E Enjte, 03.28.2024, 08:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

MBI NDRYSHIMIN E DISA RREGULLAVE TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga Prof. Dr. MEHMET ÇELIKU


E Premte, 12.17.2010, 09:34am (GMT+1)


Si të gjithë popujt e tjerë të kulturuar të Europës, edhe shqiptarët, prej rreth 40 vjetësh, kanë gjuhën e tyre standarde, një arritje madhore kjo e kombit shqiptar. Fillimet e saj shkojnë në Rilindje, madje edhe përtej. Dy dialektet e shqipes dhe produktet e tyre, dy variantet kryesore letrare të shqipes, toskërishtja letrare e gegërishtja letrare, ishin shumë afër midis tyre dhe mundësonin përshpejtimin e procesit të njësimit të shqipes, madje shumë më shpejt se gjuhët e disa vendeve të tjera, por procesi u vonua pikërisht nga rrethanat e veçanta politike shoqërore që përjetoi Shqipëria. Shqipja standarde u ligjësua vetëm në vitin 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, mbajtur në Tiranë në nëntor të atij viti. Por "Rregullat e Drejtshkrimit të shqipes"(Projekt), Tiranë 1967, u zbatuan në Shqipëri me urdhër nga lart që me botimin e tyre si projekt, pesë vjet para miratimit në Kongres, dhe në Kosovë që nga 1968, këtë herë me dëshirë, sipas vendimit të Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968).
"Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe", Tiranë 1973, botuar fillimisht si projekt më 1967, është vepra kodifikuese e sistemit shkrimor të shqipes letrare të njësuar dhe për nga rëndësia kombëtare qëndron pranë alfabetit kombëtar të Manastirit. Ky kod i ri drejtshkrimor, shkencor e njëherazi praktik, shënon një hop cilësor përpara. Rregullat e tij ngrihen mbi sistemin shkrimor të një gjuhe letrare të re, sistem shkrimor ky i mbështetur në gjuhën e gjallë, në variantin e folur letrar, kryesisht të toskërishtes letrare. Prandaj ai ka një karakter të gjerë fonetik, por plotësohet ndjeshëm edhe nga parimi morfologjik e tj. Kjo vepër është kurorëzim i zbatimit të politikës gjuhësore strategjike më se njëqindvjeçare, projektuar që në Rilindje e zbatuar fillimisht në hartimin e alfabetit kombëtar, e që vazhdoi pastaj me politikën konverguese në krijimin e një tradite shkrimore.
Kanë kaluar afër katër dhjetëvjeçarë dhe vepra "Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe''1973, ka dhënë një kontribut me vlerë të jashtëzakonshme në kristalizimin e mëtejshëm të normave të drejtshkrimit, të gramatikës, të leksikut, të drejtshqiptimit, në gjithë procesin e njësimit të gjuhës sonë letrare.
Tani po përsëris mendimin tim se "Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe",1973, duhet rishikuar dhe ribotuar sa më shpejt. Një kërkesë për hapjen e një diskutimi shkencor, që do të përmbyllej me një konferencë shkencore, unë e kam shtruar për herë të parë 15 vjet të shkuara në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mbajtur në Tiranë më 21 gusht 1995, ku fjalë për fjalë kam theksuar atëherë se "Është e kuptueshme që ky diskutim duhet të jetë konstruktiv, në asnjë mënyrë përmbysës po vetëm plotësues, përmirësues. E mendojmë këtë diskutim si gjithëkombëtar, të lirë, të bazuar në arritjet më të fundit".
