VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
GJUHËTARËT KUNDËR SHKRIMTARËVE Nga PRIMO SHLLAKU, Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe E Djelë, 11.21.2010, 12:40pm (GMT1) Këto javët e fundit asht hapë nji debat mjaft i gjallë rreth konferencës që do të organizojë në dhjetor QSA-ja, lidhë me pasunimin e përmirësimin e standardit. Po ndjekim me vëmendje se nji pjesë e mirë e gjuhëtarëve dhe studiuesve të gjuhës janë të paknaqun nga kjo ide dhe se po shpejtojnë me refuzue konfirmimin e pjesëmarrjes së tyne, tue gjetë shpesh edhe pretekste pak ose aspak bindëse. Kuptohet fare kjartë se reagimi i tyne lidhet me idenë e nji tabuje që e shef standardin krejt në rregull dhe se nuk ka arsye pse të mblidhet nji konferencë rreth tij. Në shkrimet e të gjitë atyne që dikush mund t'i fuste në kategorinë e establishmentit zyrtar të studiuesve dhe kërkuesve të fushës së gjuhësisë, vazhdimisht flitet për "meremetime" të vogla në fytyrën e standardit, si me thanë, se dikush duhet të marrë nji pickatore dhe, shumë-shumë, të hjekë ndonji qime në vetullën e tij dhe kaq. Ideja që shprehin se ky standard âsht diçka mâ pak se përsosmënia vetë u ban nder atyne sepse ky âsht nji produkt i nji bashkësie historike studiuesish, dikur edhe sot zyrtarë, të cilët, të shtymë bukur në moshë,nuk do ta duronin "dialektikën" e ndryshimeve përmirësues, të cilën dikur e kishin premtue "me zemër në dorë" në dokumentat e ktij standardi. Mbrapa ksaj brengosje që ata shfaqin, ndoshta deri në refuzim, marrim vesht me hamendje sigurisht se ata kishin punue gjithë jetën e tyne pa rivalë dhe pa asnji konkurrencë, mbrenda linjash të hjekuna mirë dhe pa toleranca ravgimi. Linjat a priori, që vinin aso kohe prej qendrash politike për eufemi receptoheshin prej ktyne studiues si rreptësi shkencore dhe si parimësi. Kjo nuk ishte punë e keqe, sepse kush nuk i receptonte kshtu mund të përballej me zemrimin e shtetit totalitar që i dënonte rreptë mosmirënjoftësit, pra ata që inicoheshin ndër studime me kritere mâ shum politike sesa nisë prej aftësish të shfaquna e talentesh që shpërthejnë. Studiuesi i nderuem Emil Lafe që e ka emnin e vet në Fjalorin e 1980 si bashkautor, në nji shkrim të tijin te "Gazeta Shqiptare" shpreh mjerimin e vet për prekjet eventuale që ai hamendëson te standardi. Si i rritun pa rival në shkencën e tij, si njeri që ka mendue shum kohë në kor dhe ka mbështetë nji ide të mirë në thelb, por që e prish thelbin e vet në mnyrën sesi zbatohet, ai ndien shqetsim dhe ket shqetsim e shpreh haptas. Në radhë të parë ai ban thirrje haptas që standardi të mos merret si produkt komunist. Tue pritë deri sa të dalë nji tjetër me na thanë se letërsia e vjetër shqipe nuk âsht fetare, se Naimi nuk ishte bektashi, se Migjeni nuk ishte ateist, na nuk kemi mundsi me argumentue se thania e z.Lafe nuk âsht e vërtetë, sepse ajo nuk ka precedent. Sadoqë t'i them unë atij se standardi ishte produkt i komunizmit shqiptar, se ai u vendos nga nalt poshtë e me diktat, sado t'i themi se ai kishte në thelb metodat e vendosjes së hegjemonisë dhe të monopolit, se ishte produkt i nji konsensusi në diktaturë, ai thotë jo dhe ktê e ka krejt seriozisht sa ne s'na mbetet tjetër veç të ndihemi