VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Me rastin e 80 vjetorit të lindjesNË ELBASAN ME BEDRI DEDJENNga ALEKO LIKAJ

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 09:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes

NË ELBASAN ME BEDRI DEDJEN

Nga ALEKO LIKAJ


E Premte, 11.19.2010, 10:22am (GMT+1)

Nuk do ta kisha besuar kurrë, se ai takim në mesditën e 30 Qershorit të vitit 2001, në një lokal përballë Shtëpisë së Pionierit të Tiranës, do të ishte i fundit me profesor Bedriun. Nuk do të shiheshim më, edhe pse një vit më vonë kam marrë një letër emocionuese, këtë herë shumë larg nga Shqipëria. Së bashku me një kolegun tim gazetar në Tiranë, u gjetëm tek "Guva". Sa për të pirë një kafe. Një çast më vonë, ndjeva se dikush më preku në sup nga pas.U drodha nga befasia. Profesor Bedriu buzëqeshte një hap më tej. Në sy kishte një shkëlqim e gaz të pa fshehur, së bashku me një emocion që e bënte të dridhej paksa. Ishte ngritur nga një tavolinë pak metro më tej, ku gjerbonin kafe me mikun e tij më të mirë në Elbasan, shkrimtarin Astrit Bishqemi, që edhe ai u gjet në kryeqytet, në krah të profesorit. Dukej i dobësuar dhe i hequr në fytyrë, e paksa i krrusur nga pesha e viteve. Kaçurelat gjysëm të thinjura, i jepnin një hije tjetër portretit të tij të hequr në fytyrë, por që ende i a fshihnin moshën e vërtetë:

- Dua të të përqafoj e të uroj për romanin që më nise dy javë më parë. Bukur. Por edhe për lajmin që na solle i pari në shtëpinë tonë, nëpërmjet ekranit të televizionit, për Lantin, tim bir. Kam qenë me Pandorën, dhe të më besosh, që kemi derdhur lot. E bëtë deputet të Elbasanit. Kjo natyrisht që më gëzon e lumturon së tepërmi. Elbasani e tregoi edhe një herë dashurinë dhe rrespektin që ka patur për mua... U jam borxhlij deri në vdekje.

Aso kohe isha gazetar tek e përditshmja « Koha Jonë ». Ca ditë më parë ishin bërë zgjdhjet për në parlament. Natyrisht kam ndjekur gjithë prefekturën e Elbasanit, dhe më është dashur gjatë gjithë ditës, të jem herë pas here në transmetim direkt të televizionit "Koha" , që ishte e kompanisë "Koha Jonë" . Taulant Dedja, që kishte kandiduar edhe në lagjen ku banoja unë, në zonën 51, ishte nga të parët kandidatë që rezultonte në shifra fitues, ndërsa të tjerët, deri në mesnatë kanë qenë në diskutime midis dy kampesh të politikës shqiptare. Madje në atë mesnatë, "kundërshtari" i Lantit, një mjek i njohur infeksionist që përfaqsonte opozitën, dhe banonte tashmë në kryeqytet, sapo më kishte ndjekur në televizion, më telefonon duke më dërguar një lumë sharrjesh e ofendimesh me një fjalor që më bëri të trishtohem, edhe pse e kam konsideruar si mik dhe mjek shtëpie. Ai pretendonte se " ishte fituesi i garës ", madje edhe me një diferencë të lartë votash...

Ato ditë kishte dalë nga shtypi edhe romani im për fëmijë "Porta hapet në mesnatë ", me temë nga historia e sopotarëve dhe luftëtarëve të Gjorg Golemit. Kishte qenë më tepër një nxitje e vetë profesor Bedriut në fillim të vitit 80 të. Pastaj, ai kishte qëndruar në sirtarët e mij për shumë vite...për të pritur rradhën, dhe natyrisht, kohën që të impononte buxheti personal.

Shpesh kam patur konsulencën e këtij njeriu me zemër të madhe.

Profesor Bedri Dedjen, e kishin sjellë në Elbasan shumë vite më parë, aty nga mezi e viteve 70 të. Nga zëvëndësministër, në vitin 1973, me t'u krijuar Akademia Shqiptare e Shkecave, ai u zgjodh sekretar shkencor i saj. Në këtë post ndenji deri më 1975, kur e nisën për në Elbasan. Dedja erdhi në Elbasan me motivacionin "qarkullim i kuadrove". Në fëmijërinë time kam qenë lexues i rregullt i librave të tij, aq, sa personazhe si Farbardh Pikaloshi, por edhe "kacamisri" i përrallave, së bashku me kalamajtë e pallatit që endeshin nëpër faqet e një romani tepër tërheqës, më ishin bërë jo vetëm shokë të pandarë, por edhe diçka më tepër. Natyrisht, që njeriu shumë dimensional rrezatonte jo vetëm kulturë, por edhe etike në mardhëniet me të gjithë moshat. Në qytetin tonë të Elbasanit ai u ndje vërtetë mirë. Dhe kjo, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Gjithmonë mes miqsh të të gjithë moshave. Punonte në Institutin e Lartë Pedagogjik, sot Universiteti "Aleksandër Xhuvani", si pedagog i pedagogjisë dhe psikologjisë, por mbasdite e shihje gjithmonë, aty në qendër të Elbasanit. Kur vinte pranvera e karakaftet e para çelnin përreth, niste e shkonte "sa për një shëtitje" përtej Krastës, a faqes së Krabës. E sillnin shoferët që e njihnin që të gjithë profesorin, së bashku me tufën e karakafteve të rralla, që për Bedriun kishin një kuptim të dyfishtë.

