VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DHJETORI SHEMBI SISTEMIN KOMUNIST, TANI DETYRË ËSHTË DEMOKRACIA

Nga BARDHYL UKCAMAJ, New York


E Mërkurë, 12.08.2010, 10:57am (GMT1)

Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990 është i vetmi aksion politik i shqiptarëve në historinë e njohur, që realizoi ndryshime sistemesh politike (shembjen e regjimit bunker në Europë) në mënyrë paqësore. Eshtë aksioni politik më pro- europian, që nga Rilindja Kombëtare. Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990 legjitimoi të drejtën e pluralizmit politik në Shqipëri.

Kjo lëvizje në të gjitha aspektet ishte një revolucion për shoqërinë; ishte paqësore e liberale në një shtet të dhunës dhe urrejtjes; ishte elitare në një mbretëri të mediokritetit; ishte patriotike e pro-europiane brenda kufijve të një shteti anti-perëndimor. Kjo lëvizje në gjurmët e Rilindjes Kombëtare përcaktoi aksiomën e shqiptarëve të shekullit të ri: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa".

Naltësimi i kësaj ngjarje historike në kujtesën tonë kolektive na nderon e ndihmon si bashkësi e ndergjegjsueme për të sotmen e të nesërmen tonë. Nderimi i ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike është i dobishëm në shumë aspekte. "Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet", shkruante Luigj Gurakuqi.

Ne, ish- studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera, arritëm një sukses historik për popullin shqiptar, por edhe për qytetërimin europian. Rrëzuam një prej diktaturave më të egra dhe shembëm një nga regjimet më barbare të kontinentit. Jam i lumtur si njeri nga mijëra luftëtarët e lirisë së Dhjetorit 90-të për çfarë i afruam atdheut kur më së shumti i duhej. Dhe e bëmë me një përgjegjësi e dinjitet të lartë qytetar.

Liria kolektive nuk mund të fitohet e garantohet me revolucion, por fitohet e drejta e individëve për të luftuar e punuar për liritë e tyre e të shoqërisë në të cilën jetojnë. Në Dhjetorin e 90-ës, në dekadën e fundit të shekullit të XX-të, të bashkuar rreth idealit të lirisë së përbashkët, fituam të drejtën për të luftuar për liritë individuale, e kjo betejë duhet të vazhdojë.

Shoqëria shqiptare e ka arkivuar në histori të shkuarën komuniste (së paku si sistem). Sot jetojmë në një shoqëri të hapur. Në ditët e sotme elita shqiptare ka detyrimin t'i afrojë një shërbesë të re shoqërisë: Ushqimin e përditshëm të demokracisë në hapësirat ballkanike ku jetojnë shqiptarët; fuqizimin ekonomik dhe shëndoshjen e identitetit kombëtar. Sot e nesër, së bashku për një shoqëri plotësisht evropiane, në të gjithë hapësirën e atdheut tonë.

BARDHYL UKCAMAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.