VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Gjashtë të vdekur dhe rreth 50 të plagosur shqiptarë nga tërmeti në Itali
E Premte, 04.10.2009, 09:07am (GMT1)

RTK - Nga tërmeti që goditi Italinë kanë humbur jetën gjashtë shqiptarë nga Maqedonia dhe rreth 50 të tjerë nga ky vend janë lënduar. Ekipi i RTK-së ka qëndruar sot në këto familje, të cilat u tronditën nga pasojat tragjike të këtij tërmeti. Ndërkohë, në ndihmë të tyre ka dalë sot edhe Qeveria e Maqedonisë. Gjatë ditës së nesërme pritet që në Maqedoni të sillen kufomat dhe të bëhet varrimi i viktimave.

 Tmerrin e tërmetit që goditi Italinë e kanë përjetuar edhe shumë familje shqiptare nga Maqedonia, të cilat jetojnë dhe punojnë atje.

Njëri prej gjashtë viktimave nga Maqedonia është edhe Valbona Osmani nga Negotina e Gostivarit. Ajo nesër duhej të mbushte 13 vjet. Familjarët e saj thonë se një ditë para tërmetit, Valbona iu kishte thënë përmes telefonit se i ka marr leje profesorit, që me 10 prill ditëlindjen të vij ta festoj në vendlindje.
Kjo fatkeqësi ka marrë jetën edhe të dy vëllezërve nga fshati Sanakos i Gostivarit, Refik dhe Xhemal Hasanit, njëri 44 e tjetri 42 vjeç. Mjaft dhimbje edhe në familjen e tyre, e cila ende pa varrosur viktimat kishte hapur dyert për ngushëllime.

Viktima e katërt shqiptare nga Maqedonia është 11 vjeçarja, Alejna Ajruli, nga Bogovina e Tetovës, e cila pas tërmetit është gjetur nën gërmadhat e shtëpisë.
Viktimat tjera nga Maqedonia janë edhe Hakik Bajrami nga Dobridolli i Gostivarit dhe Nurie Abdiu, 41 vjeçe nga Tetova.

Familjet e viktimave qe pësuan nga tërmeti sot i vizitoi edhe një delegacion i Qeverisë së Maqedonisë, udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Abdilhaqim Ademi, i cili premtoi ndihmën e qeverise për këto familje.

Gjatë ditës së nesërme pritet të arrijnë në Maqedoni trupat e pajetë të gjashtë viktimave që humbën jetën nga tërmeti, e më pas gjatë ditës të bëhet edhe varrimi i tyre.
Nga tërmeti qe goditi Italinë janë lënduar edhe rreth 50 shqiptarë nga Maqedonia, të cilët ndodhen për kurim neper spitalet e Italisë

Në zonën ku goditi tërmeti jetojnë dhe veprojnë qindra shtetas të Maqedonisë, kryesisht shqiptarë. Voal-online.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.