I donte shumë fëmijët. Madje ata që i njihte me emra i përkëdhelte vazhdimisht. Kishte shumë miq midis tyre e bisedonte si i barabartë. Bota e pafajshme e tyre ishte njëkohësisht objekt i studimit të këtij shkenctari, por dhe lënda e parë në librat që shkruante e përgatiste në atë kohë. Në studion e vogël të shtëpisë se tij kam parë në dorëshkrim tregime e romane që u botuan më vonë. Brenda tyre gjeje subjekte interesante, skeda, por edhe një pedagogji e psikologji të veçantë. Këtu ishte e mbeti meraku i vetëm i profesor Bedri Dedes, që konsiderohet sot me plot gojën, si arkitekti dhe themeluesi didaktik i letërsisë së re të fëmijve, në gjysmën e shekullit që posa lamë pas. Pa dyshim, pas shkollimit në ish Bashkimin Sovjetik, në fund të viteve 40 të, bota e fëmijve ishte dhe mbeti ëndëra e jetës së tij. I diplomuar në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, për shumë vite me rradhë ai ka punuar në hartimin e teksteve, si dhe në strategjinë e arsimit e shkollimit që ndiqej në atë kohë. Eshtë përgatitësi dhe hartuesi i shumë teksteve të këtyre lëndëve në të gjithë hapsirat e arsimit tonë. Madje, për një kohë ka punuar edhe si zëvëndës ministër në Ministrine e Arsimit. Pikërisht, këtu filloi edhe kalvari për intelektualin Dedja. Dikujt lart në udhëheqien e asaj kohe, nuk i pëlqeu platforma e revolucionarizimit të shkollës, e cila u përgatit si projekt - maket, nga profesori shkenctar në këtë fushë. Mbase ky ka qenë në të vërtetë edhe fillimi i kalvarit për këtë gjigand të mendimit pedagogjik. Këtë nuk i a thanë asnjëherë përballë

* * *

Më ka mbetur në kujtesë një episod i rrallë dhe interesant nga ajo kohë në Elbasan. Një buzë vjeshte, në një prej lokaleve të qendrës, aty në krah të teatrit "Skampa", u nisa të takoj Astrit Bishqemin, me të cilin e kishim planifikuar atë mbasdite. E gjej me profesor Bedriun.Me sa duket, profesori ishte ndodhur aty me parë se të vinim ne. Ai për Astritin kishte një rrespekt dhe dashuri të veçantë. E vlerësonte dhe e nxiste në shkrime. Kujdesej si një shok e mik i madh. Bashkë i diskutonin edhe planet krijuese. Gjithmonë profesori ndërhynte me takt. Në një moment të tillë i gjeta edhe unë atë ditë me shi dhe erë. Isha i vonuar. Astriti më kishte thënë se do të merrte lejen krijuese për të shkuar ne Llixhat e Elbasanit. Miku im Bishqemi, kishte bërë praktikë pune, që kur i vinte ndërmënd një ide tregimi (e përftuar kjo qoftë nga ndonjë ngjarje e çastit që i ndodhte para syve të tij, qoftë nga ndonjë bashkëbisedim me ndokënd, qoftë nga ndonjë lexim gazete, a dokumenti tjetër), pra, kur gjente diçka që kishte brenda saj një fabul për një tregim për fëmijë, e shënonte idenë e tij me dy radhë në një copë letër ç'farëdo që kishte në xhep. Këto skeda mandej, kur kishte kohë të lirë, i merrte dhe i trajtonte, i kthente në tregime...

Bedriu heshti në një çast. Rufiti kafen dhe hodhi vështrimin tej dritares ku gjarpëronin rrëketë e shiut në qelq. Pastaj e vendosi qetësisht filxhanin mbi syprinën e tavolinës, dhe pyeti se me çfare do te merrej konkretisht atë muaj. Astriti lëvizi në karriken e drunjtë të veshur me një damask kafe, e ornamente më të errta, që dukej si i dalë boje. U skuq në fytyrë. Kishte një natyrë prej të ndrojturi, duke ulur sytë poshtë.

- Do ti kushtohem një vëllimi me tregime. Më janë bërë një grumbull skedash që presin t'i kthej në tregime

- Për shëmbull, - tha Bedriu

Dhe Astriti nisi t'i tregojë, se, atë verë kishte qenë në malësitë e Dardhës të Librazhdit. Atje kishte njohur një bari që ishte ndeshur me ujkun, dhe kishte dalë fitues mbit të...Mund që të dilte një tregim interesant.

- Në këtë skedë këtu kam një ide tjetër tregoi pastaj një fletë, që e nxori nga një bllok i trashë që e mbante me vehte, ndërsa profesori dukej se kishte tretur vështrimin diku, në një vënd të pa përcaktuar të atij mjedisi që na dukej si intim

- Jo, jo e mori fjalën profesori. Mos u shpërnda në ide të tjera.

Vuri buzën në gaz dhe u mbështet në kolltuk. Dukej i lumtur. Këtë e tregonin sytë që në atë çast morrën një shkëlqim vezullues.

- Këto dy javë në Llixhë merru vetëm me bariun që u kacafyt me ujkun, dhe ka për të dalë një novelë e bukur. Mos nguro.

- Novelë ?! u çudit Astriti që dukej si i zënë në faj. Ajo ngjarje ka lëndë vetëm për një tregim.

- Jo, jo nguli këmbë profesori.- Të gjitha këto që më tregove me gojë, hidhi në letër në mënyrë artistike, dhe ke për të parë...Fundja, harxhoje këtë dyjavësh të Llixhës me bariun tënd. Edhe po nuk të doli novelë, s'ke ç'humb. Ti ke një krijimtari të bollshme. Nuk mund të të akuzojë kush se ke shpërdoruar lejen krijuese.

Dhe me të vërtetë, Astriti u kthye nga Llixha atë vit me dorëshkrimin e një novele të titulluar, « Një verë plot ngjarje », novelë që u botua dhe fitoi dhe çmim në konkursin kombëtar...E njihte mirë botën e fshatit, sepse për disa vite kishte qenë mësues andej

Por bashkpunimi midis Astrit Bishqemit dhe Bedri Dedjes vazhdoi më tej atë vit. Ai e çmonte shumë elbasanasin si autor të letërsisë për fëmijë, sidomos në atë shkencore, por edhe në tema të tjera të moshës së të vegjëlve tanë. Astriti atë kohë ishte redaktor në gazetën lokale, « Shkumbini », por mëndjen dhe zemrën e kishte tek letërsia.

