E Premte, 03.29.2024, 03:49pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

SHQIPËRIA U SHKËPUT PËRFUNDIMISHT NGA METASTAZAT E REGJIMIT KOMUNIST

Nga JAAK GABRIELS, Ministër i Shtetit i Mbretësisë së Belgjikës


E Enjte, 11.25.2010, 09:43am (GMT+1)

Jam thellësisht i lumtur, që gjendem këtu në Tiranë për të prezantuar botimin në shqip të librit për Princin Karl të Belgjikës, shkruar nga miku im, Gunnar Riebs.

Falënderoj veçanërisht Shkëlqesinë e Saj, Princeshën Lea për praninë. Jam i kënaqur dhe i nderuar të gjendem në mesin tuaj në këtë ditë, që, padyshim, do të mbetet për mua e paharruar, këtu në mes miqve shqiptarë, si dhe në praninë e veçantë të z. Gunnar Riebs.

Familja Mbretërore Belge ka qenë dhe do të mbetet përherë një vijë lidhëse mes të dy popujve të vendeve tona. Kështu, ka qenë gjithmonë për Mbretërinë e Belgjikës dhe tani në këtë moment kur vendi ynë po përpiqet të gjejë një ekuilibër të ri.

Njëherësh falënderoj autoritetet shqiptare për pritjen e ngrohtë që na bënë, në këtë vend të bukur, gjatë qëndrimit tonë këto ditë, si dhe veçanërisht botuesin e z. Gunar Ribes, z. Fahri Balliu, si dhe zotin Sulejman Gjana, që bëri gjithçka për të realizuar këtë projekt, si dhe për të pritur delegacionin tonë, me në krye shkëlqesinë e saj, Princeshën Lea të Belgjikës.

Dua të falënderoj gjithashtu edhe ministrin e Brendshëm, zotin Lulzim Basha, i cili bëri çmos për mundësimin e kësaj vizite.

Belgjika dhe Shqipëria kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera. Familja Mbretërore belge ka pritur disa herë Mbretin Leka dhe shqiptarë të tjerë në Kështjellën Laeken dhe Mbreti Leka ka pasur marrëdhënie shumë të mira me bashkëshortin e madhërisë së saj, Princeshës Lea, Princin Aleksandër që, u nda nga ne një vit më parë dhe që sot e sjellim si një kujtim mjaft prekës.

Belgët dhe shqiptarët kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësie dhe respekti të përbashkët. Belgjika priti pas Luftës së Dytë Botërore një komunitet të madh shqiptarësh, azilantë politikë, të cilët i ikën persekutimit komunist të regjimit diktatorial. Qeveria shqiptare gjithmonë ka mbështetur përpjekjet e shqiptarëve për të shkatërruar diktaturën komuniste, për demokratizimin e vendit dhe që vendi të futej në familjen evropiane.

Shqipëria ka ndryshuar shumë që prej rënies së regjimit komunist dhe mbi të gjitha, ka ndryshuar shumë gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s. Reformat e ndërmarra japin çdo ditë rezultate të dukshme për shqiptarët dhe miqtë e tyre evropianë. Shqipëria ka fituar tashmë në lehtësimin të regjimit të vizave të zonës Shengen dhe shqiptarët mund të qarkullojnë lirshëm në Evropë.

Shqipëria ka vënë njëherësh edhe kandidaturën e saj për të aderuar në Bashkimin Evropian. Belgjika drejton sot Komisionin Evropian dhe do të jetë një gëzim i veçantë, pasi gjatë kësaj kohe (presidencës belge), do të hyjë në fuqi heqja e regjimit të vizave për shqiptarët.

Të gjitha familjet mbretërore gjithmonë e kudo në botë kanë punuar për popullin e tyre, për kombin e tyre.

Gunnar Riebs, na ka treguar në librin e tij se, Princi Karl ka bërë të njëjtën gjë. Liria e tij e veprimit ishte e rrallë dhe shpeshherë kontributi i tij ka mbetur i panjohur.