Rishikim e përmirësim i "DGjSh",1973, sipas nesh, do të thotë modifikim i pak rregullave, duke u mbështetur në këto kritere: mosprekja e bazës së standardit, ruajtja e njëtrajtshmërisë së njësive në sistem, reflektimi i praktikës gati dyzetvjeçare, thjeshtësimi i mëtejshëm i tij. Rregullat kryesore që mund të modifikohen janë fare të pakta; këto janë të njohura nga specialistët e gjuhës, sepse ndonjë prej tyre është shtruar e diskutuar para Kongresit të Drejtshkrimit, gjatë diskutimeve të "Rregullave",1967, disa janë shtruar që në Kongres në referatet e gjuhëtarëve tanë të shquar E.Çabej e M.Domi, më vonë nga gjuhëtarë të tjerë dhe kohët e fundit janë trajtuar edhe nga Këshilli Ndërakademik.Siç shihet, shqetësimi për to është i gjerë dhe i hershëm, por nuk u është kushtuar vëmendja e duhur dhe u anashkaluan në redaktimin përfundimtar të Rregullave pas Kongresit. Gjithashtu edhe argumentimi shkencor që mbështet modifikimin e këtyre pak rregullave përgjithësisht është bindës.
Më lejoni tani të paraqis konkretisht vetëm disa prej rregullave të Drejtshkrimit që mund të modifikohen dhe që kam pasur rastin, krahas të tjerëve, t'i trajtoj vite më parë (shih, ndër të tjera,"Kongresi i Drejtshkrimit dhe Norma Gramatikore në gjuhën e Sotme Letrare,, kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore jubilare, më 12.12.1997, në Tiranë, me rastin e 25 vjetorit të KD), por gjithsesi një listim më i plotë i tyre ka qenë objekt pune i Këshillit Ndërakademik:
(1) Shkrimi i j-së në vend të nazalit palatal fundor nj te shumësat e disa emrave mashkullorë dhe në shumësin e disa mbiemrave, si: ftoj, ullij, barij, lumej (në vend të ftonj, ullinj, barinj, lumenj e tj.); të mëdhej, të rij (në vend të mëdhenj, të rinj e tj.). Në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës Çabej shtron parimin e marrjes parasysh të kriterit të shtrirjes territoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore: "Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo, me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit...Sipas këtij kriteri është arritur përdorimi i j te foljet (punoj, punoja) dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal''.(E.Çabej,"Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes", KDGjSh I,Tiranë,1973.) Për shkrimin e j -së në vend të -nj Drejtshkrimi e ka hapur rrugën me shumësin kufij.
(2) Problem të ndërlikuar në gjendjen e sotme të gjuhës përbën drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar, sidomos i ë-së paratheksore. Aktualisht ka një mospërputhje midis shkrimit dhe mosshqiptimit të saj. Mospërputhja është kryesisht pasojë e zbatimit të parimit morfologjik, të analogjisë etj. në drejtshkrimin e saj.
Megjithatë në ndonjë kategori të caktuar fjalësh ka vend për ndonjë reduktim të zanores ë, siç është heqja e ë-së së patheksuar fundore te disa emra mashkullorë, si: lumë, djalë, burrë etj. dhe disa emra lëndësh që kanë kaluar nga gjinia asnjanëse në gjininë mashkullore, si: ujë, djathë, gjalpë etj. Në mbështetje të këtij reduktimi në këta dy tipa emrash, Mahir Domi thotë se "del i këshillueshëm të hequrit dorë nga ruajtja e ë-së së patheksuar fundore...''(M.Domi, "Parimi fonetik e zbatimi i tij në Drejtshkrimin e Shqipes" në SF,nr1,1973.) Kriteri i thjeshtimit dhe sistemimi morfologjik sipas gjinisë mbështet plotësisht këtë ndryshim; por ndryshimi gjen mbështetje edhe në parimin fonetik, krahaso mur, gur etj. Në shumësin e llojrave me (ë)ra të këtyre emrave do të parapëlqehej prapashtesa ra: ujra, djathra, si mishra.