Ka qenë një kohë, kur nga Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria, ishin tërhequr që të gjithë specialistët kinezë. Kjo ishte ndjerë edhe në ish kombinatin metalurgjik të asaj kohe. Disa uzina kishin mbetur përgjysëm në realizimin e projekteve të tyre. Astriti kishte shkruar një novelë për furrnaltën, e cila shkrinte tërësisht mineralin e hekurit. I a dha profesorit për ta parë dhe për të bërë ndonjë vërejtje. I erdhi dhe një propozim ; « A i hyjmë së bashku që të krijojmë një dramë për të rritur, me ngjarjet e kësaj novele ? Dhe kështu ndodhi. Novela u konvertua ne tre akte teatrore, ndërsa profesor Bedriu shkruajti tre akte të tjera që ishin në funksion të veprës. Nga kjo lloj « shartesë », lindi edhe drama « Pesha e Atdheut », e cila u vu në skenë me sukses nga trupa e Kombinatit Metalurgjik. Në përgatitjen e kësaj drame, Bedriu dhe Astriti, shkonin çdo ditë pasdite në provat e aktorëve. « Pesha e Atdheut » shërbeu më vonë edhe si një « udhërrëfyese për dramën « Furrnalta », me të cilën u paraqit trupa e Teatrit Popullor në kryepremierën e vitit.

Kam patur "fatin" që të jem, mbase lexuesi i parë. Them kështu, sepse profesori më dha në dorëshkrim romanin e tij, "Qyteti me tre kështjella", të cilin sapo e kishte përfunduar. Pas tij edhe të dy librave të tjerë më temë shkencore. Kemi biseduar pastaj jo vetëm si dy miq të mirë, por më është kërkuar që të jem edhe në rolin e një "kritiku". Kjo më ka emocionuar se tepërmi, por profesori më nxiste në këtë drejtim. Ja që nuk u bëra dot kritik në fushën e letërsisë për fëmijë, por një autor i zakonshëm.Në atë periudhë, qyteti im Elbasani, ishte bërë epiqendra e letërsisë për fëmijë. Së bashku me profesor Bedriun, "qarkullimi" kishte sjellë edhe Odise Grillon". Të dy këta korifej të këtij arti, kishin krijuar një atmosferë vërtetë të prekshme midis nesh. Së bashku me Astritin, Musa Vyshkën, Ferit Ramën, Hyjni Cekën, Milianov Kallupin e tregimtarin e ri Nazmi Seitaj, përbënim, një lloj "shtabi letrar", që ato vite solli për bibliotekën e të vegjëlve tanë, vërtetë një bum krijimesh me vlera. Pa dyshim që ndihma Bedri-Odise, në këtë mes, ishte ajo që na vuri në moto ndër ato vite.

* * *

Më thotë Behxhet Çerma, ndërsa unë kisha zbritur nga autobuzët e zhurmshëm të metalurgjikut, aty në qendër, përballë Pallatit te Sportit.

- E takove profesor Bedriun ? Më duket se kërkonte të takonte. Pyeti për ty dje.

Nxitoja për tek një i afërmi im që ishte shtruar një ditë më parë në spitalin e Elbasanit. Megjithatë e mora një vendim aty për aty. Të hidhja një sy në klubet e qendrës. Zakonisht, ishe koha që Bedri Dedja pinte kafen e pasdites. Kjo ndodhte vazhdimisht sa herë ndjehej i lirë, kur nuk ulej në tavolinën e punës, atje në shtëpi, në jug të Elbasanit. Por profesorin nuk e gjeta. Kur u ktheva, shkova tek shtëpia e mikut tim, Astrit Bishqemi. Por as ai nuk ndodhej aty. Bëra lidhjen at'herë; do të jenë bashkë. Nuk e di se sa ishte e vërtetë kjo, por në çast, hoqa dorë edhe nga vendimi qe kisha në kokë, se do ti shkoja në shtëpi profesorit. Kisha qenë dy here, dhe Pandora, bashkshortja e Bedriut, me kishte pritur tepër miqësisht. Do të ketë ndonjë gjë ky interesim i profesorit, mendoja me vete, dhe mendja ku nuk më shkonte .

Kalova një natë pa gjumë. Të nesermen, bëra si bëra, dhe vrapin e mbajta paradite drejt e në Elbasan. I u vodha punës në metalurgjik. Kishte filluar një shi që nuk kishte ndërmend të bënte kurrë pushim. Pasdite kishim një aktivitet në pallatin « Metalurgu », pranë qendrës. Dega e Lidhjes se Elbasanit organizonte një diskutim krijues për librin me tregime, « Gëzimi i motrave », i Hyjni Cekës, ish mësuesit tim të letërsisë në gjimnaz . Do të ishte edhe profesor Bedriu. Por unë doja që ta takoja veçmas. Ndjeja diçka.

Nuk e gjeta përsëri. Si humbasin njerëzit kur na duhet që ti takojmë?

Qortova veten për këtë lloj marrëzie që më kishte kapur ato dy ditë. Mendova ; nganjëherë gjërat i marrim shumë seriozisht, edhe kur ato nuk kanë peshën që u japim pa asnjë shkak , pa asnjë informacion. Ky gjykim mu duk se më qetësoi. Dy orë para se të mblidheshim, i hodha një sy diskutimit që kisha përgatitur me shkrim, për ta parë edhe një herë, dhe që do të ishte edhe fjala hyrëse e atij aktiviteti. Druhesha nga profesor Bedriu. Me merakun që ti bënte përshtypje, fillova që të hiqja paragrafe, duke i kosideruar si një « ujë i tepërt ». Por materiali u kandis deri në tre faqe. Ishte pak për një analizë. Por unë nuk shtova më asgjë.

Shkova i pari në atë takim. Profesor Bedriu, si për inatin tim, erdhi i fundit. Kërkoi leje, me atë sjelljen skulpuroze të tij që të impononte rrespekt e dashuri një kohësisht, dhe zuri vend në atë tavolinë të madhe ovale, në një prej dhomave të katit të dytë, pranë bibliotekës së institucionit. U përshëndet me ne të gjithë, e tha me buzën në gaz:

- E paskemi vlerësuar maksimalisht. Botimi i librit të shokut e mikut tonë Hyjni, në të vërtetë është sot edhe festë për ne të gjithë krijuesit. Ngjarje të tilla paçim përherë mes nesh.

