VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EPIKA GOJORE SHQIPTARE NË SIMPOZIUMIN NDËRKOMBËTAR TË UNIVERSITETIT TË HARVARDIT

Nga Prof. Dr. ZYMER NEZIRI


E Hënë, 12.27.2010, 05:19pm (GMT1)

Në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit, Kembrixh, SHBA: «Këngëtarët dhe rrëfenjat në shekullin e 21-të: Trashëgimitë e Millmen Perit (Milman Parry) dhe të Allbert Llordit (Albert Lord)», që u mbajt nga data 3 deri më 5 dhjetor 2010, në Kembrixh, mora pjesë me kumtesë dhe kumtesën e kemi paraqitur bashkërisht me etnomuzikologun Nikolla Skalldaferri (Nicolla Scaldaferri), profesor në Universitetit te Milanos. Titulli i kumtesës është: «Nga arkivi në terren: Hulumtim i ri për këngët epike shqiptare».

Ky simpozium shkencor ndërkombëtar i Harvardit doli shumë i suksesshëm. Me kumtesa u paraqiten 32 studiues nga SHBA dhe nga qendrat e njohura studimore dhe universitare të botës: Egbert Bakker, Karl Lindahl, Chao Gejin, Minna Skafte Jensen, Françoise Létoublon, John Miles Foley, Mirsad Kunić, Ronelle Alexander, Nicola Scaldaferri, Zymer Neziri, Nikolai Grintser, Olga Levaniouk, Holly Davidson, Anna Bonifazi, David Elmer, Joseph Nagy, Peter McMurray, Casey Dué, Mary Ebbott, Lars Lönnroth, Gísli Sigurdsson, Thomas A. DuBois, David Bouvier, Carlo Severi, John Franklin, Karl Reichl, Dwight Reynolds, Anna Stavrakopoulou, Aida Vidan, Lotte Tarkka, Susan Niditch, Margaret Beissinger.

Punimet e simpoziumit i shpalli të hapura David Elmer (Dejvid Ellmer), përgjegjës i këshillit përgatitor të këtij simpoziumi të Universitetit të Harvardit. Të pranishëve u dëshiroi mirëseardhje. Foli edhe për organizimin dhe mbajtjen e këtij tubimi shkencor, në shenjë të përvjetorit të punës së profesorëve Peri dhe Llord në Ballkanin Përendimor, në vitet 1933-1935, kurse për idenë e mbajtjes së simpoziumit falënderoi Zymer Nezirin.

Fondi arkivor i këtij universiteti, shumë i njohur në SHBA dhe në botë, i incizuar në 3500 pllaka, i krijuar në vitet "˜30 të shekullit të kaluar, me emrin Koleksioni i Letërsisë Gojore i Millmen Perit, përveç epikës boshnjake, ka edhe epikë shqipe, kroate dhe serbe. Kënga shqipe është nga pjesa veriore e Vilajetit të Kosovës, nga Sanxhaku i Pazarit, nga vinin edhe lahutarët më të mirë të këtij koleksioni, Avdullah Zeneli dhe Salih Uglla, të njohur në këtë koleksion dhe në literaturën botërore si Avdo Megjedoviq dhe Salih Uglanin. Në kuadër të këtij koleksioni është edhe Koleksioni i këngëve shqipe i Allbert Llordit, me rreth njëzet mijë vargje të Eposit të Kreshnikëve, i shënuar më 1937, në Shqipërinë e Veriut, dy vjet pas vdekjes së M. Perit.

Në këtë simpozium shkencor ndërkombëtar, kushtuar M. Perit dhe A. Llordit, u trajtuan këto grupe temash: Formula e tema, Homeri, Epika e Ballkanit, Qasje krahasuese I dhe II, Teknologji, Traditat skandinave, Kujtesë, Muzikë dhe performancë, Qasje bashkëbisedore, Epika dhe shoqëria.

Profesori i Universiteti të Jellit (Yale), homerologu Egbert Bakker, mori i pari fjalën dhe paraqiti kumtesën "Formulat homerike dhe vazhdimësia e intertekstualitetit." Studiuesja Minna Skafte Jensen, profesoreshë nga Danimarka, po ashtu homerologe e njohur, lexoi kumtesën "Menelau në Odisea: Një studim për treguesin si model." Studiuesi i folklorit dhe i traditës gojore, profesor në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës, Chao Gejin, pati për kumtesë "Trendet aktuale në folkloristikën kineze: Një perspektivë nga zbatimet e lokalizuara të Teorisë gojore formulaike." Profesor David Bouvier (Universiteti i Lozanës) lexoi kumtesën "Shprehje formulaike dhe kujtime te Homeri."