Problem mjaft të diskutueshëm përbën kryesisht ruajtja apo heqja e zanores paratheksore ë në grupin e fjalëve të parme (argëtoj,bagëti,këpucë,fëmijë,kënaq e tj.), në grupin e fjalëve të prejardhura (anëtar, armëtar, botëror, copëtoj, gjuhësi, tokësor, etj), në grupin e fjalëve të prejardhura ku ë-ja është zanore mbështetëse (armiqësi, besnikëri, kombësi, Shqipëri, trimëri, shtetëror, plehëroj), në grupin e fjalëve të prejardhura ku ë-ja është element i temës së cilës i shtohet një prapashtesë që fillon me zanore (arbëror, dimëroj, emëroj, zemërim e tj.). Prirja e përgjithshme, kryesisht tek shqipfolësit veriorë të standardit, është shqiptimi pa zanoren ë, sidomos në ligjërimin e shpejtë. Nga ana tjetër, prania e ë-së ruan strukturën fjalëformuese të fjalës dhe siguron në të folur një komunikim më të kapshëm; gjithashtu në këto grupe përfshihen edhe fjalë që shqiptohen kryesisht a vetëm me ë, sepse reduktimi i saj do të krijonte grup bashkëtingëlloresh gati të pashqiptueshëm, ose të shqiptueshëm me shumë vështirësi, si dëgjoj, dënesë, kërcej e tj.
Rregullat e shkrimit apo të mosshkrimit të ë-së pastheksore nuk ndejnë shumë probleme, sepse rregullat e përdorimit të saj në vetë gjuhën janë më të sistemuara, por edhe parimi i konvergjencës në këtë kategori është respektuar ndjeshëm nga gjuhëtarët.
Për sa i përket ë-së paratheksore, me gjithë prirjen e theksuar të reduktimit të saj në gjuhë, kryesisht në shqiptimin e shpejtë të stilit bisedor, me gjithë dëshirën për të shtrirë më gjerë në drejtshkrimin e saj parimin fonetik, mendoj se nuk ka ardhur koha për ta zgjeruar më tej reduktimin e saj. Përndryshe në këtë krye do të shtonim shënimet, përjashtimet, të cilat do të rëndonin edhe më shumë rregullat. Për të mbështetur qëndrimin tonë , më lejoni të citoj një mendim të karakterit teorik të M.Domit në artikullin e cituar më lart: "Gjuha, me elementet përbërëse të saj është në lëvizje të vijueshme, në zhvillim të ngadalshëm, por të pandërprerë. Në çdo moment të saj gjen procese në shtjellim e sipër, në faza të ndryshme të këtij shtjellimi e si pasojë me përfundime të ndryshme. Drejtshkrimit i takon të sjellë rregullsi e kristalizim në këtë realitet të lëvizshëm.Po si? Drejtshkrimi s'ka si të ndjekë hap për hap gjithë këtë lëvizje, të regjistrojë në çast rezultatet e pjesshme e të ndryshme të saj, aq më pak tendencat që nuk kanë gjetur realizim të plotë e tërësor. Ai do të presë kryerjen plotësisht të proceseve, konsolidimin dhe përgjithësimin e përfundimeve. Kur s'janë arritur këto, është më e arsyeshme të mbahen ortogramet ekzistuese, tradicionale....Me këtë sy, pa u nxituar, mendoj - vazhdon Domi - duhen parë çështjet e ndërlikuara të shumta që i nxjerr drejtshkrimit të gjuhës sonë, ë-ja e patheksuar, që del sot si një tingull i paqëndrueshëm, i dobësuar në shkallë të ndryshme, e si pasojë i një dëgjueshmërie të ndryshueshme." Si përfundim, në këtë rast duhet pritur zhvillimi i mëtejshëm objektiv i vetë gjuhës; madje ka mundësi që rregullat e drejtshkrimit të ë-së të ndikojnë në formësimin e rregullave të drejtshqiptimit letrar të saj. Por duhen edhe vëzhgime të tjera e analiza laboratorike akustike.