Qeshëm bashkarisht. Pastaj, ai nxorri qetësisht një fletore bllok që e mbante vazhdimisht me vete, e vuri dy duart mbi syprinë, si për të thënë, " Unë jam gati të dëgjoj"

Ndjeva emocion. Nuk e di pse mu ngatëruan ato tre fletë nëpër duar. Profesori që ishte edhe një vëzhgues i hollë, psikolog, vuri përsëri buzën në gaz, e tha:

- Ta dëgjojmë Alekon. E paska prehur spatën mirë sot. Ta ndjekim, se diçka duhet që të ketë bërë

Kjo frazë më bëri që të skuqem përsëri...Hajde që ta gjeje fillin pas kësaj...

Kur u mbyllën diskutimet, dhe profesor Bedriu tha se, « Hyjniu, është dhe mbetet një nga shkrimtarët për fëmijë që punon shumë me frazën, si një skulptor që e skalit me durim dhe rrespekt veprën e tij ». Dolëm gjithë zhurmë në koridor, edhe pse dikush na tha që të mbanim qetësi, për shkak se po shfaqej film në ato çaste, poshtë në sallë. Prisja që profesori të më thonte diçka tjetër, nga ai urim që më bëri për « përgatitje serioze të analizës së veprës », dhe se, nuk e dinte që unë isha edhe « një kritik i të ardhmes", I zbuluar aty. Gjithë halli im ishte tek interesimi i tij tre ditë më parë. Por Bedri Dedja kishte haruar. Kështu mu duk. Mbase kishte qenë një pyetje krejt e rastësishme. Kafet i pimë bashkërisht poshtë në klub. Zura vend pranë profesorit. Përsëri ai nuk dha shenjë. Pas kësaj u qetësova krejtësisht. Atë natë nuk e pata më mëndjen aty. Kisha shpëtuar nga ankthi i dy ditëve më pare.

E nesërmia na vuri përballë pranë portës së kalasë. Profesori ecte ngadalë me një çantë lëkure që nuk e ndante asnjëherë nga vehtja. Bisedonte me Osman Kazazin, mësues letërsie, por edhe krijues. I tha këtij se, do të ndalej me mua aty në një lokal buzë mureve të gurta, që të më uronte për analizën që kisha referuar një ditë më pare. Por kjo, veçse ishte hyrja e nje bisede që profesori kishte planifikuar ta bënte me mua, dhe që e konsideronte të domosdoshme, e shumë të rëndësishme. Hyri drejt e në temë:

- More, Aleko, cili është mendimi juaj për heroin pozitiv në një vepër letrare? Më duket se e ke shprehur diku në një mbledhje.

Toni ishte i qetë, por ndjehej brenda tij një lloj shqetësimi prej prindi. Nuk dija se ç'ti thoja. S'ishte problem dhe ide fikse që më shqetësonte, pasi mendoja se kjo ishte një tabu, dhe as që nuk mund ta mendoja ndryshe. Të paktën për atë kohë. Ndonëse më kishte bërë shumë përshtypje, se si në vepra letrare këta personazhë, jepeshin si shenjtë të vërtetë. Të pagabueshëm

- Po ç'ke thënë mo, në një diskutim krijuesisht këtu e tre vite më parë në kombinat? I ke ngritur furtunë vetes. Je ndarë me të keqen për hiç gjë. Qëlloi që personi i degës, i cili është marrë me ty gjatë kësaj kohe, pas kallzimit nga dikush, që ndoshta ka debatuar me ty në atë mbledhje, është djali i një shokut tim të fëmijërisë. Më pyeti për ty. Kishte mendim krejtsisht të gabuar. Natyrisht i fola, dhe më duket se u mbyll. U arnua. Duhet që jesh më i kujdesshëm, bir tha, e më hodhi një vështrim gjithë dashuri, si një prind vërtetë.

Ndjeva se kishte dhimbje e një shqetësim të brendshëm. Në çast më erdhi përnjëherësh në mendje një aktivitet me krijuesit elbasanas, në një nga ambjentet e komiteti të partisë së metalurgjikut, aty në katin e tretë. Ishte si të thuash, ajka e krijuesve të vendit në atë kohë, si F.Gjata, Dh. Xhuvani, Q.Buxheli. J.Paço, G.Madhi, O.Grillo... në degën e Elbasanit në atë takim, shkrimtarë të tjerë, poetë, dramaturg, piktorë e skulptorë. Profesori kishte munguar. Flitej për heroin pozitiv në vepra letrare, dhe pasqyrimi realist i tij. Nuk e di pse isha ngritur nga vendi pas referatit që mbajti. B.F, tregimtar, i cili më vonë punoi në gazetën më të madhe partiake të asaj kohe, si gazetar, dhe me njëlloj naiviteti për kohën, thashë se, vërtetë herojtë në jetën e përditëshme nuk janë aq të përkryer, dhe se që të jenë të besueshëm, duhet të paraqiten me të mirat dhe të keqiat e tyre. Do të fitonin si figura, dhe se shumica e tyre njiheshin në realitetin ku jetonin. Ishte koha kur në disa vepra kryesore kushtuar klasës puntore, identifikoheshin shumë lehtë këta personazhë. Kjo, sipas meje do ta bënte veprën më realiste. Për një prej herojve të punës socialiste që do të ishte edhe hero kryesor te një roman, i cili po shkruhej atë kohë nga Dh.Xh, shokët e tij të montimit tregonin, se ishte aq humbamento, sa që, kishte veshur çizmet në mëngjez, dhe në darkë kur i kishte hequr, para se te flinte, kishte gjetur një mi të ngordhët, që nuk e kishte kuptuar hiç, se e kishte shtypur me shputën e këmbës. Ishte bërë gaz e burim barcaletash kudo në metalurgjik. Nuk ishte e vetme kjo ndodhi. Kështu edhe për heronj të tjerë, të cilët idealizoheshin në shtypin e ditës. Por unë pa e ditur, kisha shkelur në kallot e një prej ligjeve të shenjta të realizmit socialist. Kisha thënë të vërtetën. Atë që ndjeja, por që nuk duhej thënë, edhe pse brenda meje, dukej si një absurditet e skemë që nuk duhej të funksiononte. Këtë e kisha bërë me një mendjelehtësi të pashoqe, e të rrallë. Aspak për disidence. Nuk e mendoja kurrë këtë.