Jam i bindur se, Familja mbretërore shqiptare, gjithashtu, ka dhënë dhe do të vijojë të japë një kontribut të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Për të përfunduar dua të falënderoj dhe uroj z. Gunnar Riebs - që është miku im prej shumë vitesh - që punon për mëse një çerek shekulli në nisma në dobi të shoqërisë.

Gunnar Riebs e ka nisur karrierën e tij në vitin 1983, si profesor në kolegjin Shën Jozefi në qytetin e tij të lindjes në Aarschot, për t'u bërë një vit më vonë drejtor i Qendrës "Kardinal Kardij". Ai ka pasur edhe funksione të tjera. Ka botuar vëllime me poema dhe disa libra si atë për kompozitorin Jan de Middeleer apo atë për Papa Gjonin XXIII. Eshtë dekoruar - dhe unë kam pasur rastin t'i dorëzoj në emër të Shenjtërisë së Tij, Mbretit të Belgjikës - medaljen e Oficerit të Urdhrit të Kurorës Mbtërore në Belgjikë.

Ju faleminderit për gjithçka, z. Riebs.

Gjithashtu, në fund, s'mund të mbetem pa falënderuar të gjitha autoritetet shqiptare për praninë dhe të pranishmit për vëmendjen e kushtuar!

--

Monografia vjen për lexuesit shqiptarë nëpërmjet punimit të shkëlqyer të Gunnar Riebs

Promovohet libri "Karli, Princi i kaltër" i Belgjikës

"Karli, Princi i kaltër" i Belgjikës mblodhi para pak ditësh në një nga sallat e Hotel "Rognerit", politikanë, botues, shkrimtarë, intelektualë të të dy vendeve. Botimi më i fundit i Shtëpisë Botuese "55" sjell në vëmendje të shqiptarëve jetën dhe veprimtarinë e Karlit, Princit të Belgjikës, këtij vendi mik që ka qenë përherë një strehë për qindra e mijëra shqiptarë në çdo kohë.

Në promovimin e botimit shqip të kësaj vepre ishin të pranishëm Lartësia e saj, Princesha Lea e Belgjikës, ministri i Shtetit belg z. Jaak Gabriels, vetë autori i librit, z. Gunnar Riebs, etj. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, deputetët Flamur Noka e Mesila Doda, zv/ministrat Halit Shamata e Ekrem Spahia, këshilltari i Kryeministrit z. Petraq Milo, etj.

Fjalën e përshëndetjes e mbajti drejtori i Shtëpisë Botuese "55", publicisti Fahri Balliu. Ndër të tjera, në fjalën e tij ai vlerësoi promovimin e këtij libri të veçantë për princin e një shteti mik si Belgjika, një mbretëri me ide të forta shtetërore e kombëtare, me qëndrime fisnike në gjithë rrjedhat e historisë. Pikërisht për të njohur dhe këmbyer këto vlera, Shtëpia Botuese "55" mori përsipër botimin e këtij libri dhe promovimin, në praninë e dhjetra krijuesve e politikanëve, dhe veçanërisht të Princeshës Lea, Shkëlqesisë së Saj, si dhe ministrit të Shtetit, z. Jaak Grabierls dhe natyrisht, edhe të vetë autorit Riebs.

"Ky libër është shkruar me një cilësi të veçantë, është shkruar me sinqeritet, me frymëzim, me ndjenjë, një libër që përçon frymën e kohës. Autori ia ka dalë mbanë të shkruajë biografinë e princit Karl dhe nuk është e lehtë të shkruash për të. Por, vetëm pena e z. Riebs, ia ka dalë mbanë të bëjë një gjë të tillë",-tha z.Balliu Ai shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për Princin, për Mbretërinë, qeverinë dhe popullin e Belgjikës, e cila ka qenë përherë një strehë e ngrohtë për shqiptarët e çdo kohe. Kjo sipas tij edhe për faktin se shqiptarët në kohët më të vështira kanë gjetur strehë tek ata njerëz fisnikë, me ideale të larta, njerëz me vizione për të ardhmen.