(3) Për t'u ndryshuar janë edhe disa rregulla, shënime, përjashtime rregullash e zgjidhje kontradiktore për fjalë të veçanta gjithnjë në përputhje me kriteret e sipërpërmendura: ruajtja e sistemit, zhvillimet dinamike të gjuhës e reflektimi i realitetit gjuhësor, por edhe thjeshtimi i drejtshkrimit. Për të ilustruar këtë, po japim disa shembuj:
Emri Evropë dhe derivatet e tij, si evropian, të shkruhen me -u-( Europë e tj), sepse shqipja e ka dyzanorshin eu, sepse me këtë dyzanorsh kjo fjalë përdoret në disa gjuhë të Europës, sepse kjo trajtë do të harmonizonte me euro (krahaso evro që përdorin grekët), eurovizion, eurosong e tj. Mbiemri i gjerë dhe derivati i tij gjerësi të shkruhen me ë që i përgjigjet një a-je hundore (krahaso i rëndë, i tërë etj). Pjesëza ish para emërtimeve (faq.135,dh) do të ishte mirë të shkruhej pa vizë lidhëse me fjalën pasuese, sepse është fjalë tjetër, me kuptimin e vet të veçantë dhe jo parashtesë; përveç kësaj ka edhe vështirësi në bashkëlidhje me fjalë me eptim të përparëm: ish drejtor, ish ministër, ish kulak, ish i përndjekur, dhe sepse kështu po përdoret në medien e shkruar gjithnjë e më shumë. Mund të mënjanohej edhe përjashtimi i emrit dhe mbiemrit punonjës për punues, trajtë që sot nuk është e panjohur. (4) Në shqipen standarde vihet re një luhatje e theksuar në trajtën e shquar të emrave të parë dhe të mbiemrave (llagapeve) të disa emrave të përveçëm (Koço, Spiro, Petro, Marko, Pano), si dhe të disa emrave të përgjithshëm të tipit depo, piano,vazo etj. Trajta e shquar e tyre formohet në dy mënyra: Koçoja dhe Koçua; pianoja dhe pianua. Rregullat e 1967 i jepnin si normative të dyja format, ndërsa Drejtshkrimi 1972 njeh si normative vetëm formën Koçoja, Spiroja, pianoja. Mendoj se përzgjedhja nuk është e goditur, sepse trajta Koçoja, depoja me dy rrokje pas theksit është në kundërshtim me natyrën e shqipes (nuk shkon sipas modelit lule, lulja; në të folmen e Elbasanit kemi Koçja, Spirja, depja, palltja). Prandaj në kundërshtim me rregullën e Drejtshkrimit, praktika po përdor shpesh herë Koçua, ose trajtën e pashquar në vend të së shquarës (Niko luajti një nga rolet kryesore). Pra, një rregull i kundërnatyrshëm, prodhon një përdorim tjetër të panatyrshëm në gjuhën shqipe, përdorim i një emri të pashquar në vend të të shquarit.
(5) Foljet me temë në t, që dalin edhe me t edhe me s (mat / mas), përbëjnë një nga luhatjet më të theksuara në shqipen standarde. Kjo luhatje është njohur nga të gjitha veprat kodifikuese si dysor normativ. Kësaj luhatjeje i nënshtrohen rreth 200 folje. Shumë argumente mbështesin variantin me s: ky variant sot gëzon një shtrirje më të madhe, ka për model analogjik një grup të madh foljesh, rreth 200, që dalin në temë me s të detyrueshme në të gjitha format eptuese, si: nis, kris, rastis, plas; argument tjetër në të mirë të variantit me -s është edhe fakti se nëpërmjet saj shprehen kuptime gramatikore të diferencuara, gjithashtu fonetikisht s-ja fundore shqiptohet më lehtë se t-ja; gjithashtu varianti me s takohet jo vetëm në gegërishte, por edhe në toskërishten veriore, pra, varianti me s duhet parapëlqyer e mbështetur edhe sepse zotërohet nga më shumë se dy të tretat e shqiptarëve. Me ngritjen në normë të variantit me s e mënjanimin e trajtës me t, do të kishim një rast tjetër jo të parëndësishëm të konvergimit të standardit me gegërishten. Siç shihet, këtu kemi zëvendësim dhe jo bashkëpërdorim mjetesh si do të ndodhte në rastin e integrimit të paskajores gege në standard.