B.F ja reagoi menjëherë. U ngrit dhe shkoi përsëri tek podi ku kishte folur një çast më pare. Ishte i tronditur. E mori shpejt fjalën, duke thënë se nuk ishte aspak dakort me mua, dhe se mendimet e mija "ishin në kundërshtim të plotë, me vijën e partisë për artet e letërsinë". E konsideroi si "një sulm që i bëhej realizmit socialist, nga një person që është bërë preh e armikut të klasës". Pas kësaj u ul i nervozuar, diku në rradhën e tretë pranë dritareve.

U ngrit Ali Abdihoxha. Kishte qenë drejtor i Shtëpisë Botuese « Naim Frashëri », por që kishte ardhur në metalurgjik « me qarkullim, si shkrimtar pranë klasës puntore », u kthye nga B.F, dhe tha: "Mua më duket se në këtë mes ka një keqkuptim nga B.F ja. Unë mendoj se, Alekua nuk kishte aspak si qëllim, që të sulmoj një prej parimeve të realizmit socialist. As edhe e kundërshtoi këtë tezë, sepse është i yni, dhe me partishmëri të lartë. Por ai duke jetuar këtu në metalurgjik, njeh edhe anën tjetër të këtyre herojve. Për mua bëri thjesht humor. Por edhe ai na duhet në këtë salle, apo jo?. Vlerësoj anën teorike të B.F së, dhe përgatitjen e tij. Nuk duhej që të kthehej e të fliste me tone të tilla. Ashtu siç bëri para pak çastesh. Ta mbyllim këtë problem, si një shaka miqsore mes miqsh krijues.

Por kjo histori, me sa dukej, jo vetëm që nuk ishte mbyllur, por ishte raportuar në degën e punëve të brendëshme. Nuk e di se kush ka qenë kallzuesi.

Ja di për nder profesor Bedriut, i cili më shpëtoi nga burgu që më priste prej tre vjetësh, edhe pse nuk isha disident i bindur në atë kohë. Përveçse psikolog e pedagog në përmasat e një shkenctari të formuar, ai ishte treguar për mua si një prind i mire, si një mik i pazëvëndsueshësh për krijuesit e rinj të asaj kohe. Nuk e haroj.

* * *

Kisha botuar librin, "Trimi i vogël i Skënderbeut", një kopje e të cilit i a kisha dhuruar edhe profesor Bedriut. Ka qenë vera e vitit 1979. E gjeta në bibliotekën e qytetit. Kishte hequr xhaketën dhe e kishte vendosur në shpinën e nje karrikeje, diku nga fillimi i sallës së leximit. Mbi suprinë ishin shpërndarë disa fletë, e në një kënd ishin të stivosur tre a katër libra të huaj. Më dukej se po punonte për një temë në atë kohë.

-Eshtë ngjarje për ty Leko. Urime. Gjithmonë kam menduar se pas një lloj ndrojtje dhe sjellje prej babaxhani, njeriu të shtruar, të sinqertë, e tepër zemër mire, i gatuar me dashuri për shokun, qëndron edhe një talent, që po na shpaloset dalngadalë.... më tha buzagaz sapo dolëm në koridor, larg lexuesve. E kam biseduar edhe me shokët

Ndjeva që u skuqa. Mbase nuk e meritoja atë pjesëzën "talent", që në ato çaste më dukej si një peshë e rëndë për supet e mija të at'hershme.

- Dëgjomë me kujdes. Subjekti është tepër interesant dhe intrigon moshën të cilës i drejtohesh, por unë do të të them, që bëj kujdes, kujdes me frazën, pasi në këtë rast, kemi të bëjmë me një libër që i drejtohet moshave 10-11 vjeçare. Sapo mbaron fillorja. Këtë vërejtje kam edhe për librin tënd të pare, që ka dalë dy vite të shkuara, dhe që është dhe ai për fëmijë. Të kam folur njëherë. Përpara se të ulesh e të shkruash për moshën e vogël, duhet që të njohësh mirë edhe psikologjinë e tyre. Të lutem, dhe këtë merre seriozisht, ulu dhe fillo ta shkruash përsëri nga e para. E rëndësishme është që ti të kuptosh vehtvehten. S'ka gjë se libri tashmë është i botuar. Ti duhet që ta rrishkruash disa herë. Me fraza të shkurtëra dhe shqip. "Trimi" ka shumë fjalë që nuk tingëllojnë në gjuhën tonë. Mos u dekurajo.

