VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REQUIEM PËR PROFESOR BEDRI DEDEN

Botuar në librin "Bedri Dedja në kujtesën tonë..." me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes

Nga KËZE KOZETA ZYLO


E Premte, 11.19.2010, 03:15pm (GMT1)

Unë kam qenë me fat që në Universitet kam pasur një professor, akademik, shkrimtar nga më të shquarit, ku me punën e tij kolosale ka zënë vend në fondin e figurave të intelektualëve të shquar në botë.

Si ish studente e tij nuk do ta harroj kurrë Profesorin tim të respektuar në vitin 1975-1977 kur jepte leksione në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, i cili në atë kohë kishte ardhur me "dënim" nga lart. Oh, sa e vuante Profesori im atë dënim, e bashkë me të dhe ne studentët e tij, por që ai kurrë nuk e shprehte... edhe pse ne e psikologjisnim në leksionet e tij!

Ai kishte një seriozitet dhe ndershmëri të rrallë, prandaj dhe ne studentët e atij brezi mezi prisnim orën e tij, sepse elekuenca dhe dashamirësia e tij, dinte të prekte zemrat e mijëra studentëve që ai mësoi dhe edukoi.

Personalisht e kam profesorin më të shtrenjtë, një mik ndër më të mirët, jo vetëm pse na jepte vlerësimin që meritonim, por mësova shumë prej figurës së tij madhore.

Një vit që na dha psikologji, ai kombinonte bukur teorinë, punën shkencore me praktikën, kështu mua si studente e psikologjisë, më ngarkoi të merresha me anën psikologjike dhe pedagogjike të fëmijëve në një nga shkollat e Elbasanit, dmth, interesin e tyre për shkollën, kohën në shtepi, kohën në radio, leximet jashtëshkollore dhe sa kohë i përkushtonin ata lojrave, pra do të benim një farë pune shkencore.

Kjo sigurisht donte vullnet, punë, seriozitet.

Pasi i mbaruam të gjitha detyrat që na kishte ngarkuar prof.Bedriu, ai organizoi një Simpozium Kombëtar, shkencor pedagogjik, i cili kishte ftuar shumë studjues dhe studentë nga Universitet e Tiranës.

Ky simpozium u vlerësua nga të gjithë pjesëmarrësit dhe po ashtu nga studentët e Tiranës dhe rretheve, për të gjitha këto ne ndiheshim akoma më krenarë që kishim një profesor si i paharruari Bedri Dedja.

Profesori jetoi për gati 2 vjet me ne në të njejtin konvikt, ku "partia" i kishte dhënë një dhomë të vogël konvikti për të fjetur.

Ai nuk rrinte çdo ditë aty, por vinte nga Tirana, kur kishte leksione dhe qëndronte për një kohë të gjatë me ne.

Me elegancën e tij, veshjen shik, dhe qetësinë olimpike, i jepte nur e hijeshi konviktit dhe Universitetit "Aleksander Xhuvani".

Pasi unë ishja diplomuar dhe u emërova në gjimnazet e Tiranës, ai krenohej dhe më frymëzonte më tej që të mos e ndaloja studimin dhe punën e nderuar të mësuesisë.

Profesori shpesh më ftonte në seminare në Universitetin e Tiranës ku jepnim një ndihmesë modeste tek më të rinjtë, dhe sigurisht na prezantonte kudo si studentë të tij, në kohën e dënimit.

Ai ishte nje professor i kompletuar, studjues, shkrimtar, dhe njëkohësisht me fat që në krah kishte një grua tepër inteligjente dhe të bukur zonjën Pandora Dedja, e cila me elegancën e veshjes së saj, ku veçanerisht krehja e flokëve dhe sjellja më kishin lënë mbresa të pashlyeshme si një studente e Gjuhës dhe e Letërsisë së tyre.

Shpesh në kohë pushimi na fliste dhe na tregonte foto për fëmijët e tij të bukur që i kishte si drita e diellit, dhe kjo nuk kishte se si ndodhte ndryshe, sepse ata vinin nga geni i Profesor BEDRI DEDES!

Shumë studentë që mësuan nga leksionet e tij, tashmë janë mësuesa dhe profesora në shkolla të ndryshme, njerëz të nderuar dhe të respektuar, kjo per arsye se u edukuan nga akademiku, Profesor BEDRI DEDJA!

Ai i përket asaj race nga vinë intelektualët më në zë në botë, racës me vlera nga më humane dhe njerëzore, sic është:

PROFESORI IM I PAHARRUAR

BEDRI DEDJA!

Seç m'u zgjuan kujtimet sot,

Në këtë stinë të ylbertë, pranvere,

Ndoshta nga një lot pëllumbi,

Pikuar në parvazin e dritares sime,

Që, çuditërisht, humbi,

Në çurgën e lotëve të mia,

Duke lagur si vesë mëngjesi,

Faqet e librave të tij, hapur sot,

Si panair me shumë botime ndër vite!

I marr dhe i shfletoj me radhë,

E në çdo faqe lexoj, Bedri Dede,

E pastaj përzier me krenari dhe dhimbje,

Shkruaj sot në përvjetorin e ikjes së beftë,

Të tij,

Requiem për profesorin tim të shtrenjtë!

E kështu trëmb dremitjen e atyre viteve,

Të moshës se artë, në Elbasanin e lashtë,

Që tashmë më freskojnë si fllad,

Orët e veçanta të Psikologjisë,

Dhënë mjeshtërisht nga ai!

Çdo faqe libri, skanon trurin e cdo njerit,

Si rrathët e Dantes, në Komedinë Hyjnore!

E ndjej se mund të ketë gërvishtje në këto skanime,

Por sidoqoftë unë i shoh si ëngjëj të bardhë,

Që më prekin membranën e kujtesës,

Si ish studentja e tij, vite më parë!

Kujtimi im është një memorie e kohës,

Që kapërcen pragjet natyrisht,

Dhe portat e qelqta, për të larë sytë,

Me ujë bjeshke, pa ujë të turbulluar!

Pastaj bulëzat e ujit nëpër qerpikë sysh,

Do të ndriçohen, nga yjet,

Se planeti ynë, ka shumë nevojë për ta...!

O Zot sa më dhimbsen Yjet!

Veçanërisht, ata,

Që i fsheh muzgu i qiellit shqiptar!

Poezia është botuar në gazetën "Illyria" dhe "Tema"

New York, 12 prill, 2008

KËZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.