Zgjuan interesim edhe kumtesat, në rrafshin krahasues, të studiuesve Anna Bonifazi (Universiteti i Hajdelbergut) dhe David Elmer (Harvard): "Vizualiteti në epikën sllave të Jugut dhe në epikën homerike", si dhe ajo e profesorit Joseph Falaky Nagy (Univeriteti i Kalifornisë, Los Anxhelos), mitolog, studiues i kulturës kelte dhe i traditës gojore: "Gjarpërinjtë e zemrës në tregimet heroike serbe dhe irlandeze."

Me interes qenë edhe kumtesat e paraqitura nga: Holly Davidson, nga Universiteti i Bostonit, "Teksti i shkruar si një metaforë për integritetin dhe kompozicionin gojor iranian dhe gjetiu"; Karl Reichl, profesor i Universitetit të Bonit, "Këndimi i rrëfenjave: Roli i muzikës në performancën epike dhe në tekstin e ndryshuar"; Carlo Severi, antropolog i njohur, "Kompozicioni në mendje: Ikonografia, gojorësia, dhe antropologjia e kujtesës"; Lotte Tarkka, specialiste e "˜'Kalevalës,''studiuese e folklorit dhe profesoreshë në Universitetin e Helsinkit, lexoi kumtesën "Dialogu i zhanreve në metrin e poezisë gojore të Kalevalës."

Në kuadër të traditave skandinave u lexuan këto kumtesa: profesori nga Suedia, Lars Lönnroth (Universiteti i GÅ‘teborgut), "Tekstet e vjetra nordike si performancë"; profesoresha Gísli Sigurdsson (Universiti i Islandës), "Historiku gojor i Edave dhe i Sagave" dhe profesori Thomas A. DuBois (Universiteti i Pensilvanisë), "Malli i parakohshëm për multimedia."

Nga fusha e muzikës së sllavëve të Jugut dhe e muzikës arabe u paraqiten studiuesi John Franklin (Konservatori, New England), "Melodia heroike e sllavëve të Jugut: Drejt një metode të re të analizës," si dhe profesori Dwight Reynolds (Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara), "Kompozicioni në performancën e stilit arab."

Me kumtesa të tjera u paraqiten: Karl Lindahl (Universiteti Indiana), Rrjedhat e shtëpisë poroze në tregimet popullore Appalachian"; Françoise Létoublon (Universiteti Stendal, Grenobël), "Teatri trojan formulaik"; Nikolay Grintser (Universiteti Shtetëror Rus i Shkencave Humane), "Dhimbje të përbashkëta: vajtimi për Hektorin dhe Ramën"; Olga Levaniouk (Universiteti i Uashingtonit), "Ëndrrrat e Barshinit dhe të Penelopës"; Casey Dué (Universiteti i Hjustonit) dhe Mary Ebbott (Kolegji Holy Cross), "Multiteksti si një zgjatje e Teorisë së punës në terren të Perit (e të Llordit)"; studiuesja Anna Stavrakopoulou (Universiteti i Aristotelit, Selanik), "Dialogu i shurdhër: Drejtuesit e kukullave ose intervistuesit e historisë gojore dhe të të dhënave historike," dhe studiuesja Susan Niditch (Kolegji Amherst), "Ruajtja e traditave te 'Ata' dhe krijimi i 'Us': Gjuha formulaike, historiografia, mitologjia dhe vetëpërkufizimi."

Në grupin e temave për Ballkanin u paraqitën këto kumtesa: profesor John Miles Foley (Universiteti i Misurit), "Epika gojore në Stollac: Tradita kolektive dhe arti individual"; Mirsad Kunić (Universiteti i Tuzllës), "Vdekja e heroit Mustaj Beg i Likës në këngët e Koleksionit të Millmen Perit"; profesoresha Ronelle Alexander (Universiteti i Kalifornisë, Berkeley), "Përcjellja e regjistrit epik te sllavët e Jugut"; Nicola Scaldaferri dhe Zymer Neziri, "Nga Arkivi në terren: Hulumtim i ri për këngët epike shqiptare."