E kisha marrë mesazhin, dhe e vuajta në mënyrën time. Në vënd të gëzimit të moshës, ndjeva dhe kuptova diziluzionin e vërtetë. Ishte vështirë, tepër vështirë. Pas tre a katër netëve pa gjumë vendosa ta shfletoja sërrish. Këtë herë pa qejf dhe emocion. U ula një pasdite të nxehtë Korriku. Librin e mbylla dhe e vendosa në një vënd që të mos e shihja për disa ditë. Shkruajta në fletën e bardhë sikur ta hidhja për herë të parë. Tek fleta e dytë ngeca. U ngrita dhe fillova që të ecë nëpër dhomë, ashtu pa kuptim. Pas pak tentova që të rrikthehem sërrish. Provova...Dy rreshta më pas u duk se do ta kisha vështirë që ta rrishkruaja këtë libër. Mallkova vehten që e kisha takuar profesorin. "Më krahason me vehten ai?. Po unë nuk kam përvojën e tij, dhe natyrisht...Pastaj noti mësohet duke notuar..."Kjo e fundit që më erdhi krejtësisht pa pritur, si nje mendim i largët, nuk di nga ku, në një farë mënyre, sikur më çliroi nga makthi që më kishte zënë në ato çaste. E lashë. U ngrita, dhe fletët këtë herë tentova ti fshihja. Ashtu siç kisha bërë edhe me librin. Më duhej që ta përjetoja gëzimin që të fal një eveniment i tillë në një qytet të vogël si Cërriku, ku njiheshim të gjithë me njëri tjetrin. Më pëlqente që të "rrëmbeja" vështrime tinëzare, por edhe të dëgjoja urime miqsh e shoqesh. Por kjo, me sa duket, nuk zgjati shumë. Njerëzit kishin halle të tjera, dhe unë kuptova që mbeta shumë shpejt i haruar, dhe i ...braktisur nga vështrimet e ëmbëla e mikluese. Në fakt ishte vetëm një iluzion që më kishte kapluar dhe munduar. Shumë shpejt më doli "rakia", dhe u gjënda "esull". I dhashë të drejtë profesorit, dhe pas tre javësh kisha mundur që ta rrishkruaja sërrish atë tregim të ilustruar aq bukur nga piktori Lec Shkreli, ku faqen e parë e kishte përfshirë krejt shpalosja e flamurit tonë kombëtar. Më erdhi turp që t'i drejtohesha Bedri Dedjes.

-

* * *

- Ka ardhur Bedri Dedja më thotë me ndroje pastruesja, ndërsa unë ngjita shkallët e Shtëpisë së Pionierit për në katin e dytë, sikur të më kishte treguar një sekret që duhej të mbetej i heshtur midis nesh. Nuk më pëlqeu në çast ajo grua, edhe pse njiheshim mirë në atë qytet të vogël si Cërriku. Profesori i nderuar shkelte për të parën herë në institucionin tonë, në atë ambjent artistik fëmijësh. Kishte marrë rrugën nga Elbasani që në mesditë. Natyrisht, pa lajmëruar askënd Ishte gjendur aty sapo ishin hapur dyert për aktivitetet e mbasdites. Nxitova në shkallë dhe u ngjita në katin e dytë. Bedri Dedja ishte nën shoqërinë e dy kolegëve të muzikës, dhe atij të bibliotekës. Diskutonin për librin. Profesori interesohej se sa frekuentohej biblioteka e të vegjëlve, dhe cilët ishin librat që parapëlqenin fëmijët. U përshëndetëm, por diskutimet vazhduan ende, për aktivitetet jashtshkollore të nxënësve.

- Do të më pranosh në orën tënde të mësimit? pyeti Bedriu, si për t'i dhënë fund bisedës aty në koridor.

Qeshëm bashkërisht të katër.

- Do të isha i lumtur profesor - i thashë, dhe i tregova me dorë klasën përballë. - Krijuesit dhe recituesit e vegjël të Cërrikut nuk do ta harrojnë këtë ditë, që do të jetë e veçante për ta, duke ju patur ju kaq pranë.

Buzëqeshi dhe më vuri dorën në sup.

- Fillimisht do të më duhet që të ulem diku, që të hedh disa shënime shkurtimisht, dhe pastaj flasim me ta.

Kështu bëmë. Bedri Dedja u ul në një cep të sallës së madhe plot dritë të bibliotekës, për të sistemuar gjithë të dhënat që mori nga biseda me bibliotekarin, për punën me librin, ndërsa unë u futa në klasën time, ku fëmijët kishin mësuar se do të kishin mes tyre profesorin. Ndjehej një atmosfere tej e gëzueshme dhe e veçantë. Pas pak u shfaq në derë shkrimtari me i dashur për ta. Ishte hera e parë që e shihnin. Më kishin thënë se e kishin ndjekur vetëm nëpërmjet televizionit, kur herë pas here profesor Bedriu, merrte pjesë si i ftuar në biseda që organizoheshin në studjot televizive. I njihnin që të gjithë librat e tij, dhe mezi pritnin që ti diskutonin bashkërisht para shkrimtarit. Më erdhi mirë që në atë orë të papërgatitur, cërrikasit e vegjël silleshin si lexues i madh në moshë.

Pasi u tha, se unë mësuesi i tyre kisha qenë nxënësi i tij, dhe se isha « një shkrimtar i ri i talentuar », gjë që më bëri të skuqem, dhe ta humb fare fillin për të vazhduar mësimin e bisedën e ngrohtë të sapo nisur, filloi që ti pyese të gjithë një nga një, për familjen, prindërit, por edhe për krijimet e tyre. Vura re se pas një lloj stepie të fillimit, nxënësit flisnin si të barabartë me profesorin. Bedri Dedja sikur të ishte shok e bashkmoshatarë i tyre fliste ngadalë, por me psikologjinë e moshës që ishte para nesh. Folën për librat. Pastaj për autorë të tjerë të letërsisë së fëmijëve, ku Bedri Dedja ishte i interesuar që të dinte mendimet e tyre të lira. Nxënësit jepnin gjykime, edhe pse në disa raste kontradiktore me njeri tjetrin, duke pasqyruar përjetimet që kishin pasur me ato. Kështu, Vojsava nuk ishte e një mendje me Luljetën, parafolësen, e cila kishte thënë se, « librat e shkrimtarëve shqiptarë janë më të mirë se sa ato të autorëve të huaj »

At'here profesori e mori fjalën, dhe me një kujdes të admirueshëm, tentoi që të paqtojë dy shoqet që treguan edhe shenja nervozimi midis tyre. Kjo u duk nga mënyra se si shkëmbyen shikimet dy vajzat, e qejfmbetja mbeti midis tyre si një hendek, që e ndante këndej e tutje shoqërinë e pastërt fëminore. Shkak për këtë u bë vetë Luli. Kështu i thërrisnim ne vajzës me bishtaleca, bijë e një djali që kishte ardhur një dekade e gjysëm më parë nga nje fshat i Gramshit, dhe që në atë kohë ishte gjithmonë në qendër të tabelës së emulacionit socialist, si novator. Vajza ishte një natyre shpërthyese, por recitonte mjaft mirë. Zëri i Lulit kishte timbër e ngjyrë. Duartrokitej në aktivitetet e shkollës së saj. Nxitohej here pas here, dhe shoqet e saj ndiheshin të fyera, ndonëse kishte pastaj një shpirt të pastërt, e përkujdesje deri në tepri. E ëma më thoshte shpesh, sa herë që ulesha në kafen e qendrës, ku punonte si bufetiere, se e kishte Lulin, si, « një çun haram » .