(6) Rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe duhen thjeshtuar, duke zgjeruar përdorimin e saj në tri raste: në &74 , në &75, në &83 e pikërisht: të shkruhen me shkronjë të madhe të gjitha fjalët përbërëse të emërtimeve të funksioneve zyrtare, shoqërore dhe titujt e nderit, qofshin ata të lartë apo jo; të shkruhen me shkronjë të madhe emrat e përveçëm allah, perëndi; të shkruhen me shkronjë të madhe të gjitha fjalët përbërëse të titujve të gazetave, të revistave e të librave dhe titujt e botimeve në gjuhët e huaja.
"Drejtshkrimi i gjuhës shqipe",1973, ka nevojë për një redaktim të thellë: materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës e, si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e politizuar e të vjetëruar të institucioneve, si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së punës të Shqipërisë, hidrocentrali "Lenin" ose parulla komuniste "Të jetojmë, të punojmë si revolucionarë", terma gjuhësorë të kapërcyer, si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor e tj. në vend të mbaresa shquese, përemër i pacaktuar, mbiemër e tj.
Këto ishin disa sugjerime për rishikimin e Drejtshkrimit; ato janë të kufizuara, jothemelore,nuk cënojnë bazën sistemore të tij, përqëndrohen në grupe të vogla fjalësh deri në raste individuale, thjeshtojnë rregullat, sistemojnë më mirë disa elementë brenda sistemit shkrimor e gramatikor. Rishikimi i tyre nuk kërkon shumë punë e shumë kohë.
Rishikimi e përmirësimi i Drejtshkrimit të vitit 1973 përbën vetëm një objektiv të veçantë, por jo më i rëndësishmi, në planin kombëtar ballësor të punës sonë në mbështetje të standardit. Në rrethanat e reja politike të integrimit europian të kombit tonë pritet një mbështetje e gjithanshme shkencore, shtetërore dhe shoqërore e standardit. Përmirësimi i mëtejshëm i shqipes standarde në etapën e sotme kërkon një politikë gjithkombëtare në fushë të gjuhës, kërkon shtrirjen e standardit në të gjitha trevat shqiptare, zotërimin më të mirë e më të shpejtë të tij, kërkon një konceptim të ri e më rezultativ në mësimdhënie, sidomos në shkollat e mesme, kërkon mbështetje shtetërore e institucionale për studimin, mbrojtjen, pastrimin e pasurimin e tij, si dhe për shtrirjen e standardit në diasporë dhe tek emigrantët ekonomikë të shpërndarë kudo nëpër botë.

Kumtesë e mbajtur nga Prof.Dr. Mehmet Çeliku në konferencën shkencore "Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit", organizuar nga QSA

Prof. Dr. MEHMET ÇELIKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AT GJERGJ FISHTA - VETËDIJA E KOMBIT SHQIPTARNë 70 vjetorin e vdekjes së PoetitNga DANIEL GÀZULLI (12.14.2010)
13 DHJETORI I SHKODRËSNga SHYQYRI SELHANI (12.14.2010)
CORRIERE DELLA SERA, 31.12.1940 - "LA MORTE DI GIORGIO FISHTA"Përgatiti: PAUL TEDESCHINI (12.12.2010)
AZEM HAJDARI KUSHËRI NË 9 BREZA ME HAXHI ZEKËN DHE BAJRAM CURRINNga RAMIZ LUSHAJ (12.12.2010)
SHTEPIA E AZEM HAJDARITNga RAMIZ LUSHAJ (12.11.2010)
AZEM HAJDARI, SHEMBËLLIM FRYMËZIMI E PËRNGJASUES ME GJERGJ ELEZ ALINË (12.09.2010)
SHKODRA MES UJIT DHE SHPRESËS (Fotoreportazh) (12.09.2010)
DITA E DINJITETITNga SALI BERISHA (12.09.2010)
DOSJA E FUNDIT E WIKILEAKS PËR SHQIPËRINËNga LUTFI DERVISHI (12.08.2010)
20 VJET PAS RËNIES SË KOMUNIZMIT INTEGRIMI EVROPIAN MBETET ËNDËRR (12.08.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]