Tema nga Ballkani trajtuan edhe: studiuesja e epikës, Margaret Beissinger, sllaviste në Universitetin e Prinstonit (Princeton), "Shkelja, turpi, dhe ruajtja e shoqërisë tradicionale: Incesti në epikën gojore të Ballkanit"; Aida Vidan (Harvard) "Balada e vëllait të humbur: Burimet gojore të dramës të Rilindjes kroate"; Peter McMurray (Harvard), "Nuk ka media gojore? Perceptimet dëgjimore dhe pamore të poezisë epike të sllavëve të Jugut."

Pra, në kuadër të epikës gojore të Ballkanit, u shqyrtua edhe epika jonë, në kumtesën tonë, "˜'Nga Arkivi në terren: Hulumtime të reja për këngë epike shqiptare,'' të përbashkët me prof. Nikolla Skalldaferrin. Kumtesa u prit mirë. Pati edhe diskutime lidhur me të. Në këtë kumtesë u tha: tradita epike legjendare e Eposit të Kreshnikëve është një pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor shqiptar, e mbledhur kryesisht në anën veriore të Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare në Maqedoni, në Serbi e në Mal të Zi; hulumtime të rëndësishme janë kryer në kaluarën në këtë traditë: ku veçohet edhe puna e Millmen Perit dhe e Allbert Llordit, krahas mbledhësve të tjerë ndërmjet dy luftërave botërore, si dhe më vonë, të nxitur nga institucionet vendore, si Instituti i Kulturës Popullore i Tiranës dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës; këto materiale të ofrojnë një pikë të rëndësishme referimi edhe për kërkime të reja; sot, këngëtarët janë ende aktivë në rajonet e përmendura, veçanërisht në disa vise specifike, sidomos në Rugovë dhe në disa krahina të Malësisë; në kërkimet e reja, që zbatohen në këtë fushë gjatë viteve të fundit, duke pasur parasysh edhe koleksionet e vjetra, si dhe me mbështetjen e teknologjive të reja, po bëhen përpjekje për të arritur rezultate të reja të rëndësishme, duke u përqendruar veçanërisht në pikat e mëposhtme: informacione të reja dhe të dhëna etnografike lidhur me rapsodët e tashëm, sidomos në lidhje me këngëtarët e dokumentuar në pjesën veriore të Shqipërisë, nga Allbert Llordi, më 1937; vërejtjet e analitike për elementet strukturore të vargut, modaliteti i performancës, sidomos aspektet e recitimit të vargjeve dhe aspektet melodike; botimet dhe ribotimet e këtij lloji të epikës legjendare në 15 vjetët e fundit; interesimi i shtetit për traditën epike sot dhe kuptimet që ai do të marrë, veçanërisht në Kosovë, në kuadrin e pavarësisë të vitit 2008; debati për Listën e UNESCO-s të trashëgimisë kulturore; konferenca shkencore ndërkombëtare për Eposin e Kreshnikëve, në Prishtinë, më 2010, ku morën pjesë 100 studiues, etj.

Prandaj, kjo paraqitje ishte me interes të veçantë, sepse Eposi i Kreshnikëve ende e vazhdon jetën e vet, që nga gjysma e dytë e mijëvjeçarit të parë e deri në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë, si dhe ai bashkëjeton me epikën tonë historike që nga viti 1389, pra nga cikli i Betejës së Kosovës e deri te cikli i tashëm i UÇK-së.

Në punimet e simpoziumit kanë qenë të pranishëm edhe profesorë dhe studentë të Departamentit të Folklorit dhe të Mitologjisë të Univeristetit të Harvardit, drejtuesit e Koelsionit të M. Perit, prof. Stephen Mitchell (Stiven Miçell) dhe Gregory Nagy (Gregori Naxh), si dhe pasardhës të Perit e të Llordit: Marian Parry, Nate Lord etj.

Prania jonë në këtë tubim shkencor botëror, jashtëzakonisht të rëndësishëm, në Universitetin e Harvardit, në shkollën më elitare në SHBA dhe në botë, mendoj, është nder i madh për epikologjinë dhe për studimet albanologjike.

Me këtë rast falëndroj Ministrinë e Shkencës (MASHT) për ndihmën financiare, për shpenzimet e fjetjes (tri net në Kembrixh), si dhe Ministrinë e Kulturës (MKRS), për biletë (Prishtinë-Boston).

Prof. Dr. ZYMER NEZIRI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.