VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AZEM HAJDARI, SHEMBËLLIM FRYMËZIMI E PËRNGJASUES ME GJERGJ ELEZ ALINË
E Enjte, 12.09.2010, 05:27pm (GMT1)

Në fëmijërinë e rininë e tij të hershme, në dije e karakter, u formua edhe me Eposin e Kreshnikëve, me legjendat e Mujit e të Halilit dhe atë të Gjergj Elez Alisë, që në traditën etno-historike të Malësisë së Gjakovës janë aq shumë të brumuara, të prekshme e të ndjeshme saqë të duken të besueshme e frymëzuese, kur të tregojnë me pasion e emocion se ku shtrihen Lugjet e Verdha, Lugu i Zanave, Varri i Omerit etj., kur të thonë se mbledhësit e folklorit shqiptar Kangen e Gjergj Elez Alisë e kanë gjetë në këto vise dhe legjendat e percjellin betejen e tij me Bajlozin e Zi bash aty ku bashkohet Drini me Valbonen, aty ku, sipas nje europiani te shekullit te kaluar, njerzit flasin me Perendite e Eskilit , etj.

Vet emni Azem, si shpjegim, vjen nga gjuha arabe, që domethanë "Kollos", përndryshe merr edhe kuptimin "Kreshnik". Kjo duket diçka si e dhanë hyjnore nga lart ose (para)ndjenjat prindërore ishin ato që e pagëzuan kështu, pasi vetë jeta e tij ishte e tillë.

Në memorien e kohës ka mbetur i tillë: si kollos, si kreshnik modern. Veçanarisht në vitin 1990 në përmbysjen e komunizmit; në vitin 1997 në përballje me rebelimin e armatosur komunist; në vitin 1998 në priten e Milotit (14 shkurt 1998) etj. dhe së fundit, më 12 shtator 1998, kur në pushkatimin e tij politik, (sipas publikimeve të shumta), morën pjesë 125 vetë; nga këta 25 veta me uniforma policie, dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, (madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë katër muaj më parë), qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje politike e tragjike. Duket sikur te Azem Hajdari shembëllehet një frymëzim përngjasues me Gjergj Elez Alinë, jo veç për faktin se lideri historik i shqiptarëve, Prof. Dr. Sali Berisha, e cilëson si "legjenda e demokracisë shqiptare", por edhe për disa përkime:

Nëse te Gjergj Elez Alia flitet për "Bajlozin e Zi", Azem Hajdari jo rrallë e përdorte shprehjen "Bajlozi i Kuq", me të cilin u ndesh triumfalisht në ditët e Dhjetorit '90 si lider i Lëvizjes Studentore.

Nëse Gjergj Elez Alia lëngonte nandë vjet në shtrat me nandë plagë në trup e ia behi si kreshnik në duel me "Bajlozin e Zi", Azem Hajdari luftoi nandë vjet kalendarike (1990-1998) kundër "Bajlozit të Kuq", me plagë në trup edhe nëpër prita e atentate si ato në plagosjen në Parlament (18 shtator 1997) e në ekzekutimin e tij politik para selisë së PD-së (12 shtator 1998), biles, siç thuhet në mënyrë simbolike në disa vargje poetike, ndrroi jetë me "90 plagë në trup".

Ndonëse kurrë nuk e ka ndie askush, astenjiherë, ta krahasojë veten me Gjergj Elez Alinë, tashti, kur nuk e kemi mes nesh fizikisht, mund t'i themi botërisht: "Azem,

Ti je një Gjergj Elez Alia i kohëve moderne".

E s'ka se si të jetë ndryshe.

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.