U duk se Bedri Dedja e kishte kuptuar menjëherë tipin e saj. Vuri buzën në gaz, e nuk mungoi që të flasë pastaj për shoqërinë e pastërt, mardhëniet që duhej të ekzistonin. Ndërtimi i tyre mes njerëzve të një moshe, brezi, por edhe ato midis vetë brezave. Foli për edukatën, shoqërinë dhe familjen...Dhe kjo zgjati disa minuta.

Kishim shkelur kështu pa dashje në një nga fushat e tij të dashura, të pedagogjisë dhe të psikologjisë, lëndë këto, që ai m'i kishte dhënë edhe mua, kur vazhdoja të lartën me koorespodencë. Vura re se nxënësit e ndiqnin me vëmëndje. Asgjë nuk pipëtinte. Dukej se fryma kishte mbetur pezull. Kaq, mjaftonte për të, që i kishte pasionin e punës së tij shkencore, të vegjëlit tanë, botën dhe ëndërat e tyre. Askush më mirë se ai nuk dinte që të futej në psikologjinë e moshës.

Pastaj, si pa u kuptuar, u kthye tek shkaku i konfliktit. U dha të dyjave të drejtë, por nuk mungoi që të flasë gjatë edhe për letërsinë e huaj të kësaj moshe. Për botimet, e kujdesin që bëhej për të sjellë libra tepër edukative nga autorë si Dikensi, Mark Tweni, Xhek Londoni, Xhani Kodari, por edhe nga përralltarë si Andërseni, Vëllezërit Grim, Sharl Perrau...Mënyra se si u shkruajt « Dhëmbi i Bardhë » nga Londoni, libër ky që i kishte pëlqyer pa masë Lulit tonë, dhe që ishte sjellë si një shëmbull nga lexuesja e apasionuar, e futi bisedën në një fazë tepër interesante. Ne nuk pamë më orë, ndërsa dielli qëndronte si një lëmsh stermadh, dhe i zjarrtë mbi kodrinën pas uzinës, në perëndim të qytetit .

Kur dolëm në rrugë, Bedriu më tha :

- Leko, erdha në Cerrik, se më kishe thënë se drejtoje një rreth letrar në Shtëpinë e Pionierit. Thashë që të kuvendonim me këta kolegë, e krijues të ardhshëm, për të njohur nga afër edhe botën e tyre, interesat e mardheniet që kanë ata me librin, shkollën, por edhe me shokun e shoqen e tyre, si fëmijë naftëtarësh. Nganjëherë këto biseda janë më të ngrohta e të çiltëra, se sa ato që bëjmë ne krijuesit elbasanas me njëri tjetrin nëpër klube, përpara filxhanit të kafesë. Mëson shumë në këto ambjente. Ndaj, duhet që ta konsiderosh me fat veten, që je e punon me këtë brez fëmijësh në këtë ambjent, edhe pse mësuesia nuk është puna jote tani për tani.

* * *

Pak ditë më vonë u gjenda në një aktivitet mes miqsh dhe shokësh krijues të qytetit. Nuk e di se si u gjenda...bosh dhe në një moment i u drejtova profesorit që komunikonte me dikë. Prita përpara tij një çast. Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi lehtë me dashamirësi.

- - Më duket se Alekua do të na thotë diçka. Mbase kjo ishte vetëm ndonjë ide fikse që më ishte krijuar përgjatë kohës që punoja për "Trimin...", sikur edhe vetë profesori po jetonte me krijimin tim duke pritur nga çasti në çast, për t'i a dhënë që ta lexonte. Kështu në pamjen e parë dukej "indiferent", por në realitet ishte vërtetë ndryshe. Ai e hodhi fjalën pikërisht ku e kishim lënë aty në bibliotekën e qytetit. Këtë ma tha më vonë kur ma dorëzoi dorëshkrimin për ta rrishikuar edhe një herë, pasi "kisha bërë goxha përparime". Kështu më është dashur që të rrifilloj nga e para. Këtë rradhë kuptova se nuk e kisha më atë ndrojtjen e parë kur u ula sapo më tha profesori...

Në vjeshtë erdhi në kombinat. Nuk më kujtohet se për kë aktivitet. Ishte me shkrimtarin Qamil Buxheli. I prita në hyrje të metalurgjikut. Më kishte dërguar njoftim dy ditë më përë. Duhej që të bëja edhe mikpritjen. U futëm në klubin e uzinës mekanike për të pirë kafenë.

- Një herë Arkadi Gajdarit , një djalë krejtsisht i panjohur i kërkoi që ta ndihmonte, pasi sipas tij, i pëlqente shumë letërsia dhe donte që të bëhej shkrimtar. Posi, i u përgjigj shkrimtari rus, mund që të fillojmë që tani. Ndodheshin në një prej rrugëve të zhurmshme të Moskës, në një lagje që kishte filluar të ndërtonte apartamente të larta, nga ato që ne i quajmë gradaçiela. Më ndiq i tha dhe vetë i u gjit shkallëve të një godinë të lartë. U ngjitën. Pastaj zbritën. Pa marrë frymë mirë filloi ngjitja e dytë dhe me të mbritur në majë u kthyen sërrish për të zbritur me hap të shpejtë, si në një shakullimë. Përsëri i u ngjitën, dhe përsëri filloi zbritja po aq shpejt. Mbasi kishin bërë disa ngjitje zbritje të menjëhershme, letrari që kërkonte të bëhej shkrimtar, e ndjeu vehten tepër të lodhur e të këputur. Mezi mbushej me frymë. Nuk mundem i tha Gajdarit, qenka e vështirë kjo hypje e zbritje. Ishte dorëzuar... Ishte dorëzuar pa kushte.

Profesori zbërtheu xhaketën e trashë kafe. Në lokal, tani ishte më ndryshe edhe pse dera kryesore ishte e hapur, dhe ne kishim zënë vënd pranë saj. Era që sillte Krraba nga "Ura e Kushës", që ishte vetëm dyqind metër larg, dukej si diçka e harruar krejt, dhe e shpërfillur. Kisha kuptuar nëntekstin. Preferova që të hesht pa ditur që të zgjedh fjalën në atë moment, për ti dhënë të kuptonte profesori, se i isha mirnjohës.

Edhe Qamili kishte heshtur duke e dëgjuar deri në fund Bedri Dedjen, i cili i kishte sjellë në një farë mënyre, nostalgjinë për vitet kur kishte qenë edhe ai në Moskë si student

- Më vjen mirë që kishe durimin ta rripunosh disa herë librin tënd të ri. Kjo mund që të jetë edhe moto gjatë punës tënde krijuese. Mbase kështu mund që të ishte më i plotë. Sidoqoftë, ai ka patur një tirazh prej njëzet mijë kopjesh, por edhe mund që të rribotohet sërrish. Këtë herë i përmirsuar. Të presim pak për këtë të dytën...

Buxheli bëri shaka. U duk se u gjallërua menjëherë pas kësaj, duke më luajtur syun. Tregoi diçka nga Krillovi, duke e bërë ambjentin tepër të gëzuar e miqësor, ku nuk mungoi edhe anektoda e "vathit në vesh". Ai nuk dinte asgjë nga rribërja e librit tim të botuar, por e konsideroi këtë pastaj, si një hap serioz për të gjithë shkrimtarët, e "dinjiteti i krijimit" për një njeri që i pëkushtohet letërsisë.

Kisha marrë një mësim që më vlejti më vonë kur shkruajta përsëri, edhe pse tashmë nuk pretendoj që të kem realizuar gjithçkah, deri në prefeksion të plotë në librat e mij të mëvonshëm.

Pas ngjarjeve që nisën në Kosovë në fillim të viteve 80 të, profesor Bedriun e takoj në Tiranë, pranë "Hotel Peza". Ai tashmë ishte transferuar në kryeqytet me gjithë familje, duke i dhënë kështu fund "qarkullimit të kuadrove".Dukej që ngazëllehej. Më shumë se sa kjo e fundit, protestat e studentëve dhe demonstratat masive që kishin përfshirë krejt Kosovën dukej se i jepnin një lloj shpresë, se gjithçkah do të "rregullohej" atje.

- Je botuar me "Trimin..." në Kosovë. Ma kanë thënë miqtë tanë që vijnë herë pas here që andej. Mund që të ishte edhe varianti më i fundit që bëre para pak kohësh. Kështu do të ishte më i plotë, dhe vepra do të fitonte më shumë tha, duke më kumtuar lajmin që më bëri të emocionohem si në ditën e parë të botimit të tij, at'herë, kur nuk e kisha marrë ende "dushin" e profesor Bedri Dedjes...

Kështu ishte për ne krijuesit e rrinj ky njeri shumëdimensional, i dashur dhe i thjeshtë, deri në madhështi .

* * *

Pas atij takimi në Tiranë, tek " Guva", kur unë mora udhën për "në dhera të huaja" si emigrant, një vit e ca më pas në adresën time të re në Francë, mbriti një letër nga profesor Bedriu.

...mik i dashur, më gëzon fakti që tani ti ndodhesh në Francë.Unë personalisht kam e ruaj një nostalgji të veçantë për vëndin e kolosëve si Hygoi, Bodleri, Zola, Didero, Volter, Flober e një arradhë e shkrimtarëve dhe ideologëve mëndjendritur të këtij vendi. Gjithmonë kam patur një dashuri për gjuhën e atij vendi. Nje nxënësi im i dikurshëm që është edhe ai emigrant ashtu si ti, në Zvicër, ka marrë përsipër këto kohë, për të bërë përkthimin në gjuhën frënge të gjithë krijimtarisë sime. Natyrisht kjo më gëzon, se siç e di ti, jam i sëmurë dhe vuaj nga...

Miqësisht Bedriu

Kjo copë letër me shumë dashuri dhe mirësi njerëzore, ka mbetur si imazhi im i fundit nga jeta e një prej kollosëve të letërsisë sonë për fëmijë, profesor Bedri Dedjes. Nuk e di në se ky "amanet" i fundit është realizuar nga përkthyesi -nxënës, por vepra e tij e madhe, shumë dimensionale e didaktike, është e prekshme tashmë kudo, midis nesh

Aleko Likaj

Mars , 2008, Maj 2010

Shenim: Ky fragment êshtê pjesë e librit që ështê botuar për një nga korifejtê e mendimit dhe pedagogjisë shqiptare, shkrimtarin e të vegjêlve tanë, Bedri Dedja, në vitet 50-2003

  

http://aleko-likaj.blogspot.com/

ALEKO LIKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ANGELA VALENTI DURAZZO, GAZETARE DHE SHKRIMTARE, KA TREGUAR NË NJË LIBËR HISTORINË E PABESUESHMEDukët e Gjenovës me origjinë shqiptare (11.18.2010)
DËSHMIA E SË VËRTETËSNga At ZEF PLLUMI (11.17.2010)
ADEM DEMAÇI: VEPRAT E MIRA DUHET TË NDRIÇOHEN (11.17.2010)
KURBAN BAJRAMI FESTOHET NË MBARË HAPËSIRËN SHQIPTARE (11.17.2010)
Me akuzat e PDK-së do të merret drejtësia në Amerikë e Kosovë (11.16.2010)
SONDAZH PËR UDHËTIMIN PA VIZA TË SHQIPTARËVE (11.16.2010)
TRADITA E LIDERIT (11.16.2010)
MIRËSJELLJA E PARTIVE POLITIKE (11.16.2010)
LISTA PËR DEPUTETË E LDK-së (11.16.2010)
GAZETARJA E RTK MAJLINDA ALIU TRIUMFON NË GARË NDËRKOMBËTARE (11.16.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]