fajtorë që herëmbasherë e demonizojmë komunizmin, i biem në qafë, mbasi ai ishte i keq e shnjerzor, por produktet e tij ishin të mira, kaq të mira sa edhe mbas 40 vjetësh nuk kanë nevojë për përmirësime(!). Bile në shkrimin e vet, ai na qorton që të mos e shikojmë gjuhën si kuvend, ku duhet të përfaqsohen krahinat. Ta zemë se z.Lafe kur thotë krahinat ka paras?sh Mirditën e Dibrën, Gramshin e Ersekën, po letërsinë kombtare a duhet ta përmbajë e ta spjegojë ky standard? Apo disa shkrimtarë u përjashtuen prej letërsisë dhe mandej, kur u krye standardi e u kthyen kta shkrimtarë, nuk kishte mâ vend për ta, sepse kur ishin shkundë dardhat, ata nuk kishin qëllue nën pemë? Na ban shum përshtypje se kta gjuhëtarë të nderuem nuk merakosen fare për letërsinë dhe shkrimtarët si përdoruesit e alkimistët e gjuhës që fjalën e thjeshtë e të rëndomtë e kthejnë në stofë të çmueshme të tingullit e të rezonancës. Edhe pse kanë kalue 40 vjet të thukta e kritika janë ngritë kta 20 vjetët e fundit, ata nuk na thonë asnji fjalë për letërsinë e shkrueme në gegnisht, si do t'i bâhet halli asaj, a duhet që për hatër të standardit të sakrifikojmë letërsinë gege që lavrohet tash 500 vjet të rrasta e që përban traditën e madhe letrare e humaniste të kulturës sonë të shkrimit. A mendojnë kta se me ket standard sui generis, të ngurtësuem rreptsisht mbrenda kufîjve të tosknishtes ose edhe të hipertosknishtes, mbas nji 50-vjeçari tjetër na do të mbetemi pa 'Eposin e Kreshnikëve', pa 'Kanunin e Lekë Dukagjinit', pa kuatrinën e autorëve të vjetër, pa Vaso Pashën, pa Fishtën, pa Mjedën, pa Prenushin e Shantojën, pa Migjenin e Esad Mekulin, pa Pashkun e pa Camajn, pa Zorbën e poetët e msheftë të kohës së diktaturës si dhe gati 40 shkrimtarë mâ të rij që shkruejnë aktualisht me zell e me dashuni të kulluet për letrat e traditën e kryedialektit verior. Apo me sui generis kuptojnë ketë indiferencë e anmiqsi të ktij standardi ndaj letërsisë kombtare e, pikërisht, ndaj asaj mâ të mirës e me traditë mâ të gjatë e me nord të shkoqun kah Prendimi? Në cilën praktikë botnore, të sotme ose të djeshme, krijimi i nji standardi mund t'i fshijë nga faqja e dheut letërsisë së vet nji parcele kaq gjigande të prodhimit letrar të gjatëkohësisë e të bashkëkohësisë dhe të vazhdojë me u quejtë gati i përsosun? Për hatër të moshës e të punës me landën e shêjtë të gjuhës tonë po e pranojmë se standardi nuk qenka produkt i komunizmit, se gjuha nuk âsht kuvend ku përfaqësohen krahinat, por kuvend ku u imponohesh krahinave, por të paktën na thoni ju, gjuhëtarët, se si do t'i vejë halli ktij korpusi gjigand letrash shqipe me stampë traditën e lashtë e moderne gege, në qoftë se na e vazhdojmë aparteidin ndaj saj dhe zbatojmë edhe sot si atëherë ligjin e msheftë e dinak të monopolit? Me Danten në Italinë e shek XIII filloi gjuha letrare italishte mbi bazën e dialektit toskan, por mos harroni se po me Danten filloi edhe letersia vernakulare kombtare italiane dhe zgjedhja e dialektit toskan nuk lente jashtë asnji autor italian të mâparshëm, me përjashtim të asaj letërsie që shkruhej në latinisht, pra në nji gjuhë tjetër dhe të vdekun, përmâtepër.
PRIMO SHLLAKU
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |