDRIÇOHEN (11.17.2010)
KURBAN BAJRAMI FESTOHET NË MBARË HAPËSIRËN SHQIPTARE (11.17.2010)
Me akuzat e PDK-së do të merret drejtësia në Amerikë e Kosovë (11.16.2010)
SONDAZH PËR UDHËTIMIN PA VIZA TË SHQIPTARËVE (11.16.2010)
TRADITA E LIDERIT (11.16.2010)
MIRËSJELLJA E PARTIVE POLITIKE (11.16.2010)
LISTA PËR DEPUTETË E LDK-së (11.16.2010)
GAZETARJA E RTK MAJLINDA ALIU TRIUMFON NË GARË NDËRKOMBËTARE (11.16.2010)
PËR REGJISTRIMIN E TOKËS NË RIVIERËN SHQIPTARE... (11.15.2010)
Rexhepi: IsaMustafa ka privilegjuar klanin që “është në koalicion me PDK-në” (11.14.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]