Gjithashtu, gjatë këtij promovimi pjesëmarrësit e shumtë shprehën edhe mirënjohje për Belgjikën, që pati fatin historik që gjatë kohës së drejtimit të presidencës së Këshillit të Evropës, të nënshkruajë liberalizimin e vizave të Shqipërisë. Z.Balliu bëri të ditur se, princi Karl është lidhësi i këtyre dy epokave, një figurë madhështore e këtij shteti mik, si Belgjika", u shpreh Z.Balliu.

Në promovim përshëndeti edhe shkëlqesia e saj, Princesha Lea, e cila falënderoi të pranishmit për mikpritjen dhe promovimin e këtij libri të veçantë, si dhe përcolli ndjesitë personale, kur shihte botimin e një libri kaq autoritar për Princin Karl edhe në gjuhën shqipe, një gjuhë me të cilën ishte njohur edhe më herët e për të cilën kishte një admirim të veçantë.

Në fund, përshëndeti të pranishmit edhe vetë autori i librit z. Gunnar Riebs. "Në jetën e njeriut ka ndjenja, ka kujtime që të mbetet gjatë në mendje. Për Shqipërinë kam dëgjuar që kur isha në moshën 8-vjeçare nga im atë. Atëherë ai më tregonte për këtë vend, për regjimin e saj, për izolimin, diktaturën dhe unë mendoja atëherë se kurrë nuk do të kisha rast të shkelja në këtë vend. Sot, më duket një ëndërr që unë jam këtu, në Shqipëri, në mesin tuaj. Jam shumë i impresionuar që gjendem këtu, aq më tepër për të promovuar me ju botimin e librit tim në shqip. Dua të shpreh edhe një herë falënderimet e mia për të gjithë, për këtë vend të mrekullueshëm, për mikpritjen shqiptare. Falënderoj botuesin z. Fahri Balliu, përkthyesin z. Kostaq Xoxa dhe ju të gjithë për këtë atmosferë të mrekullueshme që do të mbetet për mua e paharruar!".

Pas përfundimit të ceremonisë së promovimit, për Lartësinë e saj, Princeshën Lea të Belgjikës, ministrin e Shtetit të Belgjikës, Jaak Gabriels dhe autorin e monografisë së Princit Karl, Gunnar Riebs, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, shtroi një darkë./Përgatiti: Halil RAMA

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
IMZOT NIKOLLË KAÇORRI - FIGURË E NDRITUR E KOMBIT SHQIPTARNga NUE OROSHI (11.24.2010)
NJË LUTJE PËR PRISHTINËN (Paranteza e hapjes dhe Paranteza e mbylljes)Nga XHEMAIL MUSTAFA (11.23.2010)
DHJETË VJET NGA VRASJA E XHEMAJL MUSTAFËSNga SABEDIN HALITI (11.23.2010)
102 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT (11.22.2010)
SA ËSHTË I SIGURTË AEROPORTI NDËRKOMBËTAR "NËNË TEREZA" NË TIRANË? (11.22.2010)
NË 20 VITET E FUNDIT JANË VRARË NË KUFI MBI 600 SHQIPTARË (11.21.2010)
GJUHËTARËT KUNDËR SHKRIMTARËVENga PRIMO SHLLAKU, Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhë Shqipe (11.21.2010)
NJOHJA DHE ÇERTIFIKIMI I PRODUKTEVE SHQIPTARE ME STANDARTET NDËRKOMBËTARE (11.21.2010)
MË NJEH AMERIKA, MË NJEH JAPONIA, NUK MË NJEH QEVERIANga AGIM VATOVCI, President i Shoqatës së Personave me Hendicep dhe Aftësi të Kufizuara të Kosovës (11.20.2010)
REQUIEM PËR PROFESOR BEDRI DEDENBotuar në librin "Bedri Dedja në kujtesën tonë..." me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjesNga KËZE KOZETA ZYLO (